Kuvendi miratoi Statutin e Universitetit të Prishtinës

Kosova

Kuvendi miratoi Statutin e Universitetit të Prishtinës

Më: 12 tetor 2012 Në ora: 19:10

Në vazhdimin e sotëm të mbledhjes plenare të Kuvendit të Kosovë të kryesuar nga Xhavit Haliti, nënkryetar, (një pjesë të së cilës e kryesoi edhe nënkryetari tjetër, Petar Miletiq), deputetët shqyrtuan dy projektligje në lexim të parë dhe një në lexim të dytë, një Raport Auditimi, një Propozim Vendim të Qeverisë dhe Statutin e Universitetit të Prishtinës.
Fillimisht, deputetët miratuan në parim Projektligjin për provimin e jurisprudencës, pasi që debatet lidhur me të kishin mbaruar në mbledhjen e djeshme, ndërsa në mungesë kuorumi nuk ishte hedhur në votim. Pas kësaj, mbledhja vazhdoi me shqyrtimin në parim të Projektligjit për skemat pensionale të financuara nga shteti, të cilin para deputetëve e paraqiti ministri i Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, Nenad Rashiq. Duke falënderuar Qeverinë dhe pensionistët për bashkëpunim gjatë fazës së hartimit të këtij projektligji, Rashiq sqaroi se përfituesit e këtij ligji do të jenë të ndarë në gjashtë kategori. Ministri po ashtu sqaroi se për dallim nga versioni i kaluar i këtij Projektligji, tashmë në të janë të parapara edhe dy kategori të reja të pensionistëve: pensioni invalidor dhe pensioni familjar.
Ministri Rashiq, duke kërkuar përkrahjen për këtë projektligj, sqaroi se mangësitë eventuale të tij do të mund të përmirësoheshin me akte nënligjore.
Lidhur me projektligjin u deklaruan edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare. Derisa grupet parlamentare të pozitës u deklaruan në favor të projektligjit, kundër u deklaruan Grupi Parlamentar i LDK-së, VV-së dhe ata të AAK-së. Në të njëjtën frymë u zhvillua edhe debati lidhur me këtë projektligj, me ç'rast viheshin re qëndrime të kundërta në mes të deputetëve të pozitës dhe atyre të opozitës. Pas kësaj, projektligji u hodh në votim dhe gjeti përkrahjen e shumicës së deputetëve të pranishëm.
Në vijim, deputetët shqyrtuan në lexim të dytë dhe e miratuan Projektligjin për komunikimet elektronike, të cilin e paraqiti kryetari i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Zenun Pajaziti.
Pas shqyrtimit të këtyre projektligjeve, mbledhja vazhdoi me Shqyrtimin e Raportit të Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Universitetit të Prishtinës, për vitin 2011. Për vërejtjet dhe të gjeturat e këtij Raporti, foli kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, Ali Sadria. Pas debatit lidhur me këtë Raport, deputetët me shumicë votash e miratuan atë, duke përfshirë vërejtjet dhe rekomandimet e ngritura rreth tij.
Pas deklarimit nga ana e përfaqësuesve të grupeve parlamentare, deputetët, po ashtu miratuan edhe Propozim-vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për emërimin e anëtarëve në Bordin e Pavarur për Rishqyrtimin e ankesave.
Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Statutit të Universitetit të Prishtinës, të cilin ministri i Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, e vlerësoi si të rëndësisë së veçantë. Pas deklarimeve nga ana e shefave të grupeve parlamentare, me gjithë vërejtjet e ngritura gjatë debatit, me shumicë votash u miratua Statuti i Universitetit të Prishtinës.
Debati i paraparë për mbledhjen e sotme, sipas kërkesës së deputetes nga radhët e Vetëvendosjes, Alma Lama, nuk u zhvillua. Lama, në mungesë të kabinetit Qeveritar kërkoi mocion për shtyrje të kësaj pike të rendit të ditës.
Për mocionin e ngritur nga deputetja Lama, nuk kishte kuorum për të votuar, andaj lidhur me këtë do të vendosë Kryesia e Kuvendit të Kosovës. BS

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat