Prishet koalicioni për Kosovën e Re

Kosova

Prishet koalicioni për Kosovën e Re

Më: 12 tetor 2012 Në ora: 18:50

Muhamet Mustafa, udhëheqës i Grupit E15 në Kuvendin e Kosovës, tani e tutje do të jetë i pavarur në Kuvendin e Kosovës. Ai para pak çastesh ka vendosur përfundimisht të largohet nga Koalicioni për Kosovën e Re.

Grupi i ekspertëve E-15 diskutoi sot për zhvillimet aktuale politike në vend, me theks të veçantë në zhvillimet e fundit në Kuvendin e Kosovës sidomos rreth çështjes së privatizimit të ndërmarrjeve publike.

Muhamet Mustafa, udhëheqës i grupit E15 dhe Deputet në Parlamentin e Kosovës, ka deklaruar se tani e tutje në Kuvend do ta përfaqësoi vetëm Grupin E 15 dhe do të bëjë maksimumin për forcimin e ekonomisë kosovare.

Grupi E-15 konstatoi se angazhimi i deritashëm në Koalicionin për Kosovën e Re në Qeveri nuk ka qenë rezultativ në realizimin e programit ekonomik të KKR si dhe përmirësimit të funksionimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera.

"Duke qenë se përkundër angazhimit të E15 në kuadër të Grupit Parlamentar gjendja nuk ka ndryshuar për të mire dhe se përpjekjet e Grupit E-15 për arritjen e një qëndrimi të përbashkët të KKR rreth ketyre çështjeve nuk kanë qenë të frytshme, veçanarisht lidhur me privatizimin e ndërmarrjeve publike, Grupi E-15 tani e tutje nuk do të veproj në kuadër të Koalicionit për Kosovë të Re”, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Grupi E15.

Grupi E-15 diskutoi edhe për aktivitet e ardhshme me qëllim të forcimit e zgjerimit të tij për të qenë më efektiv në adresimin e sfidave aktuale të vendit si dhe për të forcuar në këtë mënyrë identitetin e vet në skenën politike të Kosovës.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat