Vihet gurthemeli i Xhamisë qendrore në Prishtinë

Kosova

Vihet gurthemeli i Xhamisë qendrore në Prishtinë

Më: 8 tetor 2012 Në ora: 12:34

Në lokacionin që është përcaktuar nga Komuna e Prishtinës, për ndërtimin e Xhamisë Qendrore në Prishtinë, është vënë sot gurthemeli i kësaj Xhamie. Me rastin e vendosjes së këtij gurthemeli kanë marrë pjesë krerët më të lartë të shtetit,
Presidentja Atifete Jahjaga, Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, Kryeparlamentari Jakup Krasniqi, Kryetari i Prishtinës Isa Mustafa etj.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi, ka uruar vënien e gurthemelit të Xhamisë në Prishtinë, duke thënë se edhe pse Kosova është shteti më i ri në Botë, populli i Kosovës ka një traditë të gjatë të tolerancës dhe harmonisë ndërfetare.
“Kosova shtet i ri, mirëpo është një shembull për rajonin dhe botën për harmonin ndërfetare. Ky fakt bëhet edhe më i rëndësishëm kur në kohën e sotme çështja e bashkëjetesës së kulturave dhe feve është një ndër sfidat më të rëndësishme që po kapërcen bota jonë në saje të procesit të globalizmit, i cili ka ofruar dhe ngjitur dallimet kulturore dhe fetare”, ka thënë Kryeministri Thaçi.

Kryeparalamentari Jakup Krasniqi me këtë rast tha se Prishtinës ju ka dashur një xhami me përmasa të tilla, dhe se Kosova po hap rrugë të reja edhe për kultet fetare.

“Prishtinës ndoshta deri më sot i ka munguar një xhami e përmasave të tilla, për tu siguruar hapësirë të mjaftueshme që besimtarët të kryejnë në Kushte Minimale ritet fetare. Kosova e lirë e pavarur dhe demokratike po hap rrugë të reja për të gjithë, edhe për kultet fetare”, ka theksuar Krasniqi.


Edhe Presidentja Jahjaga ju drejtua të pranishmëve me një fjalim të cilin po e japim të plotë:
Kosova është vend ku kulturat, traditat e fetë janë gërshetuar përgjatë shumë shekujve dhe ku bashkëjetesa mes tyre ka qenë e vazhdon të jetë virtyt dhe vlerë e saj. Është vend i besimit në njeriun dhe i mirësisë mes njerëzve, vend i tolerancës dhe respektit fetar.E hënë, 08 tetor 2012
Të nderuar përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës,
Të nderuar drejtues të Bashkësisë Islame të Kosovës,
I nderuari Myfti Tërnava,
Të nderuar përfaqësues të bashkësive të tjera fetare,
Të nderuar pjesëmarrës, besimtarë
Qytetarë të nderuar,
Kosova është vend ku kulturat, traditat e fetë janë gërshetuar përgjatë shumë shekujve dhe ku bashkëjetesa mes tyre ka qenë e vazhdon të jetë virtyt dhe vlerë e saj. Është vend i besimit në njeriun dhe i mirësisë mes njerëzve, vend i tolerancës dhe respektit fetar.

Ky gërshetim vlerash fetare e kulturore i ka dhënë Kosovës dhe qytetarëve të saj një vlerë më të madhe: atë të guximit të bashkëjetesës në diversitet dhe të punës së përbashkët drejt të ardhmes më të zhvilluar.

Shteti ynë është shtet laik, i ndërtuar mbi parimin qytetar që garanton çdo të drejtë të secilit individ dhe komunitet, dhe lirinë fetare si një të drejtë demokratike. Është shtet multikulturor e multifetar, shtet gjithëpërfshirës, që respekton vullnetin e qytetarëve të tij dhe njëkohësisht vlerëson edhe përgjegjësitë dhe kontributin e secilit, për një jetë më të mirë dhe të lirë të çdo qytetari.

Feja në Kosovë, sot është një promotor i paqes dhe urtësisë, i bashkëjetesës dhe solidaritetit mes njerëzve, është urë lidhëse mes të gjitha komuniteteve. Ajo mund të ndërtojë të sotmen e përbashkët, duke hapur rrugë të së ardhmes për shtetin tonë gjithëpërfshirës.
Këto themele që sot po vihen, janë jo vetëm themele të një objekti të kultit, por më shumë se kaq: themele të një objekti që do të ndihmojë besimtarët në rrugën e tyre të fesë, por edhe të gjithë qytetarët e Kosovës që duan të nxënë dijen për fenë.

Ju përgëzoj ju besimtarë për fillimin e ndërtimit të kësaj xhamie me urimin që devotshmëria juaj dhe solidariteti që tregoni ndaj njëri tjetrit të shpërblehet me gjetje të paqes shpirtërore.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat