Kosovë: Votimi për dokumentet e paraqitura për privatizim-të enjtens

Kosova

Kosovë: Votimi për dokumentet e paraqitura për privatizim-të enjtens

Më: 3 tetor 2012 Në ora: 19:28

Gjatë seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, ku u diskutua për procesin e privatizimit të ndërmarrjeve publike, kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ua përkujtoi deputetëve nenin 10 të Kushtetutës, për ekonominë e lirë të tregut.

Thaçi, mëtutje, foli për ecurinë e procesit që nga vitin 2001 kur udhëhiqej nga UNMIK-u, i cili i merrte të gjitha vendimet ekzekutive, duke thënë se i tërë spektri politik e kishte përkrahur privatizimin.

Thaçi theksoi se për t’i ikur “politizimit”, qeveria nuk ka dashur të përfshijë ministra në bord dhe se bordi i ka raportuar vazhdimisht Kuvendit.

“Dëshiroj të theksoj se nga viti 2001-2008 UNMIK-u ka qenë përgjegjës për këtë proces. Ne, si qeveri, kemi udhëhequr vetëm procesin e koncesionimit të aeroportit dhe privatizimit të distribucionit, që janë më të mirat në rajon”, tha Thaçi.

Deputeti Visar Ymeri nga lëvizja Vetëvendosje, paraqiti një mocion, të hartuar bashkë me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, përmes të cilit kërkuan që Kuvendi të marrë vendim, që procesi i privatizimit të ndërmarrjeve publike të pezullohet derisa të plotësohen disa kushte: vendimi për privatizim të PTK-së të sillet në Kuvend, të rishikohet strategjia energjetike e Kosovës, i tërë aranzhmani për privatizim të KEDS-it të rishqyrtohet, dhe të përgatitet një strategji për shfrytëzimin e mjeteve të mbledhura nga shitja e ndërmarrjeve shoqërore.

Por, Adem Grabovci, në emër të koalicionit qeverisës, paraqiti një rezolutë, përmes së cilës kërkoi që në harmoni me vendimet e qeverisë dhe kuvendit, qeveria të vazhdojë procesin e privatizimit, që AKP-ja të vazhdojë krijimin e ndërmarrjeve të reja dhe Fondi i Mirëbesimit të ofrohet në funksion të zhvillimit ekonomik, dhe që Kuvendi të vazhdojë monitorimin e procesit.
Votimi për këto dy dokumente u shty për seancën e së enjtes, pasi kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se dokumentet janë paraqitur vonë dhe se nuk janë përkthyer në gjuhët zyrtare.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat