Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur bindjen për krijimin e shpejtë të komunës së Mitrovicës veriore.
Thaçi, në Konferencën III Ndërkombëtare për Vetëqeverisjen Lokale, ka pranuar se sfidat janë të mëdha, për pjesën veriore të qytetit, e cila është e banuar me shumicë serbe dhe nuk e njeh autoritetin e Prishtinës.
Kryeministri fjalim në Konferencën ndërkombëtare për vetëqeverisjen lokale
Tani që kemi krijuar një sistem solid të vetëqeverisjes lokale, kemi arritur të sigurojmë kushte të mira jetese për të gjithë qytetarët tanë, por mund ta avancojmë edhe më tepër këtë proces me anë të ngritjes së kapaciteteve dhe resurseve njerëzore, tha kryeministri Hashim Thaçi, në Konferencën e tretë ndërkombëtare për vetëqeverisjen lokale me temë: “Forcimi i Qeverisjes Lokale Përmes Promovimit të Vlerave Evropiane”, organizuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal
Kryeministri Thaçi tha se kjo është konferenca e parë pas përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë. Kjo është shenja që ne jemi të përkushtuar të vazhdojmë me implementimin e të gjitha reformave të nevojshme që dalin nga përkushtimet dhe zotimet që kemi marrë për ndërtimin e Kosovës së re, evropiane, demokratike dhe shumetnike.
Ai tha se pjesë e pandashme e projektit të shtetndërtimit dhe vizionit tonë të Kosovës shumetnike në integrimin e komuniteteve, që nga ajo kohë ka qenë edhe procesi i decentralizimit, që ka arritur qëllimin e tij, pra pjesëmarrja e qytetarëve në vendimmarrje, që është element thelbësor i demokracisë.
Që nga viti 2008, procesi i reformës së pushtetit vendor dhe decentralizimit në Kosovë ka përfshirë miratimin e ligjeve të reja, dhe rishikimin e atyre ekzistuese, krijimin e komunave të reja, bartje të kompetencave sektoriale, reformë të sistemit të financave lokale, dhe ngritje kapacitetesh për vetëqeverisje lokale efektive.
Ai tha se synimi strategjik ka qenë krijimi i një sistemi të qëndrueshëm dhe efektiv të vetëqeverisjes lokale në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. “Tani që kemi krijuar një sistem solid të vetëqeverisjes lokale, kemi arritur të sigurojmë kushte të mira jetese për të gjithë qytetarët tanë, por mund ta avancojmë edhe më tepër këtë proces me anë të ngritjes së kapaciteteve dhe resurseve njerëzore, financimit të projekteve infrastrukturore, si dhe koordinimin me donatorë të jashtëm dhe të brendshëm”, tha ai.
Kryeministri Thaçi tha se të gjithë janë të vetëdijshëm se ndodhen para sfidës së krijimit të komunës së Mitrovicës veriore. “Por kam besim se edhe kjo komunë do të krijohet shumë shpejt, dhe gjithnjë duke u bazuar në suksesin e integrimit në veçanti të komunitetit serb në jug, por edhe komuniteteve tjera në përgjithësi”, tha Thaçi.
Ai tha se një sfidë tjetër të cilën duhet ta adresojnë në të ardhmen është kultivimi dhe zhvillimi i marrëdhënieve të institucioneve me qytetarët serb në veri.
Për këtë qëllim, tha ai, Qeveria e Kosovës, në maj të këtij viti, ka hapur Zyrën Administrative të Mitrovicës Veriore. “Kjo Zyrë, është e përkushtuar të ofroj të gjitha shërbimet publike që një komunë i ofron, që të përmirësoj kualitetin e jetës për qytetarët në veriun e Mitrovicës, në mënyrë transparente dhe shumë të përgjegjshme”, tha ai.
Kryeministri tha se kanë arritur që t’iu mundësojmë qytetarëve të vendosin vetë për gjërat që ndërlidhen me vetëqeverisjen lokale. “Dua të theksoj edhe njëherë se në të gjitha përkushtimet që ju i keni si pushtet lokal, si Ministri e Pushtetit Lokal, të gjitha ministritë që ndërlidhen me këtë çështje, dhe ju autoritete lokale, do ta keni përkrahjen maksimale të Qeverisë”, tha ai. BS