30 ditë paraburgim për Sami Hamitin me shokë

Kosova

30 ditë paraburgim për Sami Hamitin me shokë

Më: 12 shtator 2012 Në ora: 11:43

(I plotësuar) Gjykatësi i EULEX-it i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prishtinës Sami Hamiti.

E njëjta masë i është shqiptuar edhe Agim Ademit dhe Muharrem Ramës, të cilët po ashtu do të jenë në paraburgim për 30 ditë.

Në arsyetimin e gjykatësit thuhet se paraburgimi ka të bëj “me kërcenimin e mundshëm të dëshmitarëve për rastin në fjalë”.

* * * * *
Sami Hamiti del sot para Gjykatës së Qarkut

- Sot në mesditë, në Gjykatën e Qarkut pritet që kryesuesi i Asamblesë së Komunës së Prishtinës Sami Hamiti të dal para Gjykatësit të seancës paraprake. Hamiti është arrestuar të mërkurën së bashku me dy biznesmenë nën dyshimin për zhvatje dhe korrupsion.

Sami Hamiti do të përballet në mesditë me dyshimet e një prokurori të EULEX-it se në bashkëveprim me dy biznesmenë i kanë kërkuar ryshfet një qytetari për ndryshim të një plani urbanistik në Prishtinë.

Dyshimet e prokurorisë lidhen me një denoncim e pronarit të një kompanie të patundshmërive i cili akuzon Hamitin se përmes dy biznesmenëve i ka kërkuar atij tri shtëpi dhe një veturë në këmbim të shndërrimit të një zonë të gjelbër në lagjen Sofalia në zonë ndërtimore.

Avokati i Hamitit Tomë Gashi ka thënë se të gjitha gjasat janë se fjala është për një keqkuptim.

Prokuroria e EULEX-it i ka caktuar të mërkurën Hamitit dhe nënkryetarit të Federatës së Futbollit Agim Ademit dhe një biznesmeni me emrin Muahrrem Rama masën e ndalimit policor në afat prej 24 orëve .

Komuna e Prishtinës deri më tani ka heshtur ndaj arrestimit të Hamitit dhe dyshimeve që bien mbi të.

Hamitit dhe të tjerëve,i caktohet masa ndalim-policor

Prokurorët e EULEX-it pas intervistimit po i mbajnë të ndaluar tre të dyshuarit për korrupsion, të arrestuar paradite.

Të arrestuar janë zyrtari i Komunës së Prishtinës, Sami Hamiti, biznesmeni, Agim Ademi, ndërtues banesash në Prishtinë dhe njëkohësisht nënkryetar i Federatës Kosovare të Futbollit dhe biznesmeni, Muharrem Rama.

Të dyshuarit u arrestuan pasi dyshohen për zhvatje dhe vepra të tjera që lidhen me korrupsionin. Avokati Tomë Gashi, i cili e mbron Sami Hamitin, ka thënë se ende nuk dihet se pse klienti i tij është ndaluar.

“Prokurori i EULEX-it ka hapur hetime kundër Sami Hamitit, të cilin unë e kam klient, dhe dy personave të tjerë kinse për keqpërdorim të detyrës. Prokurori s’ka nxjerrë vendim për fillimin e hetimeve dhe nuk na ka pajisur neve sot - kjo ka qenë arsyeja që me këshillën time nuk ka dhënë kurrfarë deklarate. Se çka do të vendoset, nesër do të dihet lidhur me kërkesën e prokurorit se a do të ketë kërkesë për paraburgim apo jo. Sot është vendosur masa ndalim policor, që do të zgjasë deri nesër paradite”, ka theksuar Gashi.

Sipas tij, dyshimet nuk kanë të bëjnë me ndonjë keqpërdorim lidhur me punën e Sami Hamitit në Kuvendin Komunal të Prishtinës, por prokurori dyshon se ai ka një aferë jashtë marrëdhënies së tij të rregullt të punës, si kryesues i Kuvendit Komunal.

Ndërkohë zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Asdren Osaj, ka thënë për Radio Kosovën se nuk kanë asnjë informacion zyrtarë për arrestimet në fjalë.

Të dyshuarit u arrestuan me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Rasti është duke u hetuar nga një ekip i përzier i prokurorëve vendorë dhe ndërkombëtarë nga radhët e EULEX-it. Ata u arrestuan me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake.

Arrestohet Sami Hamiti, Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës

Gjatë një operacioni, sot policia e misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ka arrestuar tre persona, në mesin e tyre një zyrtar të lartë të komunës së Prishtinës.

Jozyrtarisht merret vesh se zyrtari i arrestuar është Sami Hamiti.

Të dyshuarit u arrestuan me autorizim të gjyqtarit të procedurës paraprake, dhe dyshohen për zhvatje dhe vepra të tjera që lidhen me korrupsionin. Rasti është duke u hetuar nga një ekip i përzier i prokurorëve vendorë dhe ndërkombëtarë nga radhët e EULEX-it.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i EULEX-it, Blerim Krasniqi.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat