Haxhija: Kirurgët pediatrik në Kosovë punojnë në kushte shumë të vështira

Kosova

Haxhija: Kirurgët pediatrik në Kosovë punojnë në kushte shumë të vështira

Më: 22 prill 2019 Në ora: 10:25
Emir Haxhija

Emir Haxhija është profesor i pediatrisë në Graz të Austrisë, vlerëson se kushtet në të cilat punojnë kirurgët kosovarë janë shumë të vështira.

Problematike e ka parë hapësirën në të cilën gjendet Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve, ndërsa thotë se ka nevojë për investime edhe në aparatura.

Profesori Haxhija ka folur për kushtet në të cilat punon në shtetin austriak, derisa ka krahasuar punën që bëhet në Kosovë. Ai ka thënë se është shumë e rëndësishme që të ketë një klinikë që është vetëm për fëmijët, ku ofrohen të gjitha shërbimet.

Haxhija: Ne i trajtojmë të gjitha sëmundjet që fëmijët kanë në një ndërtesë

“Unë punojë në një qendër të zhvilluar, në një qendër për fëmijë e cila në një vend, në një ndërtesë i trajton fëmijët edhe nga ana kirurgjike, por edhe nga ana  pediatrike, kemi radiologji pediatrike me rrezet e rëntgenit, anestezionin perdiatrik dhe jemi si një shtëpi në vete për trajtimin e fëmijëve. Ne i trajtojmë të gjitha sëmundjet që fëmijët kanë në një shtëpi, jo vetëm sëmundjet e barkut apo sëmundjet e gjoksit, por të gjitha. Një transfer i tillë do të jetë i mundshëm në Prishtinë, për arsye se është duke u ndërtuar ndërtesa për kirurgjinë pediatrike, e cila gjendet në mes të Pediatrisë dhe Gjinekologjisë e cila do të jetë e lidhur me ura me Pediatrinë dhe Gjinekologjinë. Këtu në Prishtinë do të ketë mundësi që për disa vite që fëmijët të shkojnë në një vend dhe të diagnostikohen prej fillimit deri në fund dhe të trajtohen nga fillimi deri në fund në një shtëpi. Kjo nëse realizohet do të jetë suksesi më i madh të cilin ne mund ta arrijmë”, ka thënë ai.

Në një intervistë për KosovaPress, profesori Emir Haxhija, ka folur edhe për kushtet e punës në Klinikën e Kirurgjisë së Fëmijëve në QKUK, ku ka thënë se ka nevojë për shumë renovime dhe investime në aparaturë.

Haxhija: Mjetet për punë disa i kanë disa jo

“Ka shumë sfida në jetën dhe punën e kirurgëve pediatrik, por edhe të gjitha disiplinave të tjera në QKUK por edhe në mbarë Kosovën. Sa i përket Kirurgjisë Pediatrike kuptohet që ata janë në një lokalitet i cili është mjaftë i vogël, ka nevojë për renovim, sallat operatore kanë nevojë për renovim, mjetet për punë disa i kanë disa jo. Këtë javë kishim rastin që ta vëmë në funksion aparatin për laparoskopi të cilën ata e kanë që 10 vite, por mjetet për punë me atë aparat i kanë të dobëta dhe duhet të jetë njeriu shumë i shkathët që të jetë në gjendje të punojë me ato mjete të cilat janë prezentë. Nuk janë kushtet optimale që të mësohet ose që transferi i dijenisë të kalojë nga eksperti në dikë i cili dëshiron ta mësojë dhe ta aplikojë atë teknikë. Për këto teknikat kanë nevojë për investime në aparaturë për fat të keq”, ka deklaruar ai.

Profesori Haxhija vlerëson se Kosova ka kirurgë pediatrik shumë të zot, por që thotë se duhet t’iu ofrohen kushte që ata të zgjedhin që të punojnë në Kosovë dhe të mos largohen nga vendi.

Haxhija: Duhet të bëjmë çmos që të na mbeten kirurgët në vend

“Nëse vazhdohet me politikën e deritanishme është e mundur që një numër i këtyre kirurgëve të shkojë jashtë vendit, por ne duhet të bëjmë çmos që të na mbeten kirurgët në vend, mos të na shkojnë jashtë vendit. Duhet t’iu krijojmë kushte të punës, duhet t’iu krijojmë të gjitha, të ketë edhe anestezion, është e nevojshme që të ketë një numër të caktuar dhe të mjaftueshëm për anestezistëve për arsye se pa anestezion, pa neonatolog kirurgu nuk mund të punojë”, ka potencuar ai.

Krahas investimeve në aparaturë, ai ka deklaruar se shumë e rëndësishme është edhe investimi te personeli shëndetësor, e kjo është një nga arsyet që ai vazhdimisht bashkëpunon me kirurgët nga Kosova.

Haxhija bashkëpunimin me kirurgët nga Kosova e kishte filluar qysh në vitin 2003, por që e kishte parë të nevojshme që një bashkëpunim edhe më i madh të bëhet në mes kirurgëve shqiptarë që punojnë në shtete të ndryshme.

Haxhija: Bashkëpunimi i kirurgëve pediatrik shqiptarë të intensifikohet

“Ne kishim dëshirë që ky simpozium të organizohet sa më parë, bashkëpunimi imi personal me kolegët nga Prishtina në QKUK është i gjatë, por nuk ishte aq intensiv në vitet e fundit. Në repart e kanë një ekip të ri me entuziazëm të madh për zhvillimin e kirurgjisë pediatrike dhe ky është hapi i parë që bashkëpunimi mes nesh dhe me rajon, veçanërisht kirurgët pediatrik shqiptarë mes vete të intensifikohet. Unë besoj që kjo do të jetë lehtë e realizueshme për arsye se kemi mbështetje institucionale, kemi përkrahje nga institucionet. Pa përkrahjen e institucioneve nuk mund të arrijmë sukses”, ka deklaruar ai.

Në simpoziumin e parë mbarëshqiptar të Kirurgjisë Pediatrik kanë marrë pjesë kirurgë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Austria, Zvicra dhe Gjermania.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat