Vjosa dhe politika e patokëve

Kolumne

Vjosa dhe politika e patokëve

Prof. Dr. Mehdi Hyseni Nga Prof. Dr. Mehdi Hyseni Më 14 shtator 2018 Në ora: 18:44
Lutfi Haziri, Vjosa Osmani; foto ilustrim nga "Bota sot"

Duhet besuar se, është e çudtishme se  Luta e Hashimi mund ta “ bashkojnë” Preshevën me Kosovën, ashtu  si  e “bashkuan” Kosovën me Shqipërinë (2008-2018)!

Vërtet, ky absurd mund ta çuditë dhe ta befasojë opinionin publik shqiptar, JO vizita e Vjosa Osmanit, që  ka nderuar heroin gjithëkombëtar Isa Boletini në vendlindjen e tij në Mitrovicë. Fundja, ky është obligim jo vetëm i liderëve politikë, por i çdo  shqiptari, JO vetëm i Vjosa Osmanit, të cilin, pa asnjë arsye dhe, pa asnjë argument të vlefshëm e ka problematizuar bashkëpartiaku i saj, Lutfi Haziri (nënkryetar i LDK-së) ! –Çfarë absurdi!?

Duhet kuptuar Luta dhe të gjithë ne, se Vjosat shqiptare nuk janë fajtore e as përgjegjëse , që Presheva, Bujanoci e Medvegja kanë ngelur nën Serbi, por politikat perverse dhe përçarëse të patokëve shqiptarë “njëri thumbit, tjetri patkoit”  për interesa heterogjene pushtetesh dhe të krijimit të feudeve të tyre nahijore. Ky është faktori tragjik që, shqiptarët i ka copëtuar, i ka përçarë, i ka armiqësuar dhe i ka lënë nën thundrën e huaj kolonialiste shekullore të sllavëve dhe të bizantinëve pushtues të SHQIPËRISË ETNIKE dhe të KOMBIT SHQIPTAR (1912-2018).

Pandaj, në këtë kontekst, Vjosa Osmani,  nuk ka pse të përmendet e as të “kritikohet” nga bashkëpartiaku  i saj, Lutfi Haziri (nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i Komunës së Gjilanit),  sepse pavarësisht nga dëshira, motivi, dashuria  dhe ambicia e tij, nuk është ai, e as Hashim Thaçi(president), që mund ta bashkojnë Preshevën me Kosovën, por SHQIPËRIA  E SOTME. Kjo, sipas së drejtës historike mbi Kosovën dhe mbi të gjitha territoret e tjera të Shqipërisë etnike dhe, sipas Kushtetutës në fuqi (1998), është e detyruar, që e para ta lëvizë “gurin”  para bashkësisë ndërkombëtare për ndërkombëtarizimin e zgjidhjes së çështjes koloniale të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, jo Luta, as Hashimi, as Haradinaj  e as Kosova, sepse nuk kanë kurrfarë kapaciteti juridik ligjor të brendshëm e as nuk janë kurrfarë faktori politik me ndikimin ndërkombëtar mbase Kosova ende është shtet i papërfunduar në kuptimin juridik të së drejtës ndërkombëtare. Këtë de fakto dhe de jure e provon edhe mosnjohja e saj nga ana e Kombeve të Bashkuara, me gjithë faktin se disa shtete-anëtare të saj e kanë njohur Republikën e Kosovës.

Pavarësisht nga amaneti historik dhe  nga domodoshmëria e kërkesës së drejtë legjitime, legale, demokratike e kombëtare, që Anamorava (Presheva, Bujanoci dhe Medvegja), t’i bashkohet Kosovës, kjo nuk do bëhet derisa Tirana hesht dhe pret, që këtë çështje ta zgjidhin presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, përkatësisht vetëm Kosova dhe Serbia.

Gjithashtu, Lutfi Haziri, duhet ta ketë pasur të qartë se nuk janë femrat shqiptare ato, e as deputetja dhe profesoresha e guximshme, urtë dhe vizionare shqiptare Vjosa Osmani, që i injorojnë ose i harrojnë heronjtë kombëtarë shqiptarë siç ishin: Idriz Seferi nën Serbi, Dedë Gjo Luli i Malësisë së Madhe  nën Mal të Zi,  Mehmet Pashë Deralla në Iliridë nën Maqedoni dhe Ibrahim Pasha i Çamërisë nën Greqi, POR, mjerisht dhe fatkeqësisht janë liderët e sotëm politikë kulltukofagë të Shqipërisë etnike (1990-2018), që zot e kanë NEPOTIZIMIN, DESPOTIZIMIN, SEKTARIZMIN, AUTORITARIZMIN, BUROKRACINË, luksin, bizhuterinë e shtrenjtë, pushtetin, paranë, milionat, korrupsionin, krimin e organizuar, pasurinë, ahengjet dhe bajraktarizmin, JO BASHKIMIN E KOMBIT DHE TË SHQIPËRISË ETNIKE.

Me Vjosën, do të shkonte në Boletin, edhe Idriz Seferi për t’i bërë nder heorit gjithëkombëtar shqiptar, Isa Boletini!

-E mbytët popullin e shkretë me përralla dhe me premtime boshe, në vend se ta siguronit me punë, me bukë, me strehë, me zhvillim, me prosperitet, me ekzistencë dhe me mirëqenie të plotë, duke e barazuar me nivelin e standardit të juaj jetësor, që nuk ia dini skajin pasurisë, vërtet, ju jeni ata që “po shitni mend”, Luto “fukaraja”, JO Vjosa Osmani, që ka shkuar ta vizitojë varrin e viganit hero Isa Boletinit në vendlindjen e tij në Boletin të Mitrovicës. Kjo vizitë, në asnjë aspekt nuk nënkupton shpërfilljen dhe harresën e heroit gjithëkombëtar Idriz Seferi, ashtu siç e ka cilësuar gabimisht dhe naivisht Lutfi Haziri (nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i komunës së Gjilanit).

Nuk ka asmiteri mes Idriz Seferit dhe Isa Boletinit

Prandaj, Luta, duhet të përmbahet nga tendenca për t’i ndarë heronjtë kombëtarë sipas vijave fisnore, lokaliste dhe territoriale gjeografike, sepse të gjithë ata kanë luftuar për një qëllim, për një flamur, për një abetare, për  një komb shqiptar, për një territor shqiptar dhe për një shtet shqiptar-SHQIPËRINË ETNIKE  të ISMAIL QEMALIT,Të ISA BOLETINIT, TË IDRIZ SEFERIT,TË HASAN PRISHTINËS, TË LUIGJ GURAKUQIT, TË AVNI RRUSTEMIT…etj.

Prandaj, nënkryetari aktual i LDK-së, Lutfi Haziri, do të duhej ta dinte se,  edhe sikur Idriz Seferi të kishte qenë gjallë, do ta shoqëronte Vjosa Osmanin për ta vizituar varrin e Isasë në Boletin të Mitrovicës.

Mirëpo, këtë nuk e bëri  Luta, sepse  si duket vuan nga obsesioni lokalist. Ndryshe, nuk do të ishe shprehur kështu : “…po çuditna me këtë nusen e Preshevës, vendlindjes së Idriz Seferit, e cila po shet men te Boletini i Kosovës, tue harrue vendlindjen e kolosit të Karadakut që sot gjendet në Serbi…” 

Vërtet, kjo kritikë ironizuese e kësaj vizite, e cila  bashkëpartiakun e Vjosa Osmanit e paska “penguar dhe “çuditur” aq shumë, është e diskutueshme dhe e papranueshme, sepse në  këtë rast, Vjosa Osmani nuk ka shkelur as Platformën e LDK-së, as Rregulloren e Kuvendit të Kosovës si deputete, vetëm se  ka bërë gjestin e mrekullueshëm njerëzor, moral, kombëtar dhe patriotik, duke e përkujtuar heroin dhe themeluesin e SHQIPËRISË ETNIKE, ISA BOLETINI.

Ndaj, s’kemi arsye të çuditemi në këtë rast konkret të Vjosa Osmanit, sepse kjo vizitë ka karakter të një akti të lartë patriotik, kombëtar dhe atdhetar, që në asnjë mënyrë nuk do të thotë se Vjosa Osmani  “ e ka harruar vendlindjen e kolosit të Karadakut…” , ashtu  siç është shprehur naivisht  dhe në frymën lokaliste, Lutfi Haziri (nënkryetar i LDK-së dhe kryetar i komunës së Gjilanit) !?

Kjo kritikë ironizuese është nonsens, që shpreh tendencën e ndarjes lokaliste, edhe të  heronjve të dikurshëm të Shqipërisë etnike. Ky është turp dhe mosnjohje e historisë kombëtare të Shqipërisë etnike, sepse të gjithë heronjtë-themelusit e saj me në krye BABAIN e saj, Ismail Qemali nuk kanë luftuar sipas logjikës së kalbur mahallore dhe nahijore, por sipas logjikës së interesit të përgjithshëm mbarëkombëtar dhe të SHQIPËRISË ETNIKE, Jo vetëm për vendlindjen e Idriz Seferit” nga Malësia e Karadakut ose vetëm për Mitrovicën e Isa Boletinit…etj.

Këtë e vërteton edhe kjo thënie e artë patriotike dhe vizionare e Isa Boletinit : “UNË JAM MIRË, KUR ASHT MIRË E TANË SHQIPNIA”, Jo vetëm Karadaku i Lutës dhe Mitrovica e Vjosës.

Presheva është çështje e Shqipërisë, Jo e Kosovës!

Nëse Lutfi Haziri dhe Hashim Thaçi janë faktorë politikë me ndikim në Kosovë, atëherë, do të duhej të kërkojnë ndihmë dhe të ushtrojnë trysni politike  te lidershipi  drejtues politik i Republikës së Shqipërisë (presidenti, Ilir Meta, kryeministri, Edi Rama dhe te kryeparlamentari, Gramos Ruçi), që ata sipas detyrës dhe përgjegjësisë zyrtare, ta ndërkombëtarizojnë  çështjen koloniale të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës, sepse ata i kanë “çelësat” për zgjidhjen e saj si në planin e së drejtës së brendshme, ashtu edhe në planin e së drejtës ndërkombëtare, sepse janë subjekt i saj. Këtë e provon edhe statusi i Shqipërisë në OKB( 1955-2018). Kjo është detyrë mbi detyra e Tiranës zyrtare, sepse si Presheva, ashtu edhe Kosova janë pjesë integrale të territorit autokton të Shqipërisë etnike. Pra, me gjithë dëshirën e “luto fukarave”  (shtetin e të cilëve ende nuk e njeh OKB-ja), që  Preshevën, Bujanocin dhe Medvegjen ta bashkonin me Kosovën, kjo nuk mund të bëhet ligjërisht, sepse ka dy pengesa të pakalueshme: (1) Kushtetuta e Republikës së Kosovës (15 qershor 2008) sipas së cilës shteti i Kosovës nuk ka të drejtën e bashkimit me ndonjë shtet fqinjë apo me ndonjë pjesë të tij, si dhe (2) Kosova ende nuk është anëtare e Kombeve të Bashkuara.

Sa më sipër, liderët e “anijes drejtuese” të Kosovës, duhet ta dinë (gjë që edhe dinë, por nuk guxojnë ta shprehin dot) se Kosova (ende) shtet i papërfunduar në kuptimin juridik të së drejtës ndërkombëtare, pa ushtri dhe pa sovranitet të plotë, jashtë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, e në anën tjetër, i mashtrojnë dhe i gënjejnë shqiptarët se me “shkopin magjik” të politikës të tyre të dështuar, “do ta bashkojnë Preshevën me Kosovën”. Vërtet, rrenë e bukur kjo për ata që nuk e njohin Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por që bie në kundërshtim  me Planin e Marti Ahtisarit dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ku thuhet : “ Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të BASHKOHET ME ASNJË SHTET OSE PJESË TË NDONJË SHTETI”. ( Kushtetuta e Republikës së Kosovës, Neni, Pika 3).

Postfestum ua “kana” Lutës dhe Hashimit, që Preshevën t’ia bashkojnë Kosovës. Mirëpo, qe dhjetë vjet kanë kapitulluar, sepse vetë e kanë nënshkruar dhe miratuar  Planin e  Marti Ahtisarit, i cili nuk mori në konsideratë të drejtën historike dhe të vetëvendosjes së plotë të shqiptarëve, që Kosova të njihej si shtet i pavarur dhe sovran nga ana e Kombeve të Bashkuara në përputhje me  Deklaratën për Njohjen e Pavarësisë Vendeve dhe Popupjve të Kolonizuar të vitit 1960 të Asamblesës së Përgjithshme të OKB-së, përkatësisht me Rezolutën  1514/14.12.1960 dhe  me Rezolutën 2105 (X)/12.20.1965 sipas së cilës “Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara vendosi që krimi i kolonializmit, të përfundonte menjëherë, pa marrë parasysh pëlqimin apo dëshirat e shtetit kolonizues, dhe se vetëvendosja mund të nënkuptojë vetëm pavarësinë e plotë”.

Këtë, duhet ditur të gjithë shqiptarët, jo vetëm Lutfi Haziri dhe Hashim Thaçi, të cilët  me përrallat e tyre spekuluese dhe boshe po i mashtrojnë liderët politikë shqiptarë të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjes, se gjoja  këto territore shqiptare, do t’i bashkojnë me Kosovën, edhe pse kjo  territorialisht kufizohet me Preshevën shqiptare.

Prandaj, Luta dhe Hashimi , asnjëri nuk janë me kompetencë ligjore dhe kushtetuese, që të apelojnë për bashkimin e Preshevës me Kosovën, por SHQIPËRIA është ajo që duhet ta ngrejë zërin dhe të kërkojë botërisht nga bashkësia ndërkombëtare (OKB-ja), duke qenë se që nga viti 1955 është anëtare e Kombeve të Bashkuara, e gëzon të drejtën e plotë, që të shtrojë çështjen e Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjës për shkolonizimin e tyre më se 140-vjeçar nga Serbia kolonialiste ( 1878-2018).

Pra, pikësëapri, dhe mbi të gjitha, çështja e shkolonizimit dhe e bashkimit të Preshevës, të Medvegjës dhe të Bujancit, nuk është çështje e Kosovës (as e lutave e as hashimave, pavarësisht nga ambicia e tyre e sëmurë  bajraktariste dhe  joreale, joligjore dhe jokushtetuese, sepse  Kosova me Kushtetutë e ka të ndaluar çdo bashkim me vendet fqinje), por vetëm e Shqipërisë, e cila ka të drejtën historike, legjitime, legale të brendshme, sepse mbështet në Kushtetutën e vet të vitit 1998, ku thuhet se “ME ASPIRATËN SHEKULLORE TË POPULLIT SHQIPTAR PËR IDENTITETIN DHE BASHKIMIN KOMBËTAR” (Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, 2002, f.5).

Së fundi, duhet rikujtuar edhe faktin se shansi historik i zgjidhjes së çështjes koloniale të Preshevës, të Bujanocit dhe të Medvegjes ishte viti 2003, kur shpërtheu kryengritja kombëtare e UÇPBM-së. Mirëpo, kjo pati dështuar, pikërisht për fajin dhe për  gabimin e politikës së liderëve të Kosovës, të cilët së bashku me liderët politikë të Shqipërisë nuk e mbështetën në asnjë kuptim. Përkundrazi, e  anatemuan dhe e lanë në “baltën e gjallë” shekullore të sundimit kolonial të Serbisë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat