Dialogu Kosovë-Serbi: Adresimi i druajtjeve

Kolumne

Dialogu Kosovë-Serbi: Adresimi i druajtjeve

Më: 7 shtator 2018 Në ora: 10:50
Bekim Çollaku

Pas njoftimit për takimin e tretë të fazës përfundimtare të negociatave të udhëhequra nga Bashkimi Evropian, që po mbahet tash në fillim të shtatorit, diskutimi publik mbi këtë çështje është intensifikuar. Dialogu, që për synim ka arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare të paqes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e që mundëson rrugën e tyre evropiane, po udhëhiqet nga të dyja palët, në fakt u përket të gjithëve.

Të gjithë qytetarët – qofshin ata që janë aktivë në shoqërinë civile, në botën akademike, në sektorin privat apo edhe qytetarët e zakonshëm – mund të japin kontributin e tyre të rëndësishëm. Por, është gjithashtu e rëndësishme të mos harrohet kompleksiteti dhe pesha e një marrëveshjeje përfundimtare. Diskutimi në lidhje me parimet dhe vijat e kuqe rrezikon që të keqpërdoret. Duke marrë parasysh rëndësinë dhe peshën e marrëveshjes – çfarëdo marrëveshje përfundimtare – do të jetë tepër vështirë për t’u arritur. Rruga e vetme për të arritur atje është  përmes një qasje më pragmatike. Kosova dhe Serbia janë armiq të vjetër, me një histori të konfliktit të përgjakshëm. Konflikti i thellë i tyre nuk është diçka që i përket së kaluarës, është i pranishëm sot dhe depërton në çdo rrafsh dhe prekë çdo person në të dy anët e kufirit. Pajtimi për një kompromis nuk përputhet me narracionin nacionalist në asnjërin prej dy vendeve dhe kështu nuk do të mbështetet nga pjesë të konsiderueshme të popujve mu për atë arsye. Megjithatë, kjo nuk pasqyron rrëfimin e plotë. Në Kosovë, shteti ynë i ri u krijua në disa parime të caktuara, si integriteti territorial dhe multietniciteti. Prandaj, çdo lëvizje që mund të duket sikur rrezikon këto parime, do të përballet me rezistencë. Disa në Kosovë mund të kënaqen me 116 njohjet e tanishme dhe me anëtarësimin në disa prej organizatave ndërkombëtare dhe të jetojnë me shpresë se më shumë njohje e anëtarësime do të vijnë pa ndonjë marrëveshje. Pastaj ka nga ata që përfitojnë nga situata aktuale. Marrëdhëniet e normalizuara, pa konflikt ndërmjet të dy shteteve, nuk do u konvenojnë disave dhe prandaj ata do të investojnë të gjitha energjitë për të kundërshtuar një marrëveshje potenciale, pavarësisht përmbajtjes së saj.

Paqartësia e sotme nuk i shërben askujt

Për ata që jetojnë me shpresë se status quo-ja do të sjellë ndryshime, perspektiva është e zymtë. Nuk ka pasur asnjë lëvizje nga pesë shtetet anëtare të BE-së që vazhdojnë të mos e njohin Kosovën, tash e dhjetë vjet. Të gjithë ata që ndjekin zhvillimet e dinë se marrëdhëniet Kosovë-Serbi në dialogun e tanishëm kanë arritur te një pikë e stagnimit dhe nëse thelbi i problemit nuk trajtohet, nuk pritet ndonjë ndryshim më i madh. BE-ja e ka bërë të qartë se as Serbia as Kosova nuk do t’i bashkohen BE-së para normalizimit të plotë të marrëdhënieve dhe vetoja ruse në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara po bllokon Kosovën. Në Serbi, investimet financiare për të minuar pavarësinë dhe autoritetin e Kosovës në veri të Kosovës janë të konsiderueshme me një kosto të lartë. Përpjekjet për ta mbajtur Kosovën jashtë forumeve ndërkombëtare, po devijojnë vëmendjen nga çështjet reale, që ndikojnë në përditshmërinë e qytetarëve të atjeshëm. Rrjedhimisht, konflikti i ngrirë, gjithashtu ka ngrirë anëtarësimin në BE për të dy shtetet. 

Askush nuk duhet të ketë frikë nga një zgjidhje e dakorduar

Problemet ndërmjet shteteve të Ballkanit janë të rrënjosura në ndarje dhe mosmarrëveshje, e jo e kundërta. Kohët e fundit, sinjalet nga Kosova dhe Serbia dhe deklaratat nga fuqitë botërore kanë çuar në paralajmërime të përhapura kundër çdo diskutimi për korrigjim të kufijve, për shkak të efektit domino të mundshëm në rajon, i cili është përplot me pakica të grupuara në territore të caktuara. Megjithatë, një marrëveshje potenciale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që përfshin korrigjimin e kufirit dhe nuk do të bëhej përgjatë vijave etnike, e për të cilën do të kishte pajtim të ndërsjellë, mund të arrihet në mënyrë paqësore. Kjo mund të jetësohet vetëm nëse do të ketë mbështetje të mjaftueshme. Trashëgimia e një marrëveshjeje të tillë do të ishte më pak për përmbajtjen dhe më shumë për zbatimin e marrëveshjes së ndërsjellë, si gur themeli i paqes dhe stabilitetit ndërkombëtar. Mungesa e luftërave në Ballkanin Perëndimor sot kuptohet nga shumë njerëz si një shenjë e stabilitetit. Përderisa ka vërtetësi edhe në këtë pohim, të gjithë e dinë se mosmarrëveshjet (apo konfliktet) ekzistuese mbeten një burim i fuqishëm i jo stabilitetit. Në të vërtetë, bërthama e mungesës së stabilitetit është mungesa e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nëse jo tash, atëherë kur?

Rrethanat kurrë nuk kanë qenë më të favorshme për të gjetur një kompromis. Fuqia e perspektivës së përtërirë dhe e përforcuar evropiane për Ballkanin Perëndimor, e shpallur së pari nga Juncker në fjalimin e tij “State of the Union” më 2017 dhe e pasuar nga strategjia e Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor në shkurt dhe konkluzionet e Këshillit, përbëjnë një nxitje të fortë për të vepruar tani, sesa të presim duarkryq. Kjo perspektivë e përtërirë tashmë ka dhënë fryt në formën e marrëveshjes Shkup-Athinë për çështjen e emrit. Tani mund të jetë radha e Kosovës dhe Serbisë. Ka një momentum kur asnjë shtet nuk do duhej të lejojë që t’i ikën.  Serbia dhe Kosova kanë prova të forta se përparimi në marrëdhëniet me njëra-tjetrën do të çojnë në përfitime në rrugët e tyre drejt BE-së. Për Kosovën, progresi në dialog ka ndihmuar në jetësimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit me BE-n ë, e cila hyri në fuqi në prill, 2016. Për Serbinë, ajo mundësoi hapjen e negociatave për pranim, në qershor 2013. Tani marrëveshja përfundimtare përbën një shans për të zgjidhur të gjitha çështjet ndërmjet dy shteteve njëherë e përgjithmonë. Kjo nënkupton lënien e të kaluarës prapa si dhe zëvendësimin e ndarjeve e të barrierave rajonale me bashkëpunim dhe hapje rajonale. Por, siç ndodh shpesh në jetë, mundësitë vijnë me një datë skadimi. Mandati aktual i Komisionit përfundon në fund të vitit të ardhshëm. Para kësaj, fushata zgjedhore parlamentare evropiane do të marrë vëmendjen nga dialogu. Dhe rezultati i zgjedhjeve mund të na japë një BE më të tërhequr dhe me shumë më pak vullnet për ta avancuar axhendën e zgjerimit.

Të gjithë do të përfitojnë nga marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

Sa më shumë që rajoni avancon drejt qëllimit të anëtarësimit në BE, aq më mirë është për të gjithë ne, sepse kjo thjesht nënkupton më shumë stabilitet, paqe më të qëndrueshme, bashkëpunim rajonal, më shumë investime të huaja dhe mirëqenie më të madhe. Shtetet e rajonit duhet të shfrytëzojnë çfarëdo ndikimi që kanë në fqinjët e tyre për të mbështetur çdo marrëveshje potenciale të pranuar nga të dyja palët, sepse suksesi i saj është jetik për paqen dhe stabilitetin afatgjatë të Ballkanit Perëndimor në tërësi. Të gjithë përfitojnë nga kjo. Për BE-në gjithashtu, është shumë e rëndësishme të arrihet një rezultat përfundimtar nga një proces që është shtrirë përgjatë dy mandateve të institucioneve të BE-së. Aftësia e BE-së për të arritur rezultat në këtë çështje nuk është vetëm një matës i peshës së saj në Ballkanin Perëndimor, por edhe matës i aftësisë dhe ndikimit të saj si aktor global – një nga 10 pikët e famshme të Junckerit.

Editoriali është publikuar në Universitetin prestigjioz LSE në Londër

Bekim Çollaku është Shef i Stafit të Presidentit të Republikës së Kosovës. Më herët ai shërbeu si Ministër i Integrimit Evropian i Kosovës dhe gjithashtu ishte Shef i Stafit të Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, në periudhën 2007-2014, si dhe Këshilltar Politik i Kryeministrit të parë të Kosovës, Bajram Rexhepit, mes viteve 2003 dhe 2004.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat