Hashim Thaçi, i padenjë dhe i rrezikshëm që të qëndrojë në krye të shtetit të Kosovës

Kolumne

Hashim Thaçi, i padenjë dhe i rrezikshëm që të qëndrojë në krye të shtetit të Kosovës

Sadik Elshani Nga Sadik Elshani Më 3 shtator 2018 Në ora: 19:33
Thaçi dhe Sanço Pança i tij, Baton Haxhiu, duhet ta dinë fare mirë se Serbia kurrë nuk ngopet me toka shqiptare

Sjelljet, veprimet e papërgjegjshme në skenën ndërkombëtare të kreut të shtetit të Kosovës, z. Hashim Thaçit, gatishmëria e tij për ta copëtuar teritorin e Kosovës, kokëfortësia, arrogance e tij, mosperfillja e institucioneve dhe aspiratave të popullit të saj, po dëshmojnë qartë se ai është një udhëheqës i padenjë dhe i rrezikshëm që të qëndrojë në krye të shtetit të Kosovës. Ai shprehet për një korrigjim të kufijve, që sipas tij kjo është një gjë e vogël, e parëndësishme, por në të vërtetë kjo “lojë fjalësh” e tij për ata që kanë pak arsye, nënkupton rishikimin, rishqyrtimin e kufijve me Serbinë dhe rrjedhimisht, humbje të tokës së Kosovës.

Demagogjia e tij e pabazë se do t’ia bashkangjesë Luginën e Preshevës Kosovës është sa për të mjegulluar opinionin dhe sa për të luajtur me ndjenjat e shqiptarëve. Zoti Thaçi dhe Sanço Pança i tij, z. Baton Haxhiu, duhet ta dinë fare mirë se Serbia kurrë nuk ngopet me toka shqiptare – korrigjim për Serbinë do të thotë marrja e tokave më të mira dhe burimeve, pasurive natyrore të Kosovës, duke na lënë neve një kockë në gojë për ta lëpirë. Ne nuk duhet të bëjmë konçesione, lëshime të dhimbshme, siç u shpreh para ca ditëve z. Haxhiu, sepse tërë jeta jonë nën Serbi ka qenë dhimbje, vuajtje, tmerr dhe me shumë sakrifica i kemi mbrojtur tokat tona, qenjen tonë. Është Serbia ajo që ka nevojë të korrigjohet të heq dorë nga trojet tona nen sundimin e saj, e jo viktima ta shpërblejë dhunuesin, xhelatin e saj shekullor. Për gjithë ato tmerre që Serbia u shkaktoi fqinjve të saj, nuk e pagoi asnjë çmim, nuk e pësoi asnjë ndëshkim, izolim, pezullim nga organizatat ndërkombëtare, sankcione ekonomike e kufizime të tjera ndëshkuese. Përkundrazi, ata po mundohen ta bindin botën, deri diku me sukses, se ata janë pala dëmtuese, viktimat.

Të respektohet kushtetuta, të mbrohet tërësia tertoriale e Kosovës

Detyra parësore e kreut të një shteti është që ta kryejë me nder detyrën e tij, ta mbrojë tërësinë teritoriale të vendit të vet, kushtetutën. Në këtë rast z. Thaçi nuk është duke e bërë as njëren e as tjetren, madje ai është duke e thyer ligjin, kushtetutën. Por, kjo për ne nuk ka rëndësi, sepse kushtetuta është vetëm një copë letër sa për sy e faqe, nuk është burimi juridik i vendit, parimet mbi të cilat ndërtohet dhe qeveriset vendi. Po ta njihte dhe po ta zbatonte kushtetutën e vendit për të cilën është betuar z. Thaçi, atëherë ai do të sillej pak më ndryshe, nuk do të bënte pazarllëqe të ndyera e të fshehta që e dëmtojnë Kosovën. Neni 1 i Kushtetutës së Kosovës është shumë i qartë: “Kosova është shtet i pavarur, sovran, demokratik, unik dhe i pandashëm”. Ndërsa neni 83, pika 7 saktëson se kryetari (presidenti) i nënshkruan marrëveshjet ndërkombëtare në përputhshmëri me Kushtetutën. Ratifikimi, miratimi i marrëveshjeve për teritor, paqe, aleancave, cështjeve politike e ushtarake bëhet me 2/3 e votave të 120 deputetëve të Kuvendit të Kosovës (neni 18, pika 1, alineja 1). Por, z. Thaçi me kryeneçësinë, mendësinë e tij fisnore mendon se si kryetar i shtetit, ai është sundimtar i plotfuqishëm, Zot i vendit dhe jo shërbesëtari i tij. Zoti Thaçi, si shumica e shqiptarëve, vuan nga sindromi i heroit, çlirimtarit, shpëtimtarit të vendit, duke e konsideruar Kosovën si pronë private, plaçkën e tij të luftës.

Kujdes nga propozimet, planet e Serbisë.

Historia na tregon se të gjitha konfliktet, luftërat mbarojnë një ditë dhe popujt pajtohen me njëri – tjetrin. Por, për këtë ka një ecuri, rrugë që duhet ndjekur. Serbia duhet t’i pranojë krimet e saj, të kerkojë falje, t’i paguajë demet materiale e njerëzore, ta njohë pavarësinë e Kosovës, ta respektojë tërësinë teritoriale të saj, të angazhohet për të gjetur të zhdukurit, e shumë çështje të tjera. Kjo sa për fillim, pastaj mund të diskutohet për cështje të tjera, ndonjë korrigjim kozmetik të kufirit. Ky proces nuk duhet lënë vetëm në duart e kryetarit (presidentit), por duhet të angazhohet i tërë faktori politik e shoqëror, institucionet shkencore e akademike. Një rol të rëndësishëm, rol kyc duhet të luajë Kuvendi i Kosovës – rol ky i garantuar në Kushtetutën e Kosovës. Ne kemi një histori të hidhur me Serbinë, por siç duket ende nuk jemi mbushur mend: Serbia kurrë nuk do të bëjë diçka që është në të mirë të Kosovës. Prandaj, duhet të kemi kujdes nga propozimet, planet djallëzore të Serbisë.

Po të kishte ndërgjegje dhe po ta donte vendin e tij, atëherë zoti Thaçi për veprimet e tij antikushtetuese duhet të jepë dorëheqje. Por,  politikanëve tanë u mungon ndërgjegja, karrika u është bërë pjesë përbërëse e anatomisë së tyre. Veprimet e kohëve të fundit të zotit Thaçi janë duke e arritur nivelin e tradhtisë kombëtare, prandaj Kuvendi i Kosovës duhet të veprojë, të ushtrtojë detyrimet kushtetuese, duke e zbatuar nenin 91 të Kushtetutës që përcakton ecurinë për shkarkimin e Kryetarit (Presidentit). Ky proces të fillojë tani, se nesër mund të bëhet vonë.

Autori është doktor i shkencave të kimisë dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat