Ja ushqimet që ju mbrojnë nga rrezet e dëmshme të diellit

Këshilla mjekësore

Ja ushqimet që ju mbrojnë nga rrezet e dëmshme të diellit

Më: 15 korrik 2016 Në ora: 11:44
Ilustrim

Në listë bën pjesë peshku dhe salmoni, pasi janë të pasur me omega 3, veza e pasur me vitaminë B, në gjendje të riparojë dëmet e shkaktuara nga dielli deri në membranën qelizore. Po kështu karotat, kajsitë, specat ku falë pigmentit natyral i quajtur karrotenoid fuqizojnë melaninën

Nga domatet te manaferrat, vezët, peshku dhe karotat janë disa nga ushqimet e pasura me vitamina dhe antioksidantë që rrisin mbrojtjen e lëkurës nga rrezet e dëmshme diellore. Pa lënë mënjanë aplikimin e kremit mbrojtës dhe një sërë këshillave të tjera që lidhen me mosekspozimin në oraret e pikut, duket se edhe ushqimi luan një rol të rëndësishëm në mbrojtjen nga rrezet UVB dhe UVA, rreze të dëmshme diellore. “Sot, ekzistojnë suplemente dhe vitamina si për lëkurën ashtu edhe për trupin, të cilat nëse konsumohen rregullisht neutralizojnë dëmet e shkaktuara nga rrezet e diellit. Por këta elementë mund t’i marrim edhe përmes ushqimeve, sidomos nëse konsumojmë kryesisht ushqime të pasura me Omega 3, vitaminë B, shto këtu fruta dhe perime, mbi të gjitha ato me ngjyrë” -shpjegojnë dermatologët. Veçanërisht gjatë këtyre ditëve të ngrohta ku ekspozimi në diell është i pashmangshëm dhe frekuentimi i plazheve e pishinave ka nisur, rekomandohet ushqyerje e shëndetshme. Për këtë dermatologët kanë përpiluar një listë me 10 ushqimet e rekomandueshme, përmes konsumimit të të cilave reduktohet dëmi i rrezeve diellore të dëmshme. Në listën e tyre bën pjesë peshku dhe salmoni, i pasur me omega 3, veza e pasur me vitaminë B, në gjendje të riparojë dëmet e shkaktuara nga dielli deri në membranën qelizore, po kështu karotat, kajsitë, specat, ku falë pigmentit natyral i quajtur karrotenoid fuqizojnë melaninën, pigment që i jep ngjyrë trupit.

Domatet

Domatet, pjesë e pandashme e regjimit ushqimor ditor, duhet të konsumohen akoma më shumë veçanërisht gjatë verës pasi falë përmbajtjes së lartë me likopen, substancë kjo që i jep ngjyrën e kuqe por dhe që i pasuron me antioksidantë.

Çaji jeshil

Polifenolet të pranishme në çajin jeshil kryejnë funksion antioksidues. Çaji jeshil ka veçori të shkëlqyeshme antioksidative, redukton nivelin e radikaleve të lira në trup, inflamacionin dhe dhimbjet. Megjithatë reduktoni konsumimin e çajit ose mos e pini në orët e pasdites nëse jeni të ndjeshëm në kafeinë për të mos pasur probleme me gjumin.

Kakao

Përmbajtja e lartë e flavonoideve në kakao e bën atë një produkt shumë të mirë për konsum gjatë verës, sidomos për mbrojtjen nga rrezet e dëmshme ultravioletë. Studiuesit amerikanë thonë se përqendrimi i antioksiduesve në pijet me kakao është pothuajse dy herë më i lartë sesa në verën e kuqe. Po ashtu pija e kakaos ka dy deri në tri herë më shumë përbërës me efekt antioksidues sesa në çaji i zi. Për të përfituar më shumë nga efekti i kakaos, zgjidheni atë të nxehtë, pasi mendohet se ka më shumë efekt të dobishëm se sa kakaoja e ftohtë. Antioksiduesit janë përbërës të shëndetshëm të pranishëm në fruta, perime, peshq dhe vajra. Ata luftojnë radikalet e lira dhe vrasin molekulat që janë të dëmshme për qelizat e shëndetshme të organizmit

Manaferrat

Manaferrat në përgjithësi janë të pasura me pigment violë, i njohur si anticianin, të cilat ofrojnë efekt të mirë mbrojtës në bërthamën qelizore.

Kurkuma

Kurkuma ose shafrani i Indisë, kjo erëz e veçantë e përdorur kryesisht në kuzhinën indiane, ndihmon shumë pasi favorizon eliminimin e toksinave të trupit, duke reduktuar fryrjet. Në regjimin ushqimor përgjatë verës nuk duhet të mungojë kjo erëz edhe për shkak të vetive anti-inflamatore.

Peshk

Peshqit janë të pasur me Omega 3, ose ndryshe acide yndyrore të pangopura dhe mbrojtëse ndaj sëmundjeve kardiovaskulare. Janë pikërisht këto acide që ndihmojë të jesh energjik, të shtojnë tonalitetin e muskujve dhe të ulin peshën e tepërt. Yndyrat e peshkut ndihmojnë në uljen e kolesterolit të keq LDL, duke ruajtur njëkohësisht kolesterolin e mirë HDL.

Vezë

Vezët janë përplot me fosfor, hekur dhe zink. Këto minerale janë vitale për trupin tuaj. Njeriu ka nevojë për mjaft hekur dhe nëse nuk ke arritur të kesh aq sa duhet ju bën të ndiheni i pafuqishëm dhe i lodhur. Zinku mban sistemin e imunitetit tuaj në top formë dhe ndihmon trupin të kthejë ushqimin në energji. Fosfori është i rëndësishëm për kockat dhe dhëmb të shëndetshëm. Janë disa elemente të tjera që i gjeni në vezë e që ju duhen në sasi të vogla e ato janë jodi, i dobishëm për prodhimin e hormoneve tiroide dhe selenit – një antioksidues që ndihmon të shkurtosh rrezikun ndaj kancerit.

Karota

Ka në përbërje vitaminë A dhe K, beta-karroten. Parandalon sëmundjet kardiovaskulare dhe ndihmon në shëndetin e syve. Mënyra më e mirë për t’i konsumuar: grini karotat në feta rrethore, përziejini me vaj ulliri, hidhni sipër rozmarinë të freskët.

Kajsitë

Kajsia është një frutë i pasur me minerale, rigjeneron strukturën e gjakut dhe forcon sistemin nervor, lëkurën dhe zorrët. Kajsia është frutë i mrekullueshëm i sezonit, është i pasur me vitaminë A dhe C, mbron lëkurën nga plakja dhe nga sëmundje të ndryshme.

Specat e kuq dhe jeshil

Speci gjen përdorim të gjerë si i freskët ashtu edhe i konservuar si piper, në sallata, turshi etj. Ka vlera të mëdha sepse përmban elemente të domosdoshme për organizmin siç janë karbohidratet (glukozë e fruktozë), proteina dhe yndyra. Sidomos, farat e tij që përmbajnë mbi 25% yndyrë. Speci është i pasur me potas. Lëngu i tij përmban kripëra të hekurit, që pasurojnë hemoglobinën e gjakut. Speci përmban vitaminë C më shumë se gjitha perimet e tjera, madje më shumë se limoni e portokalli. Për të siguruar nevojat ditore për vitaminë C duhet konsumuar 50 gr speca të freskët. Edhe vlerat kurative janë të mëdha. Në spec është zbuluar edhe vitamina P1, që lufton sëmundjet e enëve të gjakut.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat