OAK: Energjia elektrike po dëmton rëndë bizneset

Biznes

OAK: Energjia elektrike po dëmton rëndë bizneset

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 13:33
Pamje nga takimi

Oda e Afarizmit të Kosovës, ka vlerësuar sot gjatë një takimi me kompaninë TexCo në Obiliq, se shteti duhet t’i njeh humbjet që bizneseve është duke ju shkaktuar mungesa e energjisë elektrike.

Vetëm nga data 1 korrik deri më 20 gusht, sipas një njoftimi për media të OAK-ut, ka pas mungesë të energjisë elektrike në këtë regjion për 80 orë pune, e gjitha kjo gjatë ditëve të rregullta të punës ( hëne-premte). Nëse zbërthehet në kohë i bie se bizneset janë detyruar të paguajnë për dy javë punëtorët pa punuar asgjë.

“Nëse 92% është import dhe vetëm 8% eksport, në një vend të tillë mund të konsiderohet se nuk ka ekonomi, tha ndër të tjera drejtori gjeneral i kompanisë së tekstilit TexCo z.Mevlut Ademaj.  Ai gjithashtu shtoi që një problem shumë i madh me të cilin po ballafaqohen në Kosovë është edhe mungesa e kulturës së punës dhe mungesa e përgjegjësisë, kjo sepse për çdo ankesë dhe kërkesë që e adresojnë si biznes vonohen përgjigjet dhe vazhdimisht po hasin në mungesë komunikimi të mirëfillt”, thuhet në njoftimin e OAK.

Ademaj thuhet t’i ketë kushtuar vëmendje më të madhe problemeve që po u vijnë si rrjedhojë e ndërprerjeve të energjisë elektrike e të cilat po ndodhin pa paralajmrim, ndër të cilat mund të përmenden: Dëmtimi i makinerisë; Ngadalësimi i procesit të prodhimit – e që po ndikon edhe në dëmtimin e imazhit të biznesit tek partnerët me të cilët bashkëpunon, dhe Kosto shtesë për realizim të punës - sepse po obligohen të punojnë jashtë orarit e njëkohësisht t’i paguajnë punëtorët për punën shtesë.

“Ai gjithashtu shtoi që shteti ende nuk po i njeh humbjet të cilat po vijnë si pasoj e ndërprerjes së energjisë elektrike. Një tjetër problem shumë i madh për këtë biznes është edhe transporti shumë i kushtueshëm, ku mospërfshirja e transportuesve të Kosovës në Asociacionin Ndërkombëtar të Transportit po vështirëson shumë qarkullimin e mallrave kjo sepse materiali fillimisht vie nga Evropa, përpunohet në Kosovë dhe pastaj sërish dërgohet në Evropë”, thuhet në njoftimin për media.

Gjatë vizitës së bërë tek biznesi TexCo, kryetari i Odës së Afarizmit të Kosovës Skënder Krasniqi tregoi që OAK vazhdimisht po punon me qëllim të ndryshimit të klimës së të bërit biznes në Kosovës. Ai gjithashtu theksoi që ligjet në vendin tonë më shumë janë të orientuara të jenë në përputhje me BE dhe MSA se sa të përshtaten me njëra-tjetrën në nivel të vendit. Kjo mospërputhje e ligjeve po dërgon deri në situata konfuziteti tek bizneset.

Për më shumë, TexCo ka filluar aktivitetin e saj në shkurt të vitit 2017 dhe deri më sot ka afër 50 punëtorë. TexCo është e fokusuar në eksport, ku 100% e produkteve të tyre janë të dedikuara për tregun ndërkombëtar. Bashkëpunëtor kryesor i tyre është brendi Max Mara.

Në këtë takim Oda e Afarizmit të Kosovës u përfaqësua nga: kryetari i bordit Skënder Krasniqi dhe zyrtaret Mirjeta Shala dhe Bleta Zhigolli.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat