Intervistë me ish-oficerin e AKA, gazetarin ushtarak dhe publicistin Xheladin Çelmeta

Bota e Yjeve

Intervistë me ish-oficerin e AKA, gazetarin ushtarak dhe publicistin Xheladin Çelmeta

Nga: Albert Z. ZHOLI Më: 3 maj 2016 Në ora: 20:23

Nuk harroj pedagogët Niko Trëndafili, Ferdi Skënduli, Azis Velçani, Pirro Xheli, Agim Qoku, Dhimitër Vllahu, Neki Hoxha, Fahri Allushi, Baçalla ‘Havari’ apo “i tmerrshmi” Dino Ahmeti

- Ishim vetëm 33 vetë si klasë dhe arritëm të ngrinim grup të estradës në shkollë

- Agim Cani, (babai i këngëtares së talentuar Miriam Cani) shkruante skeçe të bukura dhe i vinte po vetë në skenë

- Ne begsat punuam një vit në “gjigandin e dritës”, hidrocentrali i Fierzës, ku patëm oficer drejtues Rexhep Metën, babanë e Kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta

- Ne na rrinin mbi krye gjithmonë dy inxhinierë kinezë, njeri quhej “shoku Tan” ishte shumë shoqëror me ne. Kontrollonte shkallën e pastrimit të kalldrëmit të gurtë dhe vetëm kur bindej ai, urdhërohej të vinte betoniera

-Çudi, gjithë natën, si nuk e pashë një herë shokun Tan të dremiste? Nga ora 20:00 të darkës deri në 05:30 të mëngjesit!?

- Nuk mund të mos përmend krijuesit ushtarakë, Thanas Tane, Demokrat Anastasi, Apostol Duka, Fluturak Gërmenji, Arben Duka, Hysni Milloshi, një poet i jashtëzakonshëm, por dhe publicist dhe shkrimtar brilant

-Në fund të gushtit 1971, shkeli për herë të parë në portën e shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej”. E shoqëronte i ati. Kullonte nga djersët atë ditë, vapë e madhe. Shkolla fillonte më 1 shtator, por përgatitjet e regjistrimet bëheshin më shpejt. Madje, së pari kaloi në komision, ku kontrolloheshim për parametrat fizikë dhe gjendjen shëndetësore. Ishte një test i rreptë. Mban mend që gjatë kontrollit te mjeku okulist doli se kishte paksa me “minus” syrin e majtë. Ishte një anomali gati e papërfillshme, por ama, e kishte. “Kaq e pata”, tha me vete. Dhe i kujtohet që mjeku Baki Nazifi, pasi foli me të tjerët në komision, ju drejtua: “Djalë, eja këtu, a e ke me shumë dëshirë shkollën “Skënderbej”? “Po”, i thashë kokulur. Gati sa s’qaja. Ai ngeli një copë herë në dilemë. Me sa dukej, po kërkonte fjalët e duhura për të mos më fyer. Pastaj shkoi prapë tek komisioni dhe ju kthye: “Mirë atëherë”, i tha; “mos u mërzit. Se ti, të djathtin; “syrin e pushkës” e ke mirë; ne kjo na duhet. Tani shko tek shokët”. Në çast gjithë trishtimi i iku dhe vrapoi për tek toga. Kishte kaluar kështu “provimin e parë”.

Kush ishte nxitës për të trokitur në shkollën e mesme ushtarake “Skënderbej”?

-Kuptohet, në atë kohë ndaheshin bursat nga shteti dhe nga fshati im, nga Peza, mua dhe nja 3 të tjerëve na qëlloi që ti hynim kësaj shkolle. Me thënë të drejtën, e kisha vërtetë dëshirë këtë shkollë. Më qe ngulitur në mendje figura e ushtarakut. Librat, filmat “me partizanë”, më pëlqenin, si çdo fëmijë i asaj moshe. Pastaj, shihja skënderbegasit e vegjël që vinin në festën e Pezës, çdo 16 shtator, me uniformat mbresëlënëse dhe thosha: “a, sikur edhe unë…”. Nga farefisi im kam patur xhaxhain oficer që vinte nga lufta. Në fakt, jo vetëm ai, por edhe gjyshi, babai dhe tre xhaxhallarët e tjerë kanë qenë partizanë gjatë LANÇ. I ruaj edhe sot fotografitë e tyre të vjetra. Kështu që, edhe prindërit e mi e dëshironin që unë të bëhesha oficer. Dhe kështu, u vesha skënderbegas.

Si e kujtoni ditën e parë në këtë shkollë?

-Mbresa e parë, ishte hapësira e madhe e shkollës. Godina kryesore trekatëshe dhe anash kabinetet trekatëshe. Në të majtë kinemaja dhe një bibliotekë gjigande. Këto na i prezantuan kur sapo hymë në shkollë. Ishte një mjedis i zhurmshëm. Një qytet më vete, me plot jetë. Me shumë oficerë, që në fillim mu dukën “të drunjtë”, kurse më pas do shihja se ata do bëheshin personat më të rëndësishëm për mua dhe kolegët e mijë; do ishin ata që do “farkëtonin” adoleshencën tonë me mësim, stërvitje dhe norma edukative e qytetare. Kishte edhe pedagogë civilë. Sidomos kjo gjë më pëlqeu.

 Kush ju priti dhe ku ju çuan?

I pari që na priti ishte nënoficeri Nazar Askushi. Në fillim kujtova se ai ishte “më i madhi”, madje e mora për komandantin e shkollës. Por më pas, mësova të kundërtën; që ai ishte “më i vogli” në hierarkinë ushtarake të shkollës “Skënderbej”. Një burrë i shkurtër, që për çudi mua më sillte ndërmend Volpatin, një personazh të shkrimtarit të madh Anri Barbys, te romani “Zjarri”. Mu duk shumë i rreptë në fillim. Thosha me vete: O Zot, si do ta kalojmë me këtë njeri”. Më pas, pashë që ai ishte “babaxhan”, dhe u bë gati një prind i dytë për ne. Ky grup, ku isha dhe unë, përbënim kontingjentin e parë të begsave që mbërritëm në shkollë ditët e fundit të gushtit 1971; gjithsej, rreth 40 veta. Po kishte dhe grupe të tjera, paralel me ne, se shkolla nuk ishte vetëm gjimnaz, por edhe politeknike. Nënoficer Nazari na nisi fillimisht drejt berberit, një burrë i heshtur, paksa i vrazhdë, që shkurt e thërrisnin Toto. E para, koka zero. Pastaj, në rresht drejt banjave publike. Aty na zhveshën komplet, “si na ka bërë nëna”, dhe.. o burra…, 5 veta për çdo dush. Kapter Nazari, pastaj nisi të na shpërndajë rrobat ushtarake; xhaketa, pantallona, kapele, rrip mesi dhe këpucë të rënda ushtari. Dikush nga ne mblidhte buzët për xhaketën e gjatë, dhe Nazari nxehej: “Po çfarë keni, more nazelinj…Po, mirë ju rrinë rrobat…”. Ai kishte detyrën e kujdestar-magazinierit në kompani. Na priste kur mbaronim mësimin, na çonte në mensë me rreshtore, na bënte kontrollin e mbrëmjes; rrinte me ne, derisa sa flinim.

Kush ishte dita më e vështirë në shkollë?

-Kuptohet, sipas kohës shkolla “Skënderbej” ishte me sistem lindor. Kështu që edhe disiplina e saj ishte “spartane”, shumë e ashpër, me kërkesa maksimale stërvitore dhe mësimore. Personalisht kam bindjen e palëkundur se ajo ishte me të vërtetë “fidanishtja e Ushtrisë shqiptare”, sepse aty skënderbegasit mëkoheshin vetëm me dashurinë për Atdheun dhe me asgjë tjetër. Jo më kot, kuadrot e dalë nga kjo shkollë e lavdishme, u bënë kuadro nga më të spikaturit në fushën ushtarake, por dhe në fusha të tjera të jetës dhe shoqërisë shqiptare; që “injektuan” normat më të larta morale, me vlera atdhetare e patriotike. Nuk ka Komb në botë që nuk lufton për t’i përsosur këto norma. Në fakt, në këto 25 vite demokraci, ka patur edhe opinione keqdashëse, për ta denigruar misionin e kësaj shkolle. Por unë për vete, kam bindjen gati të verbër, se pavarësisht ideologjizimit të programeve të asaj kohe në shkollën “Skënderbej”, (një fenomen i pashmangshëm për sistemin e asaj kohe), në mendje, në kokën e skënderbegasve kurrë nuk ka ekzistuar ideologjizmi partiak, por vetëm Atdhedashuria. Dashuria për Shqipërinë e asgjë tjetër. Dita më e vështirë në shkollë? Një ditë më ka lënë mbresa jo të këndshme: U dha “alarmi”. Një provë rutinë gatishmërie, që planifikonte komanda. Mbaj mend, që nga vërshimi nëpër shkallët e godinës 3 katëshe të shkollës, u thyen parmakët. Pati edhe plagosje, por pa pasoja. Po të vështirë ishin edhe marshimet e gjata; gati të përmuajshëm. Ishin “të befasishëm”, dhe boria e Çelik Çelikut, (një djalë simpatik, nga Korça) na zgjonte furishëm, kur ne sapo na kish zënë gjumi. Dhe niste marshimi nëpër natë. Itinerari zakonisht, përreth Dajtit: Tiranë, Shupal, Qafmollë, Qafpriskë, Linzë, e kthim në Tiranë. Por kishte edhe marshime tejet të gjata me nga tre e katër ditë udhëtim, në kulmin e dimrit; si ai që kemi bërë një herë nga Tirana, në Krujë, Kaptinë e Martaneshit, Feken, Shëngjergj e mbërritje në Tiranë. Mbaj mend që në një vend, në Kaptinë, që i thonin Qafa e Vdekjes, për shkak të erës së ftohtë që frynte dhe të borës mbi 2 metra, poshtë një rezervuari qëndruam me togën tonë nën një copë çadre 6 vetë. Nisi fortunali dhe bora përzier me shi, na plandosi. Mua më kish zënë “gjumi i ngrirjes”, për disa minuta dhe falë disa shokëve të ngushtë, si; Perlat Binaj, Agron Lila, Veri Talushllari, e një tjetër, që s’e mbaj mend, jam sot gjallë, pasi ata më zgjuan, më kanë sjellë në vete dhe më kanë shpëtuar jetën. Vetëm në saje të tyre unë jam kthyer shëndoshë në Tiranë.

A mund të na përmendni disa nga mësuesit e shkollës “Skënderbej” dhe si silleshin me ju?

-Mësuesit e shkollës “Skënderbej”, por edhe trupa komanduese e drejtuese e oficerëve të saj, të gjithë pa përjashtim kanë qenë për ne edukatorë dhe prindër njëherësh. I famshmi Baçe Braka, që është përshkruar aq bukur nëpër kujtime, si në librin e Kujtim Boriçit e Maksim Fejzullahut, “Skënderbegsit”, ashtu dhe në një shkrim të Muharrem Dardhës, nuk mund të harrohet kollaj. Habitem, ku e gjente gjithë atë energji ai njeri! Po sa metodist ishte! Arrinte “të ndizte” zemrat e begsave në kohën e lirë, në ndeshje volejbolli a futbolli, duke i mbajtur ata gjithnjë në aktivitet. Ku e gjente gjithë atë stil perfekt komunikimi; ku të ishte brenda edhe humori, edhe shakaja, edhe imponimi prej eprori (sadoqë i rangut të ulët, nënoficer)? Baçe Braka, bënte gati të njëjtën jetë si ne begsat. Gjati gjithë kohës bashkë. Ai ishte “energjia e gjallë” për ne, na hiqte mërzitjen dhe lodhjen. Mbresat janë të pafundme për nëndrejtoreshën Gjylizare Çiçon, komandantin e shkollës Mikail Vaso, komisarin Agim Tepelena; drejtorin e shkollës Fiqri Shtepani, për mësuesit Vladimir Bitri, Asimaq Proko, Isak Mezini, Bujar Llagami, Jorgji Kona, Shaban Bardhoshi, Hasan Dalti, Sashenka Deli, Vasilika Hysi, mësuesja Zibo Gjomema, Vitori Pulaj, por dhe për kuadrot komandues e drejtues si Idriz Çelmeta, Petrit Boka, Çlirim Bello, etj.

Po shokët e tuaj të shkollës, si ju vijnë në mend dhe si ka ecur karriera e tyre?

-Dëgjo, çdo brez skënderbegasish do që të lavdërojë klasën e vet, por unë them se matura jonë ka qenë vërtetë plot me talente. Ishim vetëm 33 vetë si klasë dhe arritëm të ngrinim grup të estradës në shkollë. Agim Cani, (babai i këngëtares së talentuar Miriam Cani) shkruante skeçe të bukura dhe i vinte po vetë në skenë. Po kështu shkruante edhe Veri Talushllari. Disa herë rresht klasa jonë dha shfaqje për shkollën dhe u duartrokit. Fatos Beqiri, Petrit Zani ishin jo vetëm nxënës të dalluar, por mund t’i quaj supertalente. I tillë ishte në matematikë edhe Halil Xhediku. Vështirë të them me detaje për karrierën ushtarake të gjithë shokëve të mijë sot, por mund të veçoj disa: Për shembull, Skënder Demollari e Perlat Binaj, u bënë pilotë klasi. Skënderi, madje, ka bërë edhe një akt heroik, aty nga viti 1999, gjatë një stërvitje ajrore, ka arritur të ulë avionin reaktiv me një rrotë të pahapur, për shkak të një defekti. Kurse Perlati, arriti të marrë deri edhe gradën “gjeneral” dhe të bëhet komandant i Forcave Ajrore shqiptare në vitet 1993-1996. Madje ka arritur edhe të kualifikohet në ShBA, si një nga pilotët më cilësorë. Arriti të pilotojë edhe një avionët ultramodernë të NASA-s gjatë një stërvitje në Amerikë. Amerikanët u habitën. Astrit Aliaj, një tjetër shok, ka qenë deri vonë një ushtarak elitar në Forcat tona Detare, më pas u bë edhe atashe ushtarak në Itali. Sot, nga brezi ynë pothuajse nuk ka më asnjë nga kolegët tanë në radhët e FASh. Për shkak të reformës ata janë tani “në rezervë”. Ka edhe nga ata që janë në emigracion në ShBA, Greqi, Itali, etj.

Shkolla e Bashkuar, ku ju caktuan, në cilën degë?

-Mes shkollës “Skënderbej” dhe asaj të Bashkuar, kishte një periudhë njëvjeçare “stazhi në prodhim”. Ne begsat punuam një vit në “gjigandin e dritës”, hidrocentrali i Fierzës. Patëm oficer drejtues Rexhep Metën, babain e kryetarit të Parlamentit të Shqipërisë, z. Ilir Meta. Ishte një kuadër model. Kur shkuam ne, punimet zhvilloheshin në “bërthamën” e digës. Aty qëndroi një grup, kurse tjetri punoi nëpër tunelet anësore. Turnet natën, shumë të lodhshëm. Gërmonim shtresën e gurtë të fundit të Drinit (rrjedha e tij ish devijuar më parë), e lanim atë me ujë me presion dhe makina e madhe betoniere vinte natën për hedhje betoni. Ne na rrinin mbi krye gjithmonë dy inxhinierë kinezë; njeri quhej “shoku Tan”. Ishte shumë shoqëror me ne. Kontrollonte shkallën e pastrimit të kalldrëmit të gurtë dhe vetëm kur bindej ai, urdhërohej të vinte betoniera. Çudi, gjithë natën, si nuk e pashë një herë shokun Tan të dremiste? Nga ora 20.00 të darkës deri në 05.30 të mëngjesit!?. Dhe ishte goxha i moshuar… Pas kësaj periudhe kaluam në shkollën e Bashkuar. Profilet zakonisht i caktonte komanda e shkollës e stafi pedagogjik, (natyrisht jo gjithmonë përputheshin prirjet). Di që në degë të tilla; si radiolokacion dhe artileri kundërajrore preferohej të kalonin klasat më të mira. Kështu, më qëlloi që në shkollën e Bashkuar të studioj në fakultetin e artilerisë kundërajrore.

Pedagogët, shokët, stërvitja. Si ishte disiplina?

-Shkolla e Bashkuar për ne begsat ishte “e lehtë”, pasi më të vështirën e kishim kaluar në “Skënderbej”. Kurse ata që vinin nga gjimnazet civile (të Tiranës e të rretheve), e kishin më vështirë se ne. Në një farë mënyre, ne ndjeheshim “gjeneralë” në krahasim me ta. Se ishim mësuar me disiplinën ushtarake. Kjo ishte meritë e atyre 4 viteve të shkollës “Skënderbej”. Ishim më të pjekur, më fizik të formuar, disiplina në kish hyrë në gjak. Shokët tanë ishin nga gjithë Shqipëria. Nuk mund të harroj shokun e mirë studentin Mihal Malo nga minoriteti, që në stërvitjet ushtarake në Bizë, apo në punimet fortifikuese në Klenjë, na mësoi si të gatuajmë kërmij në gavetë ushtrie, “në kushte mbijetese”. Dhe ç’bënim? Ndiznim zjarr, vinim në një gavetë me ujë kërmijtë dhe i hanim. Pjesa më e madhe e pedagogëve të Shkollës së Bashkuar ishin kuadro që kishin mbaruar akademitë ushtarake në ish Bashkimin Sovjetik. Ishin kuadro të elitës ushtarake për kohën. Niko Trëndafili, Ferdi Skënduli, Azis Velçani, Pirro Xheli, Agim Qoku, Dhimitër Vllahu, Neki Hoxha, Fahri Allushi, Baçalla’ Havari, apo “i tmerrshmi” Dino Ahmeti, që na jepte taktikë, Tahir Bimi, etj. Secili prej tyre kishte metodologjinë perfekte për të na përgatitur si oficerë trupe, që nesër do të ngjisnim me meritë shkallët e karrierës ushtarake. Dua t’i falënderoj ata, për gjithçka bënë për ne, pasi ndjej se vërtetë na dhanë pa rezerva, gjithë arsenalin e tyre të dijeve, që ne të bëheshim nesër kuadro të devotshëm për mbrojtjen dhe sigurinë e Atdheut tonë.

Si i prisnit stërvitjet dimërore në Feken?

-Janari e shkurti ishin muaj të programuar nga komanda e shkollës si fazë e stërvitjes dimërore. Psikologjikisht përgatiteshim që më parë. Në këtë kohë nuk kishim më liridalje në qytet, nuk do të shijonim më fshehtas ndonjë gotë birrë në një lokal të Tiranës, etj. Fekeni ishte një izolim i plotë, mes borës që gjithmonë ishte prezente; ku flinim në kapanone me dyshekë me kashtë, ku mijtë gjithë natën bënin “xhiro” mbi batanijet tona. Fekeni ishte sprova e mbijetesës, që duhej kaluar, ndryshe nuk mund të bëheshe dot oficer. Aty “luanim” me harta, në rol të oficerit. Aty kaliteshim fizikisht. Nga mezi e lart lakuriq, bënim fizkulturën e mëngjesit, fërkonim trupin me borë, hanim mëngjesin në “mensën” e improvizuar, që ishte thjeshtë një kanal i hapur me lopata xheniere, baltovinë e tëra. Por kjo nuk na bënte përshtypje, rëndësi për ne kishte vetëm aroma e fasuleve të ngrohta, që na guduliste stomakun. Ngjitja në malin e Mecekut, ishte itinerar gati i përhershëm. Shumë i rrezikshëm për ortekë. Më 6 shkurt 1981, pikërisht aty orteku vrau 11 shokët tanë: komandant batalioni Dushan Shametaj, shef i planizimit në degën e arsimimit Çlirim Pulaj, pedagog taktike Nikollaq Bero, student Bilbil Pashaj, student Aleko Gjoni, student Qemal Lika, student Besnik Shehu, student Pëllumb Rrapo, student Ilir Gramatiko, student Nexhip Çopa, student Bujar Ago, të gjithë “Dëshmorë të Atdheut”. Në atë kohë, unë kisha një vit që sapo isha titulluar “oficer” dhe shërbeja në Arapaj, Durrës. I njihja që të gjithë ata. Pikëllimi më shpoi zemrën.

 Kur mbaruat, ku ju caktuan? Një kronologji të të gjithë karrierës tuaj ushtarake?

-Në gusht 1979-qershor 1980, u caktova oficer në baterinë kundërajrore, Arapaj (Durrës), për stazhin e diplomës. Në fund qershori 1980, mbrojta diplomën për “oficer kundërajror”. Pas dy muajsh mora diplomën dhe emërimin si komandant baterie kundërajrore 37m/m (dy grykësh) po në këtë repart. Në këtë post komandues, qëndrova për 12 vjet rresht, deri në gusht 1992. Kam marrë pjesë në disa parada ushtarake: Kur isha skënderbegas, më 1974 (30 vjetori i Çlirimit), në vitin 1979 kur isha oficer në stazh diplome (në 35 vjetorin e Çlirimit, ku dhe jam dekoruar me medaljen “Ylli i Kuq”), më 10 korrik 1974 (përvjetori i Ushtrisë), si dhe më 10 korrik 1979.

 Kur jeni ndjerë më keq si oficer?

-Duhet të ketë qenë qershori i vitit 1977, kohë e qitjeve kundërajrore në poligonin e Jubë-Sukthit. Nuk dua të ma marrin për lëvdatë, por për hir të fakteve më duhet të them se bateria ime në Arapajt ishte edhe qendër stërvitore e përvitshme me rekrutët e rinj, repart i dalluar. Qitjet kundërajrore zakonisht cilësoheshin si “provimi i vitit”. Për këto qitje përgatiteshim për gjatë gjithë vitit. Ekzistonte një shpirt i jashtëzakonshëm gare mes nënreparteve të regjimentit. E çuditshme, por ky shpirt gare është evident gati në historinë e gjithë ushtrive. Kush ka lexuar “Udhëtimi im amerikan” të gjeneralit të famshëm Kolin Pauell, kupton se çfarë është sedra e garës mes efektivave. Nënreparti im, gati ishte mësuar me notën 9 ose 10 në qitjet kundërajrore. Për dreq, atë vit, nuk realizuam dot “goditjen e avio-shënjës” dhe nota që morëm ishte…një 6 me hatër. Nuk e ke idenë çfarë pezmatimi ra në repart. Më kujtohet, që më afrohet Mitat Shehu, një oficer shtabi i mrekullueshëm (dikur një emër i shquar i futbollit të “Partizanit”), dhe më rreh shpatullat. “Të humbësh një betejë nuk do të thotë se ke humbur gjithë luftën”, më tha ai frazën legjendare të Napoleonit të madh. “Mos u mërzit, mblidhi ushtarët, qetësohuni, bëni edhe analizën”. Unë e kisha parandjerë humbjen, pasi qitjet kundërajrore janë punë në grup. Dy nga ushtarët që kisha futur në ekuipazh, ditët e fundit, kishin munguar për dy javë rresht në stërvitje. Dhe ja, rezultati i keq nuk vonoi...

 Cila stërvitje ka qenë më e vështira dhe pse?

-Ka qenë një stërvitje komando-shtabi, po në zonën e Durrësit. Jepja e merrja me komandën eprore me telefonat e vjetër “TAI-43”, dhe mundohesha të koordinoja situatën me vendimet e shtabit të regjimentit. Isha krejt i vetëm në bateri. Edhe komandoja ushtarët mbi topa, edhe jepja situatën me telefon. Kur më vjen për kontroll një ushtarak i lartë i divizionit, për të cilin edhe sot e kësaj dite ruaj respektin më të madh; ishte Qamil Bushati. ”Oficer, më tha, po sa ditë ke pa vajtur në shtëpi”. “Më shumë se një muaj”, i thashë. “Më shumë se një muaj!!?”, u habit ai. Dhe mori menjëherë në telefon komandën… Po atë ditë, mbas stërvitjes, më sollën një oficer shtabi që më ndërroi në shërbim dhe kështu, pata mundësinë të shkoj 24 orë me leje në shtëpi. Edhe kur u martova, mezi mora vetëm 7 ditë pushime nga leja vjetore.

Si ishin marrëdhëniet me ushtarët?

-Unë, por edhe shokët e mijë oficerë kundërajrorë, kudo ku kanë shërbyer, zakonisht kanë bërë “jetë ushtari”. Ishte armë që kishte gjithmonë gatishmëri luftarake. Ne ishim “afër ushtarit” në të gjitha aspektet. Ushtari ishte vartësi, por edhe “vëllai më i vogël”. Ushqimi ynë kishte të njëjtën normë; “normën 1”, njëlloj si ai i ushtarit. Zyra jonë e punës ishte krejt modeste, pa komoditetet që kanë sot zyrat e strukturave të FASh. Dhe ushtarët e kuptonin fare mirë sakrificën që bënim ne oficerët.

Si u lidhët me shtypin ushtarak? Cilët ishin oficerët, poetë dhe shkrimtarë ushtarak më me zë?

-Letërsia ka qenë pasioni im i kahershëm. Që në fillore. Në lëndët e tjera kam qenë mesatar, kurse në letërsi kam patur vetëm notën 10, gjatë gjithë kohës. Isha në klasë të 6-të, kur lexova 2 vëllimet e Çarl Dikensit “David Koperfild”. Si “Mik i librit”, më kujtohet që drejtoria e shkollës 8 vjeçare në fshat, më nisi drejt Tiranës, ku bëhej një takim me shkrimtarin Gjergj Zheji. Lexoja çfarëdo libri që më binte në dorë. Në shtypin ushtarak, shkruaja; si gjatë shkollës “Skënderbej”, ashtu edhe në atë të Bashkuar. Kishim “Rrethin letrar”, që drejtohej nga mësuesja e letërsisë Vasilika Vasi, ajo edhe na aktivizonte. Aty ishte edhe poeti i njohur Arben Duka, një vit më i vogël se ne, ishte Flamur Bubullima, Luan Xhuli, Kujtim Boriçi, etj. Beni ka qenë një fenomen letrar shpërthyes qysh në atë kohë. Më vonë në shkollën e Bashkuar, “Rrethi ynë letrar” e ruajti trajtën dhe misionin e vet. Në këtë kohë ai u drejtua nga Syrja Xhelaj, një shoku ynë, student ushtarak, një shok i mrekullueshëm, dhe gazetar i talentuar. Lidhjet e bashkëpunimet me gazetën “Luftëtari” dhe revistën “10 Korriku” i mbajta gjatë gjithë kohës që isha oficer trupe. Dhe ndjehem fatlum sot, që në atë kohë reportazhet e mia nga jeta e repartit kalonin në duart e gazetarëve profesionistë, pjesë e elitës gazetareske e kohës si; Thanas Tane, Demokrat Anastasi, Apostol Duka, Fluturak Gërmenji, Hysni Milloshi, një poet i jashtëzakonshëm, por dhe publicist e shkrimtar brilant. Në vitin 1992, mu kërkua të testohesha për të punuar në gazetën “Luftëtari”. Që ditën e parë, kryeredaktori më nisi për një reportazh në Elbasan, dhe pasi e kreva detyrën, më vuri një tjetër detyrë “më të vështirë”: “Do shkosh në Veri, do shkosh do mbulosh zonën Kukës-Tropojë për një muaj”, më tha. “Do rrish atje, do raportosh që nga Kukësi”. Kjo për mua nuk përbënte fare problem. Isha mësuar gjithë kohës larg familjes. Kështu, punova si gazetar (ca kohë edhe kryeredaktor) në gazetën e Ushtrisë dhe revistën e saj “Mbrojtja”, deri në mars të vitit 2008, moment kur dola “në rezervë”. Tani që prej 3 vjetësh, jam kryeredaktor i revistës “Pavdekësia” organ i Organizatës Kombëtare të Dëshmorëve të Atdheut.

Si do ta cilësonit ushtrinë tonë? A ishte një ushtri e niveleve të shteteve të përparuara?

Të jemi realistë: Çdo kohë ka kërkesat e veta. Për atë periudhë, por edhe sot, referuar konteksteve kohës, Ushtria shqiptare ka qenë gjithmonë në misionin e shenjtë të mbrojtjes së Atdheut. Dhe e ka kryer atë më së miri. “Kishte ekzagjerime”, do thotë dikush. Po, vërtetë, 22 divizione në gjithë hapësirën shqiptare ishte një “barrë” e madhe për financat e një vendi të vogël dhe të varfër, si Shqipëria, por ama, Lufta e Ftohtë nuk ishte një përrallë, por realitet i llahtarshëm, që edhe analistët e sotëm botërorë nuk e mohojnë. Mendoj se si shtet, kishim një ushtri me aftësi mbrojtëse shumë të lartë. “E çfarë mbrojtje më thua, kjo nuk u provua kurrë ndonjëherë”, nuk e përtojnë ta thonë sot politikanë a deputetë të dështuar. Dhe janë ata, që dikur, kur bëhej zbori ushtarak dy javor, mezi i zvarrisnin këmbët. E ç’llogjikë është kjo?! Po shyqyr që ajo luftë nuk u bë. Ushtria dhe ushtarakët shqiptarë, gjithmonë kanë dashur paqen, dhe jo luftën; ndaj dhe rrinin në gatishmëri luftarake me javë e muaj të tërë. Sot Ushtria shqiptare është pjesë e NATO-s dhe për këtë jemi krenarë të gjithë. Për këtë kanë meritë; si ata që janë në radhët e blerta sot, ashtu edhe ata që janë sot në rezervë a lirim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat