Vlora Limani-Hajnuni: Opozita të dalë me veprime konkrete

Bota e Yjeve

Vlora Limani-Hajnuni: Opozita të dalë me veprime konkrete

Nga: Rexhep Isufi Më: 6 prill 2016 Në ora: 13:45

Në një proces demokratik zgjedhor, rezultatet zgjedhorë, gjithherë nxjerrin një pozitë shumicë qeverisëse dhe një opozitë. Opozita në një proces të tillë demokratik do të duhej të ketë rol shumë të rëndësishëm që përmes kritikave dhe propozimeve konkrete të kontribuojë në korrektimin e politikave qeverisëse në rast se diku pushteti ka gabuar. Dhe këtë rol opozita do të mund ta ushtroj duke qenë fillimisht prezentë dhe aktive në mbledhjet e Kuvendit si dhe të komiteteve e komisioneve, gjegjësisht trupave të Kuvendit.

Bota Sot: Znj. Limani – Hajnuni, tani më keni me tepër se dy vite që kur keni marrë pozitën e Kryekuvendarës në Kuvendin Komunës së Lipjanit. Po e fillojmë nga përspekriva gjinore. Si femër, sa ka qenë e vështirë për këtë periudhë kohore, të jesh në krye të një institucioni shumë të rëndësishëm në nivel lokal siç është Kuvendi?

Vlora Limani-Hajnuni: Natyrisht që fillimi nuk ka qenë edhe aq i lehtë për shumë arsye të ndryshme.E para është se në Lipjan asnjëherë nuk ka qenë në një post të tillë një femër dhe kur këtë ja shton përbërjen e tanishme të Kuvendit brenda të cilit ka njerëz të cilët kanë përvojë të gjatë në politikë, jo vetëm nga paslufta, por edhe më herët dhe atë në pozitat më të rëndësishme të komunës, si kryetar komune, nënkryetar, kryesues Kuvendi, e drejtorë të drejtorive përkatëse, atëherë kjo ndoshta nga shumë kush është parë si sfidë për mua. E vërejë se kërkohet vërtetë një angazhim serioz që në krye të një institucioni me përbërje të tillë, të jetë një femër më pak përvojë në politikë. Kur krejt kësaj ia shton edhe sterotipet e ndryshme të shoqërisë sonë në përgjithësi, për femrën politikane, tani nga kjo perspektië, vërtetë them që ka qenë pak sa e vështirë të jesh në krye të këtij institucionit. Natyrisht, që për të arritur sukses është dashtë shumë punë, përkushtim dhe guxim politik për të vazhduar më tutje.

Bota Sot: E përmendët përbërjen e Kuvendit si sfidë në fillim të mandatit tuaj, vazhdon me qenë ende kjo sfidë për ju?

Vlora Limani-Hajnuni: Jo unë nuk e thash që kjo ka qenë sfidë e imja personale, por ndoshta njerëzit e kanë parë këtë fakt, përbërjen e Kuvendit si sfiduese karshi meje. Përndryshe unë as atëherë e as tani nuk e kam parë, përbërjen dhe udhëheqjen e kuvendit si sfidë. Realisht edhe atëherë edhe tani konsideroj që antarët e kuvendit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë partnerët e mi në thyerjen e këtij lloj paragjykimi dhe stereotipi për femrën politikane dhe menaxhere në institucione.

Bota Sot: Megjithatë jo rrallëherë, vërtet ju kanë sfiduar anëtarët e Kuvendit duke ju akuzuar për mostolerancë gjatë udhëheqjes së mbledhjeve të Kuvendit. Si e konsideroni këtë?

Vlora Limani-Hajnuni: Fillimisht nuk mendoj dhe nuk gjykoj që antarët e kuvendit të cilët herë herë reagojnë në forma të tilla ndaj meje si Kryesuese e Kuvendit, e kanë qëllim sfidimin tim. Unë kam respekt jashtëzakonisht të madh për secilin antar të Kuvendit dhe në veçanti për disa nga ta të cilët kanë qenë profesorë gjatë shkollimit tim. Prandja, dua të besoj që reagimi i tyre është me qëllim të kontributit të tyre në punën e Kuvendit. Megjithatë më lejoni të sqaroj një çështje. Kuvendi është vendi ku diskutohet dhe merren vendime shumë të rëndësishme për Komunën në përgjithësi. Kuvendi është organi më i lart legjislativ i Komunës dhe si i tillë duhet të trajtohet. Puna e Kuvendit bazohet në dy dokumente të brendshëme; rregullorja e punës së Kuvendit dhe Plani i Punës. Dokumente këto të cilat hartohen dhe miratohen nga vet Kuvendi dhe si të tilla unë mendoj që duhet të respektohen. Në vijimësi, insistoj që puna e Kuvendi të jetë e mbushur me projekte të shumta dhe të ndryshme edhe pse ndoshta kjo dikujt i duket burokraci. Unë mendoj që këto angazhime fillimisht parashihen edhe në rregulloren e punës së Kuvendit.Mandej,këto ndikojnë që edhe vendimet e Kuvendit të jenë cilësore dhe në përputhje me ligjin.Prandaj si të tilla duhet të respektohen nga të gjithë ne, pozitë, opozitë, legjislativ apo ekzekutiv.
Bota Sot: Megjithatë, anëtarët e Kuvendit janë përfaqësues të partive të ndryshme politike , prandja, jo çdo herë duhet të pritet që ata të i përkrahin politikat e Komunës?

Vlora Limani-Hajnuni: Natyrisht unë e kuptojë dhe çdo herë e kam parasyshë këtë fakt. Në sistemin e demokracisë, secili nga ne garojmë për një vend si anëtar i Kuvendit, qoftë duke e përfaqësuar një program politik- partiak, ose edhe si të pavarur. Por në momentin kur e jep betimin si antar i Kuvendit tani më interesi publik është mbi interesin partiak dhe kjo do te duhet të vlej për secilin kuvendar.
Bota Sot: Gjatë këtyre dy viteve mandat ka pasur disa raste kur vendimet e Kuvendit janë kthyer për rishqyrtim në Kuvend me rekomandim të MAPL-së?

Vlora Limani-Hajnuni: Po për disa vendime të cilat janë marr në Kuvendin Komunal, kemi pas rekomandimin e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, që ato vendime për shkak të disa gabimeve që më tepër kanë qenë teknike të rishqyrtohen në një nga seancat të radhës të Kuvendit. Megjithatë ajo që unë e konsideroj shumë të rëndësishme është fakti që edhe unë edhe Kryetari i komunës Imri Ahmeti, kemi respektuar këto rekomandime duke dërguar në rishqyrtim të gjitha vendimet për të cilat kemi pas rekomandime nga MAPL. Megjithëse është punë e Kuvendit që me votë të vendos nëse është pro ose kundër këtyre rekomandimeve.
Bota Sot: Gjatë kësaj periudhe, sa ju jeni në krye të Kuvendit Komunal, janë organizuar shumë trajnime për kuvendarët, mund të na flisni pak rreht këtyre aktiviteteve.

Vlora Limani-Hajnuni: Unë kam qenë anëtare e Kuvendit Komunalë në mandatin e kaluar dhe me plot përgjegjësi ju them se asnjëherë nuk ka qenë përkushtimi më i madh për të fuqizuar rolin e Kuvendit dhe antareve të Kuvendit në ushtrimin e përgjegjësive të tyre ligjore. Në fillim të këtij mandati kemi pas një seri të punëtorive për anëtarët e Kuvendit Komunal të organizuara nga MAPL -ja dhe Asociacioni i Komunave të Kosovës, kryesisht rreth legjislacionit në fuqi i cili rregullon qeverisjen lokale. Por, atë të cilën unë do e theksoj në veçanti janë punëtorit e ndryshme të cilat në vazhdimësi po mbahen nga Organizata Zvicerane, Helvetas, përmes projektit DEMOS. Ju e dini me siguri që Komuna e Lipjanit është në mesin e, kemi qenë ata të cilët kemi përcaktuar prioritetet e Komunës përpara se të lidhet marrëveshja. Si prioritete të këtij projekti, përveç çështjeve që kanë të bëjnë me shërbimet publike dhe menaxhimin financiar, ka qenë e përcaktuar edhe Demokracia Lokale, çështje e cila ka të bëjë kryekëput me rolin dhe fuqizimin e Kuvendit Komunal. Prandaj në kuadër të këtij projekti kemi pasur disa punëtori shumë të rëndësishme për kuvendaret që kanë të bëjnë me menaxhimin financiar,procedurat e hartimit dhe miratimit të buxhetit, procedurat e prokurimit, raportet e auditimit të jashtëm dhe të brendshëm, taksat dhe tarifat komunale etj. Të gjitha këto punëtori janë financuar nga Helvetas - Demos dhe kanë qenë të organizuara nga unë si kryesuese e Kuvendit. Prandaj, thënë shkurt unë mendoj që Kuvendit jo vetëm që ju është kushtuar rëndësi e veçanet por edhe është krijuar hapësirë e mjaftueshme në mënyrë që të ushtroj kompetencat e veta ligjore.
Bota Sot: Znj. Kryesuese me siguri që ka pasur edhe ngecje në çështje të caktuara?

Vlora Limani-Hajnuni: Në fakt deri tani unë fola për atë se Institucionit të Kuvendit në këto dy vite mandat ju është kthyer rëndësia që do të duhet ta kishte që nga themelimi i tij në bazë të Ligjit mbi Vetëqeverisjen Lokale. Megjithatë unë nuk gjykoj që gjithçka është e përkryer dhe pas asnjë të metë. A mund të behet edhe më shumë? natyrisht se po. Por a mund të bëhen të gjitha përnjëherë? Konsideroj që është e pamundur. Prandaj konsideroj se problematika kryesore e Kuvendit dhe sfidë përmanente e imja si kryesuese e Kuvendit Komunal ka qenë funksionalizimi i Komiteteve jo obligative të cilat janë themeluar nga Kuvendi Komunal dhe që janë jo shumë funksiinal për shkak të mos kompensimit të mëditjeve të këtyre antarëve. Megjithëse ,kjo nuk është problematikë vetëm e këtij mandati por e kahershme edhe pse unë si kryesuese e Kuvendit jam angazhuar shumë sinqerisht që të gjejmë mundësi ligjore për kompensimin e tyre. Në 2014 kemi bërë planifikimin buxhetor duke planifikuar mjete shtesë në kodin buxhetor paga e menditje në kuadër të Zytrës së Kuvendit. Pavarësisht kësja nga niveli qendror nuk janë ekzekutuar këto kompensime.

Bota Sot: Si qëndrojnë mardhëniet e juaja me opozitën tani, sepse në vitin e parë të mandatit tuaj si Kryesuese e Kuvendit opozita shpesh herë ju ka bojkotuar.

Vlora Limani-Hajnuni: Në një proces demokratik zgjedhor, rezultatet zgjedhore, gjithherë nxjerrin një pozitë shumicë qeverisëse dhe një opozitë. Shumica qeverisëse ose parlamentare, nëse mund ta quaj kështu, bashkë me qytetarin përcaktojnë politikat qeverisëse të Institucionit, në këtë rast të komunës. Opozita në një proces të tillë demokratik do të duhej të ketë rol shumë të rëndësishëm që përmes kritikave dhe propozimeve konkrete të kontribuojë në korrektimin e politikave qeverisëse në rast se diku pushteti ka gabuar. Dhe këtë rol opozita do të mund ta ushtroj duke qenë fillimisht prezentë dhe aktive në mbledhjet e Kuvendit si dhe të komiteteve e komisioneve, gjegjësisht trupave të Kuvendit. Përndryshe, unë lirshëm mund të konstatoj, sa i përket punës sime, jam munduar që për këtë periudhë , në krye të Kuvendit të ndërtojë raporte të shëndosha njerëzore dhe kolegiale jo vetëm me opozitën por me secilin antar të Kuvendit. Ne mund të kemi dallime politike që është krejt e natyrshme por megjithatë në saje të këtyre dallimeve nuk mund të pretendojmë të krijojmë armiqësi mes vete.

Bota Sot: Znj.Limani ,ju si femër në krye të një institucion ,si e vlerësoni pozitën e femrës në vendimmarrje.Sa është e profilizuar në politikë femra jonë.A janë ato edhe më tej të motivuara mga vendimet e gjinisë tjetër dhe sa është e rëndësishme pjesëmarrja e saj në politikë.

Vlora Limani-Hajnuni: Do e filloj nga ajo se sa është e rëndësishme pjesëmarrja e femrës në politikë dhe në vendim marrje. Pa pretenduar të anashkaloj gjininë tjetër, unë mendoj që femra është faktor i zhvillimit ekonomik dhe politik i shoqërisë dhe shtetit në përgjithësi dhe mirë që është e rregulluar me ligjet natyrore. Një shoqëri e emancipuar, e zhvilluar ekonomikisht dhe politikisht varet prej asaj se sa femra është e respektuar dhe e integruar në vendimmarrje, duke filluar nga familja. Natyrtisht, kjo e fundit është faktori kryesor i rritjes dhe e zhvillimit shoqëror në përgjithësi. Vlerësoj se këto përparime kanë ndodhë si rezultat i insistimit të femrës për ndryshim dhe barazi gjinore duke filluar nga familja. Ne sot kemi femra në pozitat më të larta të Institucioneve shtetërore të cilat janë shumë aktive në politikë dhe që lirshëm mund të merren si shembull i mirë për mënyrën e menaxhimit dhe në luftë ndaj dukurive negative brenda institucioneve me të cilin udhëheqin.Femra ka qëndrueshmërinë e saj politike prapa vendimeve të cilat i merrë. Megjithë këtë konsideroj që shoqërisë kosovare, pavarësisht ligjeve të mira në fushën e respektimit të të drejtës gjinore, i mbetet ende shumë punë për të bërë në krijimin e hapësirave për femrën tonë, jo vetëm politikane por edhe në biznes apo edhe pozitat tjera në shoqëri. Nuk dua të dal feministe sa të them se femra është krijesë e përkryer, sepse nuk është ashtu por megjithatë,është qënje njerëzore e krijuar nga Zoti, njëjtë si mashkujt, me dallime në dukje fizike por jo mendore.
Bota Sot: Roli i medias dhe shoqërisë civile në monitorimin e punës së Kuvendit.

Vlora Limani-Hajnuni: Në përgjithësi mendojë që monitorimi i punës së Kuvendit Komunal por edhe institucioneve tjera, nga shoqëria civile dhe nga mediat është jashtëzakonisht i rëndësishëm. Konsideroj që shoqëria civile dhe mediat janë ura lidhëse të një komunikimi edhe më të fuqishëm në mes të Institucioneve Komunale dhe qytetarit. Si Kryesuese e Kuvendit, mendoj që kam krijuar hapësirë të mjaftueshme për mediat dhe shoqërinë civile në monitorimin e punës së Kuvendit. Të gjitha mediat dhe shoqëritë civile, ato të cilat kanë shpreh interesim, e marrin rregullisht ftesën për secilën seancë të Kuvendit sepse është jashtëzakonisht e rëndësishme që Institucionet Komunale të ndërtojnë marrëdhënie bashkëpunimi me këto dy segmente me qëllim të përfshirjes së qytetarëve në hartimin e politikave lokale dhe në vendim marrje, gjithëherë duke kërkuar nga ato që të respektojnë rendin gjatë seancave të Kuvendit. Dua të bëjë publike se kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me organizatën “POLIS”, e cila monitoron punën e Kuvendit dhe Institucionet tjera në Komunë me qëllim të krijimit të një pasqyre sa më të qartë për publikun, rreth punës dhe vendimmarrjes së Kuvendit Komuna.
Bota Sot: Porosia e juaj për qytetarët e Lipjanit?

Vlora Limani-Hajnuni: Vazhdoni të jeni prezent në aktivitetet e Institucioneve Komunale duke dhënë ide, propozime dhe duke paraqitur problemet kryesore me të cilat ballafaqoheni në mënyrë që të jeni pjesë e vendimmarrjes Komunale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat