Mustafa: Vëllai kërkoi azil për shkaqe shëndetësore, nuk e kam kërcënuar askënd

Bota e Yjeve

Mustafa: Vëllai kërkoi azil për shkaqe shëndetësore, nuk e kam kërcënuar askënd

Më: 21 mars 2016 Në ora: 13:46

"Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se vëllai i tij ka shfrytëzuar rrugët ilegale për të kërkuar strehim jashtë Kosovës në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes për sëmundjen e rëndë që ka. Ndërkaq nuk pranon se ka telefonuar gazetarin nga Insajderi.com i cili ka shkruar i pari në lidhje me këtë çështje".

Zoti kryeministër, cili është shpjegimi i juaj në lidhje me çështjen e azil-kërkimit nga ana e vëllait tuaj, i cili sipas shkrimeve në media ka shfrytëzuar rrugët ilegale për t’u larguar nga Kosova?

Isa Mustafa: Unë e kam kuptuar më vonë se në vlugun e njerëzve të cilët kanë kërkuar strehim në vendet e tjera ka qenë edhe vëllai im. Mirëpo për sa kam informacione, ka qenë për nevoja personale e shëndetësore, sepse vuan për një kohë të gjatë nga një sëmundje e rëndë për të cilën nuk ka gjetur shërim këtu.

Mirëpo në asnjë rast nuk e ka qelë kurrë bisedën në familjen e gjerë se ai do të kërkoj strehim jashtë edhe përmes strehimit do të kërkojë edhe shërimin. Mua më ka ardhur keq kur e kam dëgjuar atë informatë. Por, edhe ai ka ndarë fatin e shumë qytetarëve tanë të cilët qoftë për shkak të problemeve sociale, të papunësisë apo të shpresës së do të zgjidhen problemet e tyre jashtë vendit, e ka bërë këtë, në mënyrë që të gjejë zgjidhje shëndetësore për një periudhë të caktuar kohore.

Kjo nuk është arritur, ai është kthyer dhe është këtu. Unë e kam thënë edhe përmes Facebook-ut një shpjegim se ka pasur edhe tjerë njerëz nga familja e gjerë që në atë kohë janë mashtruar, kanë shkuar duke shpresuar se do të gjejnë zgjidhje jashtë. Për fat të gjithë po kthehen këtu dhe ne po mundohemi ne që të punojmë si për avancimine sistemit shëndetësor në mënyrë që njerëzit të gjejnë shërbime shëndetësore brenda vendit.

Apo edhe për zhvillimin ekonomik, tërheqjes së investimeve të huaja, në mënyrë që të hapen vende të reja pune për të gjithë qytetarët edhe sa i përket forcimit të shtetit ligjor në mënyrë që t’i plotësojmë kushtet për liberalizimin e vizave dhe ata që eventualisht do të kishin nevoja të tilla të mund të lëvizin deri atje dhe të kthehen në Kosovë dhe jo t’i shfrytëzojnë rrugët ilegale për t’i zgjidhur këto probleme.

Ndërkaq është opinioni ai i cili do të vlerësojë se a është tema e një të sëmurit që të bëhet temë për të gjithë Kosovën apo nuk është në vullnetin tim dhe qëndrimin tim që këtë ta them.

Është folur që ka shfrytëzuar rrugët ilegale. A nënkupton kjo që Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të informojë qytetarët se mund të shfrytëzohen edhe rrugët legale të cilat iu mundësojnë pacientëve që të gjejnë shërim jashtë vendit?

Isa Mustafa: Disa nga rrugët legale janë shfrytëzuar edhe më parë, nga pacientë të ndryshëm, përmes dëshmive, vërtetimeve, të ndryshme se ata nuk gjejnë shërim këtu dhe duhet të shërohen jashtë, mirëpo edhe përmes sigurimit të garancionit të spitaleve të jashtme, është punuar, ne tani po mundohemi që edhe të gjitha këto raste sa më shumë t'i trajtojmë brenda vendit dhe të ngushtohet maksimalisht lista e atyre që duhet sipas ekspertizës së komisioneve shëndetësore të shërohen jashtë, unë mendoj se kjo do të arrihet.

Ndoshta është çështje personale, mirëpo a keni biseduar me vëllaun, cilat kanë qenë ato preokupimet kryesore që nuk e ka shfrytëzuar rrugën e institucioneve për të kaluar jashtë vendit?

Isa Mustafa: Ai ka qenë në shërim të gjatë, këtë rast nuk e kam biseduar konkretisht sepse më është dukur që po i hap varret dhe dhimbjet edhe atij që është në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore dhe nuk kam dashur që të merrem me atë, sepse megjithatë është e drejtë e tij, është i moshës së pjekur i moshës së shtyrë, ka familjen e tij, dhe nuk mund ta shfrytëzojmë pozitën e kryeministrit që të ndikojë te ai edhe pse me të vërtetë më ka ardhur mjaft keq kur kam dëgjuar se ka qenë i shtytur nga sëmundja që të bëjë një veprim të tillë.

Jeni cituar nga i njëjti medium se keni telefonuar gazetarin dhe e keni fyer atë. Cili është versioni juaj i këtij rrëfimi?

Isa Mustafa: Nuk flitet këtu për version, të atij që kam pasur për këtë situatë, është ai që kam dhënë në Facebook dje, aty i kam dhënë qëndrimet, dhe në asnjë rast tjetër nuk e kam shfrytëzuar as të kërcënoj, as të fyej dikë sepse i vetmi qëndrim i imi i cili është dhënë dhe i vetmi prononcim i imi dhe komunikim, është ai përmes Facebook-ut dhe ai mbetet qëndrim. Mendoj se ka qenë qëndrim i drejtë.

Do të thotë nuk e keni telefonuar gazetarin?

Isa Mustafa: Po them prapë që ajo që unë e kam dhënë në këtë rast, në këtë relacion, është qëndrimi që kam dhënë përmes Facebook-ut.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat