Kosova me diplomaci të pakonsoliduar

Bota e Yjeve

Kosova me diplomaci të pakonsoliduar

Nga: Bisedën e zhvilloi: Ridvan EMINI Më: 16 mars 2016 Në ora: 16:36

Shteti i ri i Kosovës është një shtet i vogël me mundësi të kufizuar në politikën e jashtme të saj. Po ashtu si shtet i ri dhe me një ekonomi të brishtë por me një popullsi mjaft të re, duhet të kanalizoj potencialet dhe edukimin e tyre në atë drejtim që shteti të marrë drejtimin e duhur dhe të merituar duke i kontribuar pikësëpari qytetarëve të saj dhe pastaj të pozicionohet në marrëdhëniet ndërkombëtare si një shtet stabil.

“Bota Sot”: Së fundi ka dalë libri juaj i parë “Politika e jashtme e shteteve të vogla”, na thoni pak më shumë rreth saj?

Haxhimehmeti: Libri doli si domosdoshmëri që studiuesit, hartuesit dhe ekzekutuesit e politikës së jashtme në shtetin e ri të Kosovës, të kenë një manual praktik se si është e mundshme që një shtet i vogël me kapacitete të kufizuara financiare, kuadrovike e administrative, të zhvillojë një politikë të jashtme të suksesshme. Libri shtjellon pozitën e shteteve të vogla në marrëdhëniet ndërkombëtare, trajton specifikat e politikës së jashtme të shtetit të vogël, diplomacinë e tyre si dhe pozitën e tyre në kuadër të organizatave ndërkombëtare. Libri përveç tjerash ka në fokus politikën e jashtme të Zvicrës, Sllovenisë dhe natyrisht Kosovës.

“Bota Sot”: Si e vlerësoni politikën e jashtme të Kosovës për këto vite, duke marrë parasysh se së fundi patëm dështimin e anëtarësimit të Kosovës në UNESCO si dhe po vërehet një stagnim në procesin e njohje?

Haxhimehmeti:Kosova si shtet i vogël dhe i ri po përballet më sfida të mëdha. Politika e vet e jashtme ka ende barriera që duhet t’i kapërcejë në mënyrë që t’i arrijë objektivat strategjike: njohjen nga shtetet që ende nuk e kanë bërë një gjë të tillë, anëtarësimin e plotë në OKB, anëtarësimin në UE dhe në NATO. Diplomacia e Kosovës ende është në fazën e konsolidimit dhe përballet me vështirësi të mëdha financiare dhe mungesë të kuadrove profesional.

Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës në ndërtimin e rrjetit përfaqësues duhet të përfitojë nga përvojat e shteteve të tjera, duke mos lejuar mbushjen e shërbimit diplomatik me militantë partiakë dhe njerëz joprofesionalë. Kosova ka edhe probleme me imazhin, reflektime të tilla që vijnë për arsye të ndryshme objektive e subjektive.

Kosovës i duhet të punojë shumë dhe mençur për rregullimin e imazhit, pasi që nga përvoja e deritanishme disa projekte të kushtueshme për pasqyrim pozitiv të imazhit nuk kanë dhënë rezultatet e synuara. Janë të natyrshme e të kuptueshme prioritetet në politikë të jashtme për shtetet e reja, si fitimi i njohjeve, anëtarësimi në organizata ndërkombëtare, ndërtimi i marrëdhënieve diplomatike stabile me vendet tjera, apo diplomacia ekonomike që bëjnë që ndonjëherë të nënvlerësohet rëndësia e imazhit, por është imazhi pozitiv që ndihmon shumë në suksesin e prioriteteve të lartpërmendura në politikën e jashtme. Andaj, gjitha këto pasqyrohen në rezultatet e mangëta si në rastin e dështimit në UNESCO, apo edhe në njohjet. Dështimi në UNESCO, ishte një ndërthurje e klimës ndërkombëtare jo të përshtatshme për aplikim si dhe hapave të gabuar lobues, duke mos arritur njohjen e Kosovës ta përkthejmë më votë pro edhe te shtetet mike.

(Tekstin e plotë mund ta lexoni të enjte në publikimin e shtypur të gazetës kombëtare “Bota sot” në Kosovë dhe diasporë)

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat