Shkodranët dallohen për kulturën e humorin, përmetarët të urtë e punëdashës

Bota e Yjeve

Shkodranët dallohen për kulturën e humorin, përmetarët të urtë e punëdashës

Nga: Bisedoi: Adem Lushaj Më: 25 shkurt 2016 Në ora: 20:26

Amedeo, nga jeni në fakt?

Amedeo Baçi: Unë jam shkodranë-përmetar, më shkoqur origjina e prindërve të mi është nga Përmeti, por unë personalisht jam lindur e rritur në Bushat të Shkodrës. Pra jam në baraspeshë të plotë… Janë dy vende me njerëz të dashur e të respektuar: Shkodra që dallohet për artin, kulturën, humorin, ndërsa përmetarët janë njerëz të urtë, paqësorë e punëdashës. Një gërshetim traditash, vlerash e virtytesh mes këtyre dy qyteteve më duken ndër gjërat më të arrira.

Studiuesja dhe analistja letrare Klara Kodra e ka quajtur prozën tuaj si një shfaqje të befasishme të neoromantizmit në letrat shqipe… si një prozë e denjë për të qenë në avangardë të letërsisë botërore të realizmit romantik.

Amedeo Baçi: Po, besoj se është një vlerësim dhe përfundim i saktë mbi krijimtarinë letrare të shkruar deri më tani në formën e trilogjive romanore, ku prof. dokt. Klara Kodra është redaktore dhe analiste e sinqerte, objektive dhe skrupuloze e romaneve të mia. Ajo i ka pasqyruar mendimet e saj përmes gazetës suaj “Nacional”, të cilës i jam mirënjohës për mundësimin e shpalosjes së lirë të mendimeve në të gjitha sferat e artit. Studiuesja, poetja dhe përkthyesja e shquar Klara Kodra ka qenë ndër të parët lexues e studiues të krijimtarisë sime romanore dhe, si e tillë, ka qenë ndër të parët që ka injektuar tek unë besimin dhe frymëzimin që të jep një personalitet i madh dhe i besueshëm i letrave shqipe si ajo. Kjo ka bërë që unë të përmirësohem vit pas viti dhe të jap më të mirën e mundshme si autor romancier. Theksoj se ajo është një poete mjaft e zonja dhe një përkthyese e shkëlqyer e gjuhës italiane. Takimet e rregullta me të më kanë dhënë mundësinë të mësoj shumë prej saj e të shkëmbej mendime të lira për aspekte të ndryshme të letërsisë. Kam përshtypjen se tek ajo ekziston një shqisë e gjashtë, përmes së cilës arrin të lexojë deri ne 250-300 faqe në orë dhe kjo më duket një gjë e jashtëzakonshme.

Çfarë është për ju letërsia dhe krijimtaria letrare?Cilët janë autorët tuaj të preferuar nga letërsia botërore?

Amedeo Baçi: Letërsia është bota e mahnitshme në të cilën ndihem më i lumtur se kurrë më parë në jetën time. Së bashku me muzikën janë dy pasionet më të madha të jetës sime. Ёshtë atdheu im i dytë dhe dashuria ime sublime. Ndërsa krijimtaria ime letrare është vetë pasioni dhe jeta ime, është magjia pa të cilën do të ndihesha fatkeq dhe në mjerim të plotë. Unë lexoj jo më pak se dyqind faqe në ditë dhe sikur të më ndodhte që të mos lexoja për shkaqe të forta një ditë ose dy, do më dukej sikur po marrosem dhe po humbas sensin e bukur të jetës. Ndër shkrimtarët e huaj mund të përmend Homerin, Shekspirin, Dikensin, Balzakun, Hygoj, Tolstoj, Dostojevskin, Drajzerin, Cvajgun dhe deri tek autorët bashkëkohorë Daniel Still e Xhon Grisham. Mund të përmend këtu veçanërisht mistikun indian OSHO që, edhe pse i një natyre tjetër, është i jashtëzakonshëm në llojin e vet më pranë filozofisë dhe mistikes.

Librat tuaj janë shkruar në rrethana burgore, pra në kushte izolimi, ku secili prej nesh do ta kishte të vështirë ta bënte.

Amedeo Baçi: Po, e konfirmoj tërësisht ! Rrethana ndëshkuese të padrejta jetësore bënë që për një periudhë kohore afro pesëvjeçare të shkruaja, lexoja e studioja në kushte izoluese, në një sistem penitenciar shumë të ndërlikuar e mjaft të vështirë për të shpalosur mundësitë dhe aftësitë personale, në një fushë të rëndësishme të artit si letërsia. Por njerëzit e pamposhtur janë pikërisht ata që kanë farkëtuar karakterin dhe personalitetin e tyre në rrethana e mjedise “të pamundura”, në mjerim e padrejtësi. Pas një vendimi absurd të prokurorisë së Tiranës e pashë veten në anën tjetër të barrikadës, më të fyer e të poshtëruar se kurrë më parë në jetën time. Por, me sa duket, ky ishte “rasti fatal” që përcaktoi të ardhmen time si shkrimtar dhe më ktheu përfundimisht në pasionin tim të kahershëm. Pra, më duhet të konfirmoj se “falë burgosjes” unë bëra atë që në rrethana normale jetësore ndoshta nuk do ta kisha bërë kurrë. Në këtë këndvështrim, unë, personalisht, i jam mirënjohës kësaj rrethane jetësore që më bëri të reflektoj thellë mbi të kaluarën dhe të ardhmen time, si dhe drejtimin që duhej të merrja në jetë pasi të fitoja lirinë.

Romanet tuaja janë të natyrës autobiografike dhe pasqyrojnë jetën tuaj nga fëmijëria deri në ditën e realizimit të kësaj interviste. Çfarë transmetojnë tek publiku i gjerë romanet tuaja?

Amedeo Baҫi: Këtu kemi të bëjmë më një jetërrëfim, pra është jeta e autorit me ngjarjet dhe episodet jetësore më interesante. Ato që kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë një impakt të fuqishëm me lexuesit e zellshëm për subjektet e trajtuara, vlerat, idetë, mesazhet, alternativat, zgjidhjet që ata kanë gjetur në sagën time romanore. Autori në fjalë flet në vetën e parë në numrin njëjës dhe siç është konfirmuar nga lexuesit e shumtë dhe kritika profesionale, rrëfimet janë bërë me një çiltërsi e ndershmëri të frikshme, pa kursyer askënd, përfshirë vetveten, familjarët dhe të afërmit për hir të së vërtetës. Natyrisht ka ndodhur një gjë e padëshirueshme: të jem prishur me gjysmën e farefisit, por ndoshta një ditë do më kuptojnë dhe kjo do të jetë si një purifikim për secilin prej nesh. Madje, siç e përmenda, këtu nuk kam kursyer as veten sa herë jam përballur me realitetin, vlerat dhe mangësitë e mia në rrethana e kontekste të ndryshme jetësore. Mund të nënvizoj faktin se letërsia ime ka synuar të jetë universale, sepse është shkruar për të gjitha moshat dhe u përket të gjitha kategorive njerëzore dhe kombeve të mbarë botës.

Jeni autori më i spikatur i trilogjive në prozën shqipe dhe mundet autori unikal në letërsinë botërore me katër trilogji autobiografike dhe një tjetër në fazën e projektimit.

Amedeo Baçi: Është një fakt i pamohueshëm që ka ardhur në mënyrë krejt të spontane dhe shpesh më ngjan si një ardhje e natyrshme e trinjakëve në jetë. Ndoshta kështu më vjen më mirë, sidomos në rrëfimin e historive personale. Deri më tani janë botuar tre trilogji romanore dhe është në proces botimi trilogjia e katërt, libri i parë i së cilës tashmë është i botuar. Trilogjitë e botuara janë quajtur “Triptiku i dashurisë”, “Trilogjia e pasionit” “Triada e dhimbjes” dhe e fundit “Trinia e ringjalljes”. Kjo e fundit i përket kohëve që jetojmë dhe me shumë gjasa saga romanore do të ketë dhe një trilogji tjetër për ngjarjet në vijimësi dhe për këtë arsye do të mbetet e hapur. Ndërkohë që puna ime letrare në të ardhmen do të binjakëzohet më libra të tjerë jashtë aspektit personal, pra me subjekte të ndryshme nga jeta shoqërore. Madje, mund të them se kam filluar një libër të tillë të cilin ia kushtoj një prifti katolik nga Beltoja e Shkodrës të persekutuar nga regjimi diktatorial i së kaluarës.

Në parathëniet e romaneve tuaja duket qartë dedikimi që i bëni në formë homazhi shkrimtarit të madh anglez Ҫarls Dikens dhe aktorit të famshëm francez Zherar Filip.

Amedeo Baҫi: Dikensi ka qenë autori që me “David Koperfildin “ e tij ndryshoi tërësisht jetën në kuptimin sentimental të fjalës dhe më futi në ishullin e racës së romantikëve të pakorrigjueshëm, që do të thotë që edhe sot e kësaj dite unë kam mbetur një romantik idealist i pandryshueshëm me kalimin e viteve dhe në kundërshtim me prirjet aktuale të shoqërisë njerëzore. Madje ky libër më bëri të dashurohem me personazhet kryesore të romanit, që më pas pata fatin e madh t’i njihja përmes shfaqjes së filmit me të njëjtin titull në ekranin e televizorit. Veçanërisht me personazhin e Dorës pata një impakt sentimental jashtëzakonisht të fortë dhe roli i saj në film i interpretuar nga Laura Efrikian, aktorja me origjinë italo-armene ishte rasti i parë dhe femra e parë që dashurova në jetë, pa e ditur (për shkak të mbylljes gjeo-politike të vendit) se ajo ishte e martuar me këngëtarin e famshën italian Gianni Morandi dhe se ishte një gjeneratë më e avancuar në moshë se brezi im. Pra, unë e mendoja se ajo ishte një bashkëmoshatarja ime e pamartuar, për vetë perceptimet që kisha në atë kohë. Si një Don Kishot isha i gatshëm të bëja marrëzira në emër të kësaj dashurie madhështore, madje të kapërceja edhe kufijtë hermetikë të vendit, vetëm për ta takuar heroinën e filmit e për t’i shprehur dashurinë time. Dhe, nëse nuk do të gjeja një vajzë që i përngjiste aq shumë asaj dhe me të cilën ngjanin si dy gjethet e së njëjtës pemë, unë me siguri që do t’i isha futur ndonjë aventure të çmendur, përmes së cilës do të fusja me siguri në telashe gjithë familjen dhe farefisin tim.

Ndërsa me të madhin Zherar Filip pata një ngjitje të madhe afektive, sidomos pas shfaqjes së filmit “Fan Fan Tulipan” në vitet 70-të në kinemanë e Bushatit. Një film të cilin e pashë tre herë rresht si pjesë e publikut dhe mbi 15 herë në mënyrë individuale me asistentin e kinooperatorit. Ai u bë simboli i jetës sime me kalimin e viteve dhe i tillë ka mbetur deri më tani që flasim. Ishte njëri prej aktorëve më të mëdhenj të Francës dhe të botës në teatër dhe kinematografi, që vdiq fatkeqësisht në moshën 37 vjeçare nga kanceri i pankreasit. Kaq e vërtetë është kjo që ju them, saqë po t’i hidhni një vështrim faqeve të mia në FB, Fanpage dhe Website nuk do të shikoni asnjë prej fotove të mia, por të aktorit dhe njeriut të madh me emrin Zherar Filip, në personin e të cilit gjej të mishëruar vetveten në shumë aspekte njerëzore. Ai edhe sot e kësaj dite mbetet frymëzimi më i madh i jetës sime, edhe pse prej shumë vitesh ka ndërruar jetë. Mjafton gjithashtu të shikoni kapakët e librave të mi dhe do të vini re se shumica e tyre mbajnë foton e tij në historinë personale, ku përshkruhet jeta e autorit dhe personazhi i Parid Përmetit është heroi kryesor i odisesë romanore. Zherar Filipin unë munda ta takoj vetëm pas vdekjes në Ramatyel Francës, ku prehet së bashku me bashkëshorten Ani Filip, në pamundësi ta takoja në jetë si njeri dhe aktor i përmasave ndërkombëtare. Kështu realizova një objektiv të rëndësishëm që i pata vendosur vetes në moshën e hershme rinore, kur vendosa ta takoj pa e ditur se ai prej vitesh kishte ndërruar jetë. Unë e shikoj çdo javë filmin e tij, ndërkohë që tetë seritë e David Koperfildit i shikoj ҫdo natë në shtëpinë time që prej tre vjetësh.

Si kalon jeta juaj e përditshme, Amedeo?

Amedeo Baçi: Jeta ime është përherë e njëjta dhe kalon lumturisht mes leximeve, shkrimeve, studimeve dhe muzikës.
Është e vërtetë se jam ambicioz në jetë dhe kërkoj maksimumin ndaj vetvetes, gjë për të cilën jam i detyruar të bëj një “jetë asketike” të ngjashme me atë të murgut katolik. Porse kjo është bota në të cilën kam gjetur vetveten, ku ndihem në paqe dhe i lumtur, një botë të cilës unë i kushtoj afro 18 orë në ditë pa e ndier ndonjëherë lodhjen dhe mërzitjen. Nuk është aspak e lehtë t’ia besosh jetën vetëm majës së penës dhe e pohoj sinqerisht se deri më tani mbijetesa ime nuk ka qenë aspak e lehtë. Por kam dashur që romanet e mia të jenë cilësorë, bashkëkohorë dhe të mos zhgënjejnë askënd. Synim të cilin shpresoj ta kem arritur me punën dhe përkushtimin tim titanik në fushën e letrave. Do të isha vërtet I lumtur dhe do ta quaja të ezauruar misionin tim si shkrimtar, nëse opusi im letrar do të përcillej me ëndje dhe vëmendje nga njëri brez tek tjetri dhe kështu do të mund t’i rezistonte shekujve. Ky do të ishte vërtet gjenialiteti i shkrimtarit të pavdekshëm dhe besoj se ky duhet të jetë objektivi i çdo shkrimtari me ambicie në fushën e letërsisë. Unë e kam gjetur pikërisht këtu lumturinë time, në ishullin tim të letërsisë dhe nuk do të doja asgjë në shkëmbim të këtij ishulli që më bën të ndihem vetvetja dhe të jem i lumturisht i lumtur, tani dhe përgjithmonë.

Ju prisni të kurorëzoheni shkrimtari më i mirë vitit në prozë nga Qendra Kombëtare e Arteve dhe Kulturës “Nacional”. Çfarë do të thotë për ju marrja e këtij çmimi të nderuar letrar?

Amedeo Baçi: Para së gjithash ky është një vlerësim shumë i madh që më bëhet nga grupi mediatik “Nacional” dhe drejtuesi i saj Flamur Buçpapaj, veçanërisht nga gazeta më e madhe letrare në vend “Nacional” që drejtohet me një përkushtim të jashtëzakonshëm prej shtatë vjetësh nga zoti Mujë Buçpapaj, poeti dhe gazetari i mirënjohur brenda dhe jashtë vendit. Nga ana tjetër, ky është një angazhim shumë i madh ndaj miqve, fansave të mi, gjithë shoqërisë shqiptare dhe kombit tonë. Unë do të bëj gjithçka të mundur që ta nderoj vendin tim në Evropë dhe më gjerë në arenën ndërkombëtare me një krijimtari dinjitoze dhe kjo do të mbetet si një nga synimet e mia themelore në fushën e artit. Marrja e këtij çmimi prestigjioz do të jetë gjithashtu një shtysë e mëtejshme, si të thuash një motiv i madh për ta ngjitur prozën time romanore në lartësi të reja, atje ku do të dëshironte çdo shkrimtar serioz në karrierën e tij. Të gjithë librat e mi tani dhe në të ardhmen do të mbajnë siglën e shtëpisë botuese “ Nacional” dhe kjo është domethënëse për vlerësimin dhe suportin që më është bërë nga një grup mediatik me linja largpamëse në fushën e artit. Të jesh pjesë e kësaj familje të madhe që aktualisht përbën strehën më të sigurt të artistëve në të gjitha sferat e artit, është një privilegj i rrallë në jetën e çdo artisti. Unë i detyrohem shumë “Nacional” dhe shpresoj që me punën time t’ia shpërblej sadopak besimin që pati tek unë në botimet dhe shfaqjet e mia letrare.

Cilat janë projektet tuaja në të ardhmen?

Amedeo Baçi: Janë ato që normalisht duhet t’i ketë çdo shkrimtar në udhën e tij, dmth të renditet ndër shkrimtarët më të mirë të vendit e më pas, përmes përkthimeve të mund të sfidojë veten në kontinentin të cilit i përket dhe më gjerë. Natyrisht, kjo është një punë shumë e madhe që mbetet për të ardhmen e afërt, pasi kërkon impenjime të jashtëzakonshme shpirtërore dhe ekonomike kryesisht në aspektin e përkthimeve. Është një sipërmarrje realisht e ndërlikuar që paraqet mjaft vështirësi për t’u realizuar praktikisht me suksesin e duhur. Por me besim, pasion, vullnet dhe, sigurisht me pak fat, mund të realizohet gjithçka në jetë. Kjo është një ëndërr e madhe, shumë e madhe, që do kohën dhe përkushtimin e saj të veçantë. Ndërsa në aspektin muzikor mund të them se kjo përbën një prirje të kahershme të viteve të vegjëlisë krahas letërsisë, por që me kalimin e kohës, për shkak të mundësive e rrethanave jetësore nuk u bë e mundur të konkretizohej. Unë dëshiroj shumë që të interpretoj një pjesë të këngëve “Hit parade” ndërkombëtare ndër vite, duke dashur të këndoj sipas mënyrës karaoke, pra duke marrë melodinë e këngës dhe kësaj t’i bashkëngjis zërin dhe interpretimin tim muzikor. Mendoj se vokali im,sidomos në intonim dhe përshtatje është i tillë që ma bën të mundur përformancën me nivel të lartë të shumë prej këngëve të njohura vendase dhe të huaja. S’do mend që edhe në këtë rast do të duhen bashkëpunime me studio muzikore dhe angazhime serioze, por që një ditë shpresoj se edhe kjo ëndërr e magjishme do të mund të realizohet me punë e përkushtim.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat