Shpend Ahmeti: Zgjedhjet e parakohëshme, zgjidhja e vetme

Bota e Yjeve

Shpend Ahmeti: Zgjedhjet e parakohëshme, zgjidhja e vetme

Më: 5 shkurt 2016 Në ora: 08:01

Kryetari i Prishtinës Shpend Ahmeti, i partisë Vetëvendosje thotë se zgjidhja e vetme për krizën politike në Kosovë, janë zgjedhjet e parakohëshme. Zoti Ahmeti, i cili ndodhet në Uashington për Mëngjesin e Lutjeve, tha se insistimi tek emri i Ministrit të Jashtëm, Hashim Thaçi, është përçarës dhe do ta thellonte krizën më tej. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Ahmeti thotë se qeveria atuale nuk ka legjitimitet që të shtyjë përpara çështjet e demarkacionit të kufirit dhe të asociacionit të komunave serbe në veri.

Zëri i Amerikës: Kosova gjendet prej pesë muajsh në një krizë politike, pas bllokimit të parlamentit. A ka shanse që Kosova t’i kthehet jetës normale parlamentare?

Shpend Ahmeti: Po nëqoftëse nuk ka ndonjë zgjidhje nga ato tre çështje, apo tre rrugë të cilat i ka vendosur opozita si opsione për të dalë nga kriza, nuk e shoh se si. Jo vetëm unë por edhe ne si opozitë në përgjithësi, por tash po shihet se edhe një numër i madh i qytetarëve - sepse dje kishim edhe një deklaratë të shoqërisë civile që kërkonte zgjedhje të parakohëshme - nuk shoh rrugë se si mund të dilet nga kriza. Ose duhet të ketë tërheqje nga ato dy nënshkrime, ose është referendum për ato dy çështje, ose në rastin të cilin ne e kemi përmendur që tashmë është opsioni më i mundshëm, zgjedhjet e parakohëshme. Pra tash kemi një situatë ku po shtyhet në çfarëdo mënyre zgjedhja e presidentit e që ne mendojmë se është si gabim në hapa, sepse po shkohet me një figurë apo një personalitet që nuk është personalitet unifikues, është më shumë përçarës, pra po flasim për Ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, në një kohë kur ka një krizë të rëndë politike dhe të insistohet në zgjedhjet e tij, në këtë situatë në krizë, mendoj se vetëm do ta përçajë jo vetëm Kuvendin, por në njërën anë edhe do ta thellojë krizën qe kemi si shoqëri tashmë.

Zëri i Amerikës: Pse mendoni që zgjedhjet e parakohëshme do ta zgjidhin situatën? Çfarë ndryshimi do të sillnin ato?

Shpend Ahmeti: Për shkak se bllokimi është bërë për dy çështje që asnjëherë nuk janë diskutuar në zgjedhjet e kaluara. Pra kemi një qeveri që nuk i ka fituar zgjedhjet duke thënë se do ta bëjmë demarkacionin dhe asociacionin serb në Kosovë dhe në anën tjetër janë këto dy çështje të cilat e kanë preokupuar qeverinë e Kosovës për një vit të tërë. Dhe tash jemi bllokuar në dy çështje ku nuk ka legjitimitet kjo qeveri që t’i shtyjë përpara dhe kemi protesta të cilat janë në rritje e sipër dhe mendoj se do të vinte deri tek një rilegjitimim, qoftë të njërës palë apo palës tjetër dhe mendoj se këto dy parti atëherë duhet të shkojnë dhe të kërkojnë votën bazuar në këto dy çështje. Pra zgjedhjet janë gjithmonë një zgjidhje e mire për të mundësuar daljen nga kriza që të vijë deri tek një ridefinim i marrëdhënieve politike në një shtet sepse është e qartë që nuk është gjendja e njejtë siç ka qenë në zgjedhjet e kaluara. Pra nuk është asnjëherë e thënë: ne kemi shtete shumë të ndryshme nëpër botë, demokratike që mbajnë zgjedhje jo vetëm kur përfundon mandati por kur ka ndonjë krizë dhe kur vihet në pyetje legjitimiteti i asaj qeverie dhe mendoj se në Kosovë kemi me të vërtetë një krizë të kësaj qeverisjeje jo vetëm nga opozita, por po e them nga qytetarët të cilat as edhe nuk janë anëtarë të partive opozitare e besa edhe të anëtarëve brenda këtyre dy subjekteve politike. Pra kemi zëra të shtuar brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës që nuk duan ta votojnë Thaçin president, por në anën tjetër unë po e them që problemi kryesor është që janë shtyrë këto dy çështje me një presion të jashtëzakonshëm tek deputetët, kur dihet që nuk ka përkrahje për to as tek qytetarët që janë më me rëndësi në një republikë që qytetarët ta japin përkrahjen për diçka.

Pra qytetarët janë kundër asociacionit, qytetarët janë kundër demarkacionit, qeveria insiston t’i shtyjë në kuvend, opozita nuk i ka lejuar. Është një bllokadë tashmë pesë mujore dhe është e qartë që zgjedhjet janë zgjidhja më e mirë në këtë rast. Ndoshta jo ideale, mirëpo për të dalë nga kjo krizë tashmë po shihet se zgjedhjet janë mundësia e vetme.

Zëri i Amerikës: A do të thotë kjo që nuk do të lejohet zhvillimi normal i procedurave të parlamentit të zgjidhjes së presidentit nga opozita?

Shpend Ahmeti: Tashmë unë i kam dëgjuar më shumë deklarimet e subjekteve politike të opozitës. Unë jam kryetar i komunës së Prishtinës, por ato që i kam dëgjuar nga Vetëvendosja, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, NISMA dhe nga një grup i qytetarëve është përmendur që nuk lejohet përderisa nuk gjendet zgjidhja për ato dy çështje. Pra nuk mund të procedohet as edhe me një çështje tjetër, si ka qenë edhe përpara, pa u vendos kjo. Edhe pse kuvendi duhej të fillonte punën në javën e tretë të janarit, ashtu ka filluar çdo vit, këtë vit nuk ka filluar. Nuk ka patur seanca të kryesisë që do të thotë se duan që krejt këtë fillim të seancës ta shtyjnë drejt zgjedhjes së presidentit, që të krijohet ndoshta edhe një krizë tjetër. Ju e thatë edhe në lajmin paraprak që presidenti duhet të zgjidhet 30 ditë para përfundimit të mandatit të zonjëd Atifete Jahjaga. Ajo e ka filluar mandatin me 7 apo 8 prill, që do të thotë se presidenti duhet të zgjidhet në fillim të marsit. Por kushtetuta parasheh që në rast të moszgjidhjes së presidentit, pamundësisë së daljes nga kriza, vendi automatikisht shkon në zgjedhje të parakohshme.

Zëri i Amerikës: Opozita është kritikuar për metodat e saj dhe mënyra se si po e paraqisni është që të dyja argumentat nga të dyja anët kanë vlerë, madje nga opozita më shumë për shkak të mbështetjes. Por, opozita nuk është se ka pasur mbështetje të madhe sidomos kur flasim edhe për komunikimin me komunitetin ndërkombëtar në lidhje me metodat e saj. Përse keni zgjedhur pikërisht këto metoda për të kundërshtuar këto marrëveshje?

Shpend Ahmeti: Sepse mendojmë se asosacioni i komunave serbe është një çështje e cila dëmton funksionalitetin e shtetit. Pra nuk është vetëm një ligj. Nuk mund ta quajmë atë një ligj tjetër dhe tash ne kemi opinion dhe ata kanë opinion dhe në fund fiton ai që i ka numrat. Asosacioni po e ndanë në mënyrë etnike Kosovën. Pra, ne i kemi potencuar të gjitha këto çështje. Gjykata kushtetuese e ka potencuar që asosacioni ka shkelur në më shumë se 20 pika kushtetutën e Kosovës. Pra, kur mua më thuhet se ti nuk mund të jesh komandant i policisë në pjesën e veriut vetëm se ke lindur shqiptar, asosacioni e bënë këtë gjë. Aty thuhet se në qoftë se je në një rast të gjykatës, në qoftë se ka palë serbe, gjykatësi duhet të jetë serb, komandanti i policisë duhet të jetë serb. Ne nuk besojmë në këto gjëra dhe mendoj se këto gjëra e defunksionalizojnë shtetin e Kosovës. Përveç faktit që këto pika janë raciste, pra nuk ka shtet evropian që i ka këto gjëra, e mos të flasim për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ka gjasa që të shohim gjëra të tilla në një shtet demokratik. Kur kemi një çështje të një rëndësie kaq të madhe, ka ekzistuar dhe ekziston legjitimiteti që të mos lejohet kjo sepse në thelb e rrënon shtetin e Kosovës. Dhe natyrisht që kjo ka kosto politike për neve.

Zëri i Amerikës: Do të thoja ndoshta pak më shumë se kosto politika dhe nganjëherë arsyet politike nuk i justifikojnë ato metoda...

Shpend Ahmeti: Po ka kosto politike sepse nga bashkësia ndërkombëtare asnjëherë nuk do të vijë asnjë njeri për të thënë se keni bërë mirë që keni hedhur gaz lotësjellës. Ata po thonë mirë e keni për këto çështje. Edhe këtu në Uashington e dëgjova që asosacioni është me të vërtetë problematik, duhet të gjejmë një zgjidhje. Të gjithë po e kuptojnë që Serbia nuk ka luajtur një lojë të drejtë në relacion me Kosovën sepse po e pengon atë, çdo ditë po mundohet t’ia vështirësoj jetën kosovarëve dhe shtetit tonë të Kosovës. Dhe tash po shkojmë drejt krijimit të një krijese brenda shtetit. Po të ishte një rast tjetër, ku Serbi do të thoshte se e pranojmë Kosovën por jemi të brengosur për të drejtat e serbëve. Por ata nuk po e thonë këtë. Ata po thonë nuk ju njohim, asnjëherë s’do t’ju njohim, do të mundohemi t’ju kthejmë nën Serbi dhe a mund ta krijojmë një asosacion atje. Kjo i bie që ata do ta përdorin asosacionin gjithmonë për ta defunksionalizu shtetin. Nganjëherë ka çështje si kjo kur si subjekt politik, e ke prioritet, sepse Vetëvendosja për këtë çështje është krijuar. Domethënë, e ka bërë të ditur se megjithë koston politike, ku ne na qortojnë ndërkombëtarët, kjo që po bëjmë e shohim tepër të rendësishme për shtetin e Kosovës. Nesër, mund të mos jemi fare subjekt politik, por nëse kemi arrit me e ndal defunksionalizimin e Kosovës ne kemi pas sukses. Për ne nuk ka rëndësi pushteti por është me rëndësi që Kosova të ketë gjasa që të jetë shtet normal. Sot nuk jemi.

Zëri i Amerikës: Juve e bëtë shumë të qartë qëndrimin tuaj ndaj zotit Thaçi për president. A ka partia juaj një kandidat të saj apo mbështesni ndonjë kandidat tjetër?

Shpend Ahmeti: Shteti është në një krizë tepër të madhe që ta paraqesim këtë si proces të kandidaturave apo kundër kandidaturave. Ne kemi thënë që asociasioni dhe demarkacioni janë çështje të rëndësishme dhe nuk duhet të procedohet me çështje të tjera. Prandaj nuk e legjitimojmë procesin e zgjedhjes së presidentit. Po e përsëris atë që kam thënë edhe më herët, ideja se si është e formuluar kushtetura e Republikës së Kosovës është e menduar që të gjendet një kandidat konsensual i cili do të jetë unifikues. Kjo ka qënë ideja dhe ende kërkohen 80 vota.

Zëri i Amerikës: Pra ju jeni të hapur për kompromis nëse është konsensual?

Shpend Ahmeti: Ne e kemi diskutuar shumë herë dhe nuk jemi në fazën e diskutimeve se cili duhet të ishte kandidati më i mirë. Por, për një gjë jemi të sigurtë, ai kandidat nuk është Hashim Thaçi.

Zëri i Amerikës: Të flasim pak për punën tuaj si Kryetar i Bashkisë së Prishtinës. Cilat janë sfidat më të mëdha për ju si drejtues duke patur parasyshë që funksionimi i kuvendeve varet edhe nga bashkëpunimi me qeverinë qendrore dhe nëse komplikohen ato ?

Shpend Ahmeti: Padyshim që ka komplikime, posaçërisht kur mendoj se në qeveri ka njerëz që kanë edhe qëllime të këqija. Nuk e kanë vetëm qëllimin që domethënë të kemi dallime politike. Megjithatë, mendoj se për dy vite kemi arritur që Prishtinën ta vëmë në hartën ndërkombëtare të qyteteve edhe në Ballkan që e kanë luftuar korrupsionin, i kanë ndaluar ndërtimet pa leje. Kemi filluar me gjëra shumë të mira të barazisë sociale, të mirëqënies siç është ushqimi për fëmijët nëpër shkolla që nuk e ka asnjë komunë tjetër. Të lirimit të trotuareve. Këto kanë qënë probleme të mosfunksionimit të një qyteti në kontekstin tonë ballkanik. Natyrisht që ka tentime për pengesa sepse është e vështirë për një subjekt politik që e ka pas për 14 vjet pushtetin në një qytet që përnjëherë ta humbë ndikimin dhe mundohen në çdo mënyrë që të kenë tentim të bllokimit. Megjithatë, në Kosovë një kryetar komune ka një pushtet egzekutiv më shumë se ndoshta edhe në shtete të tjera. Prandaj ne megjithë pengesat kemi arritur që ti çojmë proceset përpara. Para dy vitesh kur dikush na pyeste gjatë fushatës zgjedhore se a do t’i ndalni ndërtimet pa leje ne thonim po dhe gazetarët qeshnin, se nuk është e mundur. Sot, është e paimagjinueshme një ndërtim pa leje në Prishtinë ose është diçka jo normale. Këto janë hapa që po hedhim përpara si Prishtinë që të tregojmë fillimisht se mund të veprohet ndryshe. Nuk është vetëm politika e zezë e korrupsionit dhe e të këqijave por është edhe e një diskutimi të mirëfilltë. Dikush mund të më kritikojë nga qytetarët dhe mund të thotë se këtë punë mund ta kishe bërë ndryshe dhe kjo është gjë e mirë sepse debatin e kemi ngritur në një nivel më ndryshe. Sot nuk kam frikë të dalë para qytetarëve të Prishtinës sepse ekipi ynë, kjo qeverisje nuk ka patur asnjë aferë korruptive gjatë dy viteve të fundit. Domethënë jemi munduar të japim një shembull ndryshe për Prishtinën dhe shqiptarët në përgjithësi.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat