Bukoshi transferoi 500 milionë në Beograd, vëllai i Thaçit mori 8 milionë marka

Bota e Yjeve

Bukoshi transferoi 500 milionë në Beograd, vëllai i Thaçit mori 8 milionë marka

Më: 22 janar 2016 Në ora: 15:23

(E plotësuar) Intervistë me veprimtarin e LPK-së, Ibrahim Kelmendi (2)

Treshja e Shtabit (Thaçi, Syla, Haliti) e sabotoi dhe e shpërdoroi luftën e UÇK-së

"Kosova Sot": Edhe zëdhënësi i UÇKsë, Ali Uka u vra. Ai banonte me Hashim Thaçin, i cili kurrë nuk ka folur për këtë rast. Çka fshihet pas kësaj vrasjeje?

Ibrahim Kelmendi: Në prag të luftës pati ndodhur një vrasje goxha e bujshme në Tiranë, sidomos për shkak të barbarisë së saj. Është fjala për gazetarin Ali Uka, i cili në Tiranë po afirmohej si zëdhënës i UÇK-së. Për atë vrasje është dyshuar edhe Hashim Thaçi, shoku i Ali Ukës, meqë nuk duhet ta ketë duruar afirmimin e tij aksidental. Rastësisht pata takuar babanë e Ali Ukës, i cili kishte ardhur në Tiranë për të marrë pjesë në gjykimin për vrasjen e djalit të tij. Atë e takova të bujtina e Tafilit, ku po flija edhe unë (meqë e paguanim krevatin 5 DM në natë për individ). Mënyra si u zhvillua seanca ishte një farsë që më irritoi. Aty nuk u fol fare me kë kishte banuar Ali Uka, as se ishte arrestuar si i dyshuar për vrasje Hashimi, por po kryhej një formalitet për të gjykuar atë vrasje, sikur e kishte bërë një kushëri i tij, që kishte ardhur në Tiranë nga Cyrihu. Atë e mbanin të burgosur në burgun psikiatrik në Elbasan dhe i kishin caktuar diagnozën e të sëmurit psikik. I kam harruar detajet, por di që pata raportuar gjerësisht për atë farsë gjyqë- sore në gazetën "Zëri i Kosovës" (mars ose prill 1998).

"Kosova Sot": Po babai i Ali Ukës, te kush dyshonte për vrasjen e djalit?

Ibrahim Kelmendi: Nuk më kujtohet tamam.

"Kosova Sot": Kush e ka dirigjuar në të vërtetë luftën e UÇK-së, këta që sot marrin merita e rrahin gjoks, apo ishin shërbimet sekrete, sidomos ai francez?

Ibrahim Kelmendi: Luftën e UÇK-së nuk e ka dirigjuar askush, por e ka bërë UÇK-ja e vegjëlisë çlirimtare në Kosovë, e cila ka sfiduar bandën sabotuese e komplotiste të treshes famëkeqe! UÇK-në, shpërthimi i kryengritjes së armatosur në mars të vitit 1998, pas plojës ose epopesë se Jasharëve, e zuri të goditur rëndë nga vrasjet e burgosjet që u kishin bërë forcat serbe pjesëtarëve të saj, si dhe sabotimi e komplotet që i kishin bërë Xhaviti e Azemi gjatë viteve 1994- 1998. Vegjëlia çlirimtare, kryengritëse, u vetë-organizua në zona, formoi shtabet e zonave, e bëri luftën siç diti e mundi, duke sfiduar sabotimet financiare, në armatim, organizim, që ia bënte "shtabi" i bandës së treshes, i cili e kishte selinë në hotele e restorante të Tiranës. Fatkeqësisht, ndërkombëtarët i afirmuan po këta tre, meqë i kishin kapur si marioneta të shërbimeve të huaja që duhet të kenë qenë. Mbaj mend kur me pati thënë Sekretari i Shtetit gjerman, Wolfgang Ischinger, se po i vinte gjynah për UÇK-në, si po e komprometonin çunat Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, duke i takuar të ngarkuarit ndërkombëtarë, duke marrë nga ata pyetje, duke simuluar sikur po i merrni përgjigjet nga Shtabi i Përgjithshëm dhe ua përcillnin atyre broçkullat e tyre...

Padronët i kanë dhënë garanci Thaçit

"Kosova Sot": Cila ishte lidhja e Thaçit me shokë, me agjenturat franceze dhe a besoni se edhe sot e kësaj dite këto lidhje ekzistojnë?

Ibrahim Kelmendi: Hashim Thaçi kishte raporte "shoqërore" me francezin Arnaud, njësoj si ushtari me komandantin, që do të thotë, Hashimi vetëm ka zbatuar urdhrat e atij shërbimi filoserb, atëherë e sot. Nuk e di çfarë raporte duhet të kenë tani Hashimi dhe ai shërbim, por njihet praktika e shërbimeve të tilla - njëherë marionetë, përjetësisht marionetë (pos kur vetë shërbimet vendosin ta lirojnë). Mosbrengosja e Hashim Thaçit për Gjykatën Speciale, respektivisht angazhimi i tij që ajo të krijohet, përmban sigurinë që i është dhënë Hashimit nga padronët e tij! Unë kam përvojë si përkthyes në proceset gjyqë- sore në Gjermani. Për të zbuluar krimin e organizuar policitë hetimore fusin në radhët e tyre spiunë. Spiunit i lejohet për kamuflim të luajë rolin e narkodilerit, ta zëmë, por kur ndodh procesi gjyqësor, ai nuk gjykohet, e shumta ai duhet të dëshmojë për të bëmat e strukturave të kapura. Kështu parashikoj të ndodhë edhe me Hashimin, pa zhurmë publike, do të garantojë Franca se e kishin rekrutuar dhe plasuar në UÇK për t'u informuar për "veprimtaritë terroriste" dhe të "krimit të organizuar" në Kosovë.

"Kosova Sot": A mund të jetë edhe situata në Mitrovicën e pasluftësndarja e këtij qyteti në dysh dhe krejt pjesës veriore me komunat e tjera të shumicës serbe, pasoja e lidhjeve të fshehta dhe pazareve të Thaçit me shërbimet franceze?

Ibrahim Kelmendi: Pasojë kryesore duhet të ketë qenë vendimmarrja e Shtabit të Ushtrisë Franceze, ndërsa Hashimi, si marionetë e saj, vetëm ka luajtur rolin diversionist për të penguar forcat e UÇK-së që të mos provonin të pozicionoheshin me kohë edhe në ato pjesë, të cilat po vazhdon t'i mbajnë të pushtuara Serbia dhe KFOR-i i vendosur në atë zonë.

"Kosova Sot": Çfarë raportesh kanë pasur mafiozët e shtabit të UÇK-së me Adem Jasharin, me familjen e të cilit sot janë zbehur raportet?

Ibrahim Kelmendi: Uroj ta korrigjoni diskualifikimin e vrazhdë "mafiozët e shtabit të UÇK-së". Nuk kam informacion të konkretizuar. Di që ai "shtab", i cili përbehej nga Nait Hasani, Xheladin Gashi, Rexhep Selimi, Sokol Bashota, etj., "grupin e Drenicës", siç e quanin diskualifikueshëm, që komandohej nga Adem Jashari, duhet ta kenë sabotuar dhe nuk e kanë integruar fare në UÇK. Kështu duhet t'i kishin urdhëruar bosët Xhaviti e Azemi. Qysh në vitin 1996, nga UÇK-ja e Drenicës, janë kërkuar ndihma nga Lëvizja dhe Fondi në Gjermani, meqë ai "shtab" po e sabotonte. Me Adem Jasharin dhe bashkëluftëtarët e tij mbanin lidhje Ali Ahmeti, Fehmi e Ramiz Lladrovci. Xhaviti dhe Azemi po i sabotonin edhe përmes ndikimit të tyre në Kryesi të Lëvizjes. E kam me të dëgjuar, por jo të thashethemeve ordinere, se kundër Hashimit dhe Kadri Veselit UÇK-ja e Drenicës duhet të kishte marrë vendim që t'u ndalohet hyrja në atë zonë. Ali Ahmeti duhet të ketë intervenuar që ai dënim të anulohej...

“Kosova Sot”: E përdorëm termin mafioz, duke u bazuar në akuzat tuaja se treshja Thaçi, Haliti, Syla punuan për agjentura të huaja, por ka lidhje edhe me ndikimin e tyre pas luftës në Kosovë. A ka mundur të sigurohet mbështetje dhe mbrojtje më e organizuar familjes Jashari, që të mos ndodhë masakra që mbeti në historinë e përgjakur të Kosovës?

Ibrahim Kelmendi: Nuk e di, nuk jam ushtarak me profesion. Më vjen keq që askush nuk u ka shkuar në ndihmë, që t’u hapë korridor për arratisje. Por, mund që kapacitetet ushtarake nuk kanë pasur që të sulmonin në prapashpinë rrethimin.

“Kosova Sot”: Cili ka qenë raporti i Shtabit të UÇK-së me komandantë, si Ramush Haradinaj?

Ibrahim Kelmendi: Raporti i “shtabit” të Xhavitit, Azemit dhe Hashimit ka qenë problematik, për të mos thënë armiqësor, pothuajse me të gjithë komandantët e zonave, dhe jo vetëm me Ramush Haradinajn.

“Kosova Sot”: Çfarë roli ka luajtur SHIK-u gjatë luftës?

Ibrahim Kelmendi: Nuk kam informacion konkret, por guxoj të supozoj se ishte vetëm në shërbim të “shtabit” të Xhavitit, Azemit dhe Hashimit, për të sabotuar e për të komplotuar UÇK-në.

Fati i fondeve shumëmilionëshe

“Kosova Sot”: Shumë fonde qarkulluan për luftën, por kurrë nuk ka pasur transparencë. Ku kanë përfunduar qindra miliona të “Vendlindja thërret”?

Ibrahim Kelmendi: Dy fonde i kishim. Ai “shtetëror”, që e menaxhonin “kryeministri” Bukoshi dhe “ministri i Financave” Isa Mustafa, dhe Fondi “Vendlindja thërret”, i themeluar nga Lëvizja për të grumbulluar ndihma financiare për UÇK-në. Për Fondin “shtetëror” di një të dhënë që i pati shpëtuar një funksionari të lartë gjerman, në kuadër të një debati se Fondi “Vendlindja thërret” po i krijonte vështirësi shtetit gjerman, i cili po akuzohej nga Serbia dhe shtetet përkrahëse, se po ndihmonte forcat “terroriste” në Kosovë dhe në emigracion. Por, kur unë u arsyetova se nuk kemi mjete të tjera pos atyre që po grumbullonim përmes këtij Fondi, ai me ton të acaruar tha se qindra milionë DM ju rrinë në sejfa (arka) të një banke në Gjermani, bile se kishin të dhëna që kohëve të fundit Bukoshi kishte transferuar 500 milionë DM në Beograd, por nuk e dinin ende kujt i janë dorëzuar dhe dedikimin.

Në Fondin “Vendlindja thërret” mund që kanë hyrë gjithsej rreth 50 milionë euro. Nga ato rreth 15 milionë euro mund që janë grumbulluar në Fondin në Gjermani, ndërsa 35 milionë në gjithë emigracionin tjetër. Bile një pjesë janë grumbulluar edhe në Kosovë dhe i janë dorëzuar “shtabit” të treshes në Tiranë.

Prej atyre që janë grumbulluar në Gjermani, 8 milionë DM (4 milionë euro) u janë dorëzuar Gani Thaçit (vëllait të Hashimit) dhe Fatmir Zymerit (argatit të Xhavitit), i ramë në Oslo. Atyre u janë dorëzuar nga 4 milionë DM, pak ditë para se të përfundonte lufta dhe nuk duhet të jenë harxhuar fare për UÇK-në.

Për të tjera dokumentacioni evidentues ka qenë në zyrën qendrore në Bonn. Fatkeqësisht, 5-6 ditë pas përfundimit të luftës “Qeveria e përkohshme” i bëri puç edhe Fondit “Vendlindja thërret”, duke na shkarkuar ne që ishim përgjegjës dhe duke emëruar të dëgjueshëm të tyre.

Fatmirësisht, një kopje të dokumentacionit e ka Enti Federal për Kriminalistikë (BKA), i cili pati bastisur zyrën qendrore dhe pothuajse gjithë të autorizuarit për të mbledhur ndihma, brenda të njëjtës kohë, rreth orës 5 të mëngjesit. Për dokumentacion origjinal, të cilin BKA e ka kthyer, nuk di ku gjendet, meqë “Qeveria e përkohshme” tashmë kishte bërë puç. Meqë vetëm unë kisha autorizimin në xhirollogarinë bankare të Fondit, nga Banka jam informuar se rreth 1.8 milion DM, që ishin në xhirollogari, i ka konfiskuar Ministria e Financave në emër të dëmit që duhet t’i kemi shkaktuar duke bërë evazion fiskal.

Mbetet që rreth 10 milionë të Fondit në Gjermani u janë dërguar kryesisht si armë e municion të gjitha zonave, me përjashtim të Drenicës, por edhe si cash, kur ato zona i kanë kërkuar.

Për rreth 35 milionë euro do të duhej të jepte llogari “shtabi” i treshes, meqë atij i janë dorëzuar nga përgjegjësit e Fondit nëpër shtete të tjera. Nuk e besoj që as 5 milionë nga ato financa t’i kenë shkuar si ndihmë UÇK-së, në armatim, municion e cash. Atij “shtabi” (Xhavitit) i ka dhënë “ndihma” edhe “kryeministri” Bukoshi, por për shifrën e saktë nuk e di.

“Kosova Sot”: A ke ndonjë ide se ku përfunduan ata miliona?

Ibrahim Kelmendi: Një pjesë e madhe janë harxhuar për të korruptuar funksionarë në Shqipëri, sepse Fatos Nano ishte i shtrenjtë; ai në bixhoz nuk i mjaftonte krejt Shqipëria, sikur të mund ta bënte valutë për të lozur me to. Një pjesë duhet të jenë përvetësuar, për t’i investuar në privatizim dhe në emra të të tjerëve. Ta zëmë, Hashimi pati blerë vilën në “Velani” me para të Fondit. Ca mjete i kanë shpenzuar për të mbajtur SHIK-un e tyre privat...

“Kosova Sot”: Po fondi i 3 përqindëshit, si është administruar në krahasim me “Vendlindja thërret”

Ibrahim Kelmendi: Nuk kam informacion konkret, të verifikueshëm. Ndoshta veprimtari Pjetër Coli, përgjegjës për Gjermani, mund të japë informacion më konkret. Nuk e besoj të kenë harxhuar për luftën e Kosovës as 5 % të mjeteve të gjithmbarshme që ishin grumbulluar. Një pistë hulumtimi do të ishte dokumentacioni i “Dardania Bank” në Tiranë. Përndryshe, institucionet e Kosovës nuk kanë kompetenca juridike t’i hetojnë këto fonde, meqë ishin të regjistruara në shtetet e perëndimit.

UÇK-ja nuk ka dashur ta vrasë Rugovën

“Kosova Sot”: Si i keni parë ju marrëdhëniet e UÇK-së, shtabit politik me LDK-në dhe Qeverinë “Bukoshi”?

Ibrahim Kelmendi: Marrëdhëniet në mes të Lëvizjes dhe LDK-së kanë qenë garuese dhe të tensionuara. Fillimisht Lëvizja ka ndihmuar organizimin e LDK-së në emigracion, me shpresë se do angazhoheshin emigrantët që po frikoheshin deri atëherë për t’u angazhuar në Lëvizje dhe se do të kishte bashkëpunim konstruktiv, për të plotësuar njëra-tjetrën. Patëm krijuar edhe Fond të përbashkët. Por, LDK-ja dhe “qeveria” na mashtruan... Formimin e FARK-ut e kam (keq)kuptuar si diversion e komplot ndaj Luftës çlirimtare që e bënte UÇK-ja. Fatmirësisht, UÇK-ja ia arriti të kapë komandën e FARK-ut pas vrasjes se Ahmet Krasniqit dhe aty e tutje edhe FARK-u ka qenë njësi e UÇK-së.

“Kosova Sot”: A është e vërtetë se UÇK-ja ka dashur ta vrasë Ibrahim Rugovën?

Ibrahim Kelmendi: Nuk më besohet. Po të kishte dashur, do ta vrisnin. Mua po të më urdhërohej, i kisha favoret ta vrisja në perëndim dhe do ta vrisja, besoj. Pra, kanë qenë dëshira individësh dhe jo vendime institucionale. Ta zëmë, në vitin 1997 pata vendosur të takoj në Bruksel Ibrahim Rugovën. E kisha ndarë mendjen, po nuk dha fjalën se nuk do ta denigronte më UÇK-në si organizim i UDB-së, do ta vrisja. Shkova, e prita në hotel “Hayat” deri rreth orës dy pas mesnate. Po i telefonoja Avni Spahiut kur po ktheheshin nga restoranti. Ai me thoshte se ishte bërë tapë Ibrahimi dhe nuk po mund ta bindin të ktheheshin për të fjetur. Dikur më humbi durimi duke pritur. Shkrova një letër, ia dhashë një miku shqiptar që punonte aty, që t’ia linte në suitë, mbi tavolinë të punës. I shkrova kërcënueshëm: “Po ta denigronte edhe njëherë, do ta paguante me kokë” (perifrazim i lirë. Atë letër duhet ta kenë ruajtur shërbimi i Rugovës. Di që në hotel i nxorën problem atij që ia ka vënë letrën në tavolinë Rugovës. Fatmirësisht, nuk denigroi më që të me koriste, sepse edhe mund të mos e realizoja kërcënimin e kushtëzuar. Ndoshta po më kuptoni me këtë konkretizim. Dua të sqaroj, ishte vendim e veprim imi individual, as i Lëvizjes, as i UÇK-së. Përndryshe, edhe pse nuk kishim marrëveshje, rezultoi e frytshme veprimtaria e tij “pacifiste” dhe Lufta jonë çlirimtare, sepse plotësuan njëra-tjetrën për të ndikuar në vendimmarrje përkrahëse të Anglosaksonëve...

“Kosova Sot”: Çfarë roli ka luajtur Shqipëria në luftën e UÇK-së?

Ibrahim Kelmendi: Qytetarët kanë qenë dashamirës, bujarë, por ka munguar fryma patriotike për angazhim çlirimtar si komb, ta zëmë si në kohën e Lidhjes së Prizrenit. Numri i qytetarëve të Shqipërisë të angazhuar në radhët e UÇK-së ka qenë tepër simbolik. Pushtetarët janë dalluar shumë mes tyre. Një pjesë kanë qenë sabotues e profiterë të luftës, ndërsa pjesa tjetër, fatmirësisht më e madhe, përkrahës e ndihmues. Edhe vrasja e Azem Hajdarit ishte një fat ekstra për luftën tonë, sepse u bë shkas që të dëbohej bixhozçiu e profiteri Fatos Nano, i cili fatkeqësisht ishte kryeministër. Ta zëmë, presidenti i Shqipërisë dhe komandanti suprem, Prof. Rexhep Mejdani kishte dhanë urdhër që UÇK-ja të armatosej me armatim të Shqipërisë. Kryeministri Nano dhe ministri i Mbrojtjes Luan Hajdaraga e kishin sabotuar...

Thaçi nuk duhet të bëhet kryetar i Kosovës

“Kosova Sot”: Me çlirimin e Kosovës, UÇK-ja e pushoi aktivitetin, por udhëheqësit e saj u shndërruan në politikanë dhe morën pushtet, politik, të nëntokës dhe me dhunë (haraç etj). A ishte UÇK-ja një trampolinë e mirë për pushtet dhe pasurim të paparë pas luftës?

Ibrahim Kelmendi: Për çdo lloj veprimtarie inkriminuese, që ka ndodhur pas lufte, qysh kur UÇK-ja u çarmatos dhe u tjetërsua, nuk do të duhej të fajësohej fare ish-UÇK-ja. Disa ish-pjesëtarë të saj, që nuk qenë në gjendje të përballonin dëlirin e madhështisë dhe tundimin e pasurimit të pandershëm, shpërdoruan gjendjen, e cila po tolerohej pothuajse qëllimisht nga UNMIK-u dhe KFOR-i. Për krimin e ndodhur gjatë viteve 1999-2007 duhet të akuzohet UNMIK-u, meqë ati i ishte dhënë mandati për ta menaxhuar Kosovën.

“Kosova Sot”: Sot flitet se UNMIK-u mund të rikthehet si më parë. A e besoni këtë?

Ibrahim Kelmendi: Nuk dua të besoj. Nuk përjashtohet ky rrezik, sepse sponsorët e pavarësisë së Kosovës janë lodhur me bandën e inkriminuar që po e sundojnë, plaçkitin e terrorizojnë Kosovën (bëjnë pjesë edhe Limaj e Haradinaj). Prandaj jam kundër që Thaçi të bëhet kryetar i Kosovës, meqë aty e tutje, do varemi nga përcaktimet e Shtabit të Ushtrisë Franceze (i cili nuk duhet t’i ketë përcaktimet e njëjta me qeverinë e Francës, sa i përket Serbisë), siç do të varemi nga vullneti i Beogradit, si do ta komandojnë kryeministrin Mustafa. Shteti ngjason me korporatë. Po firmosën drejtorët e korporatës kontrata, kot proteston kolektivi i punësuar aty ose pronarët aksionarë. Edhe Kosova, po nënshkruan kryetari e kryeministri për ta shndërruar gjithë Kosovën në “zajednicë”, kot protestojmë. Është KFOR-i që përkujdeset ushtarakisht që të zbatohen marrëveshjet që nënshkruajnë ata...

“Kosova Sot”: Pse edhe sot drejtësia nuk i heton pasuritë e shumta që i kanë ish-krerët e Shtabit të UÇK-së, të cilat sigurisht me rroga shteti nuk i kanë bërë?

Ibrahim Kelmendi: E para, pasurinë më të madhe në Kosovë e kanë ish-marionetat titiste dhe të Serbisë, e dyta, sistemi i drejtësisë qe kapur, meqë UNMIK-u e organizoi atë në bashkëpunim me Beogradin!

“Kosova Sot”: Megjithatë, ish-komandantë që nuk kishin asgjë, sot janë milionerë pa kurrfarë mbulese, ndërsa ish-bashkëluftëtarët e tyre nuk ngopen me bukë. A është e drejtë kjo?

Ibrahim Kelmendi: Nuk kam informacion konkret për ish-komandantë që janë bërë milionerë. Sa veta janë. 4, 5, 6 veta? Sa, në fakt. Nëse i kanë zënë me përvetësime të ndihmave financiare të UÇK-së ose me çfarëdo lloj plaçkitjeje tjetër, do të duhej të burgoseshin dhe t’u konfiskohej pasuria.

Në Gjykatën Speciale do dalin dëshmitarë të kurdisur

“Kosova Sot”: A e ka tronditur gjeneratën e luftës, që u pasurua pas lufte, dëshmia e Nazim Bllacës, ish-agjent dhe vrasës i SHIK-ut?

Ibrahim Kelmendi: Nuk e besoj. Soji i N. Bllacës ishin vegla vrastare që duhet t’i ketë komanduar kryesisht Azem Syla. Uroj që edhe të tjerë si N. Bllaca të dalin, të dëshmojnë, por jo duke shpifur ose duke qenë të nxitur nga Beogradi dhe banditë ndërkombëtarë, por nga ndërgjegjja fisnike shqiptare!

“Kosova Sot”: Shpifje apo jo, gjykata shqiptoi dënime me shumë vjet burg për personat e akuzuar në bazë të dëshmisë së Bllacës. Si e komenton këtë fakt?

Ibrahim Kelmendi: Vendimeve të gjykatave jam i prirë t’u besoj, edhe pse në Kosovë duhet të ketë pasur dhe të ketë procese e vendime të montuara. Rastit konkret i besoj që ata kanë vrarë Ibush Kllokoqin, me urdhër të Azem Sylës. Por, nuk po mund të krijoj mendim, përse ka urdhëruar Z. Syla që ai të vritej? Për hakmarrje personale, sepse Kllokoqi duhet të ketë qenë hetues kriminel ndaj të burgosurve politikë, ose se është frikësuar mos ai po diskrediton emra që i kishin penetruar në Lëvizje dhe UÇK?

“Kosova Sot”: A mund të presim dëshmi të ngjashme në Gjykatën Speciale?

Ibrahim Kelmendi: Nuk e besoj, meqë lënda kryesore për të cilën është ngritur Gjykata Speciale është e shpifur nga Serbia, me ndihmë të Lulëzim Bashës, Argita Berishës dhe sojit të tyre. Do të ketë edhe (pseudo)dëshmitarë të kurdisur, por shpresoj që gjykatësit profesionalistë do t’i diskreditojnë e do t’i dënojnë, siç pati ndodhur në një proces të montuar gjyqësor për ngjarjet e marsit 2004.

“Kosova Sot”: Por, kjo gjykatë po mbështetet nga SHBA-ja dhe BE-ja. A e kanë gabim mbështetësit e Kosovës?

Ibrahim Kelmendi: Nuk është garanci e mjaftueshme që një gjykatë të jetë e drejtë dhe efektive vetëm pse e mbështesin SHBA-ja dhe BE-ja. Andej kemi jetuar. Janë me qindra procese të shpifura gjyqësore edhe në ato vende, por për to nuk ka fuqi askush të flasë. Ta zëmë, Berluskoni është tallur gjithë jetën me drejtësinë italiane. Ish-prokuroja e përgjithshme e Zvicrës, Carla del Ponte, nuk ia dorëzonte Italisë rreth 100 mafiozë italianë, të cilët kishin deponuar miliarda në bankat zvicerane. Megjithatë, uroj të jetë e drejtë dhe efektive, edhe pse është marrë vendim i imponuar politik në Këshillin e Evropës për ta formuar. E mbështetën ose jo në Kosovë, nuk është relevante. Disa që po zhurmojnë kundra, e kanë për afirmim individual dhe jo pse po u dhemb se do të hetohen disa ish-pjesëtarë të dyshuar të UÇK-së. Zhurmimi kundër kësaj gjykate tashmë ngjan me ezanin në minare që pos zhurmimit, nuk kanë ndikim tjetër.

“Kosova Sot”: Cili ka qenë roli i SHIK-ut pas luftës? Çfarë vlerësimi keni ju për këtë?

Ibrahim Kelmendi: Nuk kam informacion konkret. Përfoljet nuk i shfrytëzoj për spekulime. Nga hidhërimi që kam kundër Azem Sylës, dyshoj që ai e ka shpërdoruar emrin e SHIK-ut, për të komanduar disa të mashtruar që të bënin ndonjë vrasje si ajo e kriminelit UDBash Ibush Kllokoqi.

“Kosova Sot”: Pavarësisht ç’bëjnë njerëzit, a është e drejtë të vritet dikush pa gjyq?

Ibrahim Kelmendi: Në shtete e shoqëri funksionale nuk ka të drejtë të vrasë askush, pos në raste të vetëmbrojtjes së imponuar. Bile as gjykatat nuk mund të japin dënim me vdekje, edhe nëse gjykohet një kriminel që mund të ketë vrarë kot shumë veta. Në shtete e shoqëri të xhunglës vlen e “drejta” e xhunglës. Në shqiptari është zbatuar edhe një parim: “nëse njëra nga dy nënat duhet të qajë, më mirë le të qajë e jotja”. Për rastin Kllokoqi tashmë ka vendosur drejtësia, edhe pse padrejtësisht, ka gjykuar vetëm dorasit, por jo edhe komanduesin! Familjarët dhe lexuesit të më falin që e denigrova si kriminel UDBashin Kllokoqi, por është përfolur se ka qenë sadist gjatë hetimeve të të burgosurve politikë, edhe pse ligjet përkatëse ia kanë ndaluar të bëjë aso krimesh. Për veten time do të dëshiroja të ishte gjallë, meqë jam në një si konflikt me Z. Sabri Novosella, pse kam publikuar dëshminë e ish-shefit të policisë në Prishtinë, Z. Demë Demaj. Ai pati thënë se në dhjetor të vitit 1979 është simuluar bastisja dhe arrestimi i Sabri Novosellës dhe se vetë Ibush Kllokoqi e ka vozitur Sabri Novosellën në drejtim të panjohur, duke e detyruar policinë të protokollonte rrejshëm se Sabri Novosella nuk është gjetur në shtëpi. Ndoshta Ibushi do të kontribuonte për të ndriçuar këtë çështje.

Marionetat e shërbimeve sekrete nuk gjykohen

“Kosova Sot”: A do të vendoset drejtësia për ata që bënë krime në emër të luftës e shpërdoruan UÇK-në dhe përfituan mbi sakrificën e luftëtarëve për liri?

Ibrahim Kelmendi: Jam skeptik, meqë drejtësia duket të jetë e kapur kryesisht nga ish-titistët dhe pjella e tyre, por edhe nga ata që i përkasin të njëjtit soj, e që ishin penetruar në UÇK për qëllime diversioniste dhe profitereske.

“Kosova Sot”: A është Gjykata Speciale mundësia e vetme aktualisht për ta çliruar Kosovën nga “të fortët”, që janë mbi ligj dhe mbi gjithçka këtu?

Ibrahim Kelmendi: Shpresoj, por fatkeqësisht nuk do të ndodhë. Edhe në këto struktura do të penetrojnë tipa të ngjashëm me Salustrot e EULEX-it.

“Kosova Sot”: A ka të drejtë Dik Marti që e përshkruan në raportin e tij Hashim Thaçin si udhëheqësin e grupit mafioz të Drenicës?

Ibrahim Kelmendi: Jo. Sa e njoh unë gjendjen, kundër Hashim Thaçit (por edhe kundër Azem Sylës e Hashim Thaçit) gjatë luftës kanë qenë pothuajse të gjithë komandantët e UÇK-së në Zonë të Drenicës. Dhe kishin të drejtë! Ajo treshe e ka sabotuar e komplotuar ekstra UÇK-në në Drenicë, nga fillimi deri në mbarim të Luftës çlirimtare. Nëse pas lufte janë organizuar banda të inkriminuara të interesit, nuk jam i informuar.

“Kosova Sot”: A kanë qenë edhe ndërkombëtarët, sidomos EULEX-i, të kompromentuar, duke amnistuar figura me peshë në politikë, për të cilat pati akuza dhe dëshmi për krime të ndryshme gjatë dhe pas luftës?

Ibrahim Kelmendi: EULEX-i, UNMIK-u dhe as Gjykata Speciale nuk mund të gjykojnë marioneta të shërbimeve sekrete të shteteve që e mbikëqyrin pavarësinë e Kosovës dhe as marioneta të Serbisë.

“Kosova Sot”: A beson se Thaçi do të bëhet president, e më pas ashtu si Milosheviqi, të dërgohet në Hage?

Ibrahim Kelmendi: Uroj të mos bëhet kryetar i Republikës së Kosovës, meqë bart më vete rrezikim serioz si ish-marionetë ose edhe ende si marionetë. Ndërkombëtarëve u duhet një marionetë e një shërbimi aleat. Hashim Thaçi do të anashkalohet nga Gjykata Speciale, për shkak se ishte dhe duhet të jetë marionetë e Shërbimit Sekret Ushtarak Francez.

“Kosova Sot”: Megjithatë, është SHBA-ja që e thotë fjalën e fundit apo jo?

Ibrahim Kelmendi: Është mitizuar SHBA-ja më brutalisht se sa e kanë mitizuar katolikët fanatikë Vatikanin. SHBA-ja shquhet për vendimmarrje konjukturale, bazuar në interesat vetjake egocentrike politike dhe ekonomike, pothuajse ditore. Ta zëmë, nuk ishte inkriminues angazhimi i ambasadorit Dell për të plaçkitur buxhetin e Kosovës për interesa të tij, të Bechtel-it...Me këtë që thoni, po e diskreditoni Gjykatën Speciale si gjykatë politike. Unë kur kam shprehur mendimin se do ta anashkalon Hashimin dhe ndonjë marionetë tjetër, jam bazuar në ligje përkatëse e praktika juridike, që shërbimeve u garantohet e drejta të infiltrojnë informatorë në strukturat të ndryshme, që gjykohen se rrezikojnë sigurinë publike.

“Kosova Sot”: Sa jetëgjatë mund të jetë ky koalicion PDK-LDK, në këto rrethana kritike?

Ibrahim Kelmendi: Fatkeqësisht, derisa këto dy parti të mos çlirohen nga kapja e tyre, nga bandat e inkriminuara përkatëse!

“Kosova Sot”: A kanë ekzistuar burgjet e UÇK-së dhe si e me çfarë zinxhiri të përgjegjësisë janë administruar ato?

Ibrahim Kelmendi: Nuk kam informacion konkret. Do të ishte naive të mos ketë pasur edhe burgje UÇK-ja.

“Kosova Sot”: A ka pasur një listë të spiunëve dhe të bashkëpunëtorëve të regjimit, të hartuar nga Shtabi politik i UÇK-së?

Ibrahim Kelmendi: Nuk e di.

“Kosova Sot”: A i ka respektuar në fakt ligjet e luftës UÇK-ja?

Ibrahim Kelmendi Udhëzimi politik dhe organizativ nga ana e Lëvizjes ka qenë që të bëhet luftë fisnike, të mos vritej e keqtrajtohej popullsia civile e asnjë etnie. Po të dija ndonjë shpërdorim, do të kisha bërë denoncim.

Lexo poashtu:

Treshja Thaçi-Haliti-Syla grabitën milionat e UÇK-së

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat