Mustafa: Nuk ka dialog pa liberalizimin e vizave

Bota e Yjeve

Mustafa: Nuk ka dialog pa liberalizimin e vizave

Më: 2 janar 2016 Në ora: 09:57

Kryeministri i Kosovës Isa Mustafa për DW mbi: azilkërkuesit, mosliberalizimin e vizave, gjendjen e rëndë ekonomike, protestat dhe gazin lotësjellës, dialogun me Serbinë...

Deutsche Welle: Zoti Kryeministër, Ju këto ditë keni deklaruar se nuk do të udhëtoni jashtë vendit pa liberalizimin e vizave. Çfarë nënkupton konkretisht kjo deklaratë, pasi Ju si kryeministër keni dhe detyrimet tuaja ndërkombëtare?

Isa Mustafa: Ne kemi punuar shumë në plotësimin e kritereve dhe më pas rekomandimeve për libralizimin e vizave. Ëshë bërë një punë e madhe prej vitit 2012 deri më sot. Në shtator të këtij viti është dhënë një vlerësim i komisionit vlerësues dhe është thënë se nga 95 kritere sa ka pasur Kosova, janë plotësuar 87. Ndërsa pjesa tjetër është plotësuar pjesërisht dhe janë dhënë sugjerime se si të plotësohen ato. Ne kemi punuar shumë në këtë drejtim. Tani thuhet se duhen plotësuar edhe disa kritere të tjera, që ne i konsiderojmë si plotësisht të padrejta, sepse janë dyfishuar kriteret për Kosovën në krahasim me vendet e tjera. Ne jemi tani në një situatë shumë të pakëndshme ndaj qytetarëve, sepse ne kemi bërë përpjekje maksimale që të përmbushim të gjitha kërkesat e faktorit ndërkombëtar, duke përfshirë edhe dialogun me Serbinë, që është një proces shumë i rëndë për ne. Serbisë tani për dialogun i është dhënë mirënjohje dhe është hapur kapitulli 35 për rolin konstruktiv në procesin e saj në dialog. Ndërsa ne të cilët praktikisht po bartim të gjithë peshën e dialogut, sepse të gjitha ngjarjet po ndodhin në territorin tonë dhe jo në territorin e Serbisë, po largohemi edhe më shumë, sepse na thonë: punoni ju edhe më shumë e të shohim a po ua liberalizojmë vizat apo jo. Ndërkaq Serbinë po e çojnë përpara. Në këto kushte ne jemi në një situatë shumë të rëndë. Ne nuk mund të shetisim nëpër Evropë për të dialoguar për Kosovën, përderisa qytetarët tanë janë të izoluar. Kjo do të ishte jo etike. Ndaj ne kërkojmë një përgjigje të qartë të BE, se çfarë do të ndodhë me liberalizimin e vizave.

DW: Por zoti kryeministër Ju keni edhe detyrime ndërkombëtare. Këtu e keni fjalën se nuk do të udhëtoni vetëm për vazhdimin e dialogut, apo në përgjithësi nuk do të udhëtoni jashtë?

Isa Mustafa: Jo, e kam fjalën për udhëtime zyrtare jashtë vendit, sepse neve nuk na takon të udhëtojmë shumë jashtë vendit, përderisa qytetarët tanë janë të mbyllur. Qytetarët nuk janë fajtorë, sepse ata po bëjnë punën e tyre si duhet. Janë kthyer dhe po kthehen edhe ata që kanë dalë jashtë vendit kohët e fundit. Procesi i shpërnguljeve është ndalur. Kemi qytetarë shumë të disiplinuar, që i zbatojnë rregullat evropiane dhe vendore.

DW: A do të thotë kjo se dialogu me Serbinë nuk do të vazhdojë deri sa nuk bëhet liberalizimi i vizave?

Isa Mustafa: Ne do të bëjmë përpjekje të marrim një përgjigje nga Bashkimi Evropian se çfarë do të ndodhë me vizat. Ndryshe do ta kemi shumë vështirë që të marrim pjesë në proceset e mëtutjeshme.

DW: Kur jemi tek dialogu, Gjykata Kushtetuese ka shpallur vendimin e saj për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ku thuhet se një pjesë e kësaj marrëveshjeje nuk është në përputhje me Kushtetutën e vendit. Çfarë do të thotë kjo për Ju?

Isa Mustafa: Ne e kemi paraparë edhe në Marrëveshje që para se Marrëveshja të shndërrohet në statut, të trajtohet në Gjykatën Kushtetuese. Këtë e ka kërkuar presidentja, si ndërmjetësuese në dialogun mes pozitës dhe opozitës. Ajo ka kërkuar që Gjykata Kushtetuese ta vlerësojë këtë Marrëveshje. Dhe ajo ka thënë se disa pika nuk janë në përputhshmëri të plotë me frymën e Kushtetutës.

DW: Çfarë do të bëhet tani me këto pjesë të Marrëveshjes: a do të dialogohet sërish, apo thjesht do të merren parasysh me rastin e miratimit të statutit?

Isa Mustafa: Kjo që ka thënë Gjykata Kushtetuese ka lidhje me statutin, sepse Gjykata Kushtetuese ka thënë se Asociacioni mund të themelohet. Ai është bërë normë juridike pasi është sanksionuar me ligjin për ratifikimin e Marrëveshjeve ndërkombëtarë për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë në vitin 2013. Do të thotë sa i përket Asociacionit, nuk ka lënë asnjë mëdyshje se ai duhet të themelohet. Mirëpo ka thënë se ai duhet të themelohet në harmoni me Kartën Evropiane të Qeverisjes Lokale dhe duhet të kihen parasysh të gjitha dispozitat e Kushtetutës. Tani ne në procesin e hartimit të statutit do të kemi kujdes që çdo gjë të jetë në përputhje me Kushtetutën. Pra nuk ka dialogim apo rinegociim të Marrëveshjes.

DW: Opozita e ka interpretuar këtë vendim ndryshe: Qeveria dhe kryeministri kanë nënshkruar një marrëveshje që është në kundërshtim me Kushtetutën. Ata kanë kërkuar edhe zgjedhje të jashtëzakonshme, me shpjegimin se Qeveria ka shkelur Kushtetutën dhe ka dështuar. Do të ketë zgjedhje të reja vitin e ardhshëm?

Isa Mustafa: Zgjedhje nuk ka deri në vitin 2018 dhe Marrëveshja nuk është në kundërshtim me Kushtetutën. Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të Marrëveshjes nuk janë në përputhshmëri të plotë me frymën e Kushtetutës dhe ne do t'i kemi parasysh këto gjëra që në hapat e mëtutjeshëm të themelimit të Asociacionit, çdo gjë të jetë në përputhje me Kushtetutën. Marrëveshja nuk është akt juritik por politik. Statuti është akt juridik dhe ne aty duhet të kemi parasysh të gjitha sugjerimet e Gjykatës Kushtetuese.

DW: Do të thotë zgjedhje të reja parlamentare nuk do të ketë. Por vitin e ardhshëm duhet të zgjidhet një president i ri. I keni siguruar Ju votat e domosdoshme për zgjedhjen e presidentit?

Isa Mustafa: Unë jam i bindur që po. Ne kemi vota të mjafueshme për zgjedhjen e presidentit.

DW: Por edhe nga partia juaj ka pasur zëra se nuk do ta votojnë zotin Hashim Thaçi për president?

Isa Mustafa: Ka zëra, është një numër shumë i kufizuar i deputëtëve nga grupi parlamentar i LDK, por ata nuk e rrezikojnë fare zgjedhjen e zhotit Thaçi për president.

DW: Pra Ju do ta respektoni deri në fund marrëveshjen?

Isa Mustafa: Gjithsesi.

DW: Por sa i qëndrueshëm është koalicioni PDK-LDK, sepse kohët e fundit ka pasur fërkime dhe mospajtime serioze mes jush, të cilat mund ta dëmtojnë apo dhe prishin koliacionin qeverisës?

Isa Mustafa: Mund të them se mospajtime serioze nuk ka pasur, e fërkime po. Por fërkimet ndodhin edhe brenda një subjekti politik dhe grupi parlamentar, sepse njerëzit kanë mendime dhe ide të ndryshme. Por koalicioni ka qenë dhe është shumë i qëndrueshëm. Dhe kemi arritur që shumë nga synimet tona t'i realizojmë.

DW: Zoti kryeministër, për një vend demokratik siç është, apo siç pretendon të jetë Kosova, me siguri që nuk është në rregull që gati gjysma e opozitës të jetë në burg apo në arrest shtëpie. Si do ta zgjidhni këtë problem?

Isa Mustafa: Këto zhvillime janë tërësisht të pavolitshme. Nuk janë zhvillime të mira. Askush nuk ka pritur që do të kemi zhvilime të tilla, sepse askush nuk e ka pritur se do të kemi një kulturë të tillë politike në Kosovë. Në 16 vitet e fundit nuk kemi hasur në sjellje dhe kulturë të tillë. Ne jemi angazhuar për shtet juridik dhe ligjor. Ndërsa shteti juridik nuk i dallon njerëzit - në deputetë apo njerëz normalë. Por i dallon vetëm nga ajo se a e shkel dikush ligjin apo jo. Për fat të keq ka deputetë, që kanë hedhur gaz lotësjellës. Ndërsa ligji, e jo ne si qeveri, e ka cilësuar gazin lotësjellës si armë. Dhe secili që përdor armë të tillë, me të cilën rrezikon jetën e të tjerëve, sepse është fjala për ambiente të mbyllura dhe për përdorim të paautorizuar të këtyre mjeteve duhet të përgjigjet para ligjit. Ne nuk e kemi kërkuar këtë si qeveri, por organet e ligjit e ushtrojnë detyrën e tyre. Kjo është një sjellje që duhet të përfundojë shpejt. Ne kemi ofruar dhe jemi të gatshëm për dialog, por edhe dialogu i ka kufijtë e vet, sepse nuk mund të tërhiqemi nga themelimi i Asociacionit për arsye se po kërkon opozita. Ne nuk të tërhiqemi nga zbatimi i ligjit.

DW: Pra Ju jeni të gatshëm për dialog me opozitën, por nuk do të tërhiqeni nga marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel?

Isa Mustafa: Nuk mund të tërhiqemi, sepse këto janë marrëveshje ndërkombëtare. Por ato gjithmonë do t'i zbatojmë në kuadër të ligjit dhe rendit. Ka me siguri shumë gjëra për të cilat kemi nevojë të kemi debat me opozitën në Kuvend. Opozita ka tentuar që me Asociacionitndhe demarkacionin të provojë të fitojë mbështetjen e qytetarëve, por nuk e ka marrë këtë përkrahje në asnjë moment. Çështja e Asociacionit dhe demarkacionit nuk janë problemet më të mëdha, sepse ato janë të zgjidhshme. Problemi ynë më i madh është zhvillimi ekonomik, ndërtimi i shtetit ligjor, integrimi euroatlantik i vendit. Këto janë çështje madhore që duhet të shkojnë përpara dhe ne nuk duhet ta ngulfasim veten me dy çështje, të cilat nuk paraqesin rrezik për Kosovën, sepse kërkush nuk mund t'ia marrë Kosovës asnjë pёllëmbë të tokës, në qoftë se ajo tokë ka qenë dhe vërtetohet se është e Kosovës.

DW: Një çështje tjetër që e pret Kosovën në vitin 2016 është Gjykata Speciale. Janë arritur të gjitha marrëveshjet për themelimin dhe funksionalizimin e saj?

Isa Mustafa: Ne e kemi kryer punën më të madhe sa i përket funksionimit të Gjykatës speciale. Ne e kemi aprovuar ligjin për dhomat e veçanta dhe procedura e tjera të domosdoshme. Ka mbetur që të ratifikohet marrëveshja me Holandën, si vend nikoqir i një pjese të Gjykatës, e cila do të ketë dy seli: një në Kosovë dhe tjetrën në Holandë. Ne kemi arritur në nivelin teknik edhe marrëveshjen me Holandën dhe ka mbetur që të procedohet ajo. Por kur do të fillojë të veprojë nuk mund të themi sepse kjo ka të bëjë me përgatitjen e stafit, përzgjedhjen e gjykatësve etj.

DW: A do të operacionalizohet funksionimi i saj në vitin 2016, sepse kjo ka qenë gjithmonë një prej kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare?

Isa Mustafa: Gjithsesi, sepse është premtuar që të fillojë punën në vitin 2015. Por proceset janë shtyrë. Tani për tani nuk ka informacione se ajo mund të prolongohet më shumë se në vitin 2016.

DW: Sa reale janë vlerësimet e disa qarqeve ndërkombëtare, të cilat thonë se protestat që janë zhvilluar dhe po zhvillohen në Kosovë, në disa muajt e fundit kanë lidhje me Gjykatën Speciale për krime lufte?

Isa Mustafa: Ne nuk mund të argumentojmë këtë në Kosovë. Por ajo mund të jetë një prej shkaqeve, sepse sa i përket Asociacionit dhe demarkacionit dhe gjithë kësaj zhurme dhe dëmi që i është bërë Kosovës, shihet se këto nuk janë kauza të qëndrueshme. Nuk ka asnjë shkas që të hidhet gaz lotësjellës në Kuvend për çështje, të cilat mund të zgjidhen dhe kanë një përgjigje shumë të saktë. Kjo është një çështje tjetër, por nuk më takon mua që të them nëse vërtetë ky është shkaku, sepse nuk kam argument.

DW: Por me siguri që keni argumente për raportet me Serbinë. Si do të zhvillohen këto raporte në të ardhmen, kur dihet se Serbia është ajo e cila ka përfituar nga dialogu më shumë. Kosova e ka nënshkruar Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim, por ka mbetur pa anëtarësim në UNESCO dhe pa liberalizim të vizave. Pra si do t'i ndërtoni këto raporte, pasi keni vendosur të mos vazhdoni dialogun me Serbinë, pa liberalizimin e vizave?

Isa Mustafa: Nuk shoh asnjë arsye që tani ne të mbyllemi, por neve as MSA nuk na vlen pa liberalizimin e vizave. MSA hap mundësi për zhvillim ekonomik dhe si do të bashkëpunojë ekonomia jonë me atë të BE, nëse ne nuk mund të udhëtojmë pa viza. Sa i përket Serbisë, ne kemi definuar disa çështje teknike, të cilat duhet t'i debatojmë, siç janë çështja e transportit ajror, çështja e e transportit hekurudhor. Por edhe gjërat që na kanë mbetur të përfundojmë, siç është zhbërja e strukturave paralele serbe në Kosovë. Përderisa ne po bisedojmë me Serbinë dhe Vuçiqit po ia rrahin krahët për bashkëpunim dhe sjellje konstruktive, Vuçiq ende vazhdon të emërojë struktura paralele serbe në Kosovë…

DW: … pikërisht ky është një prej argumenteve të opozitës, e cila thotë se Serbia po përfiton dhe Kosova vetëm ka humbur nga ky dialog. Në çfarë forme do ta vazhdoni dialogun?

Isa Mustafa: Ne do të kërkojmë me çdo kusht që të gjitha marrëveshjet të zbatohen dhe të zhbëhen strukturat paralele, në mënyrë që të vazhdohet me dialog.

DW: Një prej kërkesave të bashkësisë ndërkombëtare është luftimi i korrupsionit të nivelit të lartë. Nuk dua të bëj krahasime, por Serbia para ca kohësh ka arrestuar dhjetra persona të nivelit të lartë politik dhe ekonomik. Pse Kosova nuk bën arrestime të tilla? Ka frikë, mungesë të vullnetit politik, apo çfarë është në pyetje?

Isa Mustafa: Ne e kemi biseduar këtë çështje me Prokurorinë e shtetit dhe gjykatat, është biseduar më shumë në kuadër të kërkesave për liberalizimin e vizave, sepse kjo është shtruar si kriter për liberalizim. Prokuria është duke punuar dhe ka një listë të rasteve të korrupsionit, të cilat ata i konsiderojnë si raste shumë serioze. Por duhet të themi se me këto çështje deri tani kryesisht është marrë Eulexi dhe jo organet vendore. Me përmbylljen e misionit të Eulexit këto raste do të kalojnë tek organet vendore, por ende nuk është saktësuar se kur do të përfundojë ky mision. Negociatat për rolin e Eulexit në Kosovë ende po vazhdojnë. Por mund të them se ekziston gatishmëri e Prokurorisë dhe gjykatave që t'i trajtojnë këto raste. Mendoj se edhe tek ne do të nxirren para drejtësisë të gjithë ata, të cilët janë të korruptuar apo e kanë shkelur ligjin. Kjo çështje do t'i referohet edhe BE-së në kuadër të procesit të liberlizimit të vizave.

DW: Zoti kryeministër, a mund të thuhet se keni dështuar në politikën ekonomike? Në prag të zgjedhjeve Ju keni premtuar punësimin e dhjetra e qindra mijëra njerëzve, ndërsa deri tani keni realizuar vetëm një pjesë të vogël?

Isa Mustafa: Mendoj se kemi arritur suksese evidente, sa i përket zhvillimit ekonomik. Këto suksese shihen edhe tek punësimi. Kemi punësuar rreth 16.000 persona, pa llogaritur edhe 2.500 persona, sa janë punësuar në bujqësi përmes subvencioneve dhe granteve që kemi dhënë – të cilat kapin shumë prej 43 milionë euro gjatë këtij viti. Kemi bërë reforma fiskale, të cilat e lehtësojnë bërjen e biznesit në Kosovë. Kemi nënshkruar marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit Kosova e Re, që është investimi më i madh në Kosovë pas luftës, me një shumë prej rreth një miliardë euro. Kemi përfunduar punën e autostradës energjetike me Shqipërinë, e cila në anën tonë është gati por duhet të përfundohet në anën e Shqipërisë, që do të ndodhë deri në prill. Kemi prolonguar deri më 31 maj projektin e Brezovicës, sepse duhet të mobilizohen mjetet e ofruara si garancion për fillimin e projektit, që janë rreth 162 milionë euro. Kemi siguruar rreth 160 milionë për rrugën hekurudhore, që na lidhë me shtatë vende të rajonit dhe BE. Mendoj se këto janë rezultate të jashtëzakonshme, por ka qenë e pamundur që në vitin e parë të pritet që të punësojmë 30.000 apo 40.000 njerëz. Por unë mendoj se me këtë trend do ta realizojmë atë që kemi premtuar për këtë legjislacion – që të punësojmë deri në 120.000 persona.

DW: Në këtë aspekt me siguri që një rol shumë të rëndësishëm mund ta kenë edhe investimet e jashtme. Në këtë kuadër, si i vlerësoni raportet ekonomike dhe politike me Gjermaninë, gjatë vitit 2015?

Isa Mustafa: Unë mendoj se kemi raporte të shkëlqyeshme me Gjermaninë. Kohët e fundit kemi pasur bisedime edhe me dy lande gjermane: Baden Vyrtenberg dhe Bavarinë. Kemi biseduar për mundësinë e investimeve direkte nga këto lande dhe kemi biseduar për mundësinë e shkollimit profesional të njerëzve tanë atje. Poashtu kemi biseduar edhe për punësimet sezonale. Kemi edhe orientime edhe ndaj landeve të tjera. Ka mbetur çështje e hapur, ajo e rekonstruktimit të termocentralit Kosova A. Por ende nuk kemi ndonjë përgjigje konkrete. Kemi një mbështhetje shumë të madhe të Bankës gjermane për zhvillim dhe të qeverisë gjermane në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomik.

DW: Si e shpjegoni faktin që Gjermania si një prej vendeve më të fuqishme ekonomike në botë, ende nuk ka marrë asnjë projekt të madh ekonomik në Kosovë? Kjo temë është ngritur edhe nga vetё kancelarja Merkel gjatë takimit tuaj të fundit në Berlin.

Isa Mustafa: Nga ai takim ka mbetur të ndiqet projekti i rekonstruimit të Kosovës A. pas takimit kemi biseduar edhe një herë me përfaqësuesit e firmës së interesuar për këtë punë (Belfinger). Por ende nuk kemi një përgjigje të sakt,ё për mënyrën e financimit dhe statusit të Kosova A, pas rekonstruimit të saj. Ne jemi të gatshëm që të vazhdojmë konsultimet, por natyrisht që ne jemi të gatshëm të shikojmë edhe mundësi të tjera për futjen e ekonomisë gjermane në Kosovë – në miniera dhe minerale si dhe fushat tjera ku ekonomia gjermane ka treguar interes.

DW: Po si i vlerësoni raportet politike me Gjermaninë?

Isa Mustafa: Mendoj se roli i Gjermanisë ka qenë vendimtar në procesin e dialogut dhe normalizimit të raporteve me Serbinë. Gjermania ka pasur një qëndrim shumë parimor. Ndikimi i Gjermanisë do të jetë vendimtar edhe në proceset e tjera me Serbinë. Por Gjermania ka ushtruar një rol shumë të rëndësishëm edhe në procesin e normalizimit dhe bashkëpunimit mes gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, me iniciativën e Berlinit nga vet kancelarja Merkel. Ne kemi pasur sivjet edhe takimin e dytë në Vjenë. Kjo ka dhënë dy fryte shumë të rëndësishme: Një, relaksimi i marrëdhënieve mes vendeve në rajon. Dhe dy, ka hapur mundësinë e lidhjes së infrastrukturës dhe komunikimit mes këtyre vendeve

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat