Shqiptarja, si duhet të lobojë në botë

Bota e Yjeve

Shqiptarja, si duhet të lobojë në botë

Më: 6 dhjetor 2015 Në ora: 12:08

Ermira Babamusta është larguar nga Shqipëria në moshën 16-vjeçare dhe prej 18 vitesh jeton në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ajo ka qenë pjesë e stafit të zgjedhjeve elektorale të Presidentit Obama, në vitet 2008 dhe 2012. Falë aftësive të saj, u zgjodh drejtuese e ekipit. Në këtë intervistë, ajo zbulon çdo gjë në lidhje me fëmijërinë e saj në Shqipëri, përpara se të shkeltë në tokën amerikane. Arritjet e saj dhe vlerësimet e drejtpërdrejta që ka marrë nga Presidenti Obama, në një rrëfim të detajuar.

Kur jeni larguar nga Shqipëria?

U largova nga Shqipëria në verën e vitit 1998. Në atë kohë ndiqja vitin e tretë të shkollës së mesme tek Gjuhët e Huaja në Tiranë, dega anglisht dhe më doli bursa për jashtë shtetit.

Keni kujtime nga ajo periudhë?

Babi, Neki Babamusta “Mësues i Merituar”, si profesor letërsie dhe historie më pasuroi bibliotekën me literaturën shqiptare dhe të huaj, ndoshta të avancuar për moshën time si veprat e Tolstoit, Gëtes, Gjergj Fishtës, Fan Nolit, Ismail Kadaresë etj. Dhe babai më kërkonte të shkruaja një analizë ose përmbledhje në formë hartimi të librave që lexoja. Mbaj mend që çdo ditë mësoja 30 fjalë të reja në anglisht nga fjalori i anglishtes, ku babi më kontrollonte përgjigjet sipas fjalorit, edhe pse ai nuk e zotëronte këtë gjuhë. Ndoshta kam qenë afro 10 vjeç. Më vonë kam studiuar 5 gjuhë. Kam punuar me OKB-në kur u bënë zgjedhjet në 1996-97, ku UNDP dhe UNHRC patën rolin vëzhgues në Shqipëri. Kam punuar sërish për OKB-në në Departamentin e Paqes në 2006, në Nju-Jork dhe kam kryer misione me OKB-në në Kosovë.

Mbaj mend që kam hipur në helikopter për herë të parë në Shqipëri në atë kohë kur shpërndanim ndihmat e Ambasadës Amerikane dhe Fondacionit “Soros”, në vendet malore të Shqipërisë, ku nuk kalohej dot me makinë. Shqipëria me të vërtetë është vend i përkryer për sa i përket turizmit. Nëse promovohet më shumë bujqësia dhe prodhimet bio, besoj se Shqipëria del numër një në Ballkan dhe Europë. Kohët e fundit ka tërhequr shkencëtarë nga Franca dhe Italia, sepse mahniten nga vlerat ushqimore të paparë në shtete të tjera, falë tokës pjellore (shembulli i luleshtrydheve që nuk prodhohen vend tjetër me ato vlerat ushqyese si ato të Shqipërisë) dhe me qumështin dhe produktin e bagëtisë ose me cilësinë e vajit të ullirit ose mjaltit. Do ishte mirë që Shqipëria të marketojë një apo disa produkte vendase, që të njihen si produkte shqiptare në mbarë botën. Ky do ishte lobimi më i mirë për imazhin pozitiv të vendit jashtë dhe zhvillimin ekonomik.

Si ishte jeta jote këtu, adoleshenca, studimet?

Periudhën e tranzicionit nga fëmijëria në adoleshencë e kam kaluar në Shqipëri (13-16 vjeç) dhe Amerikë (16-19 vjeç). Në Shqipëri, kam kujtime të bukura me shoqërinë dhe udhëtimet me shkollën te Kalaja e Krujës, Syri i Kaltër, në Shkodër dhe vende të tjera historike. Ndërsa me të rinjtë e kishës kalonim verën në plazhin e Durrësit ose në veri të Shqipërisë në kampe misionare kristiane. Ndërsa nga fillorja më kujtohet dita e parë e shkollës, isha 6 vjeçe, ku pata rastin t’i bie këmbanës (ziles, ishte shumë e madhe dhe e rëndë) para nxënësve të rrjeshtuar sipas klasave. Madje për këtë mbaj mend që kam ikur në shkollë një orë përpara se të hapej shkolla, se mezi prisja nga gëzimi dhe fakti që isha zgjedhur unë për këtë “detyrë nderi”. Për sa i përket studimeve, të dy prindërit kanë qenë mësues, kështu kanë treguar kujdes të veçantë në këtë drejtim që unë të mësoja rëndësinë e disiplinës dhe edukimit. Dhe nuk i kam zhgënjyer, dola me 10-ta. Dhe në shkollën e lartë dhe studimet pas-universitare kam dalë studente e nderuar. Me shkollën e mesme në Shqipëri kemi marrë pjesë në shumë konkurse në shkallë kombëtare në poezi dhe matematikë, ku kemi fituar shumë herë.

Si e kishe menduar Amerikën dhe si e gjete?

Amerikën e kam menduar si vend me vlera demokratike dhe përparimtare. Dhe e gjeta të zhvilluar ku drejtësia apo sistemi ligjor është shembull që duhet të ndiqet kudo. Qytetari në Amerikë ndjehet i mbrojtur dhe i barabartë para ligjit, por dhe qytetari di vlerën e zbatimit të ligjit dhe respektin ndaj rendit ligjor. Falë Amerikës, principit të saj të drejtësisë dhe lirisë, kombi shqiptar është mbrojtur ndër shekuj nga interesat cunguese të botës. Shqipëria ka një mike dhe aleate të fortë, Amerikën, dhe Amerika ka një partner të fortë strategjik, Shqipërinë dhe Kosovën.

Si arritët të punonit për fushatën e Presidentit Obama?

Fillimisht aplikova si organizatore e komunitetit tek fushata presidenciale e vitit 2008 dhe u përzgjodha nëpërmjet intervistës nga kandidatët e tjerë që aplikuan. Mora trajnimin nga “Obama për Amerikën” në lidership, organizim, manaxhim dhe ndërtimi i rrjeteve “grassroots”. Nga puna e mirë që bëra më zgjodhën drejtuese të ekipit dhe më pas drejtoreshë “GOTV, Get Out the Vote”. Më ftuan të jem një nga organizatoret e eventit madhështor të Konventës Kombëtare Demokratike në SHBA, që pati 75000 pjesëmarrës. Pata rastin të sjell ekipin tim që drejtoja, nga Florida në Kolorado. Si ekip kemi punuar shumë mirë së bashku. Presidenti Obama na ka marrë në telefon disa herë për të na përgëzuar si ekip për punën gjatë fushatës dhe për të na inkurajuar. Dhe ne si ekip kemi punuar shumë dhe besuar në vizionin dhe lidershipin e Presidentit Obama. Ndërsa në 2012 më kërkoi vetë administrata nga eksperienca që kisha në fushatën e parë në Filadelfia, ku jetova gjatë fushatës, duke patur përsipër Ohion dhe Pensilvaninë. Por edhe këtu iu nënshtrova proçesit të intervistës dhe më zgjodhën për postin. Pata nderin të marr ftesë nga Shtëpia e Bardhë në janar 2009 dhe 2013 në Uashington DC për të qenë e pranishme në inaugurimin e Presidentit Obama me rastin e fitores, dy momente historike.

Kemi marrë edhe vlerësime nga vetë Presidenti Obama dhe Shtëpia e Bardhë për kontributin që keni dhënë në mbrojtje të interesit të kombit amerikan...

Mora nderin më të lartë të medaljes ari nga Shtëpia e Bardhë dhe Presidenti Obama me çmimin “President’s Volunteer Service Aëard” për vitin 2014. Çmimi m’u akordua “në vlerësim të angazhimit në forcimin e Kombit Amerikan dhe duke sjell ndryshim nëpërmjet punës vullnetare”. Në letrën e marrë nga Presidenti Obama, ai vlerëson kontributin tim në shërbim të kombit amerikan dhe zhvillimin e komunitetit. Do vazhdoj t’i shërbej kombit amerikan dhe interesit të tij me punën time. Dhe njëkohësisht do vazhdoj të angazhohem në projekte që sjellin më afër dhe forcojnë lidhjet Amerikë- Kosovë-Shqipëri-Angli. Falënderoj shtetin amerikan dhe Kongresin Amerikan për vlerësimit dhënë mua për kontributin dhënë në Kosovë dhe babait tim, si “Mbrojtës i Demokracisë” dhe vlerave të paqes. Popujt liridashës si Amerika, Shqipëria, Kosova, etj. kanë të përbashkët vlerat demokratike dhe vizionin për paqe dhe stabilitet. Si gjenerate e re e së ardhmes këto ideale na çojnë drejt zhvillimit.

A do të ktheheni ndonjëherë për të jetuar në vendlindje?

Vendlindjen nuk e harroj dhe është pjesë e identitetit tim. I konsideroj të dyja, Shqipërinë edhe Kosovën si vendlindjen time, meqë babi është me prejardhje nga Shqipëria dhe mami është me prejardhje nga Kosova. Të dyja fiset, Babamusta dhe Cani kanë luftuar për mbrojtjen e lirisë e vendit dhe forcimin e lidhjeve Amerikë- Kosovë-Shqipëri-Angli. Kështu në këtë aspekt, jam kthyer në vendlindje, në Kosovë, ku kam jetuar dhe punuar për të mbrojtur të drejtat e njeriut.

Po nëse ju kërkohet të jeni pjesë e stafit presidencial të Shqipërisë?

Besoj përkrahjen më të fortë që mund t’ia jap Shqipërisë dhe Kosovës është nga Amerika. Shqipërinë dhe Kosovën e konsideroj si vendin e origjinës dhe vlerësoj historinë e vendit dhe trashëgiminë e familjes time. Amerikën e konsideroj si vendin tim, kam 18 vite që jetoj në SHBA, ku kam kaluar pjekurinë dhe krijuar identitetin tim si njerifemër. Amerika më ka dhënë të gjitha mundësitë për të realizuar ëndrrat e mia. Dhe përkrah plotësisht vizionin dhe politikën që mban Amerika ndaj politikës dhe diplomacisës shqiptare. Në Amerikë kam mundësinë të promovoj kulturën dhe traditat shqiptare dhe amerikane, dhe të lidh dy kombet tona mike.

Aktualisht, cilat janë disa nga angazhimet tuaja?

Angazhimet janë të shumta në shërbim të komunitetit amerikan dhe shqiptaro- amerikan, falë organizatave si Vatra, AmeriCorps, Kryqi i Kuq, Fondacioni i OKB-së, Charity Miles etj. Mund të përmend punën me Kryqin e Kuq dhe Departamentin e Mbrojtjes në Nju Jork dhe repartin policor NYPD, për të përgatitur nju-jorkezët në raste emergjence ose fatkeqësie dhe për t’i shërbyer popullatës të moshuar ose familjeve me të ardhura të pakta. Gjithashtu udhëhoqa iniciativën time globale 2-vjeçare “Aksioni për Paqe” për të përkrahur familjet e veteranëve të luftës në SHBA dhe të rinjtë. Për këtë falenderoj ekipet nga Kosova, Gjermania, Nevada, Nju-Jorku, etj, që kontriubuan vullnetarisht për të ndihmuar.

Një ditë e zakonshme e juaja?

Një ditë e zakonshme e imja nuk ka orë të mjaftueshme për të mbaruar të gjitha gjërat që dua. Fle 3-4 orë gjumë ose nuk fle fare disa herë.

Përvoja nga eksperiencat

Për çfarë keni studiuar?

Kam studiuar për Shkenca Politike në BA dhe Master. Kam mbaruar masterin e dytë në Administrim Publik, vijuar nga studimi pas-universitar i nivelit të avancuar në studimet “Diplomacia” e OKB-së në Nju-Jork. Në këtë periudhë pata fatin të punoj për OKB-në në Manhatan dhe Kongresin Amerikan (për një senator dhe një kongresist amerikan), si dhe të punoj si drejtoreshë në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës në Florida dhe Kolorado. Të gjitha këto eksperienca janë të paharruara dhe mora një përvojë shumë të mirë. Gjatë studimit të doktoraturës për Shkenca Politike dhe Punë të Jashtme kam përfunduar disa arritje: studimi dhe jetesa në Strasburg, Francë (2010) për të ndjekur programin e BE-së, “Institucionet dhe Ligji Europian”, sponcorizuar nga shkolla ime e doktoraturës, puna drejtuese tek zgjedhjet presidenciale në Filadelfia dhe Ohio (2012), misioni i dytë diplomatik-kulturor dhe jetesa në Kosovë (fundit i 2012-2013), dhe studimi në Harvard (2014) në “Strategjia dhe Sigurimi Kombëtar Amerikan”. Tema e doktoraturës dhe e masterit kanë të bëjnë me Kosovën, njëra me sistemin ligjor, tjetra me bisedimet diplomatike shumëpalëshe.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat