Bushati: Shqipëria me qendër rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm

Bota e Yjeve

Bushati: Shqipëria me qendër rajonale kundër ekstremizmit të dhunshëm

Më: 26 nëntor 2015 Në ora: 11:43

Shqipëria - partnere e Europës në luftën kundër terrorit, por edhe gati për të pritur valë refugjatësh në dimër, shprehet ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati pas konferencës rajonale në Berlin.

Deutsche Welle: Zoti Bushati ju morët pjesë në konferencën e ministrave të Jashtëm të Ballkanit në Institutin Aspen, me ftesë të ministrit të Jashtëm gjerman Steinmeier dhe atij italian, Gentiloni. Çfarë masash u diskutuan në lidhje me krizën e refugjatëve në Ballkan, kjo krizë ishte edhe në fokus të kësaj konference që zhvillohet një herë në vit?

Ditmir Bushati: Konferenca këtë vit u fokusua tek çështjet e sigurisë, zgjerimit të Bashkimit të Europian, natyrisht çështjet që kanë të bëjnë me krizën e refugjatëve, terrorizmin dhe cënueshmërinë le të themi të arkitekturës europiane, sidomos pas ngjarjeve të fundit në Paris.

Ne këmbyem pikëpamje në lidhje me angazhimin e vendeve të Bashkimit Europian, Gjermanisë, Italisë, vendeve të rajonit tonë, të cilët janë prekur nga kriza e refugjatëve, po ashtu u këmbyen pikëpamje për opcionet e ndryshme që mund të përdoren për shkak të stinës së dimrit dhe rrugëve të ndryshme se si mund të përballohet kjo krizë. Në konferencë u theksua rëndësia e një përgjigjeje të përbashkët në nivel europian dhe e një bashkëveprimi e sinkronizimi sa më të mirë mes vendeve të BE-së dhe rajonit për të përballuar këtë krizë të paprecedentë, e cila nuk duket se do të përfundojë shpejt.

Përmendët se keni diskutuar opcione të ndryshme në konferencë, a është edhe Shqipëria një opcion, pra a preket Shqipëria nga vala e refugjatëve në periudhën e dimrit?

Të gjitha opcionet janë të hapura, duke përfshirë këtu edhe një prekje të mundshme të Shqipërisë, Italisë apo Malit të Zi, në qoftë se mund ta konsiderojmë kështu pjesën Adriatike të Ballkanit. Shqipëria ka marrë masat përkatëse në bashkëpunim me partnerët, në bashkëpunim me vendet anëtare të BE-së, po ashtu kemi përgatitur planin e kontigjenteve. Natyrisht ne jemi një vend me kapacitete të kufizuara, qoftë nga pikëpamja e burimeve njerëzore dhe infrastrukturës, e është kjo arsyeja që masat paraprake duam t'i marrim në kohë dhe në bashkëveprim me vende të tjera.

Po a keni të dhëna se Shqipëria mund të preket gjatë dimrit?

Për momentin nuk mund të flitet me garanci të plotë për një skenar që do të prekte drejtpërdrejt Shqipërinë, Italinë apo Malin e Zi, por me afrimin e dimrit , potencialisht kjo mund të kondicionojë akset kryesore, të cilët përdorin njerëzit që duan të shpëtojnë nga lufta.
Ju u shprehët pas konferencës se kriza e refugjatëve në Ballkan nuk duhet të prekë integrimin.

Çfarë keni parasysh me këtë, a dyshoni se kjo krizë mund të prekë vërtet proceset e integrimit?

Nga ana e dy ministrave të Jashtëm, atij gjerman dhe italian ka një qartësi përsa i përket jo thjesht procesit të integrimit europian dhe avancimit të rajonit në hapësirën euroatlantike, por edhe për të eliminuar çdo lloj spekulimi apo tendence për të ngatërruar krizën e refugjatëve me procese, të cilat kanë nisur me kohë në rajonin tonë. Pata mundësi të ritheksoja faktin, se procesi i zgjerimit apo çdo lloj pakti mbi çështjet e sigurisë, që adreson jo thjesht çështjen e refugjatëve, por edhe çështjet që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit duhet të shkojë paralelisht, të ecë bashkërisht me procesin e zgjerimit, përkundrazi situata, të cilën po e përjeton sot për sot rajoni ynë dhe BE, mendoj se bëjnë thirrje për një veprim më të shpejtë strategjik ndërmjet BE-së dhe Ballkanit Perëndimor.

Mendoni se e regjistruan dy ministrat e Jashtëm të BE-së këtë thirrje për veprim të shpejtë strategjik?

Ministri i Jashtëm gjerman dhe ai italian janë shumë të qartë dhe të kthjellët në këtë pikë, shpresoj që në muajt në vijim do të kemi mundësi të dëshmojmë një gjë të tillë.

Pas ngjarjeve në Paris, terrori i Shtetit Islamik është kthyer në një sfidë për Prëndimin, por edhe në rajon rreziku nuk është më i vogël. Çfarë u tha për këtë në Berlin?

Natyrisht u diskutuan programet, me të cilat vendet që janë pjesë e aleancës kundër të ashtuquajturit "Shtet Islamik" bashkëveprojnë me njëra-tjetrën, përpjekjet që bëhen për shkurajimin e fenomenit të luftëtarëve të huaj, edhe përpjekjet që po bën Shqipëria posaçërisht në këtë drejtim edhe përmes krijimit të qendrës rajonale për përballimin e ekstremizmit të dhunshëm, si pjesë e strategjisë kombëtare kundër ekstremizmit të dhunshëm, të miratuar në Këshillin e Minstrave javën e kaluar. Kjo qendër rajonale që do të ngrihet vitin e ardhshëm në Shqipëri, me mbështetjen e partnerëve strategjikë do të fokusohet tek elementët edukativë, ata të bashkëjetesës fetare, pra për të punuar me komunitete të ndryshme, për të rrezatuar atë që është unike në Shqipëri apo hapësirën shqiptare për sa i përket bashkëjetesës më të mirë fetare. Ka disa forma si mund të luftohet ekstremizmi i dhunshëm, ndër to edhe programet edukative, kulturore, të cilat ne synojmë t'i kultivojmë sa më shumë që të bëhen shembull rrezatues edhe për vende të tjera.

Zoti Bushati të kalojmë në zhvillimet në Shqipëri - Shqipëria pret hapjen e negociatave me BE-në, por BE në progresraport e vuri gishtin tek plagët e vjetra në Shqipëri si reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, dekriminalizimi, vetëm pas këtyre reformave do të ketë negociata - një qëndrim i qartë i BE-së ky. E meritonte qeveria shqiptare hapjen e negociatave me BE-në, në një kohë kur ende disa detyra shtëpie nuk i ka bërë?

Më lejoni të theksoj se sipas raportit të Komisionit Europian, Shqipëria është i vetmi vend që ka njohur progres të qëndrueshëm në të gjitha fushat që janë objekt vlerësimi nga Komisioni Europian krahasuar me vendet e tjera, pjesë e dosjes së zgjerimit. Ky progres është i dukshëm sidomos në fushat që konsiderohen parësore, për sa i përket sundimit të së drejtës, e sundimit të së drejtës në ekonomi. Jo vetëm Komisioni Europian, por qeveria shqiptare, shumica parlamentare institucionet kryesore e aktorë të tjerë e kanë vënë gishtin tek një plagë do ta quaja e shoqërisë shqiptare, që është gjendja e mjerueshme e sistemit të drejtësisë. Ka një angazhim politik të fortë në këtë drejtim, po punohet me Komisionin e Venecias, është pozitive që të gjithë aktorët kryesorë politikë dhe parlamentarë kanë referuar opinionet e qëndrimet e tyre pranë Komisionit të Venecias. Opinioni dhe përfshirja e ekspertizës së këtij komisioni, që gëzon reputacion të lartë në Shqipëri, do t'i japë një legjitimitet më të madh të gjithë procesit të reformës në drejtësi.

Pas kompromisit me opozitën për çështjen e dekriminalizimit, a shpresoni që ky model bashkëpunimi me opozitën mund të funksionojë edhe për reformën në drejtësi, ministri i Jashtëm gjerman Steinmeier ju inkurajoi për çuarjen përpara të reformës në drejtësi?

Besoj se çdo reformë që vjen si fryt i kompromisit, pa cënuar standartet më të larta demokratike, do të ishte jo vetëm e mirëpritur nga ne, por ne do punojmë për ta arritur një gjë të tillë. Ne po punojmë për këtë dhe ka një gatishmëri edhe nga ana e Komisionit Europian dhe vendeve anëtare për të na mbështetur në këtë proces, me qëllim që të krijohet terreni për rekomandimin për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit. Shumë punë është bërë, por ende shumë punë mbetet për t'u bërë në këtë drejtim. Kompromisi për ligjin për dekriminalizimin mendoj se mund të shërbejë si një ogur i mirë edhe për reforma të tjera që do të kërkonin një mirëkuptim të gjerë politik, pa cënuar standardet e kërkuara.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat