Thaçi: Asociacioni konform ligjeve të Këshillit Evropian dhe BE-së

Bota e Yjeve

Thaçi: Asociacioni konform ligjeve të Këshillit Evropian dhe BE-së

Më: 23 tetor 2015 Në ora: 10:05

Vetëm pak orë pasi ka dalë me një fitore nga godina e UNESKO-s, në Sheshin “Fontenoy” të Parisit, Hashim Thaçi, ndihet ndoshta më i qetë për të komentuar zhvillimet politike në Kosovë.

Zhvillime që nuk janë aspak të qeta prej disa javësh, por që përbëjnë edhe një sfidë për klasën politike dhe vetë shtetin ende të ri të Kosovës.

Ish-luftëtari i dikurshëm, i cili tashmë udhëton drejt Parisit, jo për të firmosur marrëveshje për t’u dhënë fund luftërave, por për ta përfshirë Kosovën në një organizatë ndërkombëtare për arsimin, shkencën e kulturën, e fton “Vetëvendosje”-n të rishikojë qëndrimin e saj. Për numrin dy të qeverisë dhe kreun e diplomacisë, Lëvizja që hedh gaz lotsjellës në Kuvend, ndoshta bën mirë të rikthehet në një shoqatë joqeveritare. Në intervistën e tij për “Shekullin”, zëvendëskryeministri i Kosovës shpjegon në mënyrë të detajuar bazën kushtetuese e ligjore të marrëveshjes me serbët dhe ndarjen e kufirit me Malin e Zi, pa lënë mënjanë Kombëtaren e futbollit: “Në Prishtinë, Kombëtarja është në shtëpinë e saj”.

Situata politike në Kosovë është tensionuar gjatë javëve të fundit, ndërsa ngjarjet në Kuvend kanë tërhequr vëmendjen e opinionit publik edhe në Shqipëri. Si i komentoni përplasjet e fundit?

Ka pasur një radikalizim të paarsyeshëm të opozitës në periudhën e fundit që kulmoi me aktin vandal e të neveritshëm të përdorimit të një arme kimike, siç edhe është bomba me gaz lotsjellës, për të penguar fizikisht zhvillimin e punës së Kuvendit të Kosovës. Kuvendi është tempull i shenjtë i demokracisë dhe institucioni ligjvënës i Kosovës. Këto veprime të shëmtuara përbëjnë një sulm dhe dëshmojnë një mungesë të theksuar të respektit për demokracinë dhe ligjin, që janë vlerat themelore ku mbështetet shoqëria dhe shteti ynë. Hera e fundit kur altari i vullnetit të popullit të Kosovës është përdhosur në këtë mënyrë të rëndë ka qenë korriku i vitit 1990, kur policia serbe vendosi gjendjen e jashtëzakonshme dhe okupoi Kosovën me mbi 30 mijë trupa, pasi kishte suprimuar autonominë një vit më herët. Atëbotë milicia serbe i pengoi fizikisht me dhunë delegatët shqiptarë të Kuvendit të Kosovës, duke i detyruar ata që Deklaratën Kushtetuese për shpalljen e Kosovës, si njësi e veçantë në kuadër të Federatës së Jugosllavisë, ta bënin duke u tubuar jashtë ndërtesës së uzurpuar. Ne kemi luftuar dhe punuar shumë që populli i Kosovës sot të jetë i lirë dhe i pavarur e të mund ta shprehë vullnetin e tij nëpërmjet Parlamentit legjitim të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme e nuk do të lejojmë askënd që të pengojë funksionimin e institucioneve të demokracisë dhe ligjit.

A ndjen vështirësi qeveria e Kosovës në funksionimin e saj, pikërisht për shkak të veprimeve të aktivistëve të “Vetëvendosje”-s?

Vështirësia kryesore besoj se lidhet me njollën që i vihet imazhit ndërkombëtar të Kosovës në arenën ndërkombëtare, si një vend ku 16 vite pas luftës, dhuna është ende e pranishme dhe ku demokracia nuk respektohet nga të gjithë, sepse del se ka aktorë që e kanë dhunën mjet të parapëlqyer dhe qëllim të synuar. Kjo është një fazë delikate në politikën e jashtme, pasi jemi afër finalizimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimit të vizave “Shengen”, si dhe pak ditë na ndajnë nga votimi final i nëntorit për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Opinioni publik ndërkombëtar është shumë i rëndësishëm në proceset e lobimit të ndërmarra dhe ato pamje të pahijshme në Kuvend janë një goditje e rëndë e këtyre përpjekjeve të shtetit tonë dhe i shërbejnë vetëm interesit të armiqve të Kosovës. Imazhi ndërkombëtar sot luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në aspektin ekonomik të çdo vendi, pasi ndikon në thithjen e investimeve, nxitjen e eksporteve dhe tërheqjen e vizitorëve të huaj. Kushdo që me vetëdije e dëmton këtë imazh është duke privuar qytetarët e thjeshtë të Kosovës nga zhvillimi ekonomik.

Cili është qëndrimi i qeverisë së Kosovës për të ardhmen e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe?

Marrëveshja e shtetit të Kosovës për formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe është përcaktuar nga pakoja e Ahtisaarit, që të gjitha partitë parlamentare njëzëri e kanë votuar për ta inkuadruar në Kushtetutën e Kosovës në vitin 2008 dhe është gjithashtu derivat i drejtpërdrejtë i angazhimit të ndërmarrë nga ne në marrëveshjet e prillit 2013, pra nuk ka asgjë të re për t’u alarmuar. Angazhimin tonë për ta formuar këtë bashkësi të komunave, të shprehur në mënyrë eksplicite në marrëveshjet e para dy viteve, e kanë votuar në Parlament asokohe edhe përfaqësuesit e partive opozitare AAK dhe “Nisma”, të cilat sot në mënyrë hipokrite janë duke e kundërshtuar dhunshëm. Po ashtu Lëvizja “Vetëvendosje” asokohe i ka dërguar marrëveshjet në Gjykatë Kushtetuese, e cila ka nxjerrë verdiktin se marrëveshjet, përfshi këtu edhe zotimin e Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, janë në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.

Pas zhvillimeve të fundit, a keni patur kontakte me drejtuesit e Bashkimit Evropian dhe qeverinë e Serbisë? A ka një shqetësim te diplomacia ndërkombëtare për të ardhmen e Kosovës?

Figurat më të larta të diplomacisë ndërkombëtare i kanë mbështetur fuqimisht marrëveshjet e bëra prej Kosovës në kuadër të dialogut të ndërmarrë në Bruksel me Serbinë. Vetë presidenti Obama ka përshëndetur personalisht në mënyrë të posaçme nënshkrimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Veprimet politike të lidershipit kosovar ndërmerren në konsultim dhe koordinim me partnerët ndërkombëtar, prandaj nuk ka shqetësim tek diplomacia ndërkombëtare për orientimin e Kosovës. Ne gëzojmë besimin dhe mbështetjen e plotë të aleatëve tanë, të cilët rregullisht e përgëzojnë Kosovën, qoftë për drejtimin e duhur strategjik që ka zgjedhur dhe qoftë për arritjet e shumta të deritanishme që kemi siguruar.

Më duhet të ndalem e të shpjegoj se parimet e organizimit dhe funksionimit të Bashkësisë së Komunave me Shumicë Serbe, jo vetëm që respektojnë legjislacionin kosovar në fuqi, por janë edhe parime të njohura e të përhapura në mbarë Evropën. Kosova aspiron të anëtarësohet në Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian në një të ardhme të afërt dhe të dy këto institucione kultivojnë dhe karakterizohen nga një nivel i lartë decentralizimi të pushtetit vendor. Në kuadër të anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ne do të na duhet që të adoptojmë edhe Kartën Evropiane të Qeverisjes Vendore, që parashikon prerogativa edhe më të zgjeruara për autoritetet lokale sesa i kemi. Po ashtu neve do të na duhet që të përqafojmë në të ardhmen idenë e Evropës së Rajoneve, që është pjesë e pashmangshme e realitetit të Bashkimit Evropian, ku aspirojmë të gjithë që të anëtarësohemi. Kjo ide ka të bëjë me faktin që njësitë administrative të pushtetit lokal brenda BE-së kanë përfituar gradualisht një rol më të madh politik, ekonomik, social dhe kulturor dhe këto standarde do të na duhet t’i garantojmë edhe ne në Kosovë. Njësitë e pushtetit vendor të vendeve anëtare të BE-së shpesh kanë edhe zyra përfaqësimi ne Bruksel e garojnë ose bëjnë aleancë me njëri-tjetrin për fonde evropiane.

Kjo, pasi në bazë të së ashtuquajturës politikë të kohezionit të Bashkimit Evropian, besohet se aktivizimi i rajoneve si lojtarë, do të ndihmojë në adresimin e pabarazive që ekzistojnë ndërmjet rajoneve të ndryshme të vendeve anëtare. Kështu që opinioni publik duhet të vetëdijësohet se në kuadër të anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe Bashkimit Evropian, ne do të duhet që t’i zgjerojmë edhe më shumë kompetencat e organeve vendore për të arritur standardet e kërkuara evropiane. Megjithatë unë e kuptoj që procesi i evropianizimit dhe përqafimit të vlerave dhe parimeve të Bashkimit Evropian është një proces që do kohën e vetë dhe do ketë disa pjesëtarë të shoqërisë sonë që do duan më shumë kohë për ta kuptuar e pranuar realitetin bashkëkohorë evropian.

Një temë tjetër debati ka qenë edhe ajo e përcaktimit të vijës kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi. Sa qëndrojnë akuzat e opozitës për falje të territorit të Kosovës?

Së pari, duhet të them se demarkacioni i kufijve me konsensus bilateral është një arritje e madhe në marrëdhëniet ndërkombëtare të një shteti, pasi kufijtë e pakontestuar janë një garanci paqeje dhe fqinjësie të mirë. Në botë ka mbi 150 kufij ndër-shtetërorë të kontestuar, që janë burim luftërash aktuale ose janë potencial për konflikte në të ardhmen. Shembja e federatave multietnike, si Bashkimi Sovjetik dhe Jugosllavia, pas rënies së Murit të Berlinit, ka krijuar një numër të madh shtetesh, të cilat ende sot ballafaqohen me sfidën e vështirë të demarkacionit të kufijve ndërshtetërore. Edhe fuqitë e mëdha e kanë goxha të vështirë për të arritur sot në kompromis për demarkacionin e kufijve me fqinjët. Për shembull, Rusia kufizohet nga 18 shtete dhe me vetëm 6 prej tyre ka një marrëveshje bilaterale për përcaktimin e kufijve, me të tjerët është ende në mosmarrëveshje.

Në rastin e ish-Jugosllavisë, falë komisionit të Badinterit, në fillim të viteve ‘90-të u ra dakord që kufijtë e shteteve të reja do të shkonin në përputhje me ndarjen që ekzistonte në federatë dhe kufiri i Kosovës në këtë rast është bërë në bazë të Kushtetutës së vitit 1974 . Unë kam dëgjuar shumë pretendime të kufijve me Malin e Zi të vitit 1913 apo 1931, apo të periudhave të tjera të hershme, mirëpo shtetësia e Kosovës dhe argumentet kryesore të bëra nga ne për pavarësinë e kanë referencën ligjore tek Kushtetuta e vitit 1974 dhe pakoja e Ahtisaarit e për rrjedhojë edhe kufiri do të jetë i tillë. Faktikisht për të siguruar vendimin e GJND-së që konfirmoi ligjshmërinë e pavarësisë sonë, ne kemi përdorur pikërisht statusin e Kosovës në Kushtetutën e vitit 1974. Kosova sot ka trashëguar dhe paguan një pjesë të borxhit ndërkombëtar dhe mban në fuqi një pjesë të konventave dhe traktateve ndërkombëtare të ish-Jugosllavisë, pikërisht mbështetur në statusin që Kosova ka pasur në atë Kushtetutë. Nëse ne do të ri-negocionim kufirin e vitit 1974 me Malin e Zi, ne do të hapnim një precedent jashtëzakonisht të rrezikshëm kur të bëhet në një të ardhme të afërt demarkacioni i kufirit me Serbinë. Kosova me këtë marrëveshje ka territorin e njëjtë dhe 12000 hektarët e pretenduar se i janë hequr Kosovës janë 120 kilometra katrorë që do të përbënin 1.1% e territorit të Kosovës ose një sipërfaqe më e madhe se e komunës së Obiliqit apo Fushë-Kosovës, kjo është përmasë tejet e madhe që bie lehtë në sy. Sot me teknologjinë e avancuar që kemi, të gjithë qytetarët kanë mundësi të shohin e kontrollojnë në hartat e “Google” në internet, nëse është ndryshuar apo jo territori i Kosovës.

A ishte e nevojshme që një çështje delikate, siç është kufiri, të trajtohej pikërisht tani me Malin e Zi?

Unë mund t’ju them që kjo ishte marrëveshja e duhur në momentin e duhur. Me marrëveshjen e sapo-firmosur me Malin e Zi, Kosova është në avangardë për sa i përket përcaktimit të kufijve me marrëveshje bilaterale, pasi me Shqipërinë e kemi të trashëguar nga koha e ish-Jugosllavisë, ndërsa pas marrëveshjeve me Maqedoninë dhe Malin e Zi, neve na ngelet vetëm një kufi ndër-shtetëror i papërcaktuar në mënyrë dypalëshe. Si një shtet i ri, që ka sfidë të subjektivitetit ndërkombëtar, meqënëse ka ende shtete që nuk ia njohin pavarësinë, pasja e kufijve të pakontestuar nga fqinjët është arritje e madhe. Në rajonin tonë ky është një problem i jashtëzakonshëm që mund të ketë implikime të mëdha për një vend, siç e demonstron rasti i Kroacisë. Ky vend, përveç kufirit me Hungarinë, që është demarkuar me një marrëveshje bilaterale të Jugosllavisë në vitin 1983, ende sot nuk ka asnjë kufi tjetër ndërshtetëror të përcaktuar mirë. Edhe marrëveshja e demarkimit që bëri me Bosnje Hercegovinën në 1999 ka ngelur e paratifikuar nga Parlamenti boshnjak, si pasojë e bllokadës së Republikës Serbe. Situata e çështjes së kufijve ndërshtetëror u bë veçanërisht serioze për Kroacinë lidhur me kufirin në gjirin e Piranit në vitin 2008, kur Sllovenia kërcënoi veton për anëtarësimin e kroatëve në NATO, si dhe bllokoi negociatat për anëtarësimin në BE. Situata u zhbllokua vetëm në nëntor të 2009-s, kur me negocimin e Brukselit dy palët ranë dakord që kufirin ta vendosnin me një arbitrazh ndërkombëtar. Njëherazi Kroacia u pajtua me Malin e Zi që çështjen e mosmarrëveshjes për kufirin e tyre ndër-shtetëror ta çonin në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Prandaj edhe momenti është i duhur, pasi Mali i Zi dëshiron të shmang situatën e Kroacisë dhe të eci përpara me negociatat e integrimit evropian, duke i treguar Brukselit se nuk ka asnjë çështje të hapur me fqinjët. Kjo gjë siguroi edhe vullnetin e Podgoricës për të qenë sa më konstruktive dhe e shpejtë në procesin e demarkacionit. Duke patur parasysh politikën e brendshme malazeze, në rrethana të tjera ku nuk do ishte integrimi evropian e faktori ndërkombëtar në pyetje, ky proces mund të ishte zvarritur e të kishte hasur hezitime, sikurse ndodhi deri diku edhe me hezitimin për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Nuk është rastësi që në korrik partia opozitare Partia e Popullit e komunitetit serb në Mal të Zi doli ashpër kundër demarkacionit të kufirit me Kosovën, duke e quajtur sulm ndaj integritetit territorial e sovranitetit të Malit të Zi dhe kritikuar kryeministrin Gjukanoviç e presidentin Vujanoviç si përgjegjës për këtë shkelje.

Presidente Jahjaga dhe shumë aktorë të tjerë publikë kanë bërë thirrje për dialog mes mazhorancës dhe opozitës. Si e shikoni ju daljen nga kjo krizë aktuale në Kosovë?

Fillimisht duhet sqaruar që kjo është një luftë për pushtet e liderëve të opozitës, të cilët ende kultivojnë frustrim për dështimin e projektit VLAN, që synonte të zëvendësonte kutitë e votimit me ujditë e tavolinave. Ata e përdhosin Kuvendin, sepse ende nuk e kanë pranuar verdiktin e popullit në zgjedhjet parlamentare dhe në pamundësi për të ardhur në pushtet nëpërmjet votave, duan të vijnë nëpërmjet rrugës. Po ashtu radikalizmi i palogjikshëm i opozitës shpjegohet edhe me përpjekjen e këtyre liderëve për të larguar vëmendjen dhe shmangur përgjegjësinë personale nga dështimi i njëpasnjëshëm elektoral i tyre. Unë kam qenë vetë lideri i opozitës së Kosovës një dekadë më parë dhe i kuptoj mirë rrethanat, por edhe vështirësitë që has kur je jashtë pushtetit. Mirëpo ne në opozitë, jo vetëm që kemi qenë konstruktiv kur ka ardhur puna tek negociatat e Vjenës në kuadër të grupit të unitetit, por edhe kemi qenë shumë të duruar, duke punuar deri sa siguruam një ofertë më të mirë politike, që na mundësoi rotacionin e pushtetit të vitit 2007. Marrëveshjet me Serbinë dhe demarkacioni kufitar janë veç arsyetime për të justifikuar rrugën e dhunës, sepse opozita ka dalë në protesta dhe përdorur dhunë që në fillim të këtij mandati qeveritar. “Vetëvendosje”, pak ditë pas krijimit të qeverisë së re në dhjetor të vitit të kaluar, organizoi një protestë të dhunshme ndaj një biznesi privat, duke gjetur si mesele bojkotin e mallrave serbe. Mandej në fillim të janarit organizuan protesta të dhunshme për ligjin e Trepçës dhe për largimin e ministrit Jabllanoviç. Në shkurt mandej dolën e demonstruan për largimin e emigrantëve ilegalë, pra duket qartë që më shume se sa çështja, atyre u intereson protesta në vetvete. Daljen në rrugë për çfarëdo motivi nuk e kanë mjet, por qëllim. Kam përshtypjen që “Vetëvendosje” nuk e kupton ose nuk e pranon sistemin liberal demokratik që po përpiqemi të konsolidojmë në Kosovë. Në këtë sistem, vullneti i votës së popullit dhe kushtetutshmëria janë supreme. Mua më vjen keq që këtij mentaliteti i janë bashkuar edhe partitë e tjera opozitare. Nëse bëjmë një paralelizëm me tregun, në tregun politik partitë kanë rolin e ofertës, ndërsa qytetarët, shoqëria civile, media, etj përbëjnë kërkesën.

Partitë politike dhe politikanët kanë për detyrë që të përmirësojnë ofertën politike, të konkurrojnë me një ofertë alternative më të mirë, të tërheqin votues e mbështetës, duke u ofruar një model qeverisës më cilësor dhe efikas. Unë dhe shumë kolegë të mi fare lehtë mund të dalim rrugës për të shprehur pakënaqësinë me situatën dhe për të nxjerrë kërkesa të panumërta, pasi me të vërtetë populli ynë ka nevoja të mëdha. Mirëpo unë kam zgjedhur të bëhem politikan, të marr përgjegjësi, të ofroj një zgjidhje apo një alternativë dhe jo vetëm të ankohem apo kërkoj në rrugë. Nëse lidershipi i “Vetëvendosje”-s nuk do që ta respektojë vullnetin e votave të dhëna në garën ku ka marrë pjesë dhe nuk është e gatshme të ofrojë alternativë e zgjidhje, por vetëm të dalë me kërkesa, mbase bën mirë të rikthehet në shoqatë joqeveritare e mos të marrë pjesë fare në procese zgjedhore.

Së fundmi, një pyetje e paevitueshme lidhur me kualifikimin e ekipit kombëtar të futbollit të Shqipërisë në “Euro 2016”, ku edhe lojtarët nga Kosova kanë rolin e tyre. Në aspektin personal, si e përjetuat këtë ngjarje dhe ndeshjen me Serbinë? A keni menduar ta ftoni në Kosovë ekipin kombëtar të Shqipërisë?

Ekipi i Kombëtares së Shqipërisë, në Prishtinë është në shtëpinë e vetë e nuk ka nevojë të marrë ftesë për të ardhur. Ndeshjen me Armeninë e kam ndjekur me shumë ankth dhe kam ndjerë një kënaqësi të jashtëzakonshme për kualifikimin në “Euro 2016”. Është veçanërisht domethënëse që goli i parë pati firmën e kosovarit Gashi, i dyti u bë nga Gjimshiti, i cili vjen prej Tërnocit të Luginës së Preshevës dhe goli i tretë i vulosjes së fitores u bë nga elbasanlliu Armando Sadiku. Pas kësaj fitoreje diskutoja me djalin tim se si në gara të mëdha ndërkombëtare në nivel evropian apo botëror, ishim të ndarë mes miqve e familjarëve për sa u përket skuadrave që simpatizonim, dikush bëhej me Gjermaninë e dikush me Zvicrën. Tanimë më në fund nuk kemi asnjë dyshim se cilën skuadër do të mbështesë çdo shqiptar në Kampionatin Evropian të vitit që vjen. Ndërkaq ne po punojmë me përkushtim për anëtarësimin e Kosovës në UEFA dhe FIFA dhe jam i bindur që në një të ardhme të afërt në garat ndërkombëtarë më prestigjioze do të marrin pjesë edhe ekipet kosovare. /Shekulli/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat