Dervishi, tregonë për një prej kampeve më famëkeqe atë të internimit në Tepelenë - ku u zhdukën 300 fëmijë

Bota e Yjeve

Dervishi, tregonë për një prej kampeve më famëkeqe atë të internimit në Tepelenë - ku u zhdukën 300 fëmijë

Nga: Intervistoi Beqir SINA Më: 10 shtator 2015 Në ora: 14:15

NEW YORK : Kastriot Dervishi lindi në Elbasan më 6 shkurt të vitit 1972, është historian i njohur shqiptar.

Të gjitha nivelet e arsimit i kreu në qytetin e lindjes, diplomoi për histori në Universitetin "Aleksandër Xhuvani". Që nga viti 1999 është redaktor i faqes historike të gazetës së përditshme "55" në Tiranë, dhe boton materiale historike të dokumentuara në seksionin Dosier .

Ai lëvron gjithashtu kritikën dhe analizën politike, në mediume të ndryshme në Shqipëri, si dhe është studiues i historisë moderne të Shqipërisë dhe veçmas i asaj politike.

Një vend i posaçëm në studimet dhe materialet arkivore të Kastriot Dervishit zënë edhe fotografitë, orogjinale ruajtur me shumë kujdes prej tij - prej krijimit të shtetit shqiptar selitë e Këshillit të Ministrave si dhe ministrive kryesore.

Dervishi, është autor i 9 librave përfshirë librin "Elbasani - Enciklopedi" (Elbasan, 2003), si dhe i "Fjalorit Enciklopedik Shqiptar" (në proçes).

Ka përfunduar studimin "Shërbimi sekret shqiptar" 1922 - 1944", si dhe botime të tjera në vijimësi :
Shërbimi sekret shqiptar 1922-1944 - Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005 - Masakra në Çamëri (libër) - Plumba politikës - Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet.

Me rastin e ditës Ndërkombëtare të personave të zhdukur nga rregjimi komunist, në një prej kampeve më famëkeqe atë të internimit në Tepelenë, një aktivitet përkujtimorë ku u inagurua edhe memoriali kushtuar personave që jane vendosur në varrë pa emër, të cilët humbën jetën gjatë internimit në këtë kamp, në folëm me zotin Dervishi, i cili i ka kushtuar disa studime këtyre burgjeve dhe kampeve të interrnimit në kohën e rregjimit komunist të Enver Hoxhës.

-Zoti Dervishi ju vazhdimisht në shtypin shqiptar keni hedhur materiale shumë interesante nga jeta e të persekutuarve gjatë regjimit komunist - madje keni botuar disa libëra me studime rreth rregjimit komunist në Shqipëri. Çfarë ka mbetur ende nga këto materiale që po zbuloni ju?

Personalisht do të jem aktiv në disa botime të tjera që lidhen specifikisht me diktaturën komuniste. Ka qenë një kohë e zezë 50 vjeçare, e cila i solli mjaft dëme Shqipërisë dhe që duhet dokumentuar sa më shumë. P.sh. në planet e mia është studimi i grupit të dënuar politik. Në Shqipëri ka raste të llahtarshme të dënuarish që kanë bërë 20 – 30 vjet burg. Në ish RDGJ-në kishte gjithsej 2 të dënuar me 8 vjet burg që i mbanin si heronj të mëdhenj. Përgjithësisht dënimet politike atje ishin 1 – 18 muaj. Asnjë person nuk ishte varur apo ekzekutuar, me përjashtim të të vrarëve në murin e Berlinit. Për këtë arsye, diktatura në Shqipëri është e krahasueshme vetëm me ish Bashkimin Sovjetik. Çdo krahasim me vendet të tjera, nuk i përgjigjet asnjë realiteti. Po ashtu kam tema të tjera nga Sigurimi i Shtetit, etj.

-Nga materialet që ju keni gjetur deri tani si do ta quanit atë kamp "Kampi i shfarosjes në Tepelenë" apo "Kampi i internimit në Tepelenë" ?

Tashmë unë kam përfunduar një studim të plotë për kampet dhe burgjet e Shqipërisë komuniste. Në këtë studim përfshihet edhe kampi i Tepelenës i cili ka funksionuar në vitet 1949 – 1953.
Historia e kampeve tela me gjemba në Shqipëri i takon marsit të vitit 1945. Regjimi komunist kishte përcaktuar dy kampe të përqendruara internimi. U përzgjodhën vendet e në mënyrë artizanale filloi ndërtimi (rrethimi me tel) i tyre. Kruja dhe Berati ishin vendet e para ku u përqendruan të internuarit. Ata që ishin nga jugu dërgoheshin në veri dhe e kundërta. Territori ku ishte shtrirë kampi ishte një vend i rrethuar me tela me gjemba i ruajtur nga anët kryesore me roja të armatosura. Kampet ishin të përshtatura në godina të vjetra, si depo repartesh, magazina ose baraka të përshtatura pa asnjë mjet jetese. Karakteristikë e jashtme e kampeve ishte mjerimi i gjithanshëm, i cili shihej më shumë në të internuarit e leckosur, duke marrë pamjen e një jetimoreje apo azili pleqsh të braktisur e harruar. Internimi në kampe tela me gjemba bëhej nga komandat e vendit, strukturat e ushtrisë komuniste. Në vitet 1945 – 1949 këto internime nuk kishin as bazë ligjore. Ato kanë formën banditeske të rrëmbimit të personit dhe mbylljes së tij në një vend larg vendbanimit të tij. Udhëtimi në kampe në të shumtën e rasteve bëhej në këmbë. Të internuarit konsideroheshin si bagëti në kuptimin e plotë të fjalës. Qëndronin nga njëri stacion në tjetrin derisa të arrinin në kamp. Në kohën kur u zgjodhën këto kampe, u përllogaritën të internoheshin persona që nuk ishin drejtpërdrejt fajtorë, por ishin të afërm të personave të padëshiruar të regjimit. Kësisoj ata që u internuan në këto kampe ishin trashëgimtar ose të afërt të:
-Të të arratisurve brenda apo jashtë Shqipërisë
-Të të burgosurve politikë
-Të partizanëve të dezertuar nga ushtria komuniste
Me internimet në vitet 1945 – 1949 janë marrë forcat e ushtrisë, kryesisht Divizioni i Mbrojtjes së Popullit, forca operative kriminale e diktaturës. Në vitin 1949 doli dekreti i parë i internimeve dhe fillon punën komisioni i internimeve dhe konfiskimeve pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. pra komisioni merrej edhe me konfiskimet.
Kampi i Tepelenës ka filluar të funksionojë në maj 1949 dhe ka funksionuar deri në tetor 1953. Ka pasur dy numra, në fillim 4 e më pas 6. Komandant si në Berat ashtu edhe në Tepelenë ka qenë Xhaferr Pogaçe (deri në vitin 1952), bëmat e të cilit i denoncoi edhe qeveria amerikane në OKB në vitin 1955. Mendoj që Tepelena ishte një kamp vdekjeje.

-A mundet të nxirrni një konkluzion përse u zgjodh ky vend në Tepelenë? Për të dërguar atje anëtarët e familjeve më të mira shqiptare.

Jo nuk ka arsye të veçanta, por vetëm ato të mjedisit të gatshëm që kishte atje. Unë nuk do pëlqeja që theksi të vihej vetëm te një kamp, por te të gjitha ato, ndonëse Tepelena është simbol i kampeve me tela me gjemba. Ky vit shënoi edhe 70 vjetorin e këtyre kampeve dhe ishte rasti për të bërë një përkujtesë të përgjithshme të tyre. Është Kruja, Berati, Valiasi, Cërriku, Katër Rrugët e Shijakut, Porto – Palermo, Kuçova, Kuçi i Vlorës, etj, vende ku kanë vuajtur të internuarit e që nuk duhen lënë në harresë. Për rastin që pyesni, them se në atë kohë, Drejtoria e Punëve të Brendshme Berat, përfshinte brenda saj edhe Tepelenën. Kampi i Beratit u zhvendos në Tepelenë brenda juridiksionit të kësaj drejtorie. I favorshëm ka qenë fakti se në këtë kamp ekzistonin disa godina ku mund të futeshin “rifuxhio” të dënuarit.

-Duke parë këto dokumente cilat ju kanë bërë më përshtypje?

Dokumentacioni në lidhje me kampet tela me gjemba është shumë i vogël. Administrata komuniste e kohës, e përbërë prej një tufe injorantësh e kriminelësh nuk ka lënë shumë dokumente. Ky fakt del edhe në raportet e kohës ku thuhet se kjo administratë nuk ka di të shkruajë apo mbajë dokumente. P.sh. në mbledhjen e datës 7.4.1951 të Drejtorisë së Policisë Popullore vërehej se “veçanërisht sektori i internimeve” ishte dobët nga pikëpamja administrative dhe e mbajtjes së dokumentacionit. Megjithatë, unë kam shfrytëzuar çdo gjë të mundshme, çdo thërrime, qoftë burim i dorës së dytë apo të tretë.
Nuk kemi trashëguar asnjë foto nga ajo kohë. Për fat të mirë kanë qenë skicat e z.Lekë Pervizi që na kanë dhënë një ide mbi pamjen e brendshme të kampit.
Po ju citoj një raport të datës 30 korrik 1951 të Degës së Kampeve e Burgjeve të Drejtorisë së Policisë Popullore në Ministrinë e Punëve të Brendshme: “Në kampin e internimit të Tepelenës kemi një sasi njerëzish që janë pothuaj krejt të zhveshur pse janë nga veriu dhe se kanë një pjesë të gjatë që rrinë në kampe (u duken mishrat). Qëndrimi i tyre i zhveshur nuk bën qëndrim të mirë politik”.
Po ju përmend një njoftim tjetër zyrtar. Më 10.11.1949 komunikata ditore e MPB-së, njoftonte vdekjen në Tepelenë nga TBC-ja e 5 vjeçares Zore Rushit Krosi nga Gjorica e Dibrës, e 89 vjeçarit Gjelo Ded Prenga dhe 70 vjeçares Dile Shkurt Ndreca nga dizenteria. Siç edhe shihet moshat janë të ndryshme. Cili regjim në botë do kishte frikë nga këto mosha përveç atij komunist.

-Cila sipas jush ka qenë pjesa më e dhimbshme?

Padyshim internimi i fëmijëve. Kampet tela me gjemba përbëheshin në shumicë nga fëmijët, gratë e pleqtë. Përfytyroni vetëm depresionin psikik që përjeton një fëmijë, një vuajtje që e përjeton gjithë jetën. Kam takuar shumë ish të internuar që kanë qenë të vegjël në kohë në këtë kamp. Edhe në moshë të pleqërisë, u lexohej vuajtja e fëmijërisë.
I ashtuquajturi “pushteti popullor”, nuk ishte gjë tjetër veçse një pushtet frikacakësh dhe kriminelësh. Të dhënat e shtatorit 1947 flasin se në të dy kampet e internimeve të Krujës e Beratit ndodheshin 895 të internuar, prej të cilëve 193 burra, 324 gra dhe 372 fëmijë. Tragjedia e ndodhur me fëmijët në këto kampe është padyshim pjesa më e dhimbshme dhe jo shumë e njohur ndërkombëtarisht. Sëmundjet po ashtu bënin kërdinë dhe vdekjet janë në shifra të larta. Përfytyroni këto të internuar që kanë punuar duke bartur dru me kilometra larg sikur të ishin kafshë, etj, etj.

-Si studiues me kë do ta krahasoje këtë kamp?

Vetëm me kampet e nazizmit dhe ato të bolshevizimit rus, por kam frikë se ato kanë qenë pak më mirë se kampet e Shqipërisë.

-Përse nuk dalin në dukje edhe persekutorët - nëpërmjet dokumenteve që kanë mbetur nga kampi i internimit në Tepelenë, por vetëm vuajtësit?

Që të jemi më konkretë. Asnjë prej persekutorëve të këtyre kampeve nuk jeton më. Edhe unë që kam hetuar shumë për këtë çështje, kam gjetur një pjesë të emrave të tyre. Të tjerë i kam mësuar nga personat që kanë vuajtur në këto kampe. Sot jetojnë bijtë e tyre. I keni nëpër poste shtetërore, natyrisht e kanë pasur për krenari atë që kanë bërë baballarët e tyre. Sot ne na jepet si rast, dënimi i komandanti kampi në Rumani. Për hir të së vërtetës, ato që jetojnë në Shqipëri janë punëtorët operative të Sigurimit të Shtetit, që kanë shërbyer në kampet e fundit si ato të Lushnjës. Pavarësisht se këto nuk kanë qenë me tela me gjemba, kanë qenë brenda një sipërfaqe të kufizuar. Të gjithë të internuarit i njohin fare mirë kush kanë qenë. Mund të duket habi, por pjesa që nuk e ka kapur pensioni është në detyra shtetërore. Ata që i ka kapur, nuk mërziten pasi janë fëmijët e tyre atje.

-Si mund të bëhet ky kamp dhe të tjerët, si dhe burgjet e diktaturës - qendra për vizitorët si në disa vende ish komuniste në Europën juglindore ?

Tepelena është i vetmi vend që mund të shërbejë si vend tregimi për të kaluarën komuniste. E rëndësishme është të ruhen barakat nga shembja, të rrethohet vendi në tela me gjemba, si dhe të ndërtohet pjesa e brendshme sipas skicave të z.Pervizi. Por kjo nuk do të thotë që në vendet e tjera nuk mund të vendoset p.sh. pllaka përkujtimore. Asgjë nuk është e tepërt. Shpenzimet janë minimale. Por këtë nuk mund ta bëjnë fëmijët apo nipat e persekutorëve.

-A mendon se anëtarët e këtyre familjeve - kanë marrë atë që e meritonin dhe kanë vendin që u takonte sot në demokraci?

Kur themi atë që u takojnë e keni fjalët për dëmshpërblimin financiar. Mendoj se jo. Ligji i vitit 2007, duke kërkuar dokumentacion arkivor të viteve 1945 – 1953, ka përjashtuar pjesën më të madhe të të internuarve nga përfitimi financiar. Ky dokumentacion nuk ekziston në masën 95%. Dokumentacioni që është trashëguar është ai i lirimeve të vitit 1953, si dhe disa vendime simbolike të viteve 1950 – 1952. Po ashtu në metodologjinë e regjimit komunist, edhe vitet e tjera kurrë nuk shënoheshin fëmijët si të internuar. Këtij fakti i shtohet edhe një më i dhimbshëm: asnjë fashikull të internuarish nuk është arkivuar.
Në këto kushte, për personat që jetojnë duhej njohur nëpërmjet një riverifikimi shtetëror, vendimmarrja e komisionit trepalësh, ajo e viteve 1994 – 1996 dhe besoj se në pjesën më të madhe zgjidhja do ishte pozitive. Deri më sot është dëmshpërblyer vetëm një kategori personash nga vendimi i vitit 1953. Po ashtu nuk përfitojnë asgjë të internuarit pas vitit 1954. Për ta është parashikuar një shtesë pensioni, por që nuk dihet sa do jetë. Mirëpo edhe këtu ka mjaft persona që janë “urbanizuar” në vendet e internimit e që nuk rezultojnë me masë internimi. Zgjidhje ka, mjafton të ketë vullnet.
Unë kam një përvojë të madhe në këtë proces, pasi gjithë dosjet e dëmshpërblimeve, mbi 20 mijë të tilla, kanë dalë prej duarve të mia, punonjësve të Arkivit të Ministrisë së Brendshme dhe specialistëve të Ministrisë së Drejtësisë. Natyrisht duhet të qesh kur shoh sot ministra që krenohen se po japin këstin e radhës, sikur gjërat të kishin qenë gati dhe me buton.

Në pjesën biografike, të Kastriot Dervishit janë edhe këto të dhëna:

Librat :

-“Elbasani – Enciklopedi” (Elbasan 2003), (bashkautor)
-“Historia e Shtetit Shqiptar 1912 – 2005”, Tiranë 2006, 955 faqe
-“Shërbimi sekret shqiptar 1912 – 1944” (Tiranë 2007)
-“Fjalori Enciklopedik Shqiptar” (Tiranë 2009) – botim i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë (autor zërash).
-“Historiku i Prefekturës së Tiranës”, Tiranë 2007.
-“Plumba politikës. Historitë e përgjakjes së politikës shqiptare” Tiranë, 2009
-“Masakra në Çamëri. Përmbledhje dokumentesh”, Tiranë 2009
-“E vërteta e panjohur e një procesi”, (Shqipëria në vitet 1944 – 1948 sipas procesit kundër Koçi Xoxes), Tiranë 2010
-“Kryeministrat dhe ministrat e shtetit shqiptar në 100 vjet”, Tiranë 2012
-“Sigurimi i Shtetit 1944 - 1991”, Tiranë 2012
Funksionet shtetërore:

2006 –2007 drejtor i Trashëgimisë Kulturore në Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
2007 – 2014 drejtori i Arkivit të Sistemit të Ministrisë së Punëve të Brendshme
Funksione të tjera shtetërore në vitet 2007 – 2014:

-Anëtar i Komisionit Qendror të Ekspertizës dhe anëtar i Këshillit të Lartë të Arkivave pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave.
-Kryetar i Komisionit Qendror të Ekspertizës në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
-Nënkryetar i Komisionit të Deklasifikimit dhe Zhvleftësimit të Informacionit të Klasifikuar Sekret Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
-Anëtar i Komisionit të Shqyrtimit të Informacionit të Klasifikuar Sekret Shtetëror në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
-Anëtar i komisionit të përbashkët shqiptaro – grek të vrarë në vitet 1940 – 1941.
-Anëtar i Komisionit të Deklasifikimit në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme.
-Anëtar i Këshillit Shkencor të Muzeut Historik Kombëtar.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat