Ekskluzive/ Flet Eduart Ndocaj: Me vapën iku Tusha e me freskun e shtatorit do të ikin edhe të tjerë

Bota e Yjeve

Ekskluzive/ Flet Eduart Ndocaj: Me vapën iku Tusha e me freskun e shtatorit do të ikin edhe të tjerë

Më: 11 gusht 2015 Në ora: 11:38

Z. Ndocaj, dje u mblodh Këshilli i Ri bashkiak në Lezhë dhe me një ceremoni të thjeshtë, por domethënëse z. Viktor Tusha i dorëzoi postin e kryetarit z. Frokaj. Ju ishin i pranishëm dhe si e përjetuat këtë moment?

Eduart Ndocaj: E hëna është një ditë e shënuar për Lezhën, sepse më fund pas 8 vitesh menefregizëm, pazaresh, abuzime me detyra dhe braktisje të qeverisjes vendore, Lezha u kthehet lezhjanëve. Fitorja e Lezhës ishte shumë e rëndësishme dhe një sinjal për gjithë Shqipërinë. Sinjali ishte i qartë bashkimi kundër të keqes të përbashkët bën fuqinë. Kryetari i ri z. Frokaj është energjik, kreativ dhe me eksperiencë të mirë në qeverisjen vendore. Ai është alternativa e duhur.

Z. Ndocaj, ju jeni zv. Kryetar i PDK-së dhe Kryetar i FDSH-së (Frontit Demokristian Shqiptar), që po dëshmohet si një lëvizje mjaft interesante në kohezionin politik shqiptar. Megjithatë, përtej faktit se jeni zv. Kryetar i PDK-së, ju z. Ndocaj, dukeni se keni më shumë karakterin tuaj politik, duke dëshmuar shumë herë se nuk bëni kompromise politike, kur bëhet fjalë për interesat e vendit dhe të qytetarëve. Kjo u duk qartë në faktin, se ju u rreshtuar përkrah koalicionit të Djathtë, edhe pse PDK kishe nënshkruar marrëveshje me koalicionin e Majtë. Ç’mund të thoni për këtë vendim tuajin?

Ndocaj: Rasti im në Shqipëri është i pari në llojin e tij dhe në sistemin politik shqiptar. Unë, dëshmova se ideologjia dhe pasionet politike nuk janë më të rëndësishme se interesat e qytetarëve. LSI është një model që nuk përfaqëson interesat e qytetarëve dhe të vendit. Këtë e kemi parë shumë mirë në Lezhë. Lezha ishte kthyer në një qytet, ku pasuroheshin vetëm disa burokratë dhe qytetarët jetonin në varfëri e pa shërbime. Në këto kushte unë me linjën time personale politike që kam ndjekur vazhdimisht nuk mund të vazhdoja më. Nuk mund të isha me koalicionin e Majtë në Lezhë, sepse Lezha kishte nevojë për reformim, ndryshim dhe mbi të gjitha për rotacion. Këto kanë qenë sloganet e mia. Me vendimin tim politik të mbajtur në Lezhë nuk bëra gjë tjetër veçse respektova sloganet e mia.

Si e vlerësoni situatën politike në vend meqë folëm për çështje aleancash e marrëveshjes? Situata politike në vend është drejt një kohezioni të gjerë e të ashpër. Shtatori pritet të jetë muaji i tronditjeve të mëdha politike që do të ndodhin për shkak të lëvizjeve e aleancave të reja. Shumë flitet për një prishje PS e LSI.

Ndocaj: Populli thotë se: aty ku flitet shumë nuk është pa gjë. Unë, nuk dua të jap detaje të mëtejshme, por aq sa di unë ju them se: disa gjëra që thuhen e shkruhen në media janë të vërteta e do të ndodhin në shtator.

Ju z. Ndocaj njiheni si njeri mjaft aktiv në jetë dhe në politikë. A do të jeni aktiv edhe ju në tronditjet e shtatori?

Ndocaj: Haha..!!! Emergjente për mua dhe për koalicionin fitues në Lezhë është Bashkia e Lezhës, ristrukturimi, modernizimi dhe nisja në zbatim të shumë projekteve e nismave që kanë për qëllim për të përmirësuar shërbimet e për të modernizuar Lezhën. Lezha, Shëngjini dhe zonat përreth që me ndarjen e re administrative bëjnë pjesë në Bashkinë Lezhë, nuk mund të vazhdojnë të trajtohen nga Qeveria si të njerkës. Ne kemi qenë në Opozitë me Pozitën, tashmë që jemi fitues, edhe ne jemi Pozitë e për të mirën e qytetarëve, Qeveria e Tiranës duhet të vazhdojë bashkëpunimin me ne në pjesën e kompetencave të përbashkëta mes Pushtetit Vendor e atij Qendror. Nuk ka kuptim që Shëngjini të mos ketë uji e drita e ju garantojmë se ky do të jetë sezoni i fundit që ka probleme të tilla. Po ashtu, unë kam investuar gjithmonë politikisht dhe ekonomikisht për gjithë Shqipërinë. Kështu angazhimi im politik është kombëtar e nuk mjaftohem me Lezhën. Lezha është shtëpia jonë e fillimisht duhet ta rregullojmë atë për të dhënë model edhe për të tjerët, por nuk do të rri vëzhgues dhe mënjanë në ngjarjet e bujshme politike që do të ndodhin në shtator. Tani për tani jam në një fazë studimi të shumë ofertave që më kanë ardhur. Nuk bëj asnjë hap nëse angazhimi im do të tradhtojë interesat e qytetarëve.

Flitet se marrëdhëniet tuaja me Kryetarin Ndoka nuk janë në nivelet e duhura. Mos lidhet kjo me qëndrimet tuaja politike në Lezhë?

Ndocaj: Marrëdhëniet e mia me Kryetarin Ndoka janë marrëdhënie institucionale. Ne jemi aty për të përfaqësuar interesat e demokristianëve dhe të atyre që na kanë besuar përmes votës. Mëritë personale janë të parëndësishme përballë misionit e përgjegjësive që kemi pranuar t’i ngarkojmë mbi shpatulla. Në lidhje me qëndrimet e mia në Lezhë jam konsultuar vazhdimisht me z. Ndoka dhe për çdo gjë biem dakord.

Të kalojmë pak tek koha juaj e lirë. A keni shumë kohë të lirë, apo më shumë kohë nga ju merr politika e biznesi?

Ndocaj: Unë, nuk preferoj të pushoj shumë. I urrej pushimet e jam mësuar gjithmonë të angazhohem. Politika e Biznesi marrin shumë nga koha ime. Megjithatë, unë jam familjarë dhe si i tillë jam i detyruar tu kushtojë kohë e vëmendje edhe fëmijëve apo edhe miqve e të afërmve. Pjesën më të madhe të kohës e kaloj në Shëngjin. Megjithatë, vazhdimisht ndjek ngjarjet e situatat që ndodhin.

Z. Ndocaj, ju falënderojmë që na kushtuat pak kohë për këtë intervistë në këto ditë të nxehta gushti.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat