Hantke: “Nevojitet një konsensus i përgjithshëm për reformën në drejtësi”

Bota e Yjeve

Hantke: “Nevojitet një konsensus i përgjithshëm për reformën në drejtësi”

Më: 11 korrik 2015 Në ora: 10:40

Drejtori i Fondacionit Friedrich Ebert për Shqipërinë në një intervistë ekskluzive për Deutsche Welle-n komenton mesazhet e kancelares Angela Merkel gjatë vizitës në Tiranë.
DW: Zoti Hantke, si një qytetar gjerman që punoni prej vitesh në Shqipëri, çfarë përshtypjesh keni nga vizita në Tiranë e Kancelares Angela Merkel?

F. Hantke: Që ishte një sinjal shumë i rëndësishëm në kohën e duhur. Pikërisht rreth 6 javë përpara mbajtjes së Samitit të Vjenës për Ballkanin Perëndimor është theksuar që Gjermania, dhe Bashkimi Evropian janë ende të shumë të interesuara në integrimin e gjithë Ballkanit. Kancelarja Merkel dhe për më tepër Sekretari i Shtetit, z. Baake, dhanë mesazhin e duhur për pjesmarrësit në Forumin e Tetë Ekonomik Shqiptaro-Gjerman të ditës së mërkurë, se është në dorë të Ballkanit tashmë për të hedhur hapat e tjerë të nevojshëm për përmbushjen e kushteve për integrimin dhe BE-ja është duke pritur për këtë. Në këtë kuadër, nuk do të ketë vendim të ‘vullnetit të mirë” në favor të njërit apo tjetrit vend.

DW: Një nga çështjet kryesore në agjendën e Kancelares ishte bashkëpunimi ekonomik mes dy vendeve. Çfarë është e nevojshme të ndryshojë në Shqipëri për të pasur një prezencë më të madhe të investimeve gjermane?

F. Hantke: E vetmja bazë lidhet me plotësimin e kërkesave të BE-së. Të dy kryeministrat përmendën për Shqipërinë reformat në administratë dhe në drejtësi, si dhe luftën kundër korrupsionit, pastrimit të parave, apo trafikut të qënieve njerëzore. Gjatë punimeve të Forumit u përmendën dhe disa pengesa reale për investimet, jo vetëm për sipërmarrjet gjermane: funksionimi vetëm pjesërisht i administratës, mungesa e sigurisë ligjore, një infrastrukturë akoma jo efikase, gjithashtu dhe mungesa e punëtorëve të mirëkualifikuar, veçanërisht në sektorin joakademik.

DW: Kancelarja Merkel ka përsëritur disa herë gjatë vizitës në Tiranë domosdoshmërinë e kryerjes së reformës në drejtësi. Deri tani ky proces ka vijuar vetëm me angazhimin e mazhorancës së majtë, pasi opozita nuk ka marrë pjesë në diskutim. Mendoni z. Hantke se do të jetë efektive dhe e besueshme një reformë e realizuar vetëm me pjesmarrjen e mazhorancës?

F. Hantke: Jo, nuk mendoj kështu! Nevojitet një konsensus i përgjithshëm për reformën në drejtësi. Në përgjithësi duhet të ketë një minimum të standardit të dialogut politik - dhe për më tepër një dialog social, duke përfshirë shoqërinë civile dhe organizatat e saj. Asnjë qeveri nuk do të jetë në gjendje të kryejë një reformë të qëndrueshme pa një konsensus të gjerë politik dhe pa mbështetjen aktive të qytetarëve. Vetëm me këtë përfshirje do të mund të rritet pranueshmëria e drejtësisë nga të gjithë. Një tjetër çështje e rëndësishme është kompetenca dhe kontrolli pa ndërprerje i ligjit nga organe të pavarura.

DW: Është e qartë se mes Shqipërisë dhe Gjermanisë ekziston një problem: rritja e numrit të azilantëve. Mendoni z. Hantke se ky fenomen do të detyrojë Gjermaninë dhe vendet e BE-së që të rikthejnë regjimin e vizave për qytetarët shqiptarë, të cilët duan të udhëtojnë në zonën Schengen?

F. Hantke: Nuk jam i sigurtë për këtë, nuk jam një ekspert i fushës. Sipas pikëpamjes time, nuk do të ishte e dobishme, për aq sa të gjithë e dimë se qytetarët që duan të hyjnë në vendet e BE-së do të gjejnë mënyra për ta bërë këtë, shumica në rrugë ilegale, e cila bart aktivitete kriminale, si trafiku i qënieve njerëzore etj. Veç kësaj kjo do të ishte një sinjal i keq në një kohë kur Shqipëria po kërkon për hapat e ardhshëm të integrimit.

DW: Meqë jemi tek integrimi, kjo ishte një temë kryesore në vizitën e Kancelares Merkel. Sipas pikëpamjes tuaj z. Hantke, cilat janë sfidat kryesore për vendin në këtë proces?

F. Hantke: Një pyetje e shkurtër e cila ka nevojë për një përgjigje shumë të gjatë. Në pikëpamjen time të dy palët duhet të punojnë për sfidat. Në përgjithësi duhet të rrisin të kuptuarit në gjashtë vendet ballkanike, që një qeverisje autoritare nuk të çon për nga integrimi. Duhet më shumë demokraci dhe më pak autokraci. Duhet sa më shumë të jetë e mundur dialog brenda „barkës“ në rrugën e integrimit. Mentaliteti se "fituesi merr gjithçka“ duhet të tejkalohet. Tjetër, duhet të jetë e qartë se procesi i integrimit gjithmonë është një proces i reformave të brendshme dhe jo një vendim politik i BE-së. Vetëm me reforma konkrete shtetet do të bëhen gati për të hyrë në BE si anëtarë të rinj të respektuar dhe mirëpritur. Në anën tjetër BE-ja së fundmi nuk është se po tregon anën e saj më të mirë. Shumë pjesë të të ashtuquajturit modeli Evropian Ekonomik dhe Social janë në rrezik dhe Unioni në përgjithësi po bëhet gjithnjë e më shumë një pamje neo-liberale. Veç kësaj, muajt e fundit gjithashtu po tregohet një lloj "ri-nacionalizimi" i politikës. Vizioni i një Unioni të përbashkët evropian duket të jetë në rrezik. Pasi ka qenë ideja e një Evrope të bazuar në kohezionin dhe bashkëpunimin ekonomik e social, por komponenti social mungon sipas këndvështrimit tim. Ky nuk është imazhi më i mirë dhe shumë njerëz në Ballkan tashmë ngrenë pyetjen, se përse ata duhet të jenë anëtar i një Evrope të tillë? Pra, në një farë mënyre, të dyja palët duhet të punojnë që ta bëjnë më tërheqës integrimin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat