Bushati: vizita e Merkelit, historike

Bota e Yjeve

Bushati: vizita e Merkelit, historike

Më: 5 korrik 2015 Në ora: 20:42

Të mërkurën kancelarja gjermane, Angela Merkel, pritet të nisë një turne në rajonin e Ballkanit. Ndalesa e parë do të jetë në Shqipëri, për të vijuar më pas me Serbinë dhe Bosnjën. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ministri i Jashtëm shqiptar, Ditmir Bushati, e vlerëson këtë vizitë si të një rëndësie historike jo vetëm për vendin e tij por dhe rajonin e të ardhmen e tij. Në Tiranë Merkeli do të marrë pjesë dhe në forumin ekonomik me sipërmarrës nga të dy vendet.

Z. Ministër, pas pak ditësh në Tiranë pritet vizita e kancelares gjermane Angela Merkel, një prej udhëheqësve kryesorë evropianë. Çfarë domethënie ka kjo vizitë?

Së pari është vizita e parë dypalëshe, apo vizita e parë një kancelari gjerman në Shqipëri, sepse ajo e kancelarit Shrëder ka qenë në kuadër të krizës në Kosovë. Është takimi i tretë që do të zhvillohet ndërmjet kancelares gjermane dhe kryeministrit Rama. Në këtë kontekst, vizita e kancelares gjermane në Tiranë merr një rëndësi historike për zhvillimin e marrëdhënieve dypalëshe, por dhe ecurinë e Shqipërisë dhe vendeve të tjera të rajonit në kuadër të procesit të integrimit evropian. Është një vizitë e cila do të ketë në qendër të vëmendjes jo thjesht marrëdhëniet dypalëshe në planin politik, ekonomik apo çështjet e sigurisë, por edhe zhvillimet në rajon duke qenë se kancelarja do të vizitojë edhe Serbinë e Bosnjën pa Shqipërisë.

Kancelarja pati një takim para disa ditësh dhe me kryeministrin e Kosovës. Tani Tirana, Serbia, Bosnja... Çfarë domethënie ka edhe për rajonin një vizitë e tillë?

Së pari, Gjermania në planin evropian konsiderohet si kontribuuesja kryesore në rajon gjatë këtyre 25 viteve. Së dyti, është e dukshme fuqia transformuese që Gjermania ka në rajon, roli i saj i shtuar, aq më shumë gjatë viteve të fundit, kur nga njëra anë duket sikur kemi një ngadalësim të proceseve të zgjerimit në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe në disa raste kemi një vëmendje deri diku sporadike ndaj Ballkanit Perëndimor duke e konsideruar këtë tashmë një histori gati të mbyllur, një histori suksesi. Nga ana tjetër, Gjermania duket se e ka kuptuar shumë qartë rëndësinë gjeoekonomike dhe gjeostrategjike që ka rajoni i Ballkanit Perëndimor, dhe kërkon një angazhim edhe më kapilar edhe më të strukturuar për të ngushtuar hendekun që ekziston sot për sot mes vendeve të rajonit dhe BE-së. Është po Gjermania e cila është duke investuar në rrugë diplomatike dhe politike për të lehtësuar dhe ndihmuar proceset e ripajtimit që kanë nisur në Ballkanin Perëndimor. Dhe është po Gjermania, e cila vjet, me iniciativën e kancelares Merkel, dizenjoi një program për vendet e Ballkanit Perëndimor, jo si zëvendësues ndaj rrugës apo procesit të integrimit evropian, por si ndihmues duke pasur parasysh gjithnjë nevojat me të cilat përballet rajoni ynë, mungesën e ndërlidhshmërisë, mungesën e komunikimit të plotë, mungesën e një bashkëpunimi rajonal të zhdërvjellët. Dhe shohim që pikërisht në këto fusha, të gjitha vendet po përpiqen të bëjnë progres, falë edhe mbështetjes gjermane.


Po përse gjithë ky interes i shtuar i Gjermanisë ndaj Ballkanit, i cili siç thatë dhe ju, gati-gati është në kontrast me atë të vetë Bashkimit Evropian?

Gjermania është vendi me peshën kryesore në BE, dhe besoj se ka kuptuar më së miri rëndësinë gjeopolitike dhe gjeoekonomike që ka Ballkani Perëndimor në raport me Evropën, me atë që konsiderohet BE. Kriza në Ukrainë, në Lindjen e Mesme, fenomenet e terrorizmit, fenomenet që kanë ndërtuar apo që kanë vënë në pikëpyetje arkitekturën e sigurisë evropiane, kriza greke e cila po shpërfaqet në të gjitha përmasat e saj, besoj se e kanë bërë Gjermaninë më të vëmendshme për t’u angazhuar së bashku me vende të tjera të BE-së, me institucionet e BE-së dhe me institucionet e tjera financiare ndërkombëtare, dhe pse jo me partnerë në botën e tregut privat, për të mbështetur një angazhim më të strukturuar të vendeve të Ballkanit Perëndimor, për ta transformuar Ballkanin Perëndimor në një rajon të vërtetë në kuptimin politik dhe ekonomik të fjalës, çka nuk është i tillë. Dhe Gjermania gjithashtu ka një interes të shtuar në rajonin tonë, gjë e cila shihet me pozitivitet nga të gjitha vendet e tjera të rajonit, për të mos lejuar asnjë boshllëk që mund të shfrytëzohej nga aktorë të tjerë.

Sa realiste janë shpresat e vendeve të rajonit ndaj këtij angazhimi të Gjermanisë, duke pasur parasysh dhe ato që ju përmendët, Konferencën e Berlinit, konferencën e radhës që pritet të mbahet në muajin gusht në Austri, për mbështetjen financiare që rajoni i Ballkanit kërkon për infrastrukturën, ndërlidhjen...?

Besoj se duhet të jemi shumë të drejtpërdrejtë dhe shumë të sinqertë me qytetarët shqiptarë. Ne nuk po presim një thes me pará në kuptimin figurativ të fjalës nga Gjermania. Ne do të duhet të bëjmë të gjitha detyrat e shtëpisë një më një. Shpresojmë dhe dëshirojmë të përfitojmë në radhë të parë nga kultura e punës gjermane, nga kultura e të bërit biznes, nga mënyra se si mund të përmirësojmë marrëdhëniet me njëri-tjetrin në rajon, falë mbështetjes gjermane, falë eksperiencës që Gjermania ka në këtë proces. Dhe ne gjithashtu shpresojmë që të kemi një vëmendje edhe më të shtuar gjermane për të zbatuar një më një të gjitha ato çështje për të cilat kemi rënë dakord vjet në konferencën e Berlinit, dhe të shkojmë në konferencën e Vjenës që do të jetë në vetëm pak javë, me një paketë të plotë projektesh për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat do të duhet të zbatohen në të ardhmen e afërt, dhe shpresoj jo në të ardhmen e largët. Dhe në këtë drejtim besojmë që ndihma dhe prania gjermane do të jetë instrumentale për të gjitha vendet e rajonit.

Duke u kthyer në marrëdhëniet dypalëshe. Gjatë vizitës së saj, kancelarja Merkel do të marrë pjesë së bashku me kryeministrin Rama dhe në një forum ekonomik. Sa është e gatshme Shqipëria të ofrojë garanci dhe siguri për investimet gjermane dhe praninë e kompanive serioze gjermane?

Ky është një proces në të cilin ne jemi të përkushtuar plotësisht. Është një proces i vështirë, sepse kërkon një vullnet të hekurt politik, kërkon ndërtimin e institucioneve të forta demokratike, institucioneve ligjzbatuese të cilat kanë një përgjegjësi në tërheqjen e investimeve të huaja, sidomos investimeve gjermane. Disa punë të mira janë bërë në këtë drejtim, edhe me inaugurimin e Parkut të Biznesit, edhe me takimin e madh të biznesit që do të organizohet në praninë e kancelares Merkel dhe kryeministrit Rama. Po punohet me palën gjermane në sektorë strategjikë të zhvillimit ekonomik të vendit, siç është telekomunikacioni, energjia apo portet dhe aeroportet. Dhe ne do të shpresonim e do të dëshironim që të punonim në hapjen e shtigjeve të reja për të mundësuar një prani edhe më të madhe të kompanive gjermane këtu. Dhe për të bërë biseda dhe aktivitete më të strukturuara, siç dhe kanë nisur, me landet gjermane, sepse dihet pesha e tyre dhe interesi për të qenë të pranishëm në këtë pjesë të Evropës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat