Thaçi: Beogradi nuk mund të vendosë për kodin e Kosovës - optimist se të hënën do të arrihen marrëveshjet

Bota e Yjeve

Thaçi: Beogradi nuk mund të vendosë për kodin e Kosovës - optimist se të hënën do të arrihen marrëveshjet

Më: 25 qershor 2015 Në ora: 07:49

Deutsche Welle: Zoti ministër, cilat janë shkaqet për dështimin e raundit të fundit në Bruksel, i cili nga shumë media, por edhe nga disa pjesëmarrës në delegacione, është paralajmëruar si "vendimtar" për afrimin e Kosovës dhe Serbisë me Bashkimin Evropian?

Hashim Thaçi: Unë nuk do ta quaja të dështuar takimin e fundit në Bruksel. Por ai ka qenë një takim shumë intensiv dhe jashtëzakonisht dinamik. Ka pasur një debat shumë të gjallë për katër-pesë çështje shumë të rëndësishme për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, si dy shtete të pavarura dhe sovrane. Ne kemi diskutuar dhe kemi shënuar një progres sa i përket formimit të asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe integrimit deri në fund të serbëve në institucionet e Kosovës. Ky asociacion do të jetë plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, me Marrëveshjen e Brukselit, të nënshkruar në vitin 2013 për normalizimin e raporteve Kosovë - Serbi si dhe në përputhje të plotë me ligjin e Kosovës për vetëqeverisjen e komunave. Të gjitha do të rregullohen mbi bazën e ligjeve të Kosovës. Asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë asnjë kompetencë legjislative apo ekzekutive. Por do të krijohen mundësi dhe rrethana që ky asociacion, sikur edhe asociacioni i komunave të tjera të Kosovës, të merret me kooordinimin e angazhimeve ndërkomunale sa i përket edukimit, ujësjellësit, ndërtimit të ndonjë rruge, ndonjë shkolle apo aktivitete të tjera. Kemi biseduar natyrisht edhe për disa çështje të tjera shumë me rëndësi për Kosovën...

DW: Zoti ministër, të ndalemi edhe pak tek asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse ky organizëm ka krijuar shqetësime tek një pjesë e popullatës por edhe tek disa insitucione, të cilat kanë shprehur frikën se në këtë mënyrë mund të krijohet një Republikë Serpska e re, e cila do të synonte shkëputjen nga Kosova. A është evituar kjo mundësi?

Hashim Thaçi: Deifinitivisht është evituar dhe nuk ka ndonjë pretendim që një gjë e tillë të realizohet. Asociacioni do të funksionojë sipas ligjeve të Kosovës dhe standardeve evropiane.
DW: Pra a do të ketë të drejta ekzekutive apo jo, sepse pala serbe ka deklaruar se do të kërkojë këto të drejta?

Hashim Thaçi. Po e ritheksoj edhe njëherë se asociacioni i komunave me shumicë serbe nuk do të ketë karakter legjislativ dhe as ekzekutiv. Do të regjistrohet në Kosovë dhe do të funksionojë sipas standardeve të cilat lejohen me Kushtetutën dhe ligjet e Kosovës.

DW: Ndër temat e tjera të cilat janë biseduar në raundin e fundit në Bruksel janë edhe telekomunikacioni dhe energjia. Deri ku keni mbërritur në bisedimet për këto probleme të mëdha?

Hashim Thaçi: Në këto çështje është shënuar progres dhe ka pasur vullnet të dyanshëm që këto çështje të mbyllen sa më shpejt që është e mundur - si telekomunikacioni ashtu edhe energjia. Janë shënuar përparime edhe në çështjet e tjera që janë paraparë të trajtohen në axhendën e takimeve, në veçanti kur bëhet fjalë për hapjen e urës mbi lumin Ibër. Por kanë mbetur të diskutohen edhe çështjet teknike dhe besoj se të hënën e ardhshme, në takimin e nivelit më të lartë, do të përmbyllen këto angazhime të përbashkëta.

DW: Zoti ministër, të flasim pak më konkretisht: ura mbi lumin Ibër është shndërruar në një prej simboleve të ndarjes së Kosovës prej përfundimit të luftës në vitin 1999. Kur do të largohet i ashtuquajturi "parku i paqëe" nga ura mbi lumin Ibër dhe kur qytetarët e të dyja anëve të Mitrovicës do të mund të lëvizin të lirë?

Hashim Thaçi: Ka mbetur që kjo çështje të diskutohet edhe në ditët e ardhshme. Por unë jam optimist se shumë shpejt do të rregullohet edhe kjo çështje dhe njerëzit do të kenë mundësi të lëvizin lirshëm mbi këtë urë dhe në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Kjo është e drejtë bazë e Kosovës, si pjesë e pandashme e procesit të demokratizimit të vendit, e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, e funksionimit të tolerancës dhe mirëkuptimit mes qytetarëve tanë. Ne mund të ecim përpara vetëm duke hapur rrugët e bashkëpunimit dhe jo duke ngritur barrikada apo pengesa për njëri-tjetrin.

DW: Zoti ministër, a mund të saktësojmë gjërat edhe për çështjen e telekomunikacionit, sepse kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka deklaruar se Beogradi nuk do të pranojë që Kosova të ketë kodin e saj telefonik. Sipas tij, kërkesën për një kod ndërkombëtar telefonik mund ta paraqesë vetëm Serbia, e cila më pas do t'ia jepte në shfrytëzim Kosovës....

Hashim Thaçi: Ajo çështje është punë e përmbyllur. Kosova do të ketë kodin e saj telefonik. Aktualisht jemi duke biseduar dhe duke u konsultuar edhe me vendet e treta, të cilët mund të ndihmojnë për zgjidhjen e kësaj çështjeje. Jemi duke biseduar në veçanti me Austrinë dhe disa vende të tjera. Serbia nuk mund të vendosë për këtë çështje. Këtë e vendosin institucionet e Kosovës në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Evropian.

DW: A pritni që këto çështje kaq të rëndësishme, siç janë: telekomunikacioni, energjia, largimi i barrikadave mbi lumin Ibër dhe asociacioni i komunave me shumicë serbe të përmbyllen ditën e hënë, kur në Bruksel do të mbahet takimi i radhës në nivelin më të lartë?

Hashim Thaçi: Unë pres me optimizëm ditën e hënë. Pres që të finalizohet dhe realizohet marrëveshja për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe. Poashtu pres që të arrihen marrëveshje edhe për telekomin, energjinë dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve mbi lumin Ibër.

DW: A është vetëm koincidencë e rastësishme, apo ka insistuar dikush nga qarqet ndërkombëtare që ky takim në Bruksel të mbahet para vizitës së delegacionit të Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Isa Mustafa në Berlin, ku do të takoheni me kancelaren gjermane Angela Merkel dhe çfarë prisni nga ky takim?

Hashim Thaçi: Mendoj se kjo është vetëm koincidencë, sepse për takimin e të hënës në Bruksel kemi vendosur pas bisedimeve të fundit, ndërsa vizita në Berlin është planifikuar më heret. Natyrisht që takimi në Berlin do të jetë jashtëzakonisht i rëndësishëm për të ardhmen evropiane të Kosovës. Kosova si një partner strategjik i Gjermanisë do të punojë drejt intensifikimit të bashkëpunimit tonë të shumëanshëm me këtë vend. Besoj se edhe vizita e kryeministrit në Berlin do të jetë në shërbim të angazhimeve tona për forcimin e shtetit, konsolidimin dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Por natyrisht që ne jemi shumë të interesuar të sjellinmedhe sa më shumë investitorë gjermanë në Kosovë, me qëllim hapjen e vendeve të reja të punës dhe përmirësimin e gjendjes ekonomike.

DW: Kancelarja Merkel disa ditë më vonë do të vizitojë edhe disa vende të Ballkanit: Shqipërinë, Serbinë e ndoshta edhe Bosnje-Hercegovinën. Kosova nuk është në axhendën e kësaj vizite. Megjithatë, çfarë prisni ju nga këto vizita, pasi që me siguri që një prej temave do të jetë edhe gjendja në Kosovë?

Hashim Thaçi: Kosova do të jetë të martën në Berlin dhe në Gjermani dhe do të ketë takime me kancelaren Merkel. Por edhe vizita e kancelares Merkel në disa vende të rajonit, është inkurajuese për Kosovën dhe krejt rajonin. Kjo vizitë dëshmon edhe një herë se është rritur interesimi i Gjermanisë për paqen, stabilitetin dhe perspektivën evroatlantike të rajonit.

DW: Zoti ministër, një prej kërkesave të Gjermanisë dhe vendeve perëndimore është që sa më parë të krijohet gjykata speciale për krimet e luftës. Kur do të krijohet kjo gjykatë dhe sa janë të vërteta pohimet se nga kjo gjykatë nuk do të ndiqen personat që janë përgjigjur njëherë para Tribunalit të Hagës dhe janë shpallur të pafajshëm?

Hashim Thaçi: Qeveria e Repubikës së Kosovës ka proceduar projektigjin për themelimin e gjykatës speciale dhe e ka dërguar në procedurë të mëtutjeshme. Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka vendosur që të premten e ardhshme të diskutohet kjo çështje dhe të kalojë. Kështu që unë jam optimist që kjo do të ndodhë, në mënyrë që të heqim të gjitha pengesat në rrugën drejt një të ardhme euroatlantike. Kjo njollë e zezë mbi Kosovën duhet të hiqet njëherë e përgjithmonë. Të gjitha gjërat janë specifikuar dhe rregulluar në projektligjin për themelimin e gjykatës speciale.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat