Nishani: Realiteti i shanseve të mëdha të Ballkanit sot falë Gjermanisë

Bota e Yjeve

Nishani: Realiteti i shanseve të mëdha të Ballkanit sot falë Gjermanisë

Më: 13 qershor 2015 Në ora: 22:30

Në bisedë me Deutsche Welle-n, presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani flet për rolin e rëndësishëm të Gjermanisë në Shqipëri e rajon, zgjedhjet vendore e se ku qëndron thembra e Akilit në bërjen e reformës së drejtësisë.

Deutsche Welle: Zoti President ju keni pasur një vizitë të ngjeshur dy ditë me shumë takime, nga ceremonia e Takimit të Berlinit – i njohur si “Berlin Gathering”, deri tek takimi me presidentin gjerman Joachim Gauck të premten – cilat ishin çështjet që u trajtuan në këto takime?

Presidenti Bujar Nishani: Erdha me ftesë të Bundetagut për të marrë pjesë në takimin e Berlinit siç njihet tani jo vetëm në Gjermani, por në të gjithë hapësirën europiane e përtej saj. Këtë herë ishte edhe 20-vjetori i nisjes së këtij takimi, ku liderë politikë, të shoqërisë civile, të besimeve të ndryshme mblidhen për të promovuar parimet më të mira të bashkëjetesës, të harmonisë e respektit të ndërsjellë, por edhe për të ndarë sfidat e përbashkëta. me të njerëzimi sot ndeshet. Solla një prej visareve më të çmuara që kemi ne si komb që është harmonia fetare. Kulmi i vizitës ishte takimi me presidentin gjerman Joachim Gauck, ky ishte një shans i veçantë për t’i përcjellë në emër të të gjithë qytetarëve shqiptarë mirënjohjen e madhe për mbështetjen e pazëvendësueshme që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në këto 25 vitet e fundit, qoftë në drejtim të zhvillimit ekonomik, qoftë në proceset e ndërtimit të demokracisë. Një mbështetje e veçantë ka qenë edhe ajo për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, e tashmë kjo mbështetje është e pazëvendësueshme e parësore në procesin e integrimit europian. Ndamë një bisedë mjaft miqësore në lidhje me situatën në rajon, ku tashmë rajoni i Ballkanit falë edhe angazhimit të veçantë të Gjermanisë është një rajon i stabilizuar dhe me shanse të mëdha

Më parë u takuat edhe me presidentin e Bundestagut, Norbert Lammert. e me krerë të lartë të politikës gjermane A ka ndryshuar perceptimi për Shqipërinë problematike me grindje të vazhdueshme e mosgjetje konsesusi politik – a mund të paraqisnit ju sot një Shqipëri ndryshe?

Takimi me presidentin e Bundestagut, zotin Norbert Lammert ishte një moment i veçantë kënaqësie, presidenti Lammert është një mik mjaft i afërt dhe i shquar i Shqipërisë. Unë paraqita dhe prezantova Shqipërinë reale, me të gjitha arritjet dhe sfidat që ka, sepse ne duhet të ndajmë me miqtë gjermanë posaçërisht sfidat që kemi përpara. Nga ana tjetër shpreha jo vetëm mirënjohjen, por edhe nevojën që ka shoqëria shqiptare për këtë inkurajim, këtë mbështetje, këtë asistencë nga Gjermania mike. Dhe gjeta jo vetëm miqësinë ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve, por edhe njohjen në detaje të realitetit shqiptar, mbi të gjitha preokupimin e tyre që Shqipëria të vazhdojë në rrugën e prosperitetit.

Përmendët asistencën e Gjermanisë gjatë viteve të tranzicionit – a mund të thoni nëse keni biseduar edhe për projekte konkrete bashkëpunimi në të ardhmen?

Gjermania është një nga partnerët kryesorë strategjikë të Shqipërisë e natyrisht që interesi ynë është që veçanërisht bashkëpunimin ekonomik ta zhvillojmë më ngushtë dhe intensivisht me Gjermaninë, sepse ka resurce dhe mundësira shumë të mëdha të pashfrytëzuara, veçanërisht në sektorë strategjikë të ekonomisë shqiptare. Unë përmenda disa prej historive të suksesit gjerman, si ai në aeroportin e Rinasit, investimet në energji, por këto janë të pamjaftueshmë për atë ç’ka paraqet Gjermania si një rëndësi dhe partner strategjik i Shqipërisë. Ndaj fusha të tilla si ajo e energjisë, e mineraleve, e infrastrukturës, e agro-turizmit janë pa dyshim potenciale e përgjegjësi e Shqipërisë dhe institucioneve për të krijuar terrenin e përshtatshëm e maksimalisht mikpritës për investitorët gjermanë. Shqipëria është ekstremisht e interesuar për ta zhvilluar bashkëpunimin me Gjermaninë në të gjitha fushat./DW

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat