Albin Kurti: Ata që e kanë kapur shtetin janë për Gjykatën Speciale

Bota e Yjeve

Albin Kurti: Ata që e kanë kapur shtetin janë për Gjykatën Speciale

Më: 5 qershor 2015 Në ora: 13:06

Ish-lideri i Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albin Kurti, njëherësh deputet i LVV-së në Kuvendin e Kosovës, në një intervistë për Telegrafin ka theksuar se pret që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos i votojnë ndryshimet kushtetuese, përmes të cilave do të mundësohet themelimi i Gjykatës Speciale.

Kurti ka theksuar se Gjykata Speciale synohet të kalojë në Kuvend jo për t’u integruar ajo në shtetin e Kosovës, por shteti i Kosovës t’i vihet në shërbim asaj për vendimet e dënimet që do t’i merr ajo.

Ai ka folur për zhvillimet brenda LVV-së, për mundësinë të organizimit të protestave nga ana e opozitës kosovare dhe për reagimin e Tiranës dhe Prishtinës zyrtare për ngjarjet pas konfliktit të Kumanovës.

Pas dështimit të seancës parlamentare, në të cilën ishin dërguar amendamentet për votimin e Gjykatës Speciale, a pritni që kjo Gjykatë të kalojë në Kuvendin e Kosovës?

Ende ka aq shumë të panjohura për Gjykatën Speciale, saqë votimi i saj akoma do të ishte votim i idesë së Gjykatës. E, ato që janë të njohura për Gjykatën janë fort të këqija. Pres që deputetët e Kuvendit të Kosovës të mos i votojnë ndryshimet kushtetuese. Gjykata Speciale synohet të kalojë në Kuvend jo për t’u integruar ajo në shtetin e Kosovës, por për t’iu vënë shteti i Kosovës në shërbim asaj për vendimet e dënimet që do t’i merr ajo.

Tash është koha e fundit që të diskutohet për EULEX-in, të shqyrtohet e hetohet ai në Prishtinë, në Bruksel dhe në çdo kryeqytet evropian, për atë që e bëri e nuk e bëri EULEX-i në këto shtatë vjet, teksa shpenzoi rreth një miliard e gjysmë euro të taksapaguesve evropianë.

Në njërën anë, Gjykata Speciale është shpërqendrim i vëmendjes nga aferat dhe skandalet e korrupsionit në EULEX. Në anën tjetër, Gjykata Speciale ia zgjat jetën EULEX-it, sepse shefi i EULEX-it është ai që do ta bëjë dekretimin e gjykatësve dhe prokurorëve ndërkombëtarë të Gjykatës Speciale.

Nëse Gjykata Speciale po iu nevojitet që t’i mbrojnë dëshmitarët, atëherë si bëhet që arritën kaq suksesshëm t’i mbrojnë dëshmitarët në rastin e gjykimit dhe dënimit të Grupit të Drenicës?

Cilat ishin shkaqet kryesore që ndikuan që Gjykata Speciale të mos votohet. A do të jetë presioni mënyra e cila do t’i detyroj deputetët që ta votojnë Specialen?

Deputetët janë të vetëdijshëm që në arenën diplomatike ndërkombëtare ka filluar që Kosova dhe UÇK-ja të dënohen, ndërsa Serbia dhe qeveria e saj të përkëdhelen. Rreth 160.000 joserbë, pra kroatë, boshnjakë dhe shqiptarë, janë vrarë në tri luftërat në ish - Jugosllavi.

Gjykata për krime lufte e krim të organizuar në Serbi, e themeluar para 12 vjetëve i ka arrestuar e dënuar rreth 160 serbë, thua se secili prej tyre i vrau nga 1.000 veta.
Ish-kryetari i Serbisë, Milan Milutinoviq, dhe ish - shefi i sigurimit shtetëror serb, Jovica Stanishiq, dihet që u liruan. Paralelisht me këtë, deputetët janë të vetëdijshëm që dhomat e specializuara në të gjitha nivelet e gjyqësorit dhe prokurorisë e çajnë sistemin e drejtësisë dhe e anulojnë Kushtetutën e Republikës.

Nëse deputetët do të ishin të lirë në shprehjen e qëndrimit dhe vullnetit të tyre, amandamentimi i Kushtetutës për Gjykatën Speciale nuk do t’i fitonte as shumicën e thjeshtë të votave në Kuvend, se lëre më dy të tretat e tyre. Këtë e di prej fjalëve që i thonë deputetët privatisht në bufenë sipër e prapa sallës së Kuvendit, ku mbahen seancat plenare. Bufeja është e vërteta e ndrydhur, kurse seanca është përdredhja e transmetuar.

Nëse ndodh që të kalojë Gjykata Speciale në Kuvendin e Kosovës, a mund të këtë “tërmet” në politikën kosovare, kur dihet se emrat të cilat do të “gjahtohen” nga kjo gjykatë, flitet të jenë eksponentë të rëndësishëm të politikës kosovare?

Nuk besoj që do të ketë kurrfarë tërmeti. Sepse politika ndërkombëtare e vendore është e përzier gjithandej në Gjykatën Speciale, ende pa lindur ajo.

Të gjithë ata që e kanë kapur shtetin janë për Gjykatën Speciale. Në Kosovë nuk kemi as ligj e as gjykatë për drejtësi, sepse stabiliteti politik afatshkurtër është edhe ligji edhe gjykata. E di që shumë njerëz janë lodhur me këta mujsharët e pasluftës në Kosovë dhe thonë ‘hajt se ndoshta kjo Gjykatë Speciale do të na i heq qafe’.

Pushtetarët e korruptuar, politikanët e krimit të organizuar, vrasësit e plaçkitësit e veshur me pushtet, as nuk duhet dhe as nuk mundemi t’i heqim qafe me iniciativa që vijnë prej Serbisë e Rusisë. Ata duhet t’i largojmë nga pushteti dhe me ta duhet të përballet vetë shoqëria jonë e ne qytetarët e këtij vendi.

Kjo mynxyrë u ka ndodhur edhe popujve të tjerë, pra s’jemi fare sui generis, por ata popuj në shesh e me zgjedhje i kanë rrëzuar a larguar të korruptuarit e kriminelët duke i hapur rrugë drejtësisë, demokracisë e zhvillimit.

Në Kosovë, ata duhen akuzuar e gjykuar si kriminelë të paqes, për atë çfarë i bënë popullit tonë për këta 16 vjet, e jo si kriminelë të luftës për atë çfarë i bënë Serbisë në ata 16 muaj. Jo pak liberalë në botë, sidomos në shekullin XXI, e bënë atë gabimin e mirënjohur: filluan që në emër të lirisë ta luftojnë fundamentalizimin, e më pas, për ta vazhduar luftën kundër fundamentalizimit hoqën dorë nga liria.

Ne duhet ta luftojmë këtë kastë të kriminelëve e të të korruptuarve në emër të Republikës sonë e drejtësisë universale, në emër të kombit tonë e të demokracisë klasike, në emër të së drejtës e drejtësisë, por ne nuk guxojmë që t’i sakrifikojmë të gjitha këto vetëm që të mund t’i luftojmë këta pushtetarë të krimit.

Fundja, dëshira e jo pak njerëzve që Gjykata Speciale të na i heq të korruptuarit është e pandershme edhe në një rrafsh tjetër: punën tonë si qytetarë të Republikës, po duam të na e kryejnë burokratët ndërkombëtarë. Me këtë mënyrë as s’jemi qytetarë e as s’kemi Republikë.

Lëvizja Vetëvendosje (LVV), është ballafaquar më një grup të pjesëtarëve të saj, të cilët kanë qenë të rebeluar me mënyrën se si drejtohet kjo lëvizje, duke u larguar kështu nga aktiviteti politik të cilin e kanë zhvilluar brenda ombrellës se LVV-së. Të larguarit theksojnë se kreu i LVV-së, nuk e kultivon mendimin e lirë, duke marrë masa te rrepta ndaj të “padisiplinuarve”. Si i komentoni ju këto zhvillime?

Me 12 qershor të këtij viti ne i mbushim 10 vjet si Lëvizje Vetëvendosje. Gjatë kësaj dekade të ekzistencës dhe veprimtarisë sonë, kohë pas kohe kishim aktivistë që janë tërhequr, aso që janë dorëhequr por edhe të tillë që janë përjashtuar. LVV-ja është subjekti më demokratik në Kosovë.
Mendimi i lirë dhe shprehja e lirë e mendimit lejohet e afirmohet në çdo organ e forum të saj. Këtë e garantojnë si germa e statutit ashtu edhe fryma e konceptit tonë. Mbledhjet e Kryesisë, të Grupit Parlamentar dhe të Sekretariatit të Përgjithshëm mbahen një herë në javë. Mbledhjet me Koordinatorët e Qendrave, mbahen një herë në muaj kurse mbledhjet e Këshillit të Përgjithshëm mbahen çdo tre muaj.

Pas diskutimeve ne i marrim vendimet me shumicë votash dhe ato respektohen nga të gjithë përfshirë këtu edhe zbatimin e detyrave që dalin nga vendimet. Demokracia është vullnet i shumicës dhe në lëvizjen tonë nuk kemi ulëse të rezervuara.

Në Kuvendin e fundit zgjedhor të LVV-së, Visar Ymeri, është zgjedhur kryetar i lëvizjes, dhe ju jeni larguar nga drejtim i LVV-së. A është Ymeri një kopje e Albin Kurtit, dhe sa po arrin ai që të mishërohet me anëtarësinë e LVV-së?

Visar Ymeri nuk ka pasur nevojë të mishërohet me anëtarësinë e LVV-së, sepse ai është në Lëvizje qysh para fillimit, pra ai ishte aktivist edhe në Rrjetin e Aksionit për Kosovën (KAN) që u shndërrua mandej në LVV. Visar Ymeri si kryetar i Grupit Parlamentar nga viti 2011 e deri në vitin 2014, e ka kryer detyrën më mirë e më saktë se cilido tjetër prej nesh në cilindo mandat. Po ashtu, për çështjet socio-ekonomike, Visari qëndron më lart se ne të tjerët me thellësinë e mendimit dhe gjerësinë e dijes. Jemi me fat që e kemi Visarin. Shpresoj të arrijmë ta kopjojmë ne të tjerët Visarin.

Cili do të jetë reagimi i opozitës, pjesë e së cilës jeni edhe ju, në ditët dhe muajt e ardhshëm, kur dihet se keni paralajmëruar përsëri protesta. Kur do të jetë protesta e radhës?

Organet e LVV-së, të udhëhequra nga Kryesia e Lëvizjes sonë, në bashkëpunim edhe me dy partitë tjera opozitare, vendosin se kur dhe si do të mbahen protestat e ardhshme. Protestat shpesh janë të nevojshme edhe në shtete sovrane, demokratike e të zhvilluara e lëre më në vende si Kosova ku premtimi kryesor ekonomik i Qeverisë është liberalizimi i vizave (i cili varet nga ministrat e brendshëm të BE-së), ndërsa premtimi kryesor shtetndërtues i saj është normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë (i cili varet nga Beogradi dhe strukturat e tij në veri). E di që thuhet se qytetarët e Kosovës janë lodhur nga protestat, mirëpo unë besoj që njerëzit në Kosovë janë lodhur nga jeta e rëndë e jo nga protestat e shumta. Dhe, mandej, nga mungesa e protestave jeta rëndohet edhe më tej.

Cila është aktualisht jeta e një qytetari të Kosovës. Nga ajo çfarë shihni dhe dëgjoni ju në terren, cilat janë brengat e një kosovari?

Në Kosovë tashmë ka shumë më tepër qytetarë të zhgënjyer, sesa të gënjyer. Te një numër i madh i tyre vërehet më shumë brenga për fëmijët e tyre sesa për veten e tyre. Ata po bëhen gjithnjë e më të sigurt se fëmijët nuk do t’iu kenë shkollim cilësor e vend të mirë pune. Ata po bëhen gjithnjë e më të pasigurt për shëndetin e tyre dhe nevojat shëndetësore. Ndërkohë që nuk mund të krenohen me pavarësinë e Kosovës e cila as nuk ua bashkoi Mitrovicën dhe as nuk ua zvogëloi papunësinë.

A kanë dëshmuar ngjarjet në Kumanovë, se politika shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, se nuk është e koordinuar në mes veti për mbrojtjen e kauzave kombëtare dhe se nuk është faktor i rëndësishëm në zhvillimet në Ballkan?

Kombi shqiptar në Ballkan është shumë më tepër faktor i rëndësishëm, sesa që janë politikanët e qeveritarët shqiptarë krahasuar me kolegët e tyre të popujve të tjerë rrotull. Për ngjarjet në Kumanovë Qeveria e Shqipërisë kishte qëndrim shumë më të mirë e më të drejtë, sesa Qeveria e Kosovës. Megjithatë, qeveritë në Tiranë e në Prishtinë janë larg prej pritjeve dhe nevojave të shqiptarëve në Maqedoni, të cilët ndonëse janë një e treta e popullsisë atje, vazhdojnë të jenë të shtypur politikisht, të shfrytëzuar ekonomikisht e të diskriminuar kulturalisht. Dhuna dhe padrejtësia ndaj shqiptarëve në Maqedoni nuk ngjajnë vetëm kur ka ballafaqime të armatosura, siç ishte ai në Kumanovë, por për çdo orë të çdo dite.

Shqiptarët e Maqedonisë kanë paguar çmimin më të madh. Ata kontribuan sikurse të gjithë shqiptarët e tjerë për pavarësinë e Shqipërisë para më shumë se një shekulli dhe për pavarësinë e Kosovës para më shumë se shtatë viteve, por mbeten jashtë të dyjave, pra edhe jashtë Shqipërisë edhe jashtë Kosovës.

Tash, shumë më tepër të drejta kanë 6 për qind të popullsisë në Kosovë, që janë serbë sesa një e treta e popullsisë në Maqedoni që janë shqiptarë. Në përgjithësi, ka asimetri të theksuar të të drejtave të shqiptarëve ku ata nuk janë shumicë, me të drejtat e pakicave të tjera kombëtare te shqiptarët ku këta janë shumicë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat