“Unë, Gazidede dhe të vërtetat për SHIK-un deri më 1997″

Bota e Yjeve

“Unë, Gazidede dhe të vërtetat për SHIK-un deri më 1997″

Më: 20 maj 2015 Në ora: 16:56

Andrea Dimushi, ish kryetar i SHIK-ut në Pogradec e Kavajë në gjysmën e parë të viteve 1990, rikthehet në këtë rrëfim ekskluziv për DITA-n, për të treguar disa të vërteta të panjohura për Shërbimin Informativ të asaj kohe.
Çfarë ka ndodhur në natën e mistershme të 13 marsit 1997. Si e ka njohur Bashkim Gazideden dhe pse ai shërbim degjeneroi në një instrument të verbër të pushtet politik të asaj kohe.
Si ishte përgatitur plani për djegien e gazetës ‘Koha Jonë’ qysh në vitin 1994. Si dhe surpriza: Kush është njeriu që e di të plotë të vërtetën për vrasjen e Ahmet Krasniqit, ish-ministrit të Mbrojtjes të qeverisë Bukoshi…
– Zoti Dimushi, çfarë ju kujton 13 marsi i vitit 1997? Është një nga datat që nuk mund të harrohet kollaj. Çfarë ka ndodhur realisht atë ditë?
– Kush kujton 13 Marsin e vitit 1997, me siguri që mban mend mirë se ka qenë një ditë gri – me një erë që ngrinte pluhur ngado, e pluhur e plehra kishte kudo, se Tirana nuk pastrohej prej kohësh. Ndërkohë kudo dëgjoheshin të shtëna dhe në rrugë kishte aq pak njerëz sa numëroheshin me gishtat e dorës. Nga paraditja e asaj dite më kërkon miku im B.R. pasi unë kisha makinë. Më thotë se në SHIK-un qendror nuk ka asnjeri e duhet të shkojmë. Gjatë rrugës morëm edhe drejtorin e arkivit sekret A.K. dhe nxituam përmes të shtënash, për në zyrat qendrore. Zyrat e SHIK-ut (ish-Shkolla Ushtarake Skënderbej) sikundër dihet kufizohet nga njëra anë me spitalin Nënë Tereza dhe nga krahu tjetër me ish-Shkollën e Bashkuar të Oficerëve. Nga të gjitha anët turma njerëzish që ishin të gatshëm të ndërhynin në ambientet e brendshme. (Nëse qendra e Tiranës ishte bosh, njerëzit ishin përqendruar për rreth shkollave ushtarake, me shpresë t’i shpërthenin). I pengonin për të “sulmuar” krismat e pandërprera që vinin nga Shkolla e Bashkuar. Në gjithë atë hapësirë e në gjithë ambientet e brendshme ndodhej vetëm një oficer shërbimi në katin e parë me një arkë granata mësymëse të shpërndara në dysheme, si dhe dy-tre të tromaksur nga situata. Asnjë tjetër, asnjë!! Gjithë ata drejtorë e gjithë ai personel kishin avulluar pa nam e nishan. Në atë gjendje që e gjetëm situatën aty, mendimi i parë që të shkonte në mendje ishte: E kanë lënë ta djegin me qëllim??!! Nuk mund të shpjegohet ndryshe ajo situatë e lënë në atë gjendje, kur turmën nga qëllimi e ndau një çast i vetëm! Me dhjetëra telefonata bëri B.R., por askush nuk përgjigjej. Ato çaste mendoja: Ku ishte gjithë ajo “trimëri” shik-ase e gjithë atyre viteve? Ku ishin ata që kishin tërhequr zvarrë popull e gazetarë për një fjalë goje e për një demonstrim? Nuk gjeja dot përgjigje atëhere, edhe sot, pas rreth 20 vitesh, e kam vështirë ta gjej.
– Po Gazidede ku ishte? A e kini biseduar ndonjëherë më të këtë çështje, qoftë dhe më vonë?
– Ku ishte Gazidede? E dinim se ku ishte, por nuk ishte në krye të detyrës. Ku ishin të tjerët? Si nuk kishte një udhëzim si do veprohej me institucionin më të rëndësishëm të sekreteve të shtetit atë ditë? Thyem një zyrë jashtë godinës kryesore e morëm armë e municione, për të qëlluar në ajër që turma të mos afrohej më shumë… Ndërkohë ishte dhënë kushtrim i përgjithshëm e bashkë me të parët që
shikasi
mbërritën, erdhi dhe F.Gj.(drejtor kryesor), pas tij mbërrin A.K. me automatik në dorë – drejtor edhe ky, të cilit nuk i pushonin lotët se i kish mbetur maleve një i afërt (vëllai nëse nuk gabohem) i cili ishte në Vlorë kur u sulmua SHIK-u i Vlorës, e bashkë me të mbijetuarit ishin shpërndarë ku mundën maleve në pritje të helikopterit të premtuar për 10 minuta. Gjithë atë mbasdite, por dhe në mbrëmje vonë ngado vinte era e djegieve që ishin bërë jashtë e ku hiri ishte bërë pirg. Digjej çdo gjë që kompromentonte… Ndërkohë koha kalonte dhe situata u qetësua, falë edhe pranisë të qindra oficerëve që ju përgjigjën thirrjes për mbrojtjen e institucionit të lënë qëllimisht për t’u djegur! Thashë gjithë sa më sipër për të kuptuar një bisedë të bërë me të ndjerin Gazidede vite më pas, në takimet e mia të shpeshta me të. Nuk është e moralshme pasi ai nuk jeton, por edhe sikur gjallë të ishte mbase do e mohonte. Kur e pyeta për atë ditë se “përse e lanë objektin në mëshirë të fatit?”, (ishim ulur dhe po pinim nga një redbull tek puna ime), më pa në sy qeshi dhe tha: “Redbull të bën me krahë”. Le të fluturonte SHIK me gjithë ç’kish brenda… dhe më tej shtoi: “Të bëhej ç’të bëhej!” U trishtova si kurrë në jetën time. Por mendoj se edhe u kuptuam për atë çfarë donte të thoshte apo linte të nënkuptonte.

– Zoti Dimushi, pikërisht në atë kohë u dogj gazeta ‘Koha jonë’. Si ndodhi kjo ngjarje? Ishte skenar apo ndodhi rastësisht?
– Dua të pranoj se në fillimet e punës si kryetar dege kam qenë nga më të besuarit e Bashkim Gazidedes. Kjo bëri që pas një ndodhie në Kavajë të më transferonte aty – me këshillën e mirë për të rregulluar dëmin që ish bërë. Duhet të ketë qenë marsi i vitit 1994, kur një mbrëmje vonë Gazidede më ka thirrur në Tiranë. Erdhëm me shpejtësi se menduam se diçka kishte ndodhur. Pasi u ula e ndezëm nga një Marlboro, nga paketat “qyl”, shefi më ngarkon detyrën për djegien e gazetës “Koha Jonë”. Për të thënë të vërtetën, në atë kohë doja të digjej gazeta me gjithë Nikollën brenda. Mendoje vetë, më tha, “më thuaj kur të jesh gati – vetëm një këshillë: Askush s’duhet të dijë asgjë! Bëni maskim të përsosur që mos duket që e kemi bërë ne”. Ditë më pas dhashë detyrë Lejlës, magazinieres dhe Sh.K. të blinin cohë të zezë basme dhe ta bënin si këllëfe. I dhashë edhe përmasat. Mbetej të hapnim vetëm vrimat për sytë e të ktheheshin në kapuçe. (Copa e zezë është blerë me dokument e besoj mund të verifikojë dikush që ka qejf atë periudhë). Po ashtu nga brigada e këmbësorisë shokët më sollën disa ndezësa me fërkim dhe disa shishe me lëndë djegëse të përgatitur. Pasardhësi mund t’i ketë gjetur aty, por mendoj se i ka parë si fishekzjarre.

– Ju flisni për një plan të detajuar për djegien e gazetës ‘Koha jonë” në vitin 1994, kur ajo në fakt ndodhi në vitin 1997. Si rrodhën më tej ngjarjet dhe si qëndron e vërteta?
Ndërkohë kish lindur një problem mjaft i mprehtë dhe kjo çështje kaloi në plan të dytë për mua. Në një moment që unë gati e kisha harruar, më thërret sërish shefi e më thotë ç’u bë me atë që kemi folur. U justifikova se nuk mungonte dëshira, por akoma nuk kishim vepruar, pasi sikundër e dinte, kishim një problem tjetër nëpër duar… “Ke një muaj kohë, ndryshe ik!!”, më tha. Kaq! Në fakt ika nga Kavaja pas 3 muajsh me një kombinacion të ndyrë që pjesëmarrësve u kujtohet, e më vjen turp nga vetja për atë lloj elite me të cilët bashkëpunova, që të qeshnin e të fërkonin krahët ditën, e natën të bënin gjëmën. Unë nuk jam dëshmitar i djegies së asaj gazete në mars 1997, por që kishte një plan që më parë për ta djegur që në vitin 1994, as që vihet në dyshim.

– Është folur për një shifër prej 600 mijë markash të përdorura nga ish-truproja i Azem Hajdarit. A ka ndonjë gjë të vërtetë sipas jush në këtë histori?
– Ish truproja i Azem Hajdarit mund të ketë dëgjuar për shifrën 600.000 marka të Shërbimit Informativ. Dikush edhe mund të ketë shfryrë. Por nuk është e vërtetë fare! Ajo sasi është vënë në dispozicion të një aksioni të rëndësishëm dhe vetëm për t’u treguar diku (për t’i parë e bindur dikë që paratë ja ku janë). Çdo gjë është kryer me rregull e disiplinë dhe nuk është shpërdoruar asnjë qindarkë! Ai aksion ishte një aventurë ku ne luftonim për të arritur qëllimin e të tjerët për ta shpënë në rrugë pa krye, ashtu sikundër ndodhi në realitet!

– A kishte në atë kohë luftë bërrylash në SHIK dhe pse fitoi ai krah që realisht bëri ligjin më pas?
– Si çdo shërbim homolog, edhe SHIK ka një strukturë, e cila bën të mundur arritjen e qëllimit për detyrat që Shërbimi Informativ ka në prioritetet e veta. Me fitoren e demokratëve, për dy muaj në krye të SHIK ka qenë B.R. Më pas është caktuar kryetar i këtij shërbimi zoti Gazidede, i cili ndonëse në detyrë pati një problem shëndetësor, i shtruar në spitalin ushtarak, e diku nga Korriku i vitit 1992 ishte në detyrë. Bashkimi kishte një përkushtim të jashtëzakonshëm. Ai vinte në punë në mëngjes dhe nuk di që ndonjëherë të jetë larguar para orës 02 pas mesnate. Ishte shumë fetar dhe verbërisht i bindur për kauzën e Berishës. Por nuk besonte askënd. Asnjë postë nuk hapej atje ku adresohej, përveçse më parë nga dora e tij. Në fillim zëvendësa u caktuan B.R e Gëzim Balisha si specialist i mirëfilltë i shërbimit. Ky në mos gaboj vinte nga Franca. Ishte i qetë dhe njeri shumë i mirë. I urtë e mjaft komunikues, por i lënë në zyrë pa asnjë aktivitet në punët e shërbimit. Gojët e liga thoshin se Gëzimi kish goxha njohuri nga puna e mëparshme dhe ishte në dijeni të ndonjë problemi të rëndësishëm. Në zyrën e tij hynin rrallë njerëz se gjithë korrespondenca zhvillohej me të “besuarit”, sidomos dibranët që kishin “pushtuar” të gjitha nivelet e rëndësishme të drejtimit të Shërbimit Informativ! Nga frika e përgjimit, radioja në zyrën e tij rrinte gjithmonë ndezur dhe biseda bëhej qetësisht e me tone që i impononte vetë ai me sjelljen e urtë. Por në shërbim bërrylat shtynin çdo ditë. Po të shohësh korrespondencën e atyre viteve, do vëresh se aty më shumë informacione kishte për vetë kuadrot që punonin në institucion, se sa për punët e shërbimit. Servilizmi ishte tipar i përgjithshëm dhe gjithë synimi ishte t’i bije në sy “shefit”për mirë. Erdhën disa kontigjente fare të pashkolluar, aq sa pati mjaft raste që me shkollë të mesme u graduan oficerë me grada të larta, pa asnjë kontribut. Mendo që në krye të një drejtorie ishte Xhahit Xhaferri, i cili si eksperiencë pati vetëm vitet e burgut e vite më pas drejtoi edhe Gardën e Republikës… Më kujtohet që kur u futën në pajisje këllëfët e pistoletës që armën e mbanin anësore nën sqetull, Xhahiti ngeci nëpër llastikët e këllëfit e mezi e çliruam.

– Cili mendoni se ka qenë defekti kryesor i Shërbimit Informativ të asaj kohe?
– Si në shumë institucione të asaj kohe, edhe në SHIK dominonin veriorët. Dibranët dhe tropojanët. Nga jugu as që bëhej fjalë. Rrallë ndonjë nga Shqipëria e mesme. Ishte një rreth vicioz ku të gjithë shtynin njëri – tjetrin për të dalë në majë. Mbijetuan në detyra miqtë e afërt të Bashkimit dhe ato të shefit të madh, Saliut. U bë një kastë mbytëse e paaftë gjer në marrëzi – dhe të gjithë dimë shumë nga marrëzitë e shërbimit informativ të asaj kohe. I paaftë e i orientuar thekshëm politikisht, aq sa u vu në krye të çdo fushate politike e në zgjedhjet që janë zhvilluar në vite u bë kërbaç, sikundër në vitin ‘96 hoqi çdo maskë e u shfaq publikisht!

– Zoti Dimushi, pavarësisht se është folur, kjo është një akuzë e rëndë që po bëni…
– Unë flas me përgjegjësi, pavarësisht se kanë kaluar rreth 20 vjet nga ajo kohë. Fillimisht kishte dy ndarje proporcionale emërimesh… Nga njëra anë B.R mori në punë njerëzit që ai mendonte e që përgjithësisht kishin nivele drejtimi mesatare, dhe, nga ana tjetër, të besuarit e presidentit dhe të Gazidedes, të cilët ishin në “komandën”e përgjithshme të Shërbimit Informativ. Me kujdes edhe B.R u shmang nga drejtimi i punëve të mirëfillta duke i lënë sektorin ekonomik, duke bërë që i gjithë shërbimi të ishte një klan i fuqishëm me një aktivitet që në jo pak raste u kthye në kriminal.

– Po Gazidede ç’rol kishte në gjithë këto zhvillime?
– Këtë desha të thosha, ju ma kapët mendimin në ajër. Në fund dua të them një mendim timin për Gazideden… Ai ishte një njeri shumë punëtor. Ata që e njohin si pedagog, e njohin si njeri me virtyte e moral të lartë… Ai mund të ishte çdo gjë, por jo shef i Shërbimit Informativ Kombëtar. Ndershmërinë e tij e shfrytëzuan djallëzisht duke i lënë mbi supe barrën e një rebelimi që u gatua nga politika e mbrapshtë e atyre viteve e që përgjegjësinë e tjetërsimit të Shërbimit Informativ ia lanë në derë Bashkimit, i cili iku nga kjo jetë me një funeral shtetëror, morali i të cilit ishte: “Bëre mire që nuk fole Bashkim! Rrugë të mbarë, tani s’na duhesh më!” Familja e Bashkimit jeton thjeshtësisht në një apartament me një mobilim modest e të vetmen dhuratë nga Bashkimi, familja mori 8 vite arratie në Turqi, ku e trajtuan mizorisht brenda një hapësire të kufizuar dhe ku të vetmit fëmijë në shkollë që merrnin bukën me vete ishin fëmijët e tij. Atij fare mirë mund t’i shkojë shprehja: “Ishte njeri i mirë, por i dhanë të bënte punën më të keqe dhe këtë fatkeqësisht e bëri me shumë pasion”. Kjo ishte përgjegjësia e tij, nga e cila emri i tij do mbahet mend për shumë vite i ngjitur me emrin e Shërbimit Informativ si SHIK-u i Gazidedes! Uroj që shërbim të tillë Shqipëria të mos provojë kurrë!!

– Zoti Dimushi, një nga ngjarjet më të errëta të asaj kohe ka qenë vrasja e Ahmet Krasniqit, ish-ministrit të Mbrojtjes të qeverisë së Kosovës që drejtohej nga Bujar Bukoshi. Çfarë dini për këtë ngjarje?
– Bëtë mirë që më pyetët, pasi edhe vetë e ndieja si një detyrim që të bëja një sqarim për vrasjen e të ndjerit Ahmet Krasniqi, ish-ministër i Mbrojtjes i qeverisë Bukoshi. Ahmeti ishte i strehuar në një vilë në rrugicën ku është themeluar Partia Komuniste Shqiptare në ’41. Një vilë që nuk bie shumë në sy. Për koincidencë, ajo vilë është pronë e një ish oficeri të Shërbimit informativ me emrin Shyqyri..(.) E, ky i fundit, bënte pjesë në strukturat e anti-terrorit. Shyqyriu di shumë – ai di gjithë skemën e ngjarjes. Di atë që asnjëherë nuk është thënë të paktën publikisht… Di njerëzit që ishin në vendngjarje afër saj, njerëz me emër e mbiemër që njihen botërisht… njerëz të botës së krimit, por dhe njerëz me funksione drejtuese të Policisë së Shtetit. Si ka mundësi që vrasja e ndodhur në prag të shtëpisë së këtij njeriu, të jetë mister? Si ka mundësi që rreth e rrotull vilës gëlonin këta lloj njerëzish, pikërisht në kohën e atentatit e askush nuk thotë një fjalë? Si ka mundësi të zhduket Remzi Hoxha i deklaruar me dëshmitarë si i rrëmbyer, apo si ka mundësi që u zhduk Ismet Kryeziu në mes të Tiranës? Kush e futi në këtë qerthull gjaku Shqipërinë?
Intervistoi Xhevdet Shehu / Gazeta DITA

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat