Hooper: Problemi me Shtetin Islamik nuk zgjidhet brenda natës

Bota e Yjeve

Hooper: Problemi me Shtetin Islamik nuk zgjidhet brenda natës

Më: 22 prill 2015 Në ora: 08:27

“SHBA-ja shpresoj të jetë duke bashkëpunuar me udhëheqjen politike në Kosovë për ta parandaluar përkeqësimin e gjendjes aktuale”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, James Hooper, ish diplomat amerikan, aktualisht drejtor menaxhuesi i Grupit Publik për Politika dhe të Drejtën Ndërkombëtare. 

 

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, në një artikull për The National Interest, keni shkruar se kriza humanitare në Siri mund të nis së trajtuari përmes krijimit të "zonave të mbrojtura". Si do të funksiononin saktësisht këto zona?

James Hooper: Zonat e mbrojtura në Siri do të vendoseshin në tri province, dy në veri, në Aleppo dhe Irbil përgjatë kufirit me Turqinë dhe e treta në jug, do të vendosej në Darra, përgjatë kufirit me Jordaninë. Në këtë mënyrë, zonat e mbrojtura do të ndërlidheshin me aleatët e Shteteve të Bashkuara, dhe të dyja këto vende mbështesin opozitën e moderuar siriane. SHBA-të do të luanin rolin kyç në këtë proces, por ideja është të ofrohet mbrojtje nga sulmet e Shtetit Islamik dhe aleatët e tij në Siri, dhe nga sulmet e regjimit të Assadit dhe forcave ajrore dhe artilerike të këtij regjimi.

Me të ndodhur një gjë e këtillë, këto zona do të shërbenin si strehimore për të zhvendosurit,Ushtria e lirë Siriane do të ofronte siguri përmes forcave tokësore, sepse këtu nuk bëhet fjalë për zbarkimin në terren të forcave të armatosura amerikane. E gjithë kjo nuk do të zgjidhte në tërësi problemin që Siria ka, por do ta ndryshonte bilansin ushtarak dhe do të përfshinte Shtetet e Bashkuara në një mënyrë më aktive në aspektin ushtarak, të paktën nga ajri.

Kjo gjithashtu do ta forconte Ushtrinë e Lirë Siriane dhe do të hapte dyert për negociata më serioze, për një qeveri transitore në Damask, e cila do të lejonte mbetjen e strukturës aktuale qeverisëse për të shmangur kaosin e ngjashëm me atë që ndodhi në Irak, ndonëse Assadi dhe vartësit e tij kryesorë do të duhej të largoheshin.

Radio Evropa e Lirë: I keni quajtur këto “zona të mbrojtura” si hap të parë drejt fillimit të zgjidhjes së krizës në Siri. Por, si do të përbashin ato me grupin militant të Shtetit Islamik?

James Hooper: Shteti Islamik nuk do të pranonte një gjë të këtillë, pa betejë. Prandaj, duhet te këtë koordinim ndërmjet forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara, mbase disa njësive speciale amerikane në terren të cilat do të merreshin me koordinimin e përpjekjeve me Ushtrinë e Lirë Siriane dhe kjo e fundit do të ishte ajo që ofron sigurinë në terren.

Unë mendoj se kjo do të ishte e mundshme dhe e suksesshme njëkohësisht. Nëse armatoset mirë, Ushtria e Lirë Siriane mund të jetë shumë e efektshme, sikur që është dëshmuar të jetë në jug të vendit. Në veri, vazhdojnë të kenë kontrollin mbi Aleppon. Kësisoji, zonat e mbrojtura do të mund të zgjeroheshin.

Së bashku me forcën ajrore tëShteteve të Bashkuara, mendoj se kjo ushtri mund të fillojë mposhtjen e IS-it . Me Shtetin Islamik nuk mund të negociosh siç do të mund të negociohej me qeverinë siriane, nëse I bëhet e qartë se Shtetet e Bashkuara janë të zotuara për të ndryshuar bilansin ushtarak, të ndihmojnë Ushtrinë e Lirë Siriane dhe të mbështesin qeverinë transitore.

Shtetin Islamik ndërkaq, duhet mposhtur në terren.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hooper, kur flasim për Shtetin Islamik, vendet e Ballkanit, Kosova dhe Bosnja në veçanti, përballen gjithashtu me këtë problem. Janë mbi 200 qytetarë të Kosovës që besohet se luftojnë përkrah Shtetit Islamik dhe Al-Nusras në Siri dhe Irak. Sa serioze mendoni se është kjo çështje? Ju sapo thatë se Shteti Islamik është një grup me të cilin nuk mund të negociosh…

James Hooper: E saktë. Shteti Islamik – ndonëse nuk opretendoj të jem ndër ekspertët më të mirë në botë për të, megjithëse kam bërë disa studime – ka agjendë politike. Ky grup është shumë i mençur, shumë i vetëdijshëm në qasjen që ka karshi kësaj agjende. Është një makineri e pamëshirshme, tërësisht e pamëshirshme, vrasjeje, e cila përdor ekzekutimin me heqje koke dhe vrasjet në përgjithësi, për të forcuar joshjen nga grupet tjera. Militantët e këtij grupi nuk flasin për kufij, ata flasin për heqje kufijsh dhe vendosje të “kalifatit”.

Kësisoji kanë arritur të joshin sidomos të rinjtë, nga e gjithë bota, qofshin ata nga vendet demokratike apo jo, të varfër apo të pasur. Të marrim shembull qytetarët e Kosovës: në luftën e Sirisë nuk po lufton Serbia, nuk është ky një konflikt i ri me Serbinë, nuk është as konflikt i ri për Bosnjën, nuk ka kurrfarë lidhjeje me kufijtë e vendeve në Ballkan, është tërësisht një luftë e tjetërkujt, por gjithsesi ka arritur të tërheqë një numër të caktuar personash nga Kosova.

Për mendimin tim, kjo është një situatë shumë serioze. Lidershipi politik në Kosovë ka qenë aktiv në këtë drejtim, por gjithsesi mendoj se njerëzit në Kosovë duhet ta analizojë mirë këtë situatë, ta studiojë atë dhe ta ndjek me shumë kujdes.

Ky nuk është një problem që do të mund të zgjidhet brenda natës. Problemi qëndron në faktin se e gjithë ajo dhunë, mund të ndërrojë kahje dhe të shpërthejë në Kosovë apo në Bosnjë. Këtu qëndron rreziku.

Me trajnimin e këtyre personave që i janë bashkuar kësaj lufte, me aftësimin e tyre, ata fillojnë t’i shohin problemet e tyre në Kosovë, Bosnjë, Maqedoni e gjetkë, ashtu siç i kanë parë në Siri dhe Irak dhe fillojnë realizimin e synimeve për ridefinimin e situatës politike në Kosovë, bazuar në pikëpamjet e tyre.

Situata është serioze dhe do të mbetet e tillë në afatin e shkurtër kohor, të mesëm e mbase edhe në afatin e gjatë.

Shtetet e Bashkuara shpresoj të jenë duke bashkëpunuar me udhëheqjen politike në Kosovë për ta parandaluar përkeqësimin e gjendjes aktuale dhe për ta përmirësuar në fakt atë.

Radio Evropa e Lirë: Cila do të ishte rruga më e mirë për ta bërë një gjë të këtillë?

James Hooper: Është një pyetje e mirë. Po të merrte fund lufta në Siri dhe me të, do të mposhtej edhe Shteti Islamik, atëherë nuk do të kishte interesim për t’iu bashkuar këtij grupi. Do të ekzistonte mbase një numër i vogël luftëtarësh dhe një grup i rrënuar nuk do të ishte aq joshës sa është një grup gjithnjë e në rritje.

Shteti Islamik vërtetë ka pasur deri më tash disa humbje, por ka pasur edhe disa fitore të mëdha.

Unë jam ithtar i idesë se armiqtë duhet bërë përpjekje t’i kuptosh, jo të behesh emotiv në raport me ta, por t’i respektosh në kuptimin që duhet të mësosh se si operojnë, si funksionojnë, dhe kësisoji t’u hiqet nga duart mjetet me të cilat joshin të rinjtë. 


Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat