Haradinaj: "Ka shkaqe të shumta për protesta në Kosovë"

Bota e Yjeve

Haradinaj: "Ka shkaqe të shumta për protesta në Kosovë"

Më: 18 prill 2015 Në ora: 08:56

Deutsche Welle: Zoti Haradinaj, këtë të shtunë tri partitë opozitare, përfshirë edhe partinë tuaj, do të mbani një protestë kundër, siç thoni, “kapjes së shtetit”. Ju kërkoni shkarkime dhe dorëheqje të udhëheqësve të disa institucioneve të pavarura. Sa mund të cilësohet ndërhyrje e politikës në institucionet e pavarura dhe sa janë të qëndrueshme akuzat që ju bëhen juve nga partitë në pushtet?

Ramush Haradinaj: Vetvetiu gjendja në vend vërteton mënyrën si qeveriset vendi, çfarë bëhet për të avancuar ose dhe për kualitetin qeverisës ose rendin dhe ligjin. Pra ne edhe nuk dimë më se sa e lartë është shkalla e korrupsionit dhe a do të luftohet. Më nuk e dimë se sa është kredibiliteti i institucioneve të pavarura dhe si mund të ruhet ky kredibilitet duke pasur parasyshë vendimet e tyre. Pra po, këto janë vlerësimet opozitare: kemi kapje të shtetit, kapje të institucioneve të pavarura, kemi gjyqësor të dobët dhe gjyqësor të kapur, dhe këto vlerësime qëndrojnë.

DW: Zoti Haradinaj, në janar ishte një protestë e opozitës që u shndërrua në dhunë. Në thirrjet për protestën e të shtunës thuhet se do të jetë paqësore. Por pyetja ime është kjo, i duhet Kosovës pamja e protestave në rrugë?

Haradinaj: Në rast se shkalla e lartë e korrupsionit është e pandëshkueshme, në rast se gjyqësori është i dobët, në rast se mediumi publik është kthyer në instrument të individëve të fuqishëm, në rast se ne paguajmë energji elektrike me llogari të paqarta, atëherë pse Kosova të mos e prezantojë edhe një pamje tjetër, pamjen e qytetarëve që nuk pajtohen me një gjendje të tillë. Pra Kosovës i duhet një pamje, një lajm një e vërtetë ndryshe nga ajo që kanë fillu me na vlerësu, jo vetëm si të pazot si duhet me qeverisë vendin, por edhe si ata që po i shkatërrojmë frytet e lirisë, frytet e institucioneve që i kemi krijuar, pra frytet e demokracisë. Ndërsa, dhuna është një aspekt tjetër, dhuna nuk është një lajm i mirë për askend. Ne kemi ftuar protestë paqësore.

DW: Zoti Haradinaj, të kalojmë tek një çështje tjetër: Gjykata Kushtetuese dje dha driten jeshile për themelimin e Gjykatës Speciale. Por themelimi i kësaj gjykate po kundërshtohet nga ju partitë opozitare. Ju thoni se kjo gjykatë cenon sistemin e drejtësisë në Kosovë. Duhet të ketë vërtetë Kosova frikë nga kjo gjykatë?

Haradinaj: Kosova nuk ka frikë nga e vërteta, s'ka pasur asnjëherë. Zyrtarë të lartë edhe të UÇK-së edhe të shtetit të Kosovës kanë përmbushur obligimet sa herë që janë kërkuar nga ligji vendor dhe ndërkombëtar, pra kemi qenë shembull. Ajo që ne kemi frikë është te një bashkdyzim interesash ndërmjet mekanizmave të rendit dhe ligjit, të drejtësisë, të atyre që kanë kapur shtetin. Pra, ne nuk kemi dyshim se kemi të bëjmë me rend dhe ligj me drejtësi me gjyqësor, për shkak se ne e shohim një përzirje që i ka shkaktuar dëm Kosovës. Ju folët për Gjykatën Kushtetuese e cila aprovoi ndryshimet kushtetuese. Për ne kjo gjykatë është e pabesueshme, jo vetëm në këtë rast. Për ne kjo Gjykatë e ka humbur kredibilitetin e vet, besueshmërinë e vet më herët. Në një ambient çfarë është Kosova dhe këto vendime për ne nuk sjellin ndonjë lajm të mirë. Pra nuk janë diçka me të cilën ne mendojmë se do të ndyshojmë gjendjen në vend. Ne nuk i mendojmë këto si tema prioritare për Kosovën dhe qëndrojmë larg këtyre temave. Ata që kanë ndërtuar institucionet e reja në këtë rast, PDK, LDK dhe komunitet etnike, kanë ofertuar me dy të tretat plus. Ata janë të ngarkuar që t'i zbatojnë këto detyra. Ndërsa detyra jonë e opozitarëve është që t'u kërkojmë llogari, me i pengu në veprime që nuk sjellin efekte të menjëhershme, të nevojshme të domosdoshme për këtë vend.

DW: Zoti Haradinaj, pothuaj e tërë bashkësia ndërkombëtare, pa përjashtim, e mbështesin themelimin e Gjyaktës Speciale. Kundërshtimi i juaj për këtë gjykatë, mund të cilësohet si një lloj mosbesimi te faktori ndërkombëtar?

Haradinaj: Po vjen ky mosbesim. Ne kemi dyshime serioze se bashkësia ndërkombëtare ka shumë pak energji për t'u marrë me temat tona të brendshme. Pra mungon një gatishmëri e bashkësisë ndërkombëtare për të pranuar të vërtetën e brendshme që ka Kosova, jo vetëm si partner ndërkombëtar por edhe si një vend që qeveriset mirë për qytetarët e vet, kur qytetarët vet e krijojnë jetën e tyre me punë me dinjitet. Pra ne nuk shohim më tutje energji nga partnerët ndërkombëtar, nga miqët që kanë ndihmuar Kosovën për të kuptuar të vërtetën brenda Kosovës dhe për t'i dhënë përkrahje. Shohim vetëm energji që janë sipërfaqësore për të zhvilluar me Kosovën ato marrëdhënie me të cilat kryhen disa obligime të Kosovës në planin ndërkombëtar të cilat edhe ne i respektojmë, por nuk mjafton. Pra, thënë ndryshe: mosbesimi ynë vjen për faktin që temat që janë si obligime të Kosovës marrin shumë energji. Shembull: gjithë energjia që merr një dhomë e posaçme, të gjitha fondet që vijnë nga BE-ja, gjithë ky aktivitet e dendur politik, imagjinone sikurse të ishte investuar në përmirësimin e gjyqësorit në Kosovë. Kosova do të kishte mundur që t'i trajtojë këto raste në Kosovë. Ne jemi për rend dhe ligj, jemi për të drejtën e viktimës, jemi për të qartësuar cilindo dyshim mbi cilindo përson pa marrë parasyshë përkatësinë e tij entike, apo ndonjë përkatësi tjetër. Por tash ne e kuptojmë që Kosova nuk respektohet në prioritet e veta të brendshme.

DW: Zoti Haradinaj, tashmë mund të thuhet se Kosova dhe Serbia kanë hyrë në fazën e trëtë të dialogut, ku do të hapen tema të reja. Megjithatë, dihet se një pjesë e marrëveshjeve akoma nuk janë zbatuar. Duhet të vazhdohet me këtë format të dialogut?

Haradinaj: Kjo faza e tretë mund të them se është faza e abuzimit me dialog. Abuzimi tash zhvillohet për të thënë se kemi dialog, me shumë për të mbajtur dy vende ta quaj në korniza të një obligimi të ndërsjellë. Por jo që prej këtij dialogu të synohen rezultate konkrete dhe reale, të nevojshme në Ballkan. Ne kemi qenë përkrahës të dialogut me Serbinë dhe mbetemi përkrahës të një komunikimi të vazhdueshëm me Serbinë. Por ka mbetur vetëm një temë - tema e njohjes së Kosovës nga Serbia. Pra qeveria e Kosovës duhet të sjellë në parlament një platformë të bisedimeve të mundshme me Serbinë për të marrë ose për të bërë njohjen e ndërsjell më shtetin fqinjë. Pra, lënja e bisedimeve në një situatë të paqartë të temave, të dinamikës të prioriteteve, cila do të diskutohet tash e cila më vonë. Mendojmë se ky është më shumë një lloj abuzimi, më shumë një lloj politike për të bërë politikë, dialog për të bërë dialog, por jo për efektet që janë të nevojshme për Kosovën, për Serbinë dhe për rajonin.

DW: Zoti Haradinaj, këtë verë pritet që Kosova të nënshkruajë marrëveshjen e MSA-së. Ndërkohë që megjithë fazën finale të plotësimit të kritereve për liberalizimin e vizave, akoma nuk ka përgjigje të prerë pozitive nga ana e Komisionit Evropian. A mendoni se BE-ja po vonohet me proceset integruese të Kosovës?

Haradinaj: Nëse nisemi nga përvoja e deritashme, shumë përpjekje të bashkësisë ndërkombëtare, si për shembull, EULEX, vetvetiu po hetohet që ato pritje që kanë ekzistuar për EULEX-in nuk po verifikohen, nuk po konfirmohen se një mision i tillë i ka dhënë ato frytet për të cilat edhe është investuar shumë energji, financa përkrahje politike e shumëçka tjetër. Stabilizim-Asocimi - ne mendojmë se është i nevojshëm. Kosova ka nevojë për marrëdhënie kontraktuale me BE-në. E dimë që fillimi i këtyre marrëdhënieve nuk nënkupton një rrugë të lehtë, por do të ishte një përspektivë e re për Kosovën. BE është mirë që të veprojë me Kosovën me stabilizim-asociim, por edhe me liberalizim të vizave. Pra mendoj se është në dobi të marrëdhënieve të ndërsjella dhe të përpjekjeve që ka bërë BE deri tash për një avancim jo vetëm të Kosovës por edhe të gjithë rajonit drejt integrimeve. Stabilizim-Asociimi dhe liberalizimi i vizave do të ishte një fitore e përbashkët e të gjithëve.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat