Intervista / Rushdie: S’ka më fatva! Tani bota reagon ndaj urrejtjes

Bota e Yjeve

Intervista / Rushdie: S’ka më fatva! Tani bota reagon ndaj urrejtjes

Më: 13 janar 2015 Në ora: 07:45

Pas ngjarjeve dramatike në Paris, kam vënë re një reagim pozitiv nga ana e myslimanëve dhe jomyslimanëve, që nuk e kisha parë kurrë më parë. Besoni se vërtet kemi arritur në një pikë vendimtare, ku njerëzit me të vërtetë janë të ngopur nga e gjitha kjo ?
Po, unë shpresoj të jetë kështu. Mjafton të mendojmë për shembull, grupin e hakerave “Anonymous”, që i ka shpallur luftë xhihadistëve dhe të gjitha faqeve të tyre në internet. Edhe hakerat pra, janë në anën e paqes. Por, pavarësisht nga kjo, unë jam dakord me ju. Pasi edhe Nasrallahu, udhëheqësi i Hezbollahut në Liban, tha se vrasësit e Parisit kanë fyer Islamin më shumë sesa e kanë bërë karikaturat e “Charlie Hebdo”. Dhe të mendosh që vetëm 6 vjet më parë, i njëjti Nasrallah deklaronte se nëse unë do isha vrarë për librat e mi, atëherë karikaturistët danezë nuk do të kishin vizatuar kurrë ato piktura “blasfemike”. Pra, edhe Nasrallahu tashmë ka një pozicion më të moderuar. Pa harruar të përmend këtu edhe Iranin, që është angazhuar të luftojë kundër terrorizmit. Të gjitha këto, duan të thonë se diçka është duke lëvizur.

Megjithatë, bota pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001, është rrënuar gjithnjë e më tepër nga ekstremizmi islamik. Mjafton të mendojmë për ISIS-in, Boko Haramin apo sulmet e fundit në shkollat e Pakistanit, në Kanada, Australi dhe shumë vende të tjera. Apo të kujtojmë Arabinë Saudite, që në ditët e fundit ka dënuar një një ri me 1000 kamxhikë për shkak të një blogu, ose presidentin turk Erdogan që deklaron se gratë nuk janë të barabarta me burrat. A nuk ka një rrënjë të përbashkët e të sëmurë rreth gjithë kësaj?

Ka patur me siguri një ndryshim të atij Islami, që dikur himnizonte vdekjen. Por mendoj se ky ndryshim nuk është i rastësishëm. Përkundrazi, është fryt i ideve të shumë njerëzve dhe qeverive, si sunite si psh. Arabia Saudite, ashtu edhe shiite si Irani dhe që vitet e fundit kanë investuar një mal me para që në xhamitë dhe shkollat islamike anembanë botës, të mbërrinin predikues ekstremistë, për të lëvduar xhihadin dhe urrejtjen.
E gjitha kjo, për të larguar të rinjtë dhe besimtarët nga format e tjera të kulturës dhe edukimit, siç e kemi parë në masakrën e fundit në një shkollë në Peshauar në Pakistan. Jo rastësisht, emri ‘Boko Haram’ që mban organizata islamike në Nigeri, do të thotë fjalë për fjalë “Arsimi është i papastër”. Ky është thelbi. Kërcënimet, që unë kam marrë për librat e mi, janë vetëm një anë e vogël e çështjes së vërtetë, e cila është thjesht një: jemi duke u ballafaquar me një projekt dhe një ideologji të përbashkët të ekstremistëve, nga Talebanët tek Shteti Islamik, e deri tek Boko Haram dhe Al Shabab-i në Somali. Të gjitha këto organizata kanë vetëm një objektiv: të uzurpojnë islamin dhe botën islame.

Gjithësesi, shumica dërrmuese e myslimanëve, nuk do të kryenin kurrë akte të tilla dhe kjo është thelbësore për t’u theksuar. Edhe pse për fat të keq, sipas mendimit tim, ka ide të përbashkëta të këqija që shpesh dhunojnë vetë botën e tyre, si diskriminimi i grave dhe ekstremizmat e ndryshëm…

Kjo nuk është krejtësisht e vërtetë. Këtë e thotë dikush që, pas asaj çfarë kam kaluar, nuk është njeriu më i përshtatshëm për të mbrojtur Islamin. Gjithnjë e më shpesh thuhet se myslimanët e moderuar, duhet të bëjnë të dëgjohet zëri i tyre, duke e distancuar më qartë veten e tyre nga aktet e terrorizmit. Për mendimin tim, ajo që ne kemi parë në Francë ditët e fundit, ka qenë një shfaqje e madhe e gjithë kësaj. Anembanë vendit, myslimanët dënuan ashpër terrorizmin me thirrjen: “Jo në emrin tim, ne jemi francezë!”. Dhe kjo është e pamohueshme.

Në Evropë, megjithatë po ndodh edhe diçka tjetër. Në Gjermani është shpërfaqur një lëvizje si “Pegida”, që i ka shpallur ‘luftë’ “Islamizimit të Perëndimit”. Ndërkohë në Angli, një imam është shprehur se ëndrra e tij është të shohë të gjitha gratë britanike me perçe.

Rasti i këtij imami besoj se është i veçuar. Sikurse do të thoshte Margaret Theçër, është vetëm “oksigjeni i tij i publicitetit”. E vetmja gjë, që ne mund të bëjmë kundër këtyre fenomeneve, është të mos lëshojmë qoftë edhe një centimetër terren ndaj tyre. Sepse që tani i dëgjoj tek thonë “po, liria e shprehjes, por …”. Kjo nuk duhet të ndodhë.

Megjithatë kjo po ndodh në realitet. “Financial Times”, ditët e fundit e ka quajtur madje një sjellje “budallaqe” atë të karikaturistëve të “Charlie Hebdo”…

Është pikërisht kjo, ajo që duhet të shmangim. “Financial Times” dhe shumë media të tjera nuk kuptojnë funksionin e domosdoshëm të satirës, karikaturave, madje edhe romaneve. Për këtë arsye, nuk duhet të heqim dorë. Në Islam, sot ekzistojnë grupe të rrezikshme që duan ta çojnë të gjithë botën prapa në kohë, dhe që besojnë se shoqëria e përsosur është ajo e Muhamedit dhe e shekullit VII-të, duke tentuar të ndalin rrjedhën e historisë. Problemi i këtyre ekstremistëve është pikërisht historia, që pavarësisht këtyre të fundit shkon përpara, sikurse edhe dhe vetë zhvillimi i njerëzimit. / HBO Real Time with Bill Maher/ a.g./www.bota.al

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat