"Sulmi në Paris, edhe ndaj Shqipërisë"

Bota e Yjeve

"Sulmi në Paris, edhe ndaj Shqipërisë"

Më: 11 janar 2015 Në ora: 19:19

Kryeministri Edi Rama, në një intervistë për televizionin francez “France 24” u shpreh se sulmi terrorist në Paris nuk ishte sulm vetëm ndaj Francës, por edhe ndaj Shqipërisë. Duke folur në gjuhën frënge, Rama deklaroi se i është bashkuar “Marshimit të Bardhë” sepse kjo që ka ndodhur në Paris i ka prekur të gjithë njerëzit e rruzullit tokësor.

Vëmendjes së gazetares nuk i kanë shpëtuar tre lapsat në xhepin e xhaketës së Kryeministrit, me ngjyrat e flamurit francez. I pyetur për simbolikën e tyre, Rama tha se para se të jetë politikan është artist dhe këta lapsa i ka vendosur në shenjë solidariteti me popullin francez.

“Po, më erdhi e natyrshme t’i vija sot kur u nisëm. Kam lapsa gjithnjë mbi tavolinën time në zyrën kryeministrore se më pëlqen të jem kah arti, jo ekonomistësh dhe jo aq politikanësh. Dhe i mora këto lapsa për të treguar solidaritet, sepse po e përsëris që ne e ndjemë këtë sulm si sulm ndaj nesh si shqiptarë”, tha Rama.

Intervista e plotë e Kryeministrit Edi Rama

Kryeministri Edi Rama: Këtu, Islami është pjesë e jetës, dhe kur them këtu them në Europën demokratike, në Europën e lirisë, barazisë dhe vëllazërisë. Pra me kë do ta bëjmë luftën ? Kundër kujt, kundër vetes ? Nëse shkojmë në këtë drejtim, do të bëjmë ekzaktësisht atë që terroristët duam që në të bëjmë. Në këto kushte natyrisht që duhet shumë më shumë koordinim në terma të sigurisë, në terma këshillimi dhe informacioni edhe gjithë komponentëve të tjerë. Por duhet një Europë më e fortë, duhet më shumë Europë, jo më pak Europë.

Aludimi për t’u tërhequr nga projekti i madh europian dhe mbyllja e kufirit tek shtëpia e secilit, është të vetëvritesh, është fundi, jo i Europës, por është fundi i jetës së përbashkët në botën demokratike që ne njohim. Dhe është e pabesueshme që pikërisht në Francë mund të kemi këtë burim kaq pjellor të ndarjes dhe urrejtjes, që mund të vrasë edhe njerëz. Në Francë, në vendin që është zgjedhur për një arsye shumë të qartë, sepse të sulmosh Francën, s’do të thotë të sulmosh një vend dosido, do të thotë të sulmosh vlerat që Franca mëshiron për ne. Në Francë mund të shkojmë kah urrejtjes dhe luftës, mbylljes dhe gjithë çfarë këto sjellin. Kjo do të thotë të tradhtosh shumëçka Europa është sot. Është tradhti ndaj vetë historisë sonë.

Gazetarja: Faleminderit shumë Edi Rama, më duket se tani duhet të shkoni dhe të jepni intervistë edhe për kanalin anglez. Por përpara se të ikni desha t’ju pyes se ç’keni në xhepin e xhaketës suaj. Me duket se janë tre lapsa, një blu, një i bardhë dhe një i kuq.

Kryeministri Edi Rama: Po, më erdhi e natyrshme t’i vija sot kur u nisëm. Kam lapsa gjithnjë mbi tavolinën time në zyrën kryeministrore se më pëlqen të jem kah arti, jo ekonomistësh dhe jo aq politikanësh. Dhe i mora këto lapsa për të treguar solidaritet, sepse po e përsëris që ne e ndjemë këtë sulm si sulm ndaj nesh si shqiptarë. Dhe në rrugë sot, në marshim isha shumë i emocionuar dhe nuk ndihesha në pozitat e një të huaji që i vjen keq kur sheh vuajtjet e të tjerëve, por ishte edhe një vuajtje e pastër imja. Është vuajtja e një Europe që rrezikon të humbet, rrezikon të vdesë, është vuajtja e shpresës, ndaj duhet më shumë shpresë dhe jo më pak shpresë. Duhet më shumë tolerancë dhe jo më pak tolerancë.

Gazetarja: Faleminderit shumë Edi Rama, kujtoj se ju jeni Kryeministër i Shqipërisë dhe keni marrë pjesë sot në marshim pranë Fransua Hollond dhe udhëheqësve të tjerë. Marshimin që filloi nga Sheshi "Republika", faleminderit që morët pjesë në studio.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat