Cliff: BE-ja po punon që Kosova të fitojë sa më shumë njohje

Bota e Yjeve

Cliff: BE-ja po punon që Kosova të fitojë sa më shumë njohje

Më: 30 dhjetor 2014 Në ora: 16:59

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ian Cliff, tha se është e vërtetë që BE-ja po tregohet e butë me Serbinë - kur është në pyetje çështja e Kosovës.

Por sipas tij, kjo ndodhë për shkak se, janë pesë vende anëtare të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe të cilat janë pajtuar me këtë pozitë të Serbisë. Në një intervistë për Radio Kosovën, Cliff tha se Britania e Madhe dhe Gjermania po punojnë që Kosova të fitojë sa më shumë njohje, përfshi edhe pesëshen evropiane.

RADIO KOSOVA: Kosova tani më ka formuar Kuvendin dhe Qeverinë e saj. Cili është komenti juaj rreth kësaj?

IAN CLIFF: Janë institucione të zgjedhura në mënyrë demokratike dhe ne do të punojmë me to. Mungesa e gjatë e Qeverisë së re, po bëhej e dëmshme për Kosovën. Ne kemi thënë gjithnjë që do të qëndrojmë larg kësaj, varet nga vetë kosovarët kë duan ta zgjedhin dhe si duan ta bëjnë këtë.

RADIO KOSOVA: Tani më kemi Kuvend dhe Qeveri të konsoliduar. Dy partitë kryesore në vend PDK-në dhe LDK-në, plus Lista Serbe janë partner të koalicionit. Numerikisht ata qëndrojnë mirë. Por së fundmi kemi parë lëkundje tek ta, p.sh., jo të gjithë deputetët e LDK-së, mbështesin vendimet e koalicionit, PDK-ja ka humbur disa deputetë të cilët tani më veprojnë si të pavarur, Lista Serbe braktisi dje seancën. Sa është efektive ky koalicion për nga numri, nëse merren parasysh të gjithë këto?

IAN CLIFF: Do të jetë efektiv. Është herët të gjykohet. Sa i përket rebelëve të LDK-së, ose atyre që kanë braktisë PDK-në, është normale, sepse gjithnjë do të kesh të pakënaqur, sidomos në vende demokratike, kur partnerë janë dy partitë më të mëdha. E di shumë mirë pse deputetët e Listës Serbe e kanë braktisur seancën dje, ka të bëjë me disa çështje të buxhetit. Por është me rëndësi që në fund të ditës PDK, LDK dhe Lista Serbe e 6 + të konsultohen mes vete, dhe kjo është e vetmja formë si mund të funksionojë një koalicion.

RADIO KOSOVA: Zoti Ambasador, ju përmendët Listën Serbe, por ata vazhdimisht konsultohen paraprakisht me Beogradin. A përfaqësojnë ata interesat e Serbisë, apo të serbëve të Kosovës?

IAN CLIFF: Është shumë me rëndësi që ata të fillojnë të prezantojnë serbët e Kosovës. Nga një takim që kam pasur me tre ministrat serb në këtë qeveri më duket që ata kanë filluar ta kuptojnë këtë. Është e natyrshme që ata vinë nga një strukturë e tillë politike e cila është me e lidhur me Beogradin sesa SLS-ja. Mendoj që kjo është më mirë nëse bëhet në mënyrë efektive, sepse do të ishte më e vështirë që serbët në Kosovë të operonin këtu, e çdo vendim i tyre të kundërshtohej nga Beogradi. Por është me rëndësi që zyrtarët e Listës ta kuptojnë që ata janë zëri i serbëve të Kosovës, e jo qeverisë së Serbisë, sepse me Serbinë merremi ne përmes dialogut Kosovë-Serbi.

RADIO KOSOVA: Veriu i Kosovës, mbetet problem. Kemi formimin e Asociacionit të Komunave Serbe, të cilin serbët po e quajnë Bashkësi. Kjo po shihet si pushtet paralel në Kosovë, nuk do të jetë një OJQ e zakonshme, ashtu siç patën deklaruar institucionet në Kosovën?

IAN CLIFF: Ka pasur dakordim që në fillim për krijimin e një asociacioni, komuniteti apo bashkësia, si e quajnë serbët, ku do të përfshiheshin komunat me shumicë serbe në veri dhe jug të Ibrit, kjo është me rëndësi të kujtohet. Se cilat do të jenë kompetenca e saj duhet të shihet, do të punohet në Bruksel për këtë. Është e qartë që nuk do të jetë një organizatë joqeveritare, sepse qeverisja lokale është qeverisje dhe është absurde të thuhet që është OJQ. Natyrisht, që në anën tjetër ka edhe shumë brenga në Prishtinë, se nëse kjo Bashkësi do të ketë shumë kompetenca, atëherë mund të jetë një Republika Serpska, por mendoj që kjo është e ekzagjeruar, sepse korniza kushtetuese është tjetër në Kosovë. Por askush nuk është i interesuar në një shtet brenda shtetit. Por do të ketë përkrahje financiare nga Beogradi, në mënyrë transparente, për zhvillimin ekonomik, arsim, shëndetësi. Kjo bashkësi, madje, është diçka e mirë për Kosovën, sepse në këtë mënyrë do të bëhej zhbërja e strukturave paralele në Veri të Kosovës.

RADIO KOSOVA: Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë pritet të vazhdojë vitin tjetër. Ende nuk kemi zbatim të plotë të marrëveshjeve të arritur deri tash. Kosova vazhdon të figurojë në kushtetutën e Serbisë si pjesë integrale e saj. Kemi Kapitullin 35. Duket që Brukseli nuk po bën edhe shumë presion mbi Serbinë për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën.

IAN CLIFF: Ajo që po kërkojmë nga Serbia tani është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura, ndonëse ka shumë punë për të bërë. Pastaj ka edhe disa marrëveshje që janë gati për t’u nënshkruar si ajo e gjykatës në veri. Deri më tani Brukseli nuk ka bërë presion mbi Serbinë për çështjen e ndryshimeve kushtetuese, dhe kjo mendoj që duhet të lihet për një fazë të mëvonshme. Sa i përket Kapitullit 35, është shumë me rëndësi për BE-në, veçanërisht për Anglinë dhe Gjermaninë, që Serbia të vazhdojë dialogun me BE-në, sepse aty hyn edhe çështja e Kosovës.

RADIO KOSOVA: A nuk po tregohet e butë BE-ja me Serbinë rreth këtyre çështjeve?

IAN CLIFF: BE-ja është shumë më e butë për Serbinë, dhe gjithçka tjetër që lidhet me Serbinë, siç do të ishte Anglia apo Gjermania, sepse kemi pesë vendet të cilat janë pajtuar me këtë pozitë të Serbisë dhe për derisa e kemi këtë situatë, do të kemi gjithnjë komplikime brenda BE-së. Prandaj, ne jemi duke punuar me Kosovën që të fitojnë sa më shumë njohje, përfshi edhe pesëshen evropiane. Nuk po them që kjo do të ndodhë nesër, por kemi parë disa ndryshime pozitive si p.sh., në Rumani, Sllovaki dhe Greqi, dhe kjo mendoj që është shumë pozitive në marrëdhëniet Kosovë - BE.

RADIO KOSOVA: Kosova këtë vit ka vendosur inicialet për MSA. Mendoni që do të kemi problem nga këto pesë vendet evropiane kur të vije puna tek ratifikimi i MSA-së?

IAN CLIFF: Duhet të jemi real që Kosova ka vendos vetëm inicialet në këtë marrëveshje. Shpresojmë që nënshkrimi do të bëhet në pranverë. Nëse duan të bëjnë problem këto pesë vende - edhe mund të bëjnë, prandaj ne po punojmë që të mos ndodhë diç e tillë. Është e vërtetë që kjo është një marrëveshje mes BE-së dhe Kosovës, nuk është e njëjtë si me vendet tjera, por unë jam optimist që do të arrijmë të nënshkruajmë këtë marrëveshje.

RADIO KOSOVA: Kosova vazhdon të jetë vendi më i varfër në Evropë. Kemi një buxhet të vogël, është paralajmërua që nuk do të ketë ngritje pagash, por janë paralajmëruar edhe protesta nga sindikatat e ndryshme. Mendoni që mund të kemi trazira sociale nga këto zhvillime?

IAN CLIFF: Rritja e pagave po bëhet vetëm në sektorin publik dhe kjo është një problem serioz në Kosovë, sepse e tërë struktura ekonomike në vend është e disbalancuar në raport me secilin vend të BE-së. Sektori publik është më i madh sesa ai privat, dhe nëse Kosova mendon të këtë modelin e ekonomisë të vendeve evropiane, atëherë duhet të forcojë sektorin privat dhe ta zvogëlojë sektorin publik. Po mund të ketë rritje më sektorin publik, por të paktën kjo duhet të reflektojë produktivitet. Por unë nuk po e shoh këtë, sa herë shkoj në ministri shoh vetëm njerëz që rrinë dhe pimë kafe e asgjë më shumë, dhe kjo duhet të ndërrojë nëse Kosova dëshiron të ecë përpara.

RADIO KOSOVA: Reforma në administratat publike është njëra ndër kërkesa kryesore të BE-së. Por tani kemi 21 ministri. A kemi nevojë për kabinet qeveritar kaq të madh, apo krijohen ministritë për sistemim të militantëve të partive?

IAN CLIFF: Mendoj që mund të keni pasur një Qeveri më të vogël. Përshtypja ime është që Kryeministri do të lëvizë në këtë drejtim, por tash për tash nuk ka pasur ndonjë ndryshim. Është shumë e nevojshme për të thënë që nuk është nevoja që keni nga dy apo tre zëvendësministra në të gjitha ministritë, por kjo është si rezultat i një koalicioni të madh. Por reforma në administratë është shumë e rëndësishme, sidomos tek shërbyesit civilë.

RADIO KOSOVA: Kohëve të fundit po shohim imigrim të kosovarëve drejt vendeve të zonës së Shengenit. Sa është e brengosur BE-ja për këtë?

IAN CLIFF: Natyrisht që është e brengosur. Por kjo lidhet me atë se çfarë thashë unë më herët këtu duhet të kemi një ringjallje të ekonomisë, dhe kjo mund të behët përmes njerëzve të rinj që shkollohen jashtë vendit. Kam frikë se ky eksod i kosovarë për në BE, do të ketë ndikim në tek vendet e Shengenit, për vendimmarrje rreth liberalizimit të vizave. Edhe pse Kosova ka bërë mjaft në udhërrëfyesin e liberalizmit të vizave , ikjet nga Hungari, do të ndikojnë negativisht në vendimmarrjen e vendeve të Shengenit, për vizat e kosovarëve.

RADIO KOSOVA: Kosova vazhdon të ketë një sistem të brishtë të drejtësisë. Prezenca e EULEX-it nuk duket që ka ndikuar shumë në sistemin e drejtësisë në Kosovë?

IAN CLIFF: Mendoj që puna e EULEX-it është nënvlerësuar paksa. Ka pasur mjaft raste të krimit të organizuar, por që nuk kanë qenë prezentë në media, sepse media më shumë kanë qenë të interesuara në rastet e krimeve të luftës, ose ato raste kur janë përfshirë emra prominentë të politikës. Dhe keni të drejtë kur thoni që korrupsioni mbetet problem serioz dhe pengesë serioze për investitorët e huaj.

RADIO KOSOVA: Së fundmi, kemi parë edhe aferën brenda EULEX-it.

IAN CLIFF: Ju e dini që po bëhen hetime të pavarura nga BE-ja dhe nuk mund të komentojmë më shumë në këtë drejtim.

RADIO KOSOVA: Parlamenti i Kosovës, se shpejti duhet të miratojë Ligjin për Gjykatën Speciale e cila pritet të themelohet diku kah mesi i vitit tjetër. Cili është komenti juaj për këtë gjykatë?

IAN CLIFF: Është shumë me rëndësi që të themelohet kjo Gjykatë, sidomos për imazhin e Kosovës, në arenën ndërkombëtare. Kanë ekzistuar akuzat e senatorit Marty, dhe kjo ka ndikuar në të ardhmen evropiane të Kosovës. Prandaj, në mënyrë që të largohet kjo mjegulli e krijuar rreth Kosovës është mirë që të krijohet kjo gjykatë, e cila do të ketë një ulëse këtu e një në Holandë. Mendojmë që kjo duhet të jetë prioritet për Qeverinë e re, kjo do të përfshijë edhe disa ndryshime në Kushtetutën e Kosovës, por nevojitet edhe dakordimi me Holandën, pasi kjo duhet të votohet edhe në parlamentin holandez, dhe sigurisht që do të duhet ca kohë më formimin e saj, mund të jetë diku kah mesi i viti tjetër.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat