Ahmeti thotë se do t’i heq edhe rrethojat te Qeveria

Bota e Yjeve

Ahmeti thotë se do t’i heq edhe rrethojat te Qeveria

Më: 25 dhjetor 2014 Në ora: 18:03

Në një intervistë për Radio Kosovën, i pari i Prishtinës thotë se me qeverisjen e tij, janë zgjidhur shumë probleme të kryeqytetit si ndalimi i ndërtimeve pa leje, lirimi i hapësirave publike dhe dollapët e kiflet nëpër shkolla. Ahmeti tha se së shpejti do t’i heqë edhe rrethojat te ndërtesa e Qeverisë, ndërsa zgjidhjen e problemit të banimit për të pastrehët e qytetit, e quan sukses të mandatit.

Radio Kosova: Çka konsideroni sukses të punës suaj për këtë vit?

Shpend Ahmeti: I kemi ndalur punët e këqija në Komunën e Prishtinës dhe i kemi filluar punët e mira. Është një trend i ri i qeverisjes dhe mendoj që ky është suksesi më i mirë, që po e krijojmë qytetarin aktiv në Komunën e Prishtinës. Një qytetar i cili ankohet, vepron me fqinjët e vet, merr masa, i ankohet komunës që bashkërisht t’i zgjidhim problemet. Dhe po e them, ajo që mua më gëzon, ajo që kemi arritur me i ndalur trendet negative të komunës së Prishtinës, qofshin ato ndërtimet pa leje, qofshin ato veprimet korruptive, aferat korruptive të ndryshme. Pra po e kthejmë besimin e qytetarëve në qeverisje. Mua më pëlqen kjo më shumë sesa të numëroj projektet konkrete, si kiflet, dollapët, zhbllokimi i shumë projekteve infrastrukturore në komunën tonë, e deri te vizita sistematike, reforma qe po i bëjmë në shkollat tona. Por po e them, më e mira dhe sukses që shpresoj në fund të mandatit të them me shumë siguri, është që pa marrë parasysh se cili politikan vjen e shkon , qytetarin do ta kemi një qytetar aktiv.

Radio Kosova: Sa jeni të kënaqur me realizimin e projekteve gjatë këtij viti?

Shpend Ahmeti: Gjithmonë ka hapësirë për të thënë se mund të bëjmë edhe më shumë. Pra, unë jam i kënaqur por kjo nuk është njëfarë vetë kënaqësie, që të themi tash e arritëm dhe nuk ka më. Mendoj se mund të përmirësojmë shumë gjëra vitin e ardhshëm. Sivjet kemi trashëguar një buxhet i cili ka qenë buxhet i aprovuar nga qeverisja e kaluar, ndërsa ne kemi marrë mandat ndër projektet tona. Pra ky vit i tranzicionit i ka pasur edhe problemet e veta që ndërlidhen me ndaljen e shumë projekteve dhe besoj tashmë, vitin tjetër me buxhetin tonë, do të arrijmë që t’i realizojmë edhe më mirë projektet tona. Ndër dymbëdhjetë zotimet të fushatës, gjashtë janë përmbushur plotësisht, gjashtë tjera janë në proces e sipër. Pra ne do të shkojmë edhe tej premtimeve që i kemi dhënë.

Radio Kosova: Po pas problemeve me naftën nëpër shkolla dhe pas sqarimeve të Institutit si dhe pas rekomandimeve të inspektoratit për oxhaqe dhe rezervarë, çfarë është tani ambienti në shkollat tona?

Shpend Ahmeti: Në një pjesë të shkollave tash kemi ngrohje qendrore nga Termokosi sepse sivjet filloi kogjenerimi, me gjithë telashet që ka pasur. Tashmë e kemi një procedurë të prokurimit për të cilën ju e dini që unë jam ankuar edhe në Prokurori, për veprime të rrjeteve të ndryshme kriminale sepse unë mendoj që Prokuroria i ka dëshmitë nga shkurti dhe nuk ka vepruar, gjë që neve na ka shtyrë tash të bëjmë improvizime sa i përket furnizimit me naftë. Por kontrollet i bëjmë dhe tashmë furnizohemi me lëndë djegëse që quhet naftë dhe është naftë. Ne do të vazhdojmë ti bëjmë analizat, por synimi jonë është që brenda këtij mandati të mos ketë më asnjë shkollë që ngrohet me naftë për shkak të problemeve që po i shkakton dhe për shkak të rrezikut që gjithmonë kanoset nga nafta.

Radio Kosova: A mendoni se është zbehë imazhi juaj pas problemit me naftën nëpër shkolla, mos realizimi i parkingjeve, grevës së edukatoreve nëpër çerdhe, rrugët e pa riasfaltuara…?Këtu është fjala për rrugët e hapura nga Ujësjellësi të cilat janë duke e bërë ndërrimin e rrjetit të ujësjellësit!

Shpend Ahmeti: Nuk ka të bëjë kjo me zbehjen apo përmirësimin e imazhit tim, në fund të fundit nuk ka rëndësi si person a zbehem apo jo. Me rëndësi është se a realizohen dhe a përmirësohet cilësia e jetës. Pas gjashtë viteve ankesa, edukatoret e çerdheve të Prishtinës i kanë pagat sipas kërkesave. Sindikatat e shëndetësisë thonë që Komuna e Prishtinës është e vetmja komunë që i ka realizuar të gjitha kërkesat e punëtorëve. Jemi në realizim e sipër të kërkesave të sindikatave të punëtorëve teknik të arsimit, që tash i kanë pagat nga 230 euro. Në çdo takim me kontraktorë, kemi kërkuar që të respektohen të drejtat e punëtorëve. Mendoj se të gjitha këto projekte që ne kemi thënë se do t’i bëjmë, do të realizohen. Unë kam thënë, ky është mandat katër vjeçar. Parkingu Prishtina, ne e kemi përkundu punën tonë. Tash pse ka pasur ngërç gjashtë mujor dhe nuk ka pasur gjendje që të funksionalizohet Kuvendi, duhet ta bartin edhe ata një pjesë të përgjegjësisë. Sepse neve për ta krijuar kompaninë na duhet miratimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe tashmë e kemi dorëzuar gjithë dokumentacionin. Vitin e ardhshëm, si prioritet apo si ajo që do të duket, është projekti madhor i Transportit Publik dhe po ashtu i kemi në fokus edhe parkingun por edhe çerdhet që është edhe një gjë e cila është vonuar më shumë në Qeveri se sa në Komunë. Por në fund të fundit, unë nuk dua të jem kryetar i cili do të ankohem dhe të them që nuk më lanë apo nuk e bënë këtë. Megjithatë mendoj që shumë projekte të cilat kanë qenë të bllokuara për shkak të vështirësive të Qeverisë, ne i kemi zhbllokuar. Askush sot nuk e përmend më rreth rrotullimin i cili ka qenë njëri për problemeve kryesore për gjysmën e Prishtinës dhe atyre që kanë ardhur në Prishtinë, sepse është dashtë të pritet dyzet minuta për të hy në qytet. Sot është e pa vërejtshme ajo e cila ka qenë problem pronësor apo problem i partive politike.

Radio Kosova: Gjatë këtij viti, cilat kanë qenë sfidat e juaja, a ju është paraqitur ndonjë problem gjatë realizimit të punëve, qofshin ato për prona apo për diçka tjetër?

Shpend Ahmeti: Nuk ka punë më të vështirë se kryetar komune në kryeqytet, por nuk ka edhe punë më interesante sesa kjo punë. Unë mendoj që këtu ballafaqohesh me çdo gjë, je kontakti i parë i qytetarit me qeverisjen. Unë jam lindë dhe rritur në Prishtinë por tash Prishtinën unë e di pëllëmbë për pëllëmbë, cilat probleme ka dhe si frymon. Sfida ka çdo ditë dhe kjo e bën këtë punë interesante sepse çdo ditë është diçka tjetër, asnjë ditë nuk është rutinë. Sot merrem me një krizë që ka ndodhë diku në një shkollë, nesër merremi me një gropë të madhe në një lagje, pasnesër merremi me qenë endacakë, ndonjë krizë… Pra të gjitha këto janë probleme të cilat e bëjnë këtë punë interesante, por është me shumë sfida. Janë 85, mos me thënë 80-90 për qind të problemeve që as mediat nuk i dinë e as qytetarët nuk i marrin vesh asnjëherë sepse ne merremi me to, ballafaqohemi. Tek më vonë merr vesh që kanë qenë probleme të mëdha, por janë zgjidhur kështu me insistimin dhe vullnetin tonë.

Radio Kosova: Çfarë investime kapitale ka paraparë komuna për vitin 2015?

Shpend Ahmeti: Investime kapitale ka në çdo fushë, duke filluar prej dy projekteve madhore për mbylljen e lumenjve ‘Mati’ dhe ‘Prishtina’ që shkaktojnë probleme të kanalizimit edhe në lagjen e Spitalit dhe në lagjen Kalabria. Po ashtu parashikojmë fillim e punëve në unazën që e quajmë Unaza Qendrore e Brendshme, e cila e ka lidhjen prej rrethit të lagjes Arbëria deri te rrethi i fushë Kosovës. Ka shumë e shumë projekte të rrugicave dhe rrugëve nëpër fshatra dhe në pjesën urbane. Do t’i bllokojmë të gjitha trotuaret me masat anti-parking që ti lirojmë në çdo lagje të qytetit. I kemi diku rreth 25 parqe të vogla nëpër lagje. Pastaj edhe pishina e qytetit që duhet të fillojë, teatri i qytetit, salla universale. Të gjitha këto janë projekte kapitale që pritet të fillojnë në vitin 2015. Megjithatë, projekti më i madh i vitit të ardhshëm është projekti i trafikut urban apo transportit publik, kredia nga BERZH-i, 10 milionë euro të cilën shpresojmë që në muajin janar ta nënshkruajmë pas ratifikimit nga Kuvendi i Republikës së Kosovës. Që neve pastaj na futë në një proces krejt tjetër të ringjalljes së transportit publik në Prishtinë e deri te blerja e 56 autobusëve të rinj. Diku kah vjeshta e vitit të ardhshëm, ne do të fillojmë komplet një sistem të ri të transportit publik, më në fund t’i shpallim luftë makinave. Të kemi sa më pak vetura në rrugë, njerëzit ta përdorin transportin publik dhe të kemi një sistem model si e kanë qytetet e tjera.

Radio Kosova: Janë larguar tërësisht rrethojat e radio Kosovës, duke u zëvendësuar pjesërisht me mur të gjallë. A mund të na sqaroni pak këtë për dëgjuesit tanë, sa ka qenë e nevojshme kjo dhe cili është qëllimi i Komunës këtu?

Shpend Ahmeti: Ne i kemi hequr së pari grilat prej Komunës së Prishtinës. Grilat ta japin ndjenjën e një kufizimi, një burgu. Tërë kohën të kufizuar në të gjitha anët nga grila të ndryshëm. Mendoj se kjo nuk i duhet Prishtinës sepse nuk e di kujt ia kemi frikën. Ne si komunë nuk ia kemi frikën njerëzve. Kemi sigurimin tonë që e siguron ndërtesën, por nuk ka nevojë që kur të vinë këtu ta shohin Komunën të rrethuar. Kjo është komuna e qytetarëve, nuk është e jona. Edhe te Radio Kosova është e njëjtë për mua sepse unë jam rritë në atë pjesë. Tash duket shumë më bukur edhe pse nuk kam qenë që të ketë pisha në çdo centimetër të atij gardhi. Megjithatë prapë se prapë po rrinë shumë më bukur ai gjelbërim, sesa grilat që kanë qenë. Në fund të fundit një pjesë e madhe e Prishtinës është tokë publike dhe toka publike na takon të gjithëve. Ta kemi ndjenjën se ky qytet është i hapur, ashtu si edhe e dua unë, që të jetë i hapur. Ne besojmë që tash do ti heqim edhe te ndërtesa qeveritare te Rilindja së pari, aty e kemi një park shumë të madh i cili nuk shfrytëzohet nga askush sepse ka grila. Për çka po na duhet ai park? Për çka i kanë vendosur ato ulëse aty kur nuk shfrytëzohen nga qytetarët? Pra duhet ta largojmë këtë konceptin, se ne ruhemi sikurse kanë qenë misionet ndërkombëtare që barrikadoheshin me çimento e grila. Qeveria, Komuna, janë institucionet e qytetarëve. S’kemi nevojë të barrikadohemi nga askush.

Radio Kosova: Çfarë jeni duke bërë për ligjin për Prishtinën, meqenëse në Kushtetutën e Kosovës, nenin 13 parashihet rregullimin e statusit të kryeqytetit me ligj, por kjo ende nuk po realizohet?! Kur pritet të implementohet ky ligj?

Shpend Ahmeti: Kjo nuk është përgjegjësi e Komunës së Prishtinës. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal është sponzorizues i ligjit. Besoj që tashmë të gjithë e kanë të qartë se nuk është më pyetja se a duhet të kalojë ligji apo jo, sepse është kategori kushtetuese dhe detyrim kushtetues. Por pyetja është se çfarë ligji duhet të kalojë?!. Në atë aspekt, të atij debati, ne kemi shumë qëndrime të cilat kanë të bëjnë me funksionimin e qytetit. Ato qëndrime ia kemi bërë të ditur Ministrisë së Administrimit së Pushtetit Lokal e cila pritet që një prej pesë-gjashtë ligjeve të para që do procedohet, në Qeveri së pari e pastaj në Kuvend të jetë edhe ligji për Prishtinën. Besoj se me atë ligj do të rregullohen shumë çështje. Prishtina duhet të hiqet nga koncepti i vetëqeverisjes që e kanë komunat e tjera sepse është kryeqytet. Ne jemi nikoqir të Administratës Publike, është qytet shumë i madh, është një prej institucioneve më të mëdha buxhetore, duhet ta ketë autoritetin e vet për ta menaxhuar këtë kryeqytet me gjithë madhësinë dhe përgjegjësinë që e ka.

Radio Kosova: Po për buxhet a keni ankesa, sa i përket ndarjes së buxhetit nga Qeveria për Komunën e Prishtinës?

Shpend Ahmeti: Ne e kemi dërguar një propozim buxhet prej 69 milionë eurove,i cili ka qenë 7 milionë euro rritje prej aq sa na kanë caktuar në qarkore buxhetore, ministria. Sivjet na i kanë shkurtuar grandet duke thënë se Prishtina i ka 197 mijë banorë duke përdorë regjistrimin e popullatës. Edhe ata edhe ne edhe gjithë Kosova e dimë që Prishtina nuk i ka 200 mijë banorë por i ka mbi 350 mijë banorë. U kemi thënë se ne po duam me i rritë prej të hyrave vetanake sepse parashikojmë të hyra nga parkingu, të hyra nga legalizimi. Në moment të fundit ata nuk e kanë pranuar dhe na e kanë vënë në buxhet shumën prej 56 milionë eurove diku 14 milionë euro mw pak se sa e kemi kaluar ne në Kuvendin Komunal. Si pasojë e kësaj janë shkurtuar shumë projekte mirëpo tash e kemi dërguar amendamentin përmes deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje që të tentohet edhe në Komision për Buxhet dhe Financa në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe në ditën e kalimit të leximit të dytë të buxhetit, të futet amendamenti ku neve na rritet sipas vendimit të Kuvendit Komunal. Në rastin me të keq koncepti ka qenë që të jetë 62 milionë euro prandaj, ende besoj në racionalizimin e deputetëve që ta vendosin këtë ashtu si është e drejtë.

Radio Kosova: A do të zhvendosen 14 familjet në Fushën e Pajtimit, prej kontejnerëve?

Shpend Ahmeti: Ne kemi jo vetëm 14 familje, kemi më shumë familje të vendosura në kontejnerë dhe synimi jonë është që brenda vitit 2015 t’i largojmë. Por duhet ta kemi parasysh që ne i kemi 1500 familje pa strehim në Komunën e Prishtinës, dhe nuk kemi fonde të mjaftueshme të banesave për t’i strehuar të gjithë. Prandaj kemi filluar një program tre vjeçar të financimit të banimit special sipas ligjit në fuqi. Për disa do të ofrojmë pagesë të qirasë, një pjesë e qirasë, si e lejon ligji, deri gjysmën e qirasë. Për të tjerët do të shohim se si t’i strehojmë nëpër vende të ndryshme që janë pronësi e Komunës. Për këtë arsye do të hymë në bashkë ndërtime me kompani private kur kemi një pjesë tokë, në mënyrë që kur të na takojnë katër deri pesë banesa në një ndërtesë, ato t’i japim për banim social. Në Fushën e Pajtimit duhet të bëjmë një vlerësim se kush është me të vërtetë rast social në ato pjesë dhe kush nuk është. Sepse ka njerëz që banojnë në pritje që kur të bëhet zgjidhje për rastet e rënda të bëhet edhe për ta. Pra duhet të bëhet një definicion dhe t’i largojmë edhe kontejnerët, që mos të lejojmë që pastaj dikush tjetër të vjen në ata kontejnerë. Por, po e them që me pasë mundësi me e zgjidhë çështjen e strehimit për qytetarët e Prishtinës, nuk ke nevojë të bësh asgjë tjetër. Mund të quhet mandat tepër i suksesshëm.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat