Simon Mirakaj: “Hapja e dosjeve do të spastrojë politikën dhe drejtësinë nga spiunët e Enverit”

Bota e Yjeve

Simon Mirakaj: “Hapja e dosjeve do të spastrojë politikën dhe drejtësinë nga spiunët e Enverit”

Më: 11 dhjetor 2014 Në ora: 00:08

Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të përndjekurve politikë, Simon Mirakaj, në intervistën për “Telegraf”, sqaron se Ligji i Lustracionit duhet të zbatohet edhe në Shqipëri, sikurse është zbatuar në të gjitha vendet postkomuniste, për tu shkëputur përfundimisht nga e kaluara e zezë komuniste. Rruga e vetme që do të na çojë në BE, thotë zoti Mirakaj, është të heqim dorë nga simbolet e komunizmit. Zbatimi i ligjit të Lustracionit, pohon Mirakaj, nuk ka të bëjë aspak me hakmarrje personale dhe se dosjet do t’i hapin vetëm të interesuarit, dhe se duke mësuar se cilët ishin urdhëruesit, zbatuesit dhe bashkëpunëtorët e atyre që vranë dhe përndoqën kundërshtarët politikë, do të mund të spastrohet politika dhe drejtësia jonë.

- Zoti Mirakaj, çfarë ndryshimi ka në projektligjin e dorëzuar pardje në Kuvend dhe në klimën politike në krahasim nga projektligji që u rrëzua në 2008-n nga Gjykata Kushtetuese?

- Unë doja ta filloj që nga viti 1995, ku ka pasur përpjekje që të hyjë në komision për hapjen e dosjeve, që quhej Komisioni “Mezini” dhe për faktin e ngjarjeve të ’97-s ky komision u mbyll. Më vonë përpjekje pati në 1998, me Komisionin “Bezani”, ku u bënë disa seleksionime, por deri kaq. Në 2008-n u hartua një projektligj, i cili u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese për shkak të konfliktit të interesit, sepse në një nen të këtij projektligji përjashtoheshin edhe gjyqtarët, në krye të Gjykatës Kushtetuese ishte Fehmi Abdiu. Të paktën, atëherë kështu u bë arsyetimi që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese ai projektligj i Lustracionit. Tani në vitin 2014 Shoqëria Civile ka marrë përsipër të hartojë një projektligj të ri për Lustracionin. Nëse ne duam të shkëputemi nga e kaluara, duhet të përballemi me të dhe përballja është që të shfletojmë historinë e së kaluarës, të shohim të zezën të zezë dhe vetëm në rast se ne do të përballemi me të kaluarën, atëherë ne do të shkëputemi prej saj. Ne pretendojmë të shkojmë në Europë, por në Europë nuk mund të shkohet me simbolet e komunizmit.

- Pas 23 vjetësh nga rrëzimi i komunizmit përse ia vlen të hapen dosjet?

- Besoj se e dini që në festimet e 5 Majit, ju patë që në Varrezat e Dëshmorëve në Përmet fëmijët që nderuan me grusht, ky është një simbol i komunizmit. Aq më keq që e bënë fëmijët, që fëmijët, edhe kur u vdesin familjarët, nuk i lejojnë në varreza. Pastaj, në një rast tjetër, kujtimi i Kongresit të Përmetit, ku në atë u hodhën themelet e diktaturës komuniste, ku atje u shfaqën portretet e diktatorit Enver Hoxha. Pastaj, bëhen përvjetorët e krijimit të Brigadave partizane me shallet e kuq dhe me portretet e Enverit. Dhe fatkeqësisht, kjo ndodh në prezencën e qeveritarëve. U desh thirrja e ambasadorit Arvizu, që e cilësoi “monstër” që u hoqën shallet e kuq dhe portreti i Enver Hoxhës nga parakalimi. Unë mendoj, që domosdoshmëria e hapjes së dosjeve vjen edhe nga një fakt tjetër më të rëndë. Nëqoftëse do të ishin hapur dosjet, nuk do të kishim “Qytetar Nderi” një vrasës, sikurse bëjnë Mehmet Shehun e Feçor Shehun. Këto dhe shkaqe e arsye të tjera e bëjnë edhe sot domosdoshmëri hapjen e dosjeve. Bëjmë të gjitha përpjekjet dhe reforma të thella ligjore, të cilat na kushtëzojnë që demokracia jonë t’i bashkohet Bashkimit Europian, ndërkohë, kur nga ana tjetër, i shprehim publikisht mirënjohje diktatorit Evner Hoxhës dhe simbolet e komunizmit. Ky është një paradoks i kohës. Duhet të ballafaqohemi me të kaluarën e zezë komuniste, që historia të mos përsëritet dhe e kaluara të mos më jetë peshë frike, dhimbjeje të vazhdojë të vrasë shpirtrat tanë. Kjo është gjithë filozofia e hapjes së dosjeve. Koha që humbëm nuk mund të zhvlerësojë këtë filozofi.

- A mund të përbëjë rrezik për Sigurinë tonë Kombëtare hapja e dosjeve, siç argumentojnë jo pak?

- Hapja e dosjeve bëhet me ligj. Pra, ky draft i është dorëzuar Kuvendit, dhe dosjet kanë cilësi. Dosje sekrete, dosje tepër sekrete. Çdo gjë sistemohet me ligj. Te ligji i Lustracionit ne nuk po bëjmë ndonjë shpikje. Ligji i Lustracionit dhe hapja e dosjeve janë miratuar dhe janë zbatuar në të gjitha vendet postkomuniste dhe nuk ka ndodhur ndonjë fenomen i çuditshëm, që të trembet dikush se në Shqipëri, nëse hapen dosjet kërcënohet siguria kombëtare, apo për hakmarrje, etj, etj. Hapja e dosjeve do të bëhet me komision. Ligji e përcakton se cilat dosje do të preken.

- Cili është qëllimi final i hapjes së dosjeve të sigurimit të shtetit?

- Këtu nuk është vetëm ky qëllimi që të gjejmë vetëm bashkëpunëtorët e sigurimit. Unë personalisht dhe shtresa e të persekutuarve e njohim mirë atë situatë. Qëllimi i vërtetë i zbatimit të Ligjit të Lustracionit është që administrata publike të pastrohet nga të inkriminuarit, qoftë bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, me hir apo me pahir dhe, njëkohësisht, të gjithë këta të mos jenë më pjesë e drejtësisë ish gjyqtarët që kanë dhënë dënime politike, ish prokurorët, oficerët e sigurimit. Ne sot kemi në Gjykatën Kushtetuese, në Gjykatën e Lartë, kemi në SHISH njerëz që kanë qenë leva dhe instrumente zbatimi dhe ekzekutimi të diktaturës.

- Në vendet postkomuniste, atje ka tjetër kulturë dhe emancipim demokratik, ndërsa në vendin tonë, ku këto mungojnë, a mund të ndikojnë negativisht në një hapje të dosjeve?

- Absolutisht nuk do të kemi ndonjë rrezik dhe kërcënim të Sigurisë Kombëtare. Duhet të gjejmë edhe ata që i kanë detyruar disa, nëpërmjet dhunës, që të bëhen bashkëpunëtorë të sigurimit. Hapja e dosjeve nuk do të thotë, që të hapen dosjet në rrugë. Çdo qytetar ka të drejtë të hapë vetëm dosjen e vet dhe këtu mbyllet cikli. Nuk ka të drejtë as të fotokopjojë, as të lançojë personat që e kanë dhënë deponime për atë.

- A mund të përbëjë rrezik për imazhin e atyre të dënuarve, që u bënë bashkëpunëtorë të sigurimit, duke spiunuar bashkëvuajtësit e tyre?

- Nuk ka asnjë rrezik dhe unë flas për shtresën e të përndjekurve, që është një shtresë fisnike, që edhe pasi dolëm nga burgjet, nuk kemi dëgjuar për hakmarrje, por secili ndërtoi jetën e vet.

- Sipas jush, a ka ndonjë mangësi ky projektligj i ri i Lustracionit?

- Projektligji është hartuar nga njerëz kompetentë, nga ekspertë të cilët kanë marrë modelin gjerman dhe atë çek dhe e kanë përshtatë. Me atë që kam studiuar unë, nuk ka ndryshime të mëdha më draftin e mëparshëm.

- Nëse ky ligji i Lustracionit do të zbatohet – me në fund, cilat do të jenë të mirat për shqiptarët dhe demokracinë tonë?

- Qëllimi i hapjes së dosjeve nuk është kurrsesi qëllim hakmarrës, por është qëllimi që të ballafaqohemi me të shkuarën dhe të shkëputemi përfundimisht prej saj, të bëhemi pjesë e Europës. Kështu që unë besoj që shoqëria, kësisoj, fiton, fiton edhe demokracia. Qëllimi është që brezit të ri t’i japim mesazhin e paqes dhe ky mesazh jepet duke u shkëputur më në fund nga e kaluara.

- Zoti Miraka, pak më lart thatë që sot është e Majta në qeverisje dhe ka pak mundësi të miratohet ky ligj. Sipas jush, përse e Djathta që qeverisi 8 vjet nuk e miratoi që ta zbatonte ligjin e Lustracionit?

- E djathta në 2008-n e çoi në Kuvend, por më vonë nuk e ngriti më zërin. Unë mendoj që nuk ka qenë një këmbëngulje serioze e së Djathtës. Sigurisht, që të implikuar dhe të inkriminuar, njerëz të sigurimit të shtetit e shërbëtorë të zellshëm të diktaturës ka edhe nga e Djathta, edhe nga e Majta. Skepticizmi im ushqehet sepse ne nëse ne komunizmin nuk e shikojmë si një të keqe të përbashkët, nuk mund të luftohet.

Jam skepticist nëse politikanët duan do që të hapen dosjet

- Sot, pas 23 vjetësh, shumë janë konsoliduar dhe kanë monopol në politikë. Mendoni se ligji i Lustracionit do t’i prekë?

- Unë, edhe pse jam partizan i hapjes së dosjeve, jam skeptik, kjo jo dhe kaq se e Majta është në pushtet. Skepticizmin tim e kam rrjedhojë e një arsyetimi. Në 2006-n u paraqit një rezolutë për dënimin e krimeve të komunizmit dhe e Majta nuk e aprovoi dhe doli jashtë seancës parlamentare. E, megjithatë, tani shikoj pak dritë, që më jep pak shpresë, pasi për këtë ligj kanë folur edhe ambasadori i SHBA-së, i Gjermanisë.

- Faleminderit!

Jakup B. GJOÇA

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat