Nishani me pikëpamje ndryshe nga opozita: Vizita e Ramës në Serbi hap pozitiv

Bota e Yjeve

Nishani me pikëpamje ndryshe nga opozita: Vizita e Ramës në Serbi hap pozitiv

Më: 29 nëntor 2014 Në ora: 13:53

Intervista e Presidentit Nishani dhënë për Radio Televizionin e Kosovës

Gazetari: Në këtë ditë të madhe, 102-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, si e shihni pozitën e shqiptarëve në të gjitha vendet ku ata jetojnë?

Presidenti Nishani: Unë besoj se është më se i prekshëm, i dukshëm fakti se shqiptarët sot, kudo ku jetojnë, janë shumë më të realizuar se kurrë më parë. Kjo nuk do të thotë se ata nuk kanë probleme me sfidat, përkundrazi, gjykoj që sa më shumë që kanë arritur, aq më shumë sfida kanë përpara në rrugëtimin e tyre drejt përparimit të madh, drejt arritjeve më të mëdha. Mund t’ju them se Shqipëria sot është në një stad shumë më të përparuar nga ç’ka qenë 10-15 apo 20 vjet më parë jo vetëm si shoqëri më e emancipuar, më e pjekur, me një ekonomi në përparim, një vend që, i mbërthyer nga varfëria e ideologjizimi e çmenduria e së shkuarës ku gjithkush konsiderohej si armik i shqiptarëve, sot është anëtar i NATO-s, vend që ndihmon së bashku me vende të tilla që kanë pasur dhe kanë ende udhëheqjen në arenën ndërkombëtare në raport me paqen sigurimin dhe liritë botërore; vend që dëshiron me bazë të qëndrueshme e të fortë, në kuptimin e qasjes shoqërore e publike pohimin politik me arritje në kuptimin e infrastrukturës shtetërore dhe shoqërore me synim anëtarësimin në Bashkimin Evropian, me një shoqëri vibrante, dinamike. Kosova, tashmë e njohur jo vetëm si një vend i pavarur, por si një shtet që ka dhënë ndihmë reale në garantimin e një shkalle të lartë të stabilitetit dhe të sigurisë në Ballkan. Çështja e saj jo vetëm që është në fokusin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, një aleate tani e njohur dhe e rëndësishme edhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajonin e Ballkanit, por me një shoqëri me ambicie serioze dhe nivel të admirueshëm vibracioni, në raport me objektivat e ambiciet e saj, në raport me dinamikën që ofron ajo në Kosovë.
Shqiptarët në Maqedoni, përtej të qenit një element jetësor i ekzistencës së shtetit maqedonas, por edhe kontribuues të sigurisë së stabilitetit dhe të promovimit të vlerave të Maqedonisë si shtet, natyrisht, në raport me identitetin e kulturën e tyre si shqiptarë, por dhe me kapacitetet e funksionimit të demokracisë dhe të shtetit në Maqedoni, me ambicie shumë të mëdha për ta parë Maqedoninë si shteti i tyre në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

Shqiptarët në Malin e Zi, si kurrë më parë, në kuptimin e promovimit të identitetit të tyre kombëtar, kulturor dhe të vlerave brenda shtetit të Malit të Zi si element garantues i konstituimit të pavarësisë së Malit të Zi, por dhe një qasje në proceset euroatlantike.

Shqiptarët në Luginë, Preshevë e Bujanovc, shumë herë më të vetëdijshëm në organizimin dhe paraqitjen të largpamësisë së tyre si bashkësi evropiane. Në mënyrë të padrejtë kanë mbetur në realitet të një standardi të fuqishëm të mos zhvillimit ekonomik të zonës, edhe me të drejta të trazuara veçanërisht në aspektin arsimor dhe të zhvillimit infrastrukturor, përmirësimit të jetës si qytetarë të Republikës së Serbisë ku ata janë.

Shqiptarët në diasporë kanë marrë një përmasë shumë të madhe, si shqiptarët e Amerikës, të cilët tanë janë jo vetëm kontribuues të rëndësishëm të vendit të tyre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por janë bërë një zë i fuqishëm i promovimit të identitetit kombëtar dhe vlerave të shqiptarit. Ata kanë qenë një zë i fuqishëm edhe për zhvillimet demografike në Shqipëri, edhe për lirinë, Pavarësinë dhe përparimin e Kosovës. Jam i bindur se pozicionimi i tyre tashmë në hierarkinë e rëndësishme të politikës të ekonomisë, kulturës dhe të gjitha fushave të tjera të kulturës dhe të jetës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Natyrisht, në radhë të parë, janë një vlerë e shtuar për atë shtet, janë dhe një element i rëndësishëm për nxitjen e mëtejshme të përmasës që meriton shqiptari si komb.

Këto janë arritje të rëndësishme, që kanë bërë të mundura përmes një sakrifice shumë të madhe në të shkuarën tonë historike, sakrifica që tani ne i kemi për t’i ruajtur në kanalet e historisë dhe t’i ridimensionojmë vazhdimisht në kujtesën e gjeneratave që vijnë. Përmes punës së përkushtuar, në tërësi të shqiptarëve, falë partneritetit dhe miqësisë dhe mbështetjes së miqve tanë që sot, për fat të mirë, nuk janë të paktë, madje më të rëndësishmit e më të fuqishmit në aspektin botëror.

Për ta përfunduar pyetjen, më falni nëse u zgjata shumë, pasi është e vështirë të përmbledhësh në pak fjalë çfarë kemi arritur. Për të thënë se çfarë na pret, na duhet akoma më shumë kohë, por unë do ta përmbledh shumë shkurt që gjithçka që kemi arritur është një përgjegjësi shumë e madhe për të qartësuar objektivat tanë për të ardhmen, për të cilat është shumë herë më e vështirë, kërkohet më shumë dinamizëm, kërkojnë shumë më tepër përkushtim, kërkojnë shumë më tepër ndershmëri, shumë më tepër punë, mençuri, sepse sfidat janë më të vështira dhe më të sofistikuara.

Gazetari: Zoti President, Ju përmendët në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët. Kosova është e pavarur. Shteti shqiptar a e ndien përgjegjësinë dhe a po e luan rolin për përkujdesjen e shqiptarëve në të gjitha vendet ku ata jetojnë. A ka mundësi që të bëhet më shumë për ta, me qëllim që të kenë më shumë të drejta në vendet ku ata jetojnë, punojnë e veprojnë? Për shembull, në Mal të Zi e pastaj në Luginën e Preshevës.

Presidenti Nishani: Për të qenë të ndershëm, për sa i takon ndjesisë së përgjegjshmërisë, unë besoj se ajo ka qenë. Vazhdimisht ka pasur përgjegjësi nga institucionet shqiptare. Të mos harrojmë që në vitet ’93-94 kur kancelaritë perëndimore përpiqeshin për Kosovën, shteti shqiptar fliste pa droje nëpër kancelaritë evropiane dhe botërore për Kosovën dhe krijimin e shtetit të pavarur kosovar. Në tërësi, ka qenë një përgjegjësi, por kjo nuk justifikon faktin se duheshin bërë përpjekje shumë herë më të mëdha. Siç e thashë edhe në fillim të pyetjes suaj, çka kemi arritur, na kërkon përgjegjësi më të mëdha dhe një këndvështrim më të gjerë të së ardhmes sonë. Jam i bindur që edhe në aspektin e së ardhmes gjërat janë konkrete, sepse nuk është e vështirë të identifikohen sfidat. Për mua ka rëndësi që përgjegjësia, së pari, fillon te qeveria shqiptare dhe ajo e Kosovës. Nuk ka rëndësi se cila shumicë ka qeverinë në një mandat të caktuar. Kjo është përgjegjësi kombëtare. Nuk po shoh ende një strategji konkrete të planifikuar me një udhërrëfyes për harmonizimin e zhvillimit tregtar dhe ekonomik më të organizuar dhe më të koordinuar ndërmjet dy vendeve. Kjo është përgjegjësia.

Gazetari: Pse po ndodh kjo, zoti President? Duke përmendur bashkëpunimin ekonomik, kemi pasur disa probleme, edhe për sa i përket qarkullimit të disa produkteve nga Shqipëria në Kosovë dhe anasjelltas.

Presidenti Nishani: Sepse, pikërisht, mungon një platformë konkrete. Ka ardhur koha që, ndoshta retorikat tingëllojnë bukur, por atyre u ka kaluar koha pa u vleftësuar përmes akteve, platformave dhe udhërrëfyesve konkretë. Nuk ka asnjë kuptim dhe është krejt e papranueshme në konceptin tim debati apo “zënka” se cila do të jetë sunduese në tregun e patateve, të miellit apo të produkteve të tjera. Nëse ne do të kemi një qasje konkrete, kur kemi një strategji se cili është produkti më i frytshëm i Kosovës për tregun kosovar dhe atë shqiptar, madje edhe për tregjet e tjera në rajon, atë maqedonas apo malazez, pse jo dhe atë Serbisë, Bosnjë-Hercegovinës, përtej në Rumani, Bullgari e kështu me radhë, nëse ne nuk do të kemi të përcaktuar, të qartë e të saktë në marrëveshje konkrete se cili është produkti me rendiment më të lartë dhe që mund të prodhohet në Shqipëri, në Kosovë apo Maqedoni dhe mbetemi në kuptimin e sloganeve, unë besoj se nuk i kemi shërbyer siç duhet perspektivës evropiane.
Do të thosha diçka: Duke e lidhur me pyetjen e parë për arritjet, pse ne sot jemi më mirë. Shpesh herë kjo ka lindur te ndeshjet e futbollit, por në përgjithësi themi: “Oh, sa mirë me qenë shqiptarë!”. Kjo është shumë e bukur, por ne do të ishim shumë herë më mirë, nëse ne do të shkonim drejt jetësimit të një thënieje tjetër: “Oh, sa mirë që shqiptarët janë mirë!”. Në këtë kuptim ne duhet të mendojmë për një zhvillim më të madh. S’ka patriotizëm më të madh, nëse ndihmon për rritjen e mirëqenies ekonomike e sociale, sepse të gjitha pastaj gjenerojnë bashkë.

Gazetari: Ne patëm një mbledhje mes dy qeverive. Asaj kosovare dhe shqiptare në qytetin e Prizrenit. E hapur për mediat, pastaj e mbyllur e u tha për bashkëpunim, por aty mbeti. Mund të themi se u bë për fotografi e media apo duhej të vazhdonte më tutje.

Presidenti Nishani: Takimet janë shumë të mira, sepse në fund të fundit, përmes takimeve planifikohen e zhvillohen në plane konkrete. Ato nuk mund të mbetet në kuadrin e takimeve, sepse në qoftë se nuk i realizojmë në praktikë se çfarë kemi si ide si mendime për zhvillimin e bashkëpunimin pa i kthyer në plane konkrete, atëherë natyrisht që takimet humbasin besueshmërinë e tyre. Ndoshta ka pasur edhe një dinamikë zhvillimesh politike qoftë në Kosovë, qoftë në Shqipëri që kanë shumë vëmendje si zgjedhjet tona kuvendore, pastaj zgjedhjet në Kosovë; gjithsesi, unë besoj se ne duhet të bëjmë shumë edhe për faktorin kohë. Unë preferoj shumë t’i referohem të shkuarës për të bërë krahasimin, atë duhet ta fusim në kujtesë për të bërë një lloj reflektimi për të ardhmen, por është humbur kohë e pamatur. Ne jemi të interesuar të ecim me shpejtësi dy-tre apo pesëfish më shumë sesa të tjerët. Kur e them me forcë këtë gjë, unë besoj plotësisht se janë mundësitë për këtë. Rritet përgjegjësia, në qoftë se këto mundësi vazhdojnë të mbeten të pa prekura e të pa zhvilluara.

Gazetari: A po e bëjnë bashkëpunimin më shumë vetë qytetarët e biznesmenët pa ndonjë mbështetje institucionale këtej dhe andej kufirit?

Presidenti Nishani: Po, dhe kjo është pjesa inkurajuese. Kjo duhet të kthehet në një lloj presioni pozitiv ndaj institucioneve shtetërore dhe qeveritare nga të dyja anët. S’ka gjë më të bukur! U nisa nga Prishtina dhe pas tri orësh isha në apartamentin tim në Tiranë, që do të thotë se lëvizja e njerëzve dhe e mallrave është përmirësuar dhe është në një standard shumë herë më të mirë, krahasuar me periudha jo shumë të largëta. E ka rritur këtë përpjekje lëvizja e materialeve nga Kosova në Shqipëri, Maqedoni, e kështu me radhë. Tregu shqiptar dhe ai i Kosovës janë të etur për njësim, por kjo kërkon politika të mençura. Unë besoj, veçanërisht, në parimin e një ekonomie liberale, me një standard liberal, për të cilin edhe për 50 vjet këto dy shtete do të kenë nevojë.
Gazetari: Tek mirëqenia thatë që, gjëja kryesore si në Shqipëri dhe në Kosovë është rritja e mirëqenies së qytetarëve. Në Kosovë tani po bëhen 15 vjet nga Pavarësia dhe pothuajse çdo edhe nga institucionet thuhet se, na duhen dhe se po u bëhen ftesë organizatave të ndryshme nga jashtë, investitorëve të juaj që të investojnë. Numri i tyre atje është shumë i vogël, i atyre që po interesohen për tregun e Kosovës. Por, çfarë po ndodh këtu në Shqipëri, çfarë po i pengon investitorët e huaj të investojnë në Shqipëri?
Presidenti Nishani: Më së pari unë e thashë, në parim qoftë për Kosovën dhe për Shqipërinë, unë besoj tek vlerat e liberalizmit, veçanërisht në ekonomi. Ne duhet të kemi parasysh që ekonomia në Shqipëri, ekonomia në Kosovë, për arsye që ne i dimë dhe qytetarët fort mirë e dinë, erdhëm nga një e kaluar krejtësisht të varfër, pothuajse e rrënuar, e pazhvilluar, e mbetur në prapambetje në teknologji, investime, infrastrukturë madje dhe në koncept dhe mentalitet të përkushtimit ndaj punës. Po të shikojmë në Kosovë madje në disa aspekte atje ka pasur një traditë, sado e vogël që ka qenë, në lidhje me pronën private, ajo ka qenë shumë herë më e zhvilluar dhe e konsoliduar madje më shumë se në Shqipëri. Prandaj, unë besoj që investimet janë jetike të bizneseve vendase, por dhe të bizneseve të huaja. Të bizneseve të huaja për faktin se një biznes i një vendi të zhvilluar ka një traditë shumë më të madhe qoftë në koncept, qoftë në mënyrën e investimeve, qoftë në teknologji, qoftë në efiçensë e kështu me radhë. Por kërkohet ambienti, kërkohet ambienti pozitiv që do të thotë legjislacioni, i cili nuk është se mungon, madje nëse them se nëse kemi ecur para, kemi ecur në draftim dhe miratim legjislacionesh, por kur mbetet në letër dhe nuk bëhet efiçente në zbatim ai kthehet në një aset inekzistent.
Së dyti, ka të bëjë me luftën kundër korrupsionit. Lufta kundër korrupsionit natyrisht nuk është një fenomen shqiptar, nuk është një fenomen i Shqipërisë, nuk është fenomen i Kosovës, është një fenomen i përbotshëm, por ne kemi përgjegjësi në mënyrën sesi e përballojmë dhe sesi duhet ta luftojmë korrupsionin. Përsa kohë ne nuk kemi një realitet i cili krijonte perceptime pozitive sepse vërtetë ndonjëherë perceptimet janë shumë më të ndryshme nga realitetet, por gjithsesi ne duhet të punojmë dhjetëfish për të pasur një realitet pozitiv në mënyrë që të ndikojmë për ta ndryshuar qoftë 10-20-30% perceptimin. Kërkohet përmes luftës kundër korrupsionit të përmirësohet infrastruktura, të përmirësohet mentaliteti. Ne duhet të kuptojmë që gjithsecili duhet të përmirësojë jetën e tij, duhet të fitojë dhe të rrisë standardin e tij përmes kontributit, do të thotë përmes punës. Natyrisht, politikat sociale janë politika të rëndësishme. Edhe shoqëria në Kosovë, edhe në Shqipëri kanë ende nevojë për politika të rëndësishme sociale sepse ky është realiteti ynë. Ne në këtë fazë zhvillimi ekonomik jemi dhe kemi pasur dhe vazhdojmë të kemi grupime qytetarësh të marzhinalizuar përsa i takon zhvillimit ekonomik apo të infrastrukturës së varfër në të cilën ata jetojnë. Duhet të kemi parasysh se nuk është Shqipëria vetëm Tirana dhe nuk është Kosova vetëm Prishtina. Duhet të gjithë qytetarët e vendeve tona, kudo ku jetojnë duhet të vijnë dhe të kenë të njëjtin standard të infrastrukturës, të njëjtin standard të shërbimit, të njëjtin standard të hapësirës dhe mundësitë për të konkurruar. Natyrisht sistemi është i tillë është që konkurron ai që ecën më shpejt, ai që di më shumë, që përpiqet më shumë, që është më i ndershëm, më punëtor, përpiqet dhe djersin më shumë sepse kjo është eksperienca më e mirë e historisë botërore. Nga ana tjetër, ne duhet të futemi tek caktimi i prioriteteve. Na mungon, për fat të keq, ende një angazhim për të përcaktuar prioritetet. Kjo nuk do të thotë të bëhet nëpër konferenca. Ne dalim nëpër konferenca, nëpër aktivitete, nëpër kuvendime dhe themi: shiko se që energjia, infrastruktura, turizmi dhe kështu me radhë. Dakord, kjo nuk është përcaktim prioritetesh. Nëse ne do të investojmë në infrastrukturë atëherë e shikojmë. Buxheti i caktuar i këtij viti do të adresohet në infrastrukturë që do të sjellë impakt, ku, tek biznesi i caktuar, tek bujqësia, tek turizmi dhe ndërlidhet pastaj me prioritetin e dytë, pra mbetet bujqësia, në të cilën produkt. Kush është produkti më efiçent, më rentabël, më i mirë dhe më i kërkuar nga tregu që mund të prodhohet në Kosovë; janë drithërat, frutat, zarzavatet, agrumet. Po kështu në raport me Shqipërinë. Pra, këto janë prioritetet të cilat të çojnë në nënprioritete dhe pastaj e gjithë skema e të menduarit dhe të vepruarit fillon e bëhet konkrete, më racionale, njerëzore dhe e prekshme.

Gazetari: Ndalemi tek korrupsioni. Ju thatë se korrupsioni nuk ka prekur vetëm Kosovën dhe Shqipërinë, por ka prekur dhe vende më të zhvilluara. Zoti President, në të gjitha raportet vendet ku renditet Kosova edhe Shqipëria nuk janë fort të lakmueshme në raport me vende të tjera dhe ndryshimet nga viti në vit janë shumë të vogla. Çfarë duhet të bëjnë institucionet apo ku qëndron problemi kryesor; është frika e prokurorëve dhe gjyqtarëve që merren me këtë punë; është ndërhyrja e politikës apo…?

Presidenti Nishani: Pikërisht, këtu unë e kisha kuptimin dhe sensin e asaj që thashë. Përveç ekzistencës së korrupsionit, e rëndësishme është mënyra sesi luftohet korrupsioni. Pra, nëse ne nuk e luftojmë në mënyrë serioze, nuk e luftojmë në mënyrë sistematike dhe me rezultate konkrete, natyrisht korrupsioni nuk do të vijë duke u ulur dhe ne do të mbetemi në këto statistika që ju përmendët, në nivele shumë të ulëta të luftës kundër korrupsionit, apo nivele të larta të ekzistencës së korrupsionit. Kjo ka të bëjë me reforma të tjera. Ka të bëjë kryesisht me shtetin ligjor ku drejtësia ka zërin kryesor, prokuroria dhe gjykata të cilat duhet, më së pari, të jenë në nivelin e duhur profesional, duhet të jenë jashtë ndikimeve dhe presionit nga politika dhe nga grupe të tjera që kanë interes që ta mbajnë sistemin e drejtësisë, prokurorinë dhe gjykatën në një nivel anemik të funksionimit dhe të reagimit të tyre. Nga ana tjetër duhet t’i kushtohet rëndësi mënyrës së ndërtimit të procedurave dhe të infrastrukturës së përdorimit të aseteve publike: të parave dhe pasurive të tjera publike. Ta shmangim sa më shumë nga ndeshja me burokracinë njerëzore, ta shmangim sa më shumë që të jetë e mundur nga raporti me tundimin njerëzor për të qenë përfitues me pa të drejtë. Nëse ne shkojmë drejt, për shembull, drejt prokurimeve elektronike, ajo krijon një mundësi të reduktimit të hapësirës dhe mundësisë për të abuzuar, jo se e zhduk krejt, por e redukton maksimalisht atë. Nëse ne shkojmë dhe adresojmë dhe gjejmë politika të tilla të cilat të shërbejnë për të krijuar një trup gjyqësor dhe prokurori të shëndetshme, e cila nuk mund të krijohet brenda një nate, por, kryesisht politika që është vendimmarrëse të mendojë që ne duhet të sakrifikojmë, nëse quhet kjo sakrificë kjo, unë nuk e quaj sakrificë, të krijojmë një drejtësi e cila pa diskutim, në radhë të parë, të ketë një nivel të lartë profesionaliteti dhe integriteti vet, por që të funksionojë si një mekanizëm tërësisht i ftohtë nga pasojat që mund të sjellë funksionimi në mënyrë korrekte i kësaj drejtësie. Nëse do të preket një ministër, politikan apo nëse do të preket një biznesmen i fuqishëm apo do të preken njerëz të cilët çdo ditë ‘ua sjellin shpirtin në majë të hundës’ siç themi ne shqiptarët, duke i zvarritur dhe sorollatur qytetarët dhe duke mos ofruar shërbimet që ata meritojnë dhe që nuk fund të fundit janë të detyruar këta “shërbëtorë të administratës” tua ofrojnë. Pra, unë besoj që ka modele. Ne kështu siç kemi qenë të pafat në të shkuarën kemi një fat sepse duhet t’i referohemi dhe adaptojmë praktika dhe modele më të mira evropiane. Të shikojmë ku ka dështuar Evropa, ku ka qenë e suksesshme dhe të fokusohemi tek ky lloj mentaliteti, që tek mënyra e të menduarit, tek procesi i vendimmarrjes dhe më pas tek i dizenjimit dhe i implementimit të këtyre mekanizmave që do të sjellin këtë dhe unë them që ka shumë potenciale dhe mundësira.

Gazetari: Flasim pak dhe për zhvillimet politike. Së pari, këtu në Shqipëri dhe më pas në Kosovë për raportet mes partive politike dhe paraqitjen e tyre edhe në Kuvend, edhe të fjalimeve të tyre. Si e vlerësoni Ju, janë bashkëpunuese, e kryejnë punën e tyre si duhet partitë politike apo i kalojnë ato limitet se deri ku duhet të shkohet?

Presidenti Nishani: Unë besoj që ne duhet të jemi sa më shumë realistë edhe kur bëjmë analiza, dhe kur bëjmë gjykime. Kemi të drejtën tonë, madje qytetarët kanë të drejtën e tyre të plotë për të bëra analiza dhe gjykime dhe media është akoma më e obliguar madje që t’i bëjë këto analiza dhe gjykime. Politika është politikë. Partitë politike janë krijuar për të përfaqësuar një diversitet qasjesh, këndvështrimesh, mendimesh, platformash dhe alternativash. Unë do të preferoja gjithmonë që qoftë si në Shqipëri dhe në Kosovë, unë e ndjek me shumë vëmendje politikën në Kosovë, veprimtarinë e institucioneve, veprimtarinë e politikanëve dhe kam vlerësime maksimale për një pjesë të konsiderueshme të politikës në Kosovë për përgjegjësitë që kanë. Natyrisht duhet ta kuptojmë të gjithë që asnjë politikan nuk do të jetë i pëlqyer nga të gjithë.

Gazetari: Sigurisht.

Presidenti Nishani: Por, unë do të preferoja shumë që ne të fillojmë dhe të racionalizojmë një kulturë politike më të maturuar duke nisur tek retorika që përdorim në betejën politike, apo në ballafaqimin politik, apo në artikulimin politik qoftë të këndvështrimeve tona apo në analizën dhe kundërvënien ndaj opozitarit që kemi përpara, kur flas opozitari, jo opozitari në pushtet por këndvështrimi tjetër sepse kjo është e dy anshme, jo vetëm mazhorancë-opozitë, por dhe opozitë-mazhorancë. Duhet, përfundimisht, që ne të krijojmë një kulturë politike e cila duhet të jetë e pacenueshme as edhe një milimetër të të pranuarit që, mekanizmi rregullator është Kushtetuta dhe Ligji. Duhet të shkojmë tek një legjislacion dhe një ‘netëork’ rregullash sa më konsensual, madje, ligje të tilla bazë siç është Kushtetuta, apo ligje bazë të shtetit apo ligje rregullatore të kenë edhe pjesë konsensuale të hartimit dhe të miratimit të tyre. Duhet përfundimisht që, çdo politikan që merr përsipër të kërkojë mandat përfaqësimi dhe të ushtrojë mandat përfaqësimi në çfarëdolloj pozicioni dhe hierarkie shtet-drejtuese mbërrin: President, Kryeministër, Ministër, e kështu me radhë, duhet që të jetë i obliguar që, përtej kornizës kushtetuese dhe ligjore e ka të pamundur të shkojë dhe e ka të padrejtë që të shkojë dhe madje të artikulojë. Pastaj, çështje të debatit janë çështje që rregullohen pëmes komunikimit, janë çështje që rregullohen përmes marrëveshjeve, dhe natyrisht që garantuesi më i madh është opinioni publik. Në fund të fundit, një parti politike, një mazhorancë, një opozitë nëse del përtej këtyre normave dhe kodeve që shpeshherë janë dhe të pashkruara, unë jam i bindur që, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, tashmë, opinioni publik ka pësuar një hop cilësor në kuptimin e mentalitetit, edhe të gjykimit politik që bën për klasën politike. Nëse e kalon këtë cak, jam i bindur që penalizmin do ta marrë tek opinioni. Në fund të fundit ky është rregulli bazë i demokracisë.

Gazetari: Sot, si i vlerësoni zhvillimet e fundit në Kosovë? Po bëhen gati gjashtë muaj dhe Kosova është ende pa institucione. Patëm një herë një koalicion siç u quajt “blloku”, pastaj ai u prish. Tani është arritur një marrëveshje mes dy partive kryesore, PD-së dhe LDK-së. Mirëpo kanë kaluar gati gjashtë muaj.

Presidenti Nishani: Këto janë elementë shoqërues të sistemit politik që kemi zgjedhur, të demokracisë, sepse po të ishte se gjërat zgjidheshin ashtu strikt mbeteshim në një sistem tjetër më dogmatik, më totalitar. Pra, demokracia i ka edhe këto sfida. Natyrisht, gjithmonë debatet për caktimet kushtetuese, për standardet ligjore, apo për vakumet që krijon legjislacioni mbeten gjithmonë të hapura dhe kjo është pikërisht përgjegjësi e klasës politike që bazuar në eksperienca pozitive apo të hidhura që ndesh në proces të reflektojë, të përmirësojë legjislacionin për t’i ndaluar rrugën vakumeve të tilla institucionale që mund të sjellë demokracia, mund të sjellë sistemi që kemi. Por, në fund të fundit u pa që klasa politike e Kosovës gjithçka e trajtoi vetë, e trajtoi në mënyrë të pavarur dhe në bazë të këndvështrimi të tyre. Fakti që kishte negociata, kishte parakoalicione, kishte paskoalicione, kishte qëndrime, tregon për një maturim të klasës politike në Kosovë. Këto janë çështje të një debati i cili vjen gjithmonë duke u zhvilluar dhe duke u pjekur. Unë jam, pa dyshim, i kënaqur që ka një zgjidhje, të paktën jemi informuar përmes medias që ka një zgjidhje për një marrëveshje midis PD-së dhe LDK-së, përfshirjen dhe të minoriteteve. Padyshim që, demokracia ka nevojë për mazhorancën, ka nevojë dhe për opozitë. Madje kur ka një mazhorancë të konsoliduar është mirë, kur ka një opozitë më të fortë është akoma më mirë për demokracinë e një vendi. Unë uroj që të ketë sa më shpejt një konkludim konkret, të ketë një qeveri efiçente dhe në punë, Parlamenti dhe në të gjitha institucionet e Kosovës. Përgjegjësia e gjithsecilit, sepse në fund të fundit pavarësisht merr një post si Kryeministër, si Ministër, apo si drejtues institucioni, secili prej nesh është një qytetar normal i vendit, pro obligimet i ka shumë më të mëdha dhe puna e gjithsecilit do të matet në raport me kohën dhe atë që bën gjithmonë përballë qytetarëve. Unë uroj që qeveria e re e Kosovës të konstituohet sa më shpejt që të jetë e mundur, Parlamenti dhe të gjitha institucionet e tjera që dalin prej zgjedhjeve që sapo kaluam në Kosovë dhe t’i uroj, në tërësi, klasës politike në Kosovë një dinamikë shumë më të madhe. T’i uroj të gjithë minoriteteve të bëhen pjesë reale dhe e sinqertë e zhvillimeve ekonomike, zhvillimeve demokratike të shtetit më të ri të Evropës, Kosovës, sepse e ardhmja dhe zhvillimi i Kosovës është e mirë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë pavarësisht nacionalitetit që përfaqësojnë.

Gazetari: Kam edhe dy pyetje në fund zoti President. E para ka të bëjë me rolin e ndërkombëtarëve edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë për interesimin e tyre për këto dy vende dhe për takimet që zhvilloni jashtë vendit si në Amerikë, si në vendet e tjera për interesimin e tyre që ua thonë atje për Kosovën dhe për Shqipërinë.

Presidenti Nishani: Është një fakt, unë besoj që, përsa i takon politikës së jashtme dhe marrëdhënieve ndërkombëtare qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë çdo gjë është mjaft e qartë dhe mjaft e pastër si kristali. Shqipëria dhe Kosova janë të orientuara drejt jo vetëm frymës, por dhe angazhimit euroatlantik. Shqipëria është anëtare e NATO-s, kandidate për në Bashkimin Evropian. Kosova qartësisht e orientuar drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian. Pra, SHBA dhe BE janë aleatët e natyrshëm strategjikë të shqiptarëve. Ne jemi jashtëzakonisht të lumtur që SHBA dhe BE e konsiderojnë Shqipërinë dhe Kosovën si partnerë të ngushtë të tyre jo vetëm në aspektin rajonal, por dhe atë evropian dhe global. Fakti që në momentet më të vështira të shqiptarëve, të historisë sonë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kryesisht kanë qenë të parët të cilët kanë kontribuar shumë në ruajtjen, mbrojtjen e ekzistencës së vet shqiptarëve, të trojeve shqiptare, por dhe të zhvillimit të vlerave të lirisë dhe të demokracisë. Unë besoj që, kërkon atë seriozitet dhe përkushtim që e kemi dhe ne në raportet e partneritetit dhe të miqësisë dhe jam i bindur që, kjo duhet të vazhdojë dhe të konsolidohet akoma më shumë qoftë me SHBA-të, qoftë me BE-në sepse janë, padyshim, miq partnerët dhe përfaqësojnë vlerat që jo vetëm që janë pjesë e natyrshme e ndjesisë dhe e logjikës së kombit shqiptar, por janë dhe objektivat të cilat ne dëshirojmë t’i konsolidojmë.

Gazetari: Zoti President, pyetja e fundit: Një vlerësim tuajin për deklaratën e Kryeministrit shqiptar Edi Rama në Serbi. Dhe, a po bëhet Shqipëria një faktor kryesor i rajonit?

Presidenti Nishani: Do më lejoni të them, së pari, që vizita ishte një hap pozitiv, ishte një konfirmim i asaj që ka qenë në mënyrë të hershme të politikës shqiptare që kontribuon për bashkëpunimin rajonal për dialogun dhe vizita ishte një konfirmim i kësaj politike tashmë të konsoliduar të shtetit shqiptar. Deklarata në lidhje me Kosovën ishte një konfirmim dhe qëndrim tashmë i njohur i shtetit shqiptar. Nuk ka pasur asnjë arsye për t’u surprizuar askush sepse, në fund të fundit, tashmë dhe vet Serbia është ulur në tryezën e bisedimeve me Kosovën si dy shtete, si dy vende me homologë, në mënyrë reciproke midis kryeministrash. Por, unë besoj që, çështjet e diskutimit duhet të bëhen gjithmonë në frymën e mirëbesimit. Nuk ka pasur asnjë arsye që të ketë një reagim të tillë nga pikëpamja protokollare, teknike e pritësve që ishte qeveria serbe, është e paargumentuar dhe jashtë dimensionit diplomatik. Besoj që qëndrimet tona janë të qarta. Kosova është shtet i pavarur jo vetëm se ka pasur dëshirë Shqipëria, por sepse ka pasur përpjekje, mbështetje nga më të mëdhatë të ndërkombëtarëve. Pavarësia e Kosovës ka një arsye. Në radhë të parë, erdhi si rezultat i dis-integrimit jokonsensual dhe të dhunshëm të ish-Jugosllavisë, siç ndodhi me të gjitha republikat e tjera të ish-Jugosllavisë. Erdhi për shkak të një politike gjenocidiste të regjimit të Milosheviçit, i cili me sjelljen e vet dhe kriminale dhe gjenocide madje e përshpejtoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, lirinë e Kosovës. Është krejt e papranueshme dhe një alibi e pabazë sot shpeshherë kur dëgjojmë zëra të caktuar dhe të izoluar që tentojnë të krahasojnë rastin e Krimesë me Kosovën. Është krejt e pa krahasueshme. Në Krime ne kemi një ndërhyrje ushtarake të dhunshme, prishje të marrëveshjeve ndërkombëtare. Ndërsa, siç e thashë, Kosova ka pasur ecurinë e saj. Është gjetur dhe nga gjykatat evropiane dhe ndërkombëtare si krejt proces i bazuar në të drejtën sovrane të popullit të Kosovës. Kështu që, unë besoj që, ne duhet të bisedojmë dhe të vazhdojmë të bisedojmë me Serbinë edhe Shqipëria, edhe Kosova. Natyrisht çështjet që ka për të trajtuar Kosova me Serbinë duhet të jenë çështje që duhet të zgjidhen midis Kosovës dhe Serbisë. Nuk ka vend që Shqipëria të ndërhyjë dhe të bëjë, le të themi, fqinjin paternalist ndaj Kosovës. Kosova ka autoritetet e saj në kapacitetin e plotë për të dialoguar, negociuar, për të arritur marrëveshje kjo tashmë e provuar, madje, me Serbinë. Po kështu, Shqipëria ka çështje për të diskutuar me Serbinë duke mbajtur gjithmonë në prioritet situatën, nivelin ekonomik, arsimor dhe infrastrukturor të shqiptarëve në Luginën e Preshevës si një kusht i rëndësishëm i bisedimeve midis Shqipërisë dhe Serbisë. Nuk mundet kurrë më ne të pranojmë që të mungojnë spitalet, të mungojnë maternitetet, shkollat të mos kenë nivelin e tyre, infrastruktura e investimet të mungojë në Luginë dhe për qytetarët e Luginës. Por, dhe çështje të tjera të zgjidhen përmes dialogut dhe përmes komunikimit.

Gazetari: Zoti President, ju falënderoj shumë për kohën tuaj!

Presidenti Nishani: Edhe për mua ishte kënaqësi!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat