Dr.Haxhi Avdyli: Shëndetësia udhëhiqet nga mafia

Bota e Yjeve

Dr.Haxhi Avdyli: Shëndetësia udhëhiqet nga mafia

Më: 4 nëntor 2014 Në ora: 18:39

Z. Avdyli, gjendja e rëndë politike në vend me siguri a po ndikon edhe ne zhvillimet në sektorin e shëndetësisë?

Haxhiu Avdyli: Shëndetësia si një sektor me rendësi që nga paslufta nuk ka qenë prioritet i asnjë qeverie. Niveli i cilësisë në institucionet shëndetësore lë për të dëshiruar. Kemi mungesë të aparatura të reja dhe aparaturat ekzistuese janë tejet të vjetruara. Ka rënie të disiplinës në punë dhe mungesë të edukimit të vazhdueshëm. Ka një keq organizim dhe keq menaxhim të skajshëm, përfshirje të militantëve partiak edhe në këtë sektor. Kjo gjendje e keqe në këtë sektor vjen edhe për shkak të financimit të ulët për shëndetësinë por edhe pasoje e keq menaxhimit në të gjitha nivelet. Skandalet dhe korrupsioni si dukuri kanë qenë prezent dhe vazhdojnë të jenë edhe më tej, në nivelet më të larta që nga ministria deri te drejtorët e institucioneve dhe më gjerë. Këto dukuri kanë dëmtuar në masë të madhe besimin në shëndetësinë e vendit.

Z. Adyli kur jemi te menaxhimi i sistemit shëndetësorë, a mendoni se ka edhe mungesë te legjislacionit përkatës për këtë sektor, që ka mundësuar gjithë këtë gjendje në shëndetësi?
Haxhi Avdyli: Edhe pse është bërë aprovimi i disa ligjeve bazike në shëndetësi, ministria ka vazhduar me vendime jo efikase në menaxhimin e institucioneve shëndetësore dhe ka vazhduar me skandale, afera korruptive, procedura të shumta disiplinore dhe gjetje të shkeljeve nga ana organizative të ndryshme jo qeveritare , në prokurim publik dhe tenderë të ministrisë së shëndetësisë. Akuzat ndaj zyrtarëve të lartë të shëndetësisë dhe drejtuesve të institucioneve kryesore shëndetësore, që janë të thirrura për të mbrojtur ligjshmërinë, tregon qartë që ky sektor është keq menaxhuar dhe kriminalizuar në masë të madhe.

Përmendët përfshirjen e zyrtarëve të lart në afera korruptive, a mendoni se kjo ka lidhje edhe me përzgjedhjen e tyre në këto pozita?

Avdyli: Edhe në sektorin e shëndetësisë si në çdo sektor tjetër për këto vite në modë kanë qenë ushtruesit e detyrës ose u.d. për pozitat menaxhuese. Këta ushtrues detyre kanë menaxhuar me vite, përkundër që kjo ka qenë jashtë ligjore. Edhe pse formalisht thuhet që procesi i përzgjedhjes së menaxherëve duhet të jetë i pavarur, në realitet këta muajt e fundit kemi një politizim i skajshëm të zgjedhjes së drejtorëve që duhet të menaxhojnë me klinika, institute dhe spitale rajonale. Si pasojë e kësaj shpesh herë kemi drejtorë jo kompetent, të paaftë dhe të papranueshëm për koleget.

A shihni mundësi për tejkalim të kësaj gjendje në sektorin e shëndetësisë?
Avdyli: Ne si mjekë, por edhe si njohës të menaxhimit të sektorit të shëndetësisë në vazhdimësi kemi kërkuar që shëndetësia të jetë prioritet i qeveritarë. Ky prioritetizim nuk duhet të jetë vetëm deklarativë, por edhe konkret, edhe pse korniza afatmesme e shpenzimeve të Qeverisë në ikje, nuk parasheh rritje të buxhetit as edhe për tri vitet e ardhshme, ne kemi rekomanduar dyfishimin e buxhetit për shëndetësi. Zgjidhja më fatlume për rritjen e buxhetit për shëndetësi është funksionalizimi i fondit për sigurimin shëndetësorë, por deri atëherë edhe përkrahja direkte qeveritare, me projekte konkrete dhe investime në këtë sektor do zbuste sado pak problemet e grumbulluara në këtë sektor. Përkundër kësaj, nuk parashihet ndonjë rritje të përkrahjes financiare për shëndetësinë. Gjendja në të cilën ka ardhur shëndetësia kosovare, po ndikon më së shumti tek qytetaret tanë, që po kërkojnë trajtim jashtë vendit.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat