Krasniqi: Gjykata Kushtetuese legjitimoi kapjen e Kuvendit

Bota e Yjeve

Krasniqi: Gjykata Kushtetuese legjitimoi kapjen e Kuvendit

Më: 21 shtator 2014 Në ora: 19:44

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetar i Këshillit Kombëtar të Nismës për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka thënë se zgjidhja e ngërçit politik është në Kuvend.
Z. Krasniqi, për dy mandate keni qenë kryetar Kuvendi. Si jeni duke i parë proceset në të cilat është duke kaluar vendi ynë që tre muaj pas zgjedhjeve? A shihni dalje nga ngërçi politik?

Krasniqi: Po e fillojmë nga pjesa e dytë e pyetjes. Ky vend dhe ky popull rrugëdalje kanë gjetur edhe në situata më të vështira. Rrugëdalje ka gjithnjë, vetëm se duhet pasur guxim dhe vullnet për ta gjetur shtegun e daljes nga vështirësitë edhe kur ato i krijojmë vetë. Se si e shoh situatën dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi, sigurisht se nuk më pëlqen, pasi në kohën kur duhet të përçojmë lajme pozitive për vendin, në sipërfaqe kanë dalë fotografi që nuk i duhen askujt, më së paku kombit e republikës sonë. Në këto momente më e panevojshme dhe e paarsyeshme është mosgatishmëria për t’i respektuar normat kushtetuese dhe ligjore.

Kjo situatë e re politike mund të quhet edhe test për shtetin e Kosovës, në përpjekjet për të formuar institucione pa ndërhyrje ndërkombëtare, apo ende jemi të varur nga të tjerët që të na tregojnë rrugën?

Krasniqi: Sido që të jetë, një pjesë e politikës sonë ka arritur edhe në këto rrethana ta sjellë një frymë të re politike. Është krijuar një bashkim i ri politik nga shumica e partive politike shqiptare për ta ndryshuar qeverisjen në vend pa asnjë ndërhyrje nga jashtë, është biseduar në institucionet e vendit, është biseduar për programin qeverisës që nuk ka ndodhur asnjëherë deri më tani. Është krijuar një shumicë parlamentare me shumicë shqiptare për një qeverisje ndryshe, edhe kjo pa ndërhyrje nga jashtë. Nuk besoj se ndërhyrjet nga jashtë sjellin kualitet institucional, së paku këtë nuk e kemi parë deri më tani. Askush më mirë se ne nuk e di se çka kanë prodhuar ndërhyrjet që ndodhën në zgjedhjet e kaluara.

A sjellin zgjidhje zgjedhjet e reja?

Krasniqi: Kosova e as qytetarët e saj nuk e kanë asnjë arsyeje të shkojnë në zgjedhje, pasi në zgjedhje shkohet për të krijuar një shumicë parlamentare, këtë shumicë e kemi dhe është mjaft solide. Pastaj kush mund të garantojë gatishmërinë për të lëshuar rrugë, kush mund të garantojë se nuk do të kemi zgjedhje të parregullta dhe përsëri të japim një fotografi të keqe për vendin. A pak fotografi të këqija kemi dhënë këto ditë. Shkurt, zgjedhjet nuk janë zgjidhje.

Por si do duhej të gjendej një kompromis ndërmjet forcave politike në formimin e institucioneve të reja, që mos të dëmtohen qytetarët dhe mos të merremi çdo ditë se kush me kënd po bën koalicion?

Krasniqi: Kosova nuk ka nevojë për kompromise, pasi blloku qeverisës është formuar. Kjo u pa edhe më 18 shtator 2014. Pas 18 shtatorit gjërat janë të qarta.

Si e shihni iniciativën e presidentes Atifete Jahjaga për t’i takuar liderët e partive politike parlamentare. A mund të pritet rezultat nga kjo iniciativë, pra të zhbllokohet ngërçi politik i cili është krijuar pas zgjedhjeve të 8 qershorit?

Krasniqi: Tani për tani roli i presidentes është lehtësues. Zgjidhja është në Kuvendin e Kosovës, por ai duhet të çlirohet nga kapja. Mënyra se si është mbyllur dje vazhdimi i seancës konstituive, ka qenë më shumë se arbitrare, jashtë çdo norme ligjore. Ajo që ndodhi dje ishte një lojë me të mundshme, pa respektuar asnjë rregull të lojës. Pra, ishte lojë, jo vetëm pa rregulla, por edhe pa arbitër.

Gjykata Kushtetuese ka dhënë një vendim se kush ka të drejtë ta zgjedhë kryeparlamentarin. Ju e keni kritikuar Kushtetuesen për vendimin që ka marrë në raport me zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit. Pse?

Krasniqi: Për Gjykatën Kushtetuese kam dhënë mendimin tim. Ajo ka nxjerr një vendim antikushtetues dhe e ka legjitimuar kapjen e institucionit më të lartë të shtetit - Kuvendin.

Z. Krasniqi, sa jeni i kënaqur me ecjen e partisë së re, Nismës? Sa keni arritur ta konsolidoni. Dhe cili do të jetë roli i saj në Kuvendin e Kosovës?

Krasniqi: Kur kihen parasysh kushtet në të cilat kemi operuar si parti e re jemi të kënaqur, ndonëse kemi pritur më shumë. Në një vend ku blihen e shiten votat për dy e tri euro, ku shiten e blihen komisionarët dhe ku aparati i shtetit vihet në shërbim të partisë në pushtet, duhet të jemi më se të kënaqur. Por, pyetja është: a ndërtohet kështu shteti demokratik? Roli i Nismës në këto procese, e them pa modesti, ka qenë përcaktues.

Nëse shkohet në zgjedhje të reja, do të jetë rrezik që Nisma s’mund ta kalojë pragun zgjedhor kësaj here?

Krasniqi: Ne mendojmë se Kosova dhe qytetarët e saj nuk e kanë asnjë arsye të shkojnë në zgjedhje. Aty ku fiton qytetari dhe shteti demokratik është edhe fitorja e Nismës./Epoka e Re/

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat