“Rruga e Arbrit”, Rama: Drejt finalizimit marrëveshja me Kinën

Bota e Yjeve

“Rruga e Arbrit”, Rama: Drejt finalizimit marrëveshja me Kinën

Më: 12 shtator 2014 Në ora: 08:40

Qeveria shqiptare dhe ajo kineze janë në prag të përfundimit të një marrëveshje për financimin e ndërtimit të “Rrugës së Arbrit”. Kjo është bërë e ditur nga vetë kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë një interviste dhënë për radion shtetërore kineze “CRI”. Kryeministri ka konfirmuar dhe diskutimet lidhur me Portin e Shëngjinit ndërsa ka shtuar se pjesë e bisedës së zhvilluar me homologun kinez, Li Keqiang ishin dhe projektet rajonale në infrastrukturë të diskutuara gjerësisht në samitin e Bukureshtit, mes të cilave dhe “Korridori i Kaltër”. Janë diskutuar gjithashtu projekte për zhvillimin e bujqësisë dhe peshkimit, por deri tani nuk është bërë publik ndonjë marrëveshje konkrete midis dy qeverive. Kreu i qeverisë shqiptare ka informuar më tej se si prioritet, në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian, vijon të mbetet lufta kundër korrupsionit por dhe demokratizimi i mëtejshëm dhe forcimi i ligjshmërisë së institucioneve shqiptare. E në kuadër të imazhit të Shqipërisë, Rama ka deklaruar se: “Shqipëria nuk është ajo që ishte dikur për Kinën, dhe pesha e Shqipërisë në raportet e Kinës me botën është shumë më relative, por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që ne të mos i bëjmë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të tërheqë vëmendjen e opinionit publik në Kinë dhe të tërheqë vëmendjen e njerëzve që në radhë të parë janë të dhënë pas udhëtimeve, destinacioneve të reja, për ta bërë Shqipërinë një destinacion të ri turistik edhe për kinezët”.

Kjo është vizita juaj e parë në Kinë që pas marrjes së detyrës së kryeministrit. Sot mbyllët një takim me homologun kinez, zotin Li Keqiang, çfarë tema prekët në takim dhe çfarë pritshmërish keni nga vizita në Kinë?

Është e vërtetë, kjo është vizita ime e parë në Kinë si kryeministër, dhe ky është takimi i dytë me kryeministrin e Kinës pas takimit të zhvilluar në Bukuresht në mbledhjen e thirrur prej tij, me pjesëmarrjen e të gjithë drejtuesve të qeverive të vendeve të Evropës Lindore dhe Qendrore. Praktikisht takimi ka qenë vazhdë e takimit të nisur me plane të reja e me projekte të reja dhe mundësi të reja që ka sot Shqipëria dhe rajoni për të rritur bashkëpunimin me Kinën.

Cilat fusha shikoni më me përparësi për zhvillimin e bashkëpunimit me Kinën?

Ka një komponent që lidhet drejtpërdrejt me mbështetjen e qeverisë kineze, por ka dhe një komponent tjetër që lidhet me krijimin e kushteve për sipërmarrjet private kineze. Për sa i përket pjesës që lidhet me qeverinë kineze, ne praktikisht jemi duke finalizuar një marrëveshje për financimin e punimeve për “Rrugën e Arbrit”, dhe ndërkohë jemi duke diskutuar për një serë projektesh të reja, ku do të përmendja projektin e sistemit hekurudhor që mund të jetë një projekt i finacueshëm nga pala kineze, duke pasur parasysh dhe interesimin e shprehur nga qeveria kineze për rajonin në tërësi në këtë aspekt, projektin e “Korridorit të kaltër”, gjë që e kemi biseduar edhe në takimin e Bukureshtit. Padyshim në diskutim ishin edhe projekte që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e bujqësisë dhe jo vetëm, të infrastrukturës, peshkimit por edhe të arsimit. Sot kryeministri Li ka bërë prezent nismën për t'i dhuruar qeverisë shqiptare një grand prej 10 milionë juanësh të cilat do të shkojnë për financimin e projektit tonë të madh të transformimit të sistemit të mësimdhënies përmes inovacionit dhe kemi folur edhe për portin e Shëngjinit, që është një projekt madhor dhe që besojmë se ka një interes konkret.

A mund të na thoni zoti kryeministër në çfarë drejtimesh do të punoni për të integruar vendin në Bashkimin Evropian?

Ne jemi në një proces të ri pas marrjes së statusit të vendit kandidat dhe drejtimet e këtij procesi janë shumë të qarta. Ato lidhen me demokratizimin e mëtejshëm përmes forcimit të ligjshmërisë, përmes formimit të institucioneve, forcimit të të gjitha sistemeve përmes të cilave zhvillohet jeta publike në Shqipëri por dhe zhvillohen marrëdhëniet midis individit dhe shtetit. Kështu që në këtë aspekt një vend të veçantë do të luajë vazhdimi i betejës kundër korrupsionit, si një betejë për modernizimin e shtetit në radhë të parë dhe modernizimin e sistemit. E s'ka dyshim pastaj përafrimi i legjislacionit dhe i vijës së përgjithshme së sjelljes së shtetit shqiptar me atë të Bashkimit Evropian.

Turizmi është bërë një sektor i rëndësishëm për zhvillimin, si do të punoni në këtë drejtim?

Sigurisht që zhvillimi i turizmit është një prioritet kombëtar sepse turizmi është një nga burimet e reja të rritjes ekonomike për Shqipërinë. Nga njëra anë ne kemi filluar një punë intensive për të siguruar më shumë pastërti, por sigurisht kjo punë do të vazhdojë për të ndërtuar sisteme të qëndrueshme të pastrimit dhe të higjienës së plazheve tona në radhë të parë, dhe nga ana tjetër për të përmirësuar infrastrukturën me një sërë projektesh që do të vijnë vitin e ardhshëm dhe vitet në vazhdim, dhe sigurisht për të nxitur investimet e huaja apo private qofshin dhe shqiptare, me modele të reja të zhvillimit dhe sipërmarrjes në turizëm.

Zoti kryeministër seksioni shqip i Radios së Jashtme të Kinës ka filluar transmetimet 45 vjet më parë, çfarë imazhi të Shqipërisë duhet që ne t'i përcjellin publikut kinez?

Ne kemi një histori të gjatë të përbashkët e cila është një ndihmë e madhe në këtë drejtim dhe e bën më të lehtë punën tuaj, por sigurisht që sot jemi në një kapitull krejt tjetër të historisë së marrëdhënieve tona, në një kohë krejtësisht të re strategjish zhvillimi dhe qasje tërësisht të reja në raport me të ardhmen dhe me njëri-tjetrin. Dhe natyrshëm Shqipëria nuk është ajo që ishte dikur për Kinën, dhe pesha e Shqipërisë në raportet e Kinës me botën është shumë më relative, por nga ana tjetër kjo nuk do të thotë që ne të mos i bëjmë të gjitha përpjekjet që Shqipëria të tërheqë vëmendjen e opinionit publik në Kinë dhe të tërheqë vëmendjen e njerëzve që në radhë të parë janë të dhënë pas udhëtimeve, destinacioneve të reja, për ta bërë Shqipërinë një destinacion të ri turistik edhe për kinezët.

Rama në krah Vuçiç në Kinë

Kryeministri shqiptar Edi Rama dhe ai i Serbisë, Aleksander Vuçiç janë ulur krah njëri-tjetrit gjatë punimeve të Forumit Ekonomik Botëror që u zhvilluar në Tianjin, Kinë. Në një foto të publikuar nga kryeministri Rama në rrjetin social “Facebook” duket dhe komunikimi mes tyre. Kreu i qeverisë shqiptare takon kështu kryeministrin serb para vizitës së tij zyrtare në Serbi e cila është planifikuar për më 22 tetor. Kjo vizitë është mirëpritur dhe nga faktori ndërkombëtar si një hap pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë. koncelarja Angela Merkel, gjatë Samitit të Bukureshtit, kur Rama ka zyrtarizuar dhe datën e vizitës, është shprehur se e mirëpret atë. “Ne dëshirojmë që rajoni i Ballkanit Perëndimor të mund të integrohet në Bashkimin Evropian. Sigurisht, Gjermania, nga këndvështrimi i saj është përpjekur vazhdimisht të luajë një rol konstruktiv, siç janë edhe vende të tjera të Bashkimit Evropian si Austria. Unë jam shumë e bindur se projektet e infrastrukturës, këto projekte e plane të përbashkëta që kemi do të krijojnë mundësinë të thellojmë kontaktet, se pa thellimin dhe forcimin e kontakteve nuk do të kemi një të ardhme të sigurt. Pra, të gjithë së bashku të punojmë në mënyrë konstruktive për të realizuar projekte të përbashkëta. Dhe, prandaj, edhe këtë ide e iniciativë, ne do ta mbështesim plotësisht”, - ka pohuar Merkel.

Zhvillimet në Shqipëri, Rama leksion para të rinjve kinezë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama gjatë një vizite zyrtare në Kinë ishte i ftuar special për të mbajtur një leksion në Universitetin e Financës dhe ekonomisë të Tianjinit, një nga 15 universitetet më të mira në Kinë. Në fjalën e tij kryeministri ka vënë theksin tek politika që po ndjek mazhoranca e majtë pas zgjedhjeve të 23 qershorit. “Qeveria jonë e dalë nga zgjedhjet e 23 qershorit 2013 me moton e Rilindjes është e vendosur të ndryshojë modelin ekonomik të vendit, që, si burim kryesor të të ardhurave ka pasur remitancat nga emigracioni e si sektorin më jetësor, industrinë e ndërtimit. Kjo është arsyeja pse në çeljen e një shtegu të ri që çon në zhvillim ekonomik, jemi të vetëdijshëm se na duhet të mendojmë me maturi e të shfrytëzojmë në mënyrë të mençur vendndodhjen tonë në zemër të Evropës, pasuritë natyrore e popullsinë e dytë më të re të kontinentit evropian”, - ka pohuar ai. Kryeministri ka shtuar më tej gjatë fjalës së tij se pikërisht me këtë synim po punohet për eliminimin e disa pengesave kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm, si informaliteti dhe çështjet e pronësisë, duke u siguruar që, të paktën 70% e pronarëve të tokave, të zotërojnë titujt e plotë të pronësisë mbi tokën e tyre deri në fund të këtij mandati. “Në të njëjtën kohë, duke ndërmarrë reforma në tatime e dogana, reformën administrative, si edhe duke zhvilluar një proces të vazhdueshëm liberalizimi e novacioni, qeveria po trajton një sërë problemesh që janë thelbësore, qoftë për ekonominë, ashtu edhe për shoqërinë”, - ka pohuar ai. Në lidhje me çështjet ndërsektoriale, kryeministri ka deklaruar se një aspekt kyç është qasja e qeverisë kundrejt investuesve dhe sipërmarrësve, duke ndërtuar një raport të ri me ta. Sa i përket koalicionit qeverisës në Shqipëri, ka pohuar ai, rilindje nënkuptonte, para së gjithash, një ndryshim të qasjes ndaj qeverisjes, që do t’u jepte qytetarëve një qeveri të njerëzve për njerëzit dhe një kabinet qeverisës të udhëhequr nga ndjenja e detyrës jo e pushtetit. “Megjithatë, kam mësuar një gjë gjatë punës sime të përditshme, që ajo çka ka më shumë rëndësi është të realizosh gjërat”, - ka pohuar ai. Kreu i qeverisë shqiptare ka shpjeguar më tej zhvillimet e fundit në rajon duke vënë theksin tek paqja që po përjetohet, 100 vjet pas Luftës së Parë Botërore. “Sot, në vitin 2014, ndryshe nga viti 1914, për shkak të të gjitha sfidave me të cilat përballemi, bota është më e mirë në shumë drejtime; më e sigurt për shumë, më e begatshme, me mundësi më të mëdha për të gjithë ne. Rajoni ynë po përjeton paqe dhe besoj se të gjithë ne së bashku, politikanë, investues, aktorë qeveritarë e shoqërorë, duhet ta bëjmë një paqe e cila vlen të jetohet”, - ka përfunduar ai. Pas fjalimit, kryeministri u takua edhe me ekipin e basketbollit të femrave të universitetit, i cili është zgjedhur për 9 herë rresht kampion në Kinë.

Rendi i ditës, seanca mbyllet për 1 orë

Kuvendi i Shqipërisë zhvilloi dje seancën e dytë plenare për këtë sesion të ri parlamentar. Në mungesë të opozitës, ligjvënësit e mazhorancës për rreth një orë kanë mundur të përfundojnë diskutimin dhe miratimin e projektligjeve të përfshira në axhendë. Kështu me 75 vota pro është miratuar projektligji “Për akreditimin e organeve të vlerësimit të konformitetit në Republikën e Shqipërisë”. Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, për pjesëmarrjen e Republikës së Shqipërisë në Programin “ ERASMUS +” programi i BE-së për arsimin, trajnimin, rininë dhe sportin”, i cili ofron përfitime për studentët dhe për stafet akademike e administrative, bashkëpunim institucional në arsimin e lartë dhe mbështetje për reformat e politikave arsimore u miratua me 74 vota pro. Gjithashtu, kuvendi miratoi me 75 vota pro dhe projektligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes për themelimin dhe statusin e organizatës Evropiane të së Drejtës Publike”, i cili ka për qëllim krijimin dhe përhapjen e njohurive në fushën e së drejtës publike, të drejtën publike kombëtare , si dhe provimin e vlerave evropiane me anë të së drejtës publike anembanë botës.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat