Presidenti: Më hoqën kompetencat, duan të me ndalojnë dhe të drejtën e dekretit, s’do ia dalin

Bota e Yjeve

Presidenti: Më hoqën kompetencat, duan të me ndalojnë dhe të drejtën e dekretit, s’do ia dalin

Më: 19 gusht 2014 Në ora: 08:47

Parlamenti ende nuk është mbledhur, por kryeministri Rama ka paralajmëruar rrëzimin e dekreteve të presidentit lidhur me ligjet që ai ka kthyer në Kuvend, të cilësuara si antikushtetuese. Kreu i shtetit tha se kjo është përpjekje e shumicës që, pasi po heq kompetencat kreut të shtetit, t’ia ndalojë dhe të drejtën e shprehjes me dekret. Nishani tha se kjo nuk do të mund të ndodhë, ndërsa argumenton dhe një herë pse shqetësimet e tij mbi ligjet e kthyera janë të drejta.

Intervista e Presidentit Nishani dhënë për Televizionin ABC News

Gazetarja (Merita Haklaj): Zoti President përshëndetje!

Presidenti Nishani: Përshëndetje!

Gazetarja: Një sërë zhvillimesh ka pasur nga Institucioni juaj këtë verë ndoshta nisur edhe nga seanca e fundit e Parlamentit, e sesionit të kaluar, ajo e 31 korrikut, ku pati një volum ligjesh të rëndësishme që u kaluan nga ana e mazhorancës. Ligje të cilat ju nuk i keni firmosur, një pjesë të tyre, siç mund të përmendim Magjistraturën, KLD-në apo Policinë e Shtetit, ligje të cilat ju i keni kthyer për t’i dhënë dhe një herë mundësinë Parlamentit për të reflektuar mbi to. Ka pasur reagime në tëitter nga ana e Kryeministrit Rama ‘një shprehje keqardhje’, por mund të themi ende pa i dhënë fjalë Parlamentit për t’u shprehur mbi këto dekrete Ai ka paralajmëruar një rrëzim të dekreteve tuaja, një rrëzim të tyre duke e parë dhe këtë si sulm të Institucionit të Presidencës, si sulm tuajin ndaj qeverisë, në fakt, duke mos prekur thellësisht ligjet. Si e komentoni? Çfarë përshtypje ju krijon kjo shprehje e Kryeministrit tek reagimi i menjëhershëm lidhur me dekretet tuaja?

Presidenti Nishani: Jo, në fakt unë nuk kam reagime për komentet. Komentet le t’i gjykojë opinioni publik. Ju vetë e thatë që Parlamenti seancën e fundit ka pasur një punë shumë të madhe, shumë voluminoze, kështu që për rrjedhojë dhe Presidentit i takon të ketë një punë po aq voluminoze në shqyrtimin e tyre. Mua më vjen keq, në fakt, për mentalitetin që prezantohet ndaj detyrave dhe punës kushtetuese që ka Presidenti i Republikës. Nëse ka një detyrë kryesore, thelbësore, përmbajtësore të Presidentit të Republikës përpos të tjerave që janë protokollare, simbolike, është ajo e dekretit, është e dekretimit të ligjeve dhe Kushtetuta i ka dhënë tagrin kryesor duke mos i njohur të drejtën e vetos, por të gjykimit përmes dekretit; është i miratimit të një ligji, i kthimit mbrapa në Parlament kur konstatohet që është në cënim të Kushtetutës së vendit apo në heshtje kur nuk ka përputhshmëri të bindjes së Presidentit në raport me legjislacionin vendas. Presidenti ka bërë detyrën e tij. Ka ushtruar të drejtën kryesore kushtetuese përmes dekretit. Nuk ka asgjë politike. Ka thellësisht dhe drejtpërsëdrejti shprehje të bindjeve demokratike dhe të përgjegjësisë kushtetuese të Institucionit të Presidentit të Republikës ndaj atyre akteve ligjore, të cilat jo vetëm nuk janë në përputhje me Kushtetutën, por dhe e cënojnë atë. Është për të ardhur keq që, qëndrimi kushtetues, ushtrimi i detyrës nga Presidenti i Republikës ndesh me një mentalitet të së shkuarës. Përsa kohë nuk mendon si njëri prej aktorëve, njëri prej institucioneve, menjëherë akuzohesh si ‘armik politik’. Kjo ishte politika që ndiqej në të shkuarën. Ai që nuk mendon si ne menjëherë i vishet termi i ‘armikut politik’ për të justifikuar problemin, për të justifikuar realisht shqetësimin kryesor dhe në këtë rast shqetësimi kryesor i Presidentit është që ligjet që janë kthyer janë në cënim të Kushtetutës së vendit, sepse në argumentet publikë të bërë nga Institucioni i Presidentit të Republikës janë të renditura të gjitha arsyet ku cënohet Kushtetuta e vendit. Prandaj them që, jo vetëm që Presidenti ka bërë detyrën – ka folur. Çfarë kërkohet? Kërkohet që Presidenti të mos flasë. Kërkohet që zyra e Presidentit të Republikës të bëhet e paqenë. Kompetencat po hiqen nga dita në ditë. Kompetenca të tjera po ngrihen dhe nuk po lenë vend të zbatohen. Atëherë, ta ndalojmë Presidentin të flasë përmes dekretit dhe ta ç’bëjmë fare Zyrën e Institucionit të Presidentit të Republikës.

Unë e kam shprehur dhe herë të tjera, unë jam i vendosur, pa diskutim, të qëndroj në korrektesë të plotë të hapësirës që i takon Presidentit të Republikës, Kryetarit të Shtetit, detyrave dhe përgjegjësive kushtetuese të Presidentit të Republikës, pavarësisht nga pëlqyeshmëria apo papëlqyeshmëria politike e institucioneve apo e aktorëve të tjerë e akteve të Presidentit të Republikës. Pra, nuk ka asgjë politike, nuk ka asnjë lloj sulmi. As ka pasur dhe as nuk do të ketë ndonjë inicim të ndonjë sulmi politik, sepse nuk ka arsye, nuk ka objektiva të tillë Presidenti i Republikës, por do të ketë në vijimësi qëndrim të hapur, transparent, publik, të argumentuar, të logjikshëm dhe të mbështetur pikërisht në legjislacionin dhe Kushtetutën e vendit, përsa kohë Presidenti konstaton se, për shkak të detyrës së tij duhet të angazhohet në paralajmërimet dhe ndalimet, me aq sa është e mundur nga Presidenti i Republikës, të mosrespektimit të Kushtetutës së vendit.

Gazetarja: Komiteti ndërkombëtar, Bashkimi Evropian, OSBE, SHBA bënë thirrje për një reformë në drejtësi që të nisë në mënyrë të matur, të marrë kohë, të paktën të nisë nga shtatori dhe të jetë gjithëpërfshirëse. Megjithatë mazhoranca nuk u ndal dhe më 31 korrik miratoi ndryshimet ligjore për KLD-në dhe ndryshimet e tjera. Konkretisht për KLD-në ju u shprehët në relacionin që shoqëronte dekretin për kthimin e tij në Kuvend.
Po cënohet drejtësia me këto ndryshime ligjore? Fakti që nuk përfshihen gjyqtarë me të drejtën për t’u zgjedhur si Zv/kryetar të KLD-së, ishte një nga shqetësimet e shprehura në dekretin tuaj. Çfarë mund të na thoni konkretisht për KLD-në? Si do të funksiononte ai në rast se këto ndryshime ligjore do të futeshin në fuqi? Dhe, lidhur me reformën në drejtësi, në tërësi, çfarë mund të themi tashmë kur ajo pritet të rifillojë, të paktën, për diskutim nga mazhoranca nga shtatori që vjen.

Presidenti Nishani: Reforma në drejtësi, së pari, përbën një çështje fondamentale për shoqërinë tonë, për demokracinë dhe për të drejtat e qytetarëve, edhe për jetën e përditshme të qytetarëve, për vetë konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe nuk ka asnjë dyshim që reforma në drejtësi është një domosdoshmëri, është një fushë mjaft e gjerë, e cila kërkon investime intelektuale, investime të infrastrukturës dhe angazhime serioze të gjera dhe asistencë.

Në gjykimin tim, reforma në drejtësi fillon, së pari, tek zbatimi i vendimit të gjykatave. Nëse ne i kërkojmë dhe nuk e neglizhojmë që qytetari i thjeshtë ta zbatojë në çdo rast vendimin e gjykatës, a mund të besojmë ne që do të kemi një reformë në drejtësi efiçente dhe për qytetarin nëse institucionet shtetërore refuzojnë të zbatojnë vendimet e gjykatave të vendit dhe gjykatave ndërkombëtare? Pra, duhet ta nisim tek kjo. Së pari, të konsolidojmë kulturën e zbatimit të vendimit të gjykatave. Reforma në drejtësi, më pas, kërkon angazhime shumë të thella, shumë serioze dhe gjithëpërfshirëse. Nuk mundesh dhe nuk do të mundet të jetë i suksesshëm askush nëse nën rëndësinë që ka, pritshmëritë e mëdha që ka opinioni publik dhe qytetari i thjeshtë për të parë një drejtësi funksionale dhe që i shërben qytetarit dhe jo pushtetit fshihen tendenca që pushteti që ka fuqi të vijojë dhe të komandojë më pas mënyrën sesi funksionon instrumenti, mekanizmi i shtetit të së drejtës që është: gjykata, prokuroria, avokatia, e me radhë. Po marrim rastin e Shkollës së Magjistraturës. Çfarë bëhet me ndryshimet aktuale? Hiqet nga bordi i Shkollës së Magjistraturës përfaqësuesi i Prokurorisë, hiqet nga bordi i Shkollës së Magjistraturës përfaqësuesi i Gjyqësorit, hiqet përfaqësuesi i KLD-së dhe këto shtohen me përfaqësues të qeverisë. Kjo është pavarësia e gjyqësorit? Aspak jo. Dhe ky bord që shtohet me përfaqësues nga institucionet qeveritare marrin më pas përsipër të emërojnë Drejtorin e Shkollës së Magjistraturës, marrin përsipër të emërojnë dhe gjyqtarët ndërkohë që Kushtetuta e ka të qartë – Është KLD dhe Presidenti i Republikës që emëron formalisht gjyqtarët e Republikës së Shqipërisë. Dhe unë e kam kundërshtuar dhe e kam denoncuar në kërcënim të Kushtetutës. Kjo është politike? Nuk besoj se qytetarët, shumica dërrmuese e qytetarëve të Shqipërisë mendojnë që ky është qëndrim politik. Çfarë bëhet me rastin e ligjit të KLD-së? Presidentit të Republikës në Kushtetutë i njihet e drejta e emërimi të Nënkryetarit të KLD-së nga një prej anëtarëve të KLD-së. Jo, – thotë mazhoranca. – Ti duhet ta zgjedhësh tani vetën nga tre anëtarët e KLD-së që emërohen nga Parlamenti, pra nga mazhoranca. Faktikisht e ke përcaktuar ti si mazhorancë parlamentare se kë duhet të emërojë Presidenti i Republikës dhe i heq të drejtën Presidentit të Republikës, që ia ka dhënë Kushtetuta, të përzgjedhë si Nënkryetar të KLD-së një nga anëtarët e këtij këshilli që janë 15, përjashto Ministrin dhe Kryetarin e Gjykatës së Lartë, mbeten të tjerët. Atëherë, kjo është politike kur Presidenti thotë që, këtu cënohet Kushtetuta dhe e drejta ekskluzive e Presidentit për të propozuar Nënkryetarin e KLD-së? Marrja e kësaj kompetence në mënyrë indirekte nga mazhoranca? S’ka rëndësi se cila do të jetë mazhoranca e radhës. Mazhorancat shkojnë e vijnë. Pra, janë çështje që kanë të bëjnë drejtpërdrejt me reflektimin e përgjegjësive kushtetuese që ne kemi. Mund të bëhen nesër, pasnesër, ligje që t’i përcaktojnë qytetarëve shqiptarë se çfarë duhet të hanë dhe si duhet të vishen. Me ligj bëhet kjo. Prandaj, çështja e qëndrimit, e përcjelljes së shqetësimeve dhe çështja e komunikimit madje në mënyrë shumë të hapur dhe transparente për këto cënime që i bëhen standardeve të demokracisë, parashikimeve dhe përcaktimeve kushtetuese nuk kanë asgjë politike. Janë thellësisht institucionale dhe me përgjegjshmëri të plotë.

Gazetarja: Zoti Nishani, ju keni qenë Ministër i Brendshëm kur u miratua ligji i ri për Policinë e Shtetit kur Partia Demokratike ishte në pushtet. Ishte një ligj në të cilin, për të mos u politizuar Policia e Shtetit ku specifikisht u u konkretizua në ligj që, Policia të jetë në varësi të Ministrisë së Brendshme dhe jo të Ministrit. Tashmë me ligjin e ri varësia e Policisë së Shtetit do të jetë nën Ministrin. E keni quajtur këtë rrezik për politizimin e Policisë. Keni parashtruar dhe disa argumente të tjera lidhur me ligjin e Policisë së Shtetit, prandaj e keni rikthyer atë për rishqyrtim në Parlament. Një prej tyre ishte krijimi i Byrosë së Hetimit si një mekanizëm që do të dublonte Prokurorinë apo Policinë Gjyqësore. Më konkretisht, nisur dhe nga eksperienca juaj si Ministër i Brendshëm – Çfarë mund të na thoni për këtë ligj? Çfarë rrezikojmë sipas argumenteve tuaja?

Presidenti Nishani: Në fakt, arsyet e kthimit për rishqyrtim në Parlament të ligjit për Policinë e Shtetit janë disa, por dhe eksperiencat personale, pa dyshim, që më kanë ndihmuar në kthjelltësinë dhe qartësinë e marrjes së vendimit për ta rikthyer për shqyrtim. Ishte një koincidencë që, në fakt unë për herë të parë detyrën e Ministrit të Brendshëm e nisa me aktin e parë, ligjin për Policinë e Shtetit dhe ishte një nga kriteret kryesore të udhërrëfyesit që i ishte përcaktuar Shqipërisë si detyrim për t’u plotësuar për anëtarësimin në NATO. Një nga kërkesat e ligjit ishte pikërisht shkëputja e Policisë së Shtetit nga varësia e Ministrit të Brendshëm i cili është një njeri politik, që përfaqëson një forcë politike, një program politik dhe kjo është normale. Ka qenë një investim i aleatëve tanë kryesorë. Madje janë shpenzuar disa qindra mijë dollarë të taksapaguesve amerikanë përmes asistencës të dhënë nga specialistët pranë Policisë së Shtetit. Janë shpenzuar disa qindra mijëra euro nga taksapaguesit evropianë përmes asistencës që dhanë specialistët e ardhur nga Bashkimi Evropian. Sot, me ndryshimet, të gjitha këto kontribute janë shumëzuar me zero dhe këto mund të përbëjnë shqetësime. Pra, rikthimi i varësisë së Policisë së Shtetit tek Ministri i Brendshëm krijon shqetësime të mëdha. Krijon shqetësime të mëdha për riskun e politizimit të veprimtarisë së Policisë së Shtetit.

Një nga argumentet kryesore që ligji për Policinë e Shtetit është kthyer për rishqyrtim në Parlament është veprimi i paprecedent për të krijuar një strukturë paralele të Prokurorisë brenda Policisë së Shtetit. Ndërkohë që, Kushtetuta e përcakton qartë që tagrin e hetimit dhe të përfaqësimit të akuzës e ka tërësisht Prokuroria e Shtetit. Nëse qeveria kërkon të marrë nën varësi Prokurorinë, dakord le ta bëjë, por përmes ndryshimit kushtetues, përmes ndryshimit ligjor dhe mund të merret Prokuroria në varësi të qeverisë, por jo të krijojmë në cenim të Kushtetutës një strukturë paralele herë-herë me kompetenca akoma më të mëdha se ajo e Prokurorisë brenda një strukture të tillë siç është Policia e Shtetit. Pra, këtu kemi të bëjmë me një cenim te drejtpërdrejtë të parashikimeve dhe përcaktimeve kushtetuese. A është ky qëndrim politik i Presidentit të Republikës i cili e evidenton këtë fakt dhe ja risjell në vëmendje deputetëve të Kuvendit? Unë besoj që jo. Jam i bindur që shumica e qytetarëve shqiptarë mendojnë që nuk ka asgjë politike dhe është tërësisht institucionale dhe e përgjegjshmërisë kushtetuese, e standardeve që kemi vendosur dhe të cilat duhet t’i ruajmë dhe t’i çojmë përpara, në aspektin e demokracisë, të lirisë dhe të mekanizmave të garantimit të shtetit të së drejtës. Unë besoj që në frymën e përgjegjshmërisë, në frymën e gjithëpërfshirjes të respektit reciprok dhe të ndërsjellë institucionet në ndihmë të njeri-tjetrit besoj që mund të bëjnë punë shumë më të mira, në aspektin e konsolidimit të mekanizmit. Nuk do të mundemi ne asnjëherë të krijojmë mundësi për të përmirësuar jetën ekonomike të qytetarëve shqiptarë, të familjarëve shqiptarë pa konsoliduar bazat e demokracisë në Shqipëri. Nuk do të mundemi kurrë të përmirësojmë më shumë imazhin e shqiptarëve dhe Shqipërisë, të shtetit tonë të përbashkët pa konsoliduar një mekanizëm real të shtetit të së drejtës që garanton këto të drejta që vë në funksionim mundësitë e zbatimit të të drejtave nga ana e qytetarëve të thjeshtë. Asgjë nuk do të arrijmë të kemi të suksesshme nëse nuk mendojmë që gjithçka duhet vënë në funksion të shërbimit të qytetarëve, në shërbim të jetës së qytetarëve dhe jo në shërbim të konsolidimit apo zgjerimit të ndonjë pushteti të caktuar apo të përkohshëm të mazhorancave, qeverive, të Presidentit apo kujtdo qoftë ai. Pra, në tërësinë e tyre aktet, dhe një herë e theksoj, kanë vetëm një ngarkesë – ngarkesën e përgjegjshmërisë dhe besoj se do t’i japin dhe seriozitetin që duhet t’i japim shtetit tonë, që duhet t’i japim Kushtetutës sonë dhe që duhet t’i japim së drejtës e cila duhet të jetë e prekshme mbi të gjithë.

Gazetarja: Zoti President, ka ligje të tjera në proces që presin firmën tuaj. Keni vendosur për ndarjen administrative, territoriale apo për strategjinë e Sigurisë Kombëtare?

Presidenti Nishani: Jam duke i shikuar me shumë përgjegjësi. Kam ftuar të kem një diskutim, për rastin e ligjit që ka të bëjë me reformën territoriale, përfaqësues të pushtetit lokal. Gjatë gjithë këtyre javëve kam marrë peticione të shumta nga strukturat e zgjedhura të pushtetit lokal, komuna, këshilla komunash, nga komunitete qytetarësh të cilët më kërkojnë të qëndroj me kujdes. Vënë në dijeni Presidentin e Republikës për shqetësimet që ata kanë në lidhje me këtë reformë pikërisht nisur edhe nga këto letra të shumta, ankesa të shumta që i janë drejtuar Presidentit të Republikës nga qytetarët dhe komunitet lokale. Jam duke përgatitur një takim të shpejtë me përfaqësues të zgjedhur të pushtetit lokal dhe natyrisht që do të kem dhe qëndrimin tim institucional edhe mbi këtë çështje, por dhe mbi strategjinë e Sigurisë Kombëtare.

Gazetarja: Zoti President, faleminderit për këtë intervistë!

Presidenti Nishani: Edhe unë e vlerësoj shumë angazhimin tuaj. Kënaqësi!

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat