Veseli: PDK është e ardhmja e sigurtë e qytetarëve të Kosovës

Bota e Yjeve

Veseli: PDK është e ardhmja e sigurtë e qytetarëve të Kosovës

Më: 2 qershor 2014 Në ora: 08:14

DW: Zoti Veseli, partia juaj PDK në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë shkon me moton “Mision i ri”. Çfarë do të thotë kjo për qytetarin e thjeshtë?

Kadri Veseli: Së pari dua të theksoj se “Mision i ri” do të thotë prespektivë e re për qytetarin e Republikës së Kosovës. Do të thotë jetë e re, punësim, do të thotë zhvillim ekonomik që i duhet vendit tonë veçanërisht në fazat aktuale të integrimit në Bashkimin Europian dhe të integrimit verio-atlantik. Me „Misionin e ri“ ne jemi një shpresë e madhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por mbi të gjitha jemi e ardhmja e sigurtë e Kosovës.

DW:Duket që gjatë gjithë aktiviteteve të fundit të partisë suaj ka një përkushtim për angazhimin e të rinjve. A do të thotë kjo që kjo parti ka nevojë për gjak të ri, për rifreskim të rradhëve të saj? Apo thjesht i angazhoni meqë shumica e të rinjve janë të papunë?

Veseli: Të rinjtë vetë janë shumë aktiv. Në fakt vetë Kosova është shtet i të rinjve. Mbi 60% e popullsisë në Kosovë janë të rinj nën moshën 30 vjeç, të cilët i kemi si resurse jashtëzakonisht aktivë, por në të njejtën kohë sa më shumë që këta të rinj arrijnë të marrin përgjegjësi dhe në të njejtën kohë të pranojnë përgjegjësi, atëherë vendi do të jetë po ashtu me perspektivë të sigurtë. Në këtë kuadër, ata janë përfshirë shumë mirë në PDK, kanë pozicione shumë aktive, janë edhe me pozicione ministrash. Kjo do jetë në vazhdimësi dhe në të ardhmen. Ne që do tu japim përkrahje dhe përgjegjësi të rinjve të partisë sonë edhe në qeverinë e ardhshme të Republikës së Kosovës.

DW: Zoti Veseli duket sikur është anashkaluar paksa shoqëria civile? Sa është marrë parasysh kjo për qeverisjen e ardhëshme, nëse i fitoni këto zgjedhje?

Veseli: Në fakt shoqëria civile luan një rol shumë pozitiv në Kosovë. Shoqatat e ndryshme janë duke i marrë përgjegjësitë e veta dhe në të njejtën kohë janë jashtëzakonishtë aktive dhe pozitive. Partia Demokratike e Kosovës i ka dyert e hapura për çdo angazhim të tyre duke pasur parasysh se vetëm këto muajt e fundit kemi pasur një varg aderimesh të njerëzve prominentë të shoqërisë civile në kuadër të vizionit të partisë sonë dhe kryeministrit Thaçi.

DW: Pretendoni për një koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. A ka të bëjë kjo me pasigurinë e partisë tuaj për fitore, të pakënaqësisë mes anëtarëve të partisë brenda, apo kjo bëhet thjesht për një pazar politik?

Veseli: Ne jemi partia më e fuqishme në Republikën e Kosovës. Jemi parti shumë stabile, sepse kemi besimin e qytetarëve, të cilët më 8 qershor jam i bindur se do t'na e japin përsëri votën për të qeverisur edhe në katër vjetët e ardhëshme. Jemi të bindur se do të jemi përsëri forcë e fuqishme e parë politike dhe do të kemi shumicën solide në Parlamentin e Republikës së Kosovës.Ne jemi të hapur për partneritet me të gjithë faktorët politikë, të cilët e duan Kosovën, që do të punojnë për të dhe kanë resurse intelektulale dhe profesionale që i bashkangjiten vizionit të Partisë Demokratike të Kosovës.

DW: Mos do të thotë kjo që si PDK ka pakënaqësi nga koalicioni i deritanishëm?

Veseli: Aspak.Ne jemi në një fazë procesi zgjedhor ku futemi si Partia Demokratike e Kosovës në zgjedhje. Edhe një herë e ritheksoj fuqishëm me bindjen se ne do të fitojmë me një shumicë solide.Pastaj sipas konceptit tonë programor, vizionit tonë dhe Misionit të ri, ne do të bëjmë edhe koalicionet, të cilat do të jenë transparente dhe në të mirë të qytetarëve.

DW: Pretendoni për hapje të vendeve të punës, deri në 200 mijë vende pune. Sipas mediave vendore bëhet fjalë për shifra alarmante të papunësisë. Së pari, zoti Veseli në këtë qeverisje të PDK prej kaq vitesh, a pati hapje të vendeve të punës ?

Veseli: Ne fakt në gjithë këto regjione dhe Evropë është folur shumë për çështjen e papunësisë, veçanërisht këtu në Ballkanin perëndimor. Janë bërë arritje të mëdha gjatë këtyre 4 viteve të fundit të qeverisjes në fushën e projekteve, të cilat kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe infrastrukturën. Ajo që ne dhe kryeministri Thaçi kemi parasysh për në mandatin tashmë të tretë është çështja e punësimit dhe zhvillimit ekonomik në një shtet të fuqishëm ligjor. Këtu do të përqëndrohemi në të gjitha resurset financiare, ato humane dhe natyrore dhe ti shfrytëzojmë në mënyrë adekuate, për arsye se Kosova ka kapacitete të mjaftueshme të gjenerojë zhvillim dhe stabilitet të qendrueshëm ekonomik, e në të njejtën kohë të krijojë edhe vendë pune për të rinjtë dhe të gjitha kategoritë sociale në Kosovë. Ne do ta arrijmë këtë, për arsye se kemi njerëz të shkolluar profesionalisht, kemi vizion shumë të qartë, kemi një lidership të vendosur për tu ballafaquar edhe me sfidën e papunsisë dhe zhvillimit ekonomik.

DW: Kur jemi te ekonomia, çfarë pozicioni zë Gjermania lidhur me investimet në Kosovë zoti Veseli?

Veseli: Unë besoj se kemi nevojë për investime të huaja direkte këtu në Kosovë, sidomos nga Gjermania si forcë e fuqishme demokratike dhe ekonomike, lider në Bashkimin Evropian. Investimet gjermane do të kenë prioritetin numër një në qeverisjen e ardhshme të kryesuar nga Thaçi. Ne na duhen investimet dhe përvoja gjermane, shpirti i njerëzve punëtorë, sepse Gjermania ka bërë mrekulli në gjithë këto dekada të zhvilimit ekonomik.

DW: Por a kanë garanci investorët gjermanë dhe të tjerë në këtë shtet?

Veseli: Kanë garanci, sepse kemi një shtet ligjor në të cilin respektohen kontratat e punës, pronësia e ndërmarrësit, përkrahen ndërmarrësit me projekte të cilat aktualisht jemi duke i zhvilluar. Pra është një hapsirë më optimale se sa regjioni, për arsye se fuqia punëtore është më e lirë për të investuar dhe punuar në Kosovë në mënyrë që të prodhohet këtu më lirë se në çdo vend tjetër në Evropë.

DW: Gjermania është model në respektimin e ligjit dhe në luftimin e korrupsionit. Para ligjit janë njësoj si Presidenti, ashtu dhe qytetari i thjeshtë. Për këtë ka edhe shembuj konkretë. Kur do kemi një Kosovë të tillë, një shtet të tillë ligjor, zoti Veseli?

Veseli: Ne jemi një shtet i ri, i cili është duke ecur në hapa shumë pozitië drejt forcimit të shtetit ligjor dhe respektimit të institucioneve dhe moralit institucional, i cili ka të bëjë me përgjegjësinë publike qoftë dhe në rastin që ju përmendët ku edhe nga përgjegjësia morale njerëzit edhe në nivelin më të lartë të shtetit japin dorëheqje.Ne jemi të vendosur në këtë drejtim, për arsye se sundimi të ligjit bën një shtet i fuqishëm ligjor. Çdo parakusht për respektimin e të drejtave të njeriut është e ndërlidhur me respektimin e shtetit ligjor. Ne këtë do ta bëjmë, sepse jemi të përkushtuar për ta bërë. Ne duam që në Kosovë të gjithë të respektojnë ligjin, aq më shumë që shembull për këtë duhet të jetë vetë qeveria që udhëheq vendin. Ne duam që të gjithë qytetarët të jenë pjesë e këtij zhvillimi dhe të ndjejnë nga afër që Kosova tashmë është një shtet ligjor në të cilin respektohemi dhe i respektojmë ligjet.

DW: Zoti Veseli, në aspektin e politikës së jashtme si e mendoni ju si parti një fqinjësi të paqtë me Beogradin? A mjafton vetëm protokolli i nënshkruar në Bruksel?

Veseli: Ne jemi të vendosur të krijojmë mardhënie të mira me të gjithë fqinjët tanë. Këtu kam parasysh Republikën e Shqipërisë me të cilën kemi mardhënie të jashtëzakonshme, me Republikën e Maqedonisë dhe Republikën e Malit të Zi.Jemi jashtëzakonisht të interesuar të kemi raporte të qëndrueshme me Republikën e Serbisë,në respektimin e sovranitetit territorial dhe politik të Republikës së Kosovës dhe në të njejtën kohë në mbrojtjen e interesave të qytetarëve dhe shqiptarëve, të cilët jetojnë në Republikën e Serbisë.Ne respektojmë sovranitetin e Serbisë, ata duhet të respektojnë sovranitetin e Kosovës.Ne i respektojmë qytetarët serbë të Republikës së Kosovës dhe do kenë mbrojtje kushtetutshmërie dhe të drejta të barabarta me të gjithë komunitetin e Republikës së Kosovës.

DW: E keni fjalën për minoritetin që është në Kosovë?

Veseli: E kam fjalën edhe për minoritetin serb që ka një involvim dhe kontribut në institucionet e Republikës së Kosovës. Por kërkojmë nga qeveria e Beogradit të inkurajojë këtë integrim dhe të punojë drejt fazave, të cilat kanë të bëjmë me integrimin e përbashkët në kuadër të Bashkimit Evropian si shtete respektive sovrane dhe në të njejtën kohë të luajë një rol më stabil në pjesën veriore të Republikës tonë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat