Kokëdhima: Ju rrëfej mëkatet e udhëheqësve të Shqipërisë

Bota e Yjeve

Kokëdhima: Ju rrëfej mëkatet e udhëheqësve të Shqipërisë

Më: 1 qershor 2014 Në ora: 09:51

Deputeti i PS-së në Qarkun Vlorë, Koço Kokëdhima, në një intervistë për emisionin “Oktapod” në televizionin “Vizion plus”, flet për jetën, biznesin dhe pushtetin. Kokëdhima rrëfeu detaje shpirtërore dhe shumë jetësore për jetën e tij nga fëmijëria, deri në ditët e sotme, lidhjet e tij me familjen, biznesin dhe politikën, duke dhënë vlerësimin për figura si Zogu, Hoxha, Nano, Berisha, Rama, Meta dhe Basha.

Thuhet se keni qenë këshilltari i Edi Ramës, një “eminencë gri”, njeriu që e ndihmonte atë të merrte vendime të rëndësishme. Tani që ai është kryeministër, konsultohet me ju?

Unë nuk kam qenë asnjëherë këshilltari i Ramës, as tani nuk jam këshilltari i Ramës, por kam pasur dhe kam një miqësi shumë të mirë me Edi Ramën. Jam krenar për miqësinë time me të dhe kam biseduar vazhdimisht dhe bisedoj me të si me gjithë kolegët dhe miqtë e mi të çmuar. Çfarë bëjnë miqtë nëse takohen?! Flasin dhe bisedojnë, shkëmbejnë pikëpamje...

Ju jeni pjesë e mazhorancës, por gjithsesi a ka ndonjë ministri që do kritikonit, që po shihni që nuk po punon, sipas këndvështrimit tuaj nuk është aty ku duhet të ishte?

Ministrat e qeverisë sonë, për mendimin tim, bëjnë përpjekje dhe punë shumë të mëdha. E kanë gjetur qeverisjen, shtetin, në një situatë katastrofike dhe përpiqen që të ngrenë punën në të gjitha dikasteret. Bëjnë një punë jashtëzakonisht të madhe dhe unë kam njohje të afërt për punën që bëjnë njerëzit në qeveri dhe ministrat tanë në veçanti. Dhe nuk mund të bëj kritika për ta, jo se puna është e përsosur, sepse puna e njerëzve gjithmonë ka gjëra për të përmirësuar, por puna që ata bëjnë me përkushtim dhe me një vullnet jashtëzakonisht të madh, është një gjë që duket dhe që ne duhet ta mbështesim.

Për shembull?

Unë nuk mendoj që të gjithë punonjësit e policisë janë engjëj, por ama është shumë e qartë që Policia e Shtetit dhe ministri ynë Saimir Tahiri bëjnë një punë jashtëzakonisht të madhe, me një përkushtim shumë të madh. Ashtu siç kemi ministra të tjerë që punojnë shumë mirë si ministrja jonë e Mbrojtjes, Mimi Kodheli, ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla, ministri i Punëve Sociale, Erjon Veliaj, ose si ministri i Reformës Territoriale, Blendi Çuçi, që është një ministër i shkëlqyer ...Nuk ka nevojë qeveria për të bërë ne propagandë, por për mua ka rëndësi të madhe kjo gjë që të vlerësojmë, nxisim dhe mbështesim punën e mirë të njerëzve tanë për ta nxjerrë vendin nga situata e vështirë ku ndodhet dhe të mos pajtohemi me strategjinë që ndjek opozita e Saliut për të nxirë këtë punë të madhe që po bëhet.

Kam një lloj perceptimi sikur, sigurisht mund të jetë i gabuar, që ju i keni hyrë politikës vetëm për të qenë përballë Sali Berishës? Sikur aq shumë personale është kthyer me zotin Berisha sa ai është arsyeja kryesore që ju keni hyrë në politikë për të qenë përballë tij?

Është një perceptim fare i gabuar.

Sepse ju gjithmonë, e vetmja arsye që ju mund të irritoheni në parlament dhe të flisni është vetëm kur ju përballeni me Zotin Berisha. Është i vetmi që arrin të nxjerrë një lloj inati tek natyra juaj e qetë e të folurit avash.

E njeh tërë dynjaja Saliun edhe aftësitë e tij për të gënjyer edhe gurët. Unë në përgjithësi kam qëndruar jashtë atij debati që bëhet në parlament, sepse ai është një debat shterpë, jokonstruktiv, një debat që nuk ka në qendër nevojat e njerëzve, të qytetarëve, por që ka në qendër nevojën e Saliut...

Dalim në diçka konkrete

Saliu është 70 vjeç, është deputeti më i moshuar i parlamentit, është gjysh dhe ndofta edhe katragjysh, ka qenë kryeministër, ka qenë president i vendit, ka qenë kryetar i Partisë Demokratike, pra i ka kaluar të gjitha fazat në karrierën e vet derisa vitin e shkuar, pas humbjes së zgjedhjeve, u dorëhoq nga funksjonet drejtuese në PD. Ky njeri normalisht do të duhej të ishte një burrë i urtë që të jepte gjykime, këshillat e tij, përvojën, të shkruante, të reflektonte mbi të shkuarën dhe të nxirrte konkluzione që do t’i duheshin politikanëve të rinj të vendit dhe qytetarëve të Shqipërisë, por ai është ashtu i shpërfytyruar, një gojëprishur, një mendjeprishur, një sherrxhi, një person pa etikë, një person që s’ka lënë gjë të ndyrë pa nxjerrë nga goja për këdo. Pse është kështu, pse kjo sjellje e tij anormale?!

Ai thotë se ka marrëdhënie me Zotin.

Kjo sjellje e tij është për nevojat e interesat ilegale që realizoi kur ishte në pushtet. Ai është atje për të mbrojtur ato përfitime dhe ato interesa që prodhoi për vete e një grusht njerëzish rreth tij dhe në dëm të vendit e të popullit shqiptar. Ai është atje për të penguar Shqipërinë dhe popullin tonë të shkojnë përpara e të çlirohen nga problemet e rënda që kemi sot. Zgjidhja e këtyre problemeve i shuan përjetë ëndrrat dhe shpresat e Saliut për ta mbajtur Shqipërinë nën kontrollin e tij. Prandaj agjenda e tij është e ndryshme nga agjenda e popullit dhe qeverisë, është e ndryshme nga agjenda e qytetarëve. Ai vjen në parlament me një agjendë tjetër nga ajo që vendos Byroja e Kuvendit. Ai nuk do që të diskutohet asnjë reformë, asnjë ligj. Ne vijmë aty, diskutojmë gjithë budallallëqet e Saliut, por nuk diskutojmë ligjet dhe e mbajmë popullin të painformuar për reformat dhe punët që bën qeveria.

Çfarë keni për të thënë ju për “kështjellën” e Qeparosë që zoti Berisha thotë se është e juaja?

Në prononcimet e mia publike kurrë nuk do artikuloj ndonjë gënjeshtër. Maksimumi që mund t’i lejoj vetes është të hesht, por kurrë të gënjej. Nuk do të më dëgjojë ndonjë shqiptar ndonjëherë që të them se fjalët e mia ishin llafe fushate, ishin llafe politike, siç ka i ka justifikuar Saliu mashtrimet e tij. Për ndërtimin në fjalë Saliu dhe dhëndri i Saliut kanë publikuar foto në “Facebook” me shënimin se kjo është kështjella e Koços. Përsa i përket këtij hoteli, dua të them se unë nuk kam asnjë qindarkë pjesë në atë pasuri. Ajo pasuri është e njerëzve të mi, e vëllait tim dhe dikujt tjetër po nga fisi im. Nuk kam qenë kurrë pjesë e atij investimi. Megjithatë, në dijeninë time, ai është një investim i ligjshëm. Saliu, kur qe kryeministër, para 5 vjetësh, tentoi ta prishte atë, por nuk e prishi dot, sepse ishte një ndërtim i ligjshëm. Ky hotel nuk është i imi. Po të ishte i imi do thosha që është i imi, sepse unë jam biznesmen dhe kam punuar gjithë jetën në ndërtime. Çfarë do të bëja unë me ndërmarjet e ndërtimit që kam krijuar dhe udhëhequr?!

Do bëja hotele, pallate, shtëpi etj. Nuk është e kritikueshme që unë, si njeri biznesi, kam bërë ndërtime. Kurrë ndonjëherë nuk kam urdhëruar dhe as nuk jam përfshirë në ndonjë ndërtim pa leje. Sjellja e Saliut është sa e pabazuar edhe fyese për inteligjencën e njerëzve. Një biznesmen, unë apo kushdoqoftë ai nuk ka prodhuar asnjëherë leje ndërtimi. Nuk bëjnë biznesmenët leje ndërtimi, as kondi cionet urbanistike, as planet urbanistike. Këto kanë qenë punët dhe kompetencat e qeverive. Dhe nuk mund t’i thuash ti një biznesmeni apo një ish-biznesmeni si unë që pse është ndërtuar këtu ky pallati që ti Sali i ke dhënë leje. Saliu dhe Fatosi janë fajtorët dhe përgjegjësit e vetëm për cilësinë jashtëzakonisht të keqe të qeverisjes dhe zhvillimit të teritorit të Shqipërisë, jo biznesmenët dhe qytetarët. Ja pra kjo është një gjë...

Do ta falnit ndonjëherë Sali Berishën për gjithë akuzat që iu ka bër ndër vite dhe që vazhdon ju bëjë?

Unë e kam shpjeguar që nuk do harxhoj asnjë minutë nga jeta ime për t’u marrë me Saliun edhe pse ai ka kryer qindra akte në dëm të interesave të mia dhe të familjes time, akte shumë të rënda, por ne nuk kemi për t’u marrë me të. Unë çdo sekondë të jetës sime do ta harxhoj për punë, për vepra dhe për shërbim ndaj qytetarëve dhe jo për t’u marrë me Saliun. Saliun me gjithë ato mëkatet që e kanë mbuluar, siç e deklarova edhe herën e kaluar në Parlament, e kam lënë në duart e Perëndisë.

Keni arritur të hyni në zemër të bazës socialiste? Kanë qenë shumë skeptikë njerëzit në fillim.

Unë mendoj se të hysh në zemrën e njerëzve duhet të mbash në zemër nevojat e tyre dhe duhet të punosh me përkushtim dhe pa u lodhur gjithë kohën, gjithë kohën... T’u shërbesh njerëzve është një punë shumë me rëndësi, dhe unë do të shërbej me pasion dhe shpresoj që do të tejkaloj pritshmëritë e njerëzve për deputetin Koço Kokëdhima. Kështu jam i sigurt që do të kem vend në zemrën dhe në mendjen e njerëzve socialistë dhe të njerëzve pa parti.

Kur të largoheni nga kjo botë, do donit të mbaheshit mend si: Manjati i mediave Koço Kokëdhima, si politikani Koço Kokëdhima, apo si milioneri Koço Kokëdhima?

Unë dëshiroj të mbahem mend si deputeti i popullit.

Kthehemi tek mëkatet e personazheve të famshëm në Shqipëri, njerëzve që kanë bërë histori. Mëkati më i madh, sipas jush, i Ahmet Zogut?

Mëkati më i madh i Ahmet Zogut ishte bashkëpunimi me armiqtë e kombit shqiptar për të ardhur e qëndruar në pushtet dhe shpërblimi i tyre me copa Shqipërie.

Mëkati më i madh i Enver Hoxhës?

Enver Hoxha është një figurë shumë komplekse. Vepra e tij ka arritje dhe vlera të mëdha, ashtu siç ka edhe probleme edhe të meta të mëdha. Ai ishte komandanti i Luftës Nacional-Çlirimtare dhe udhëhoqi shumë reforma të suksesshme në Shqipëri, ashtu siç është i anatemuar për zhvillimin ekstrem të luftës së klasave dhe për shumë histori të tjera që kanë lidhje me shkatërrimin e interesit dhe lirive individuale të njeriut. Mëkati më i madh i Enver Hoxhës, në një këndvështrim të caktuar, është fakti që la një vakuum të atillë për të ardhmen dhe drejtimin e këtij vendi, vakuumin që do i sillte këtij populli në krye, për gati një çerek shekulli, të tillë udhëheqës si Sali Berisha dhe Fatos Nano.

Mëkati më i madh i Sali Berishës?

Saliu? O Zot sa mëkate ka bërë Saliu!. Ka bërë aq shumë mëkate, sa s’di ç’të përmendësh më parë për Saliun.

Një më të madhin, sipas jush?

Të përmendësh piramidat, që bëri ekonominë e Shqipërisë piramidë, të përmendësh faktin që e la Shqipërinë pa asnjë ekonomi konkurruese, pa asnjë rrugë zhvillimi, pa asnjë vend në familjen evropiane? Do të qëndroj tek një: Ky njeri i përdori vrasjet, bëri kaq shumë vrasje dhe viktima, bëri viktima me mijëra vetë nga nevoja e tij për të qëndruar në pushtet, viktima për të mbyllur gojë dëshmitarësh, viktima për të qëndruar në pushtet, viktima për të mposhtur ata demonstruesit atje dhe për të ulur guximin e popullit në përplasjet me të.

Mëkati më i madh i Fatos Nanos?

Fatosi nuk është krejt e njëjta histori me Saliun, se Fatosi nuk ka bërë vrasje për të ardhur në pushtet dhe për të mbajtur pushtetin. Këto nuk i ka bërë, por ka bërë plot histori korrupsioni të ndyra dhe histori të tjera që mund t’i përmendim. Ka po aq përgjegjësi sa Saliu, për faktin që Shqipëria nuk ndërtoi dot një sukses të qenësishëm në këtë tranzicion, përkundrazi ka bërë një tranzicion të dështuar dhe për këtë janë përgjegjës Fatosi dhe Saliu. Por sot do t’i kujtoj një mëkat shumë të madh Fatos Nanos. Ky mëkat ka qenë përçarja e së majtës, përçarja e Partisë Socialiste dhe me këtë përçarje ai bëri që Shqipëria të binte përsëri në duart e Sali Berishës dhe të pësonte gjithë këto dëme e gjithë këto shkatërrime që ka pësuar.

Mëkati më i madh i Ilir Metës? Për Ilirin dhe për Edin...

Për Edin pastaj...

E shikoj logjikën ku do të shkosh ti, se i ke marrë të gjithë me radhë... Kështu që për Ilirin dhe për Edin do të them që ndajnë një mëkat, në një mënyrë të caktuar, bashkë. Nuk është me rëndësi se sa për qind ka njëri dhe sa për qind ka tjetri, por mëkati më i madh i tyre është që e vonuan bashkimin e së majtës nga 2009- a dhe i dhanë edhe katër vite të tjera jetë në pushtet Sali Berishës.

Mëkati më i madh i Lulzim Bashës?

Për Lulzimin do të them që ka tri përgjegjësi të rënda. Çështja me abuzimet e mëdha me rrugën e Kombit, abuzim me pasuri shumë të rëndësishme për popullin shqiptar dhe për ekonominë e Shqipërisë. Ai ka një përgjegjësi shumë të madhe për vrasjet e 21 janarit, sepse ishte ministër i Brendshëm dhe strukturat që kryen vrasjet ishin nën urdhrat e tij. Është përgjegjësi e tij që ta distancojë veten qartazi nga ato vrasje në atë masë që të jetë e qartë për publikun. Por mëkati më i madh i tij, sipas meje, është ulja në karrigen e Kryetarit të Bashkisë me mandatin që vodhi Saliu me Ristanin. Ai do të duhej të uronte fitoren e kundërshtarit të tij dhe jo të ulej vetë në atë karrige.

“Peshkatarëve duhet t’u japim naftën pa akcizë”

Saliu ju ka akuzuar publikisht në Parlament që ju po tentoni të bëni kontrabandë nafte.

Nxorri një letër Saliu, për këtë e keni fjalën, besoj?

Po.

Nxorri një letër Saliu atje në foltoren e parlamentit, por nuk e lexoi. Ishte një letër që unë ia kam dërguar Ministrisë së Financave dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave. Është një propozim, për të organizuar bunkerazhin detar. Shërbimi i bunkerazhit detar është shërbimi i naftës pa akcizë për anijet e peshkimit dhe për anijet e tjera që qarkullojnë në bregdetin tonë, që janë pasuri e peshkatarëve ose e shërbimeve të tjera. Ne i kemi premtuar popullit, u kemi premtuar peshkatarëve që do tu japim naftë pa akcizë, siç u japin të gjitha vendet evropiane dhe komshinjtë tanë. Çfarë bënin peshkatarët tanë gjatë viteve të Saliut, nuk merrni naftën pa akcizë? E blenin naftën me akcizë? Jo. Shkonin e blinin naftën pa akcizë në Greqi ose në Mal të Zi, siç bëjnë edhe sot.

Pra kjo ekonomi e munguar e Shqipërisë është një ekonomi e dhuruar për fqinjët tanë, për ekonominë greke dhe për ekonominë e Malit të Zi. Dhe nuk është një gjë e vogël. Bunkerazhi detar, qysh në vitin e parë pritet që të qarkullojë 150 mijë tonë naftë. Është një sasi e madhe që ndikon direkt në GDP. Për tre deri në 5 vite pasi të fillojë ky shërbim ndikimi i tij në rritjen e GDP pritet të jetë rreth gjysmë miliardë euro. Janë 600 vende pune që hapen dhe janë gjithë këto shërbime që u ofrohen peshkatarëve dhe transportuesve me anije. Pra si mund t’ia mohosh Shqipërisë të drejtën që ta zhvillojë ekonominë e vet si të gjithë vendet e tjera të Europës? Unë nuk e di, sepse nuk mund të bëj hamendësime, por kur shohim se është injoruar kjo mundësi e rëndësishme për ekonominë tonë, ndofta duhet të dyshojmë se mos kanë bërë edhe ndonjë ndërmarrje bunkerazhi në vendet fqinj këta ish-pushtetarët tanë, se të gjitha i kanë menduar dhe bërë këta. Ne kemi propozuar një ligj për këtë punë dhe do ta çojmë deri në fund. Do të ngulim këmbë dhe do të përpiqemi ta argumentojmë dhe do bashkëpunojmë me institucionet që ky ligj të vendoset në fuqi dhe që atyre peshkatarëve tu themi: Shikoni, e përmbushëm edhe një premtim që iu dhamë në zgjedhje.

Jam një njeri me shumë fat, e kam patur Zotin gjithmonë në anën time

Cili ka qenë mëkati yt i parë? Duke filluar me fëmijërinë, në momentin që nga ato vlera universale morali ju keni menduar se keni dalë nga rrjedha.

Mbaj mend që një herë nëna ime iku në shtëpinë e saj në derëbabë se kishte të atin sëmurë dhe shkonte e vizitonte. Në këtë kohë unë me dy vëllezrit e mi ishim të vegjël dhe shkuam blemë një paketë DS dhe pimë duhan. Kishim frikë ta fshihnim atë paketë kështu që thamë ta mbarojmë edhe u mbytëm e u helmuam, por prapë nëna e mori vesh sepse kishim derdhur hirin në pragun e derës së ballkonit kështu që...

Atë ditë e filluat cigaren? Jo, jo nuk e kam filluar atë ditë cigaren.

Ju rrahu nëna? Jo. Kjo ishte një nga paudhësitë e para që më ka mbetur në mendje.

Si ka qenë raporti me prindërit? Kanë qenë të vrazhdë prindërit karshi jush? Nëse gabonit, mëkatonit, të themi?

Unë kam qenë fëmijë jashtëzakonisht i mbarë dhe me një harmoni shumë të rrallë me prindërit e mi. Kam qenë mirëkuptues dhe ndihmues për ta qysh fëmijë. Aq e plotë ka qenë kjo gjë në jetën e sjelljen time saqë më është dukur vetja gjithmonë si shok dhe i rritur për ta.

Si ka qenë adoleshenca e Koço Kokëdhimës?

Në përgjithësi nuk kam pasur probleme të vështira në adoleshencë. Kisha një lloj vështirësie, sepse, pas vitit të parë që bëra në gjimnazin e Delvinës, m’u desh që të vija në Vlorë, por në Vlorë gjimnazi nuk kishte konvikt, kështu që u regjistrova në shkollën industriale, ku fillova vitin e dytë. Pastaj kalova në sistemin e shkollës së natës në shkollën industriale që të mund të rrija në konvikt dhe ditën u regjistrova në gjimnazin “Ali Demi”. Jeta e konviktit kishte rregulla që ishin të vështira, ishin shumë të komplikuara për mua kështu që edhe ai rebelim i adoleshencës, nëse mund të quhet kështu, ishte vetëm ndaj këtyre rregullave të konviktit.

Ia ke shitur ndonjëherë shpirtin djallit?

Përgjithësisht unë nuk jam pishman me sjelljet e mia në jetë, por meqënëse ju jeni njerëz të shtypit dhe për të folur me gjuhën e shtypit po ju them se duhet të pyesni në dy burime për ta zbuluar këtë gjë, mos u bazoni vetëm në fjalën time. Ju duhet të pyesni edhe djallin!

Po nga Zoti kini frikë?

Nuk kam frikë nga Zoti, sepse jam një njeri me shumë fat, jam një burrë me fat dhe e kam patur Zotin gjithmonë në anën time, e kam ndjerë atë si aleat në jetë!

Bashkëshortja, çfarë është për ju?

Është mikja dhe shoqja ime më e mirë në jetë. Është një person me të cilin ndaj çdo gjë: Jetën, çdo rezultat dhe çdo kënaqësi e emocion.

Tri vajza. Si është të jesh mes katër femrave?

Nuk do të doja asgjë tjetër veç kësaj mrekullie që kam, me familjen, me vajzat dhe me nënën time.

Nuk ka ndonjë lloj pengu pse nuk patët kurrë një djalë?

Jo s’e kam. Vetëm në fillim fare kur s’kishte lindur Besa ishim pak të ndikuar nga ai mjedisi tradicional shqiptar dhe diskutonim çfarë do jetë fëmija ynë, djalë apo vajzë. Por, kur lindi Bora nuk kisha asnjë merak përveç merakut për shëndetin e saj dhe të Brixhidës. Kur prisnim Erën pëlqeja që të ishte vajzë.

Sjellin dhimbje koke fëmijët?

Prindërit do të ndjejnë gjithmonë përgjegjësi për fëmijët, do të ndjejnë gjithmonë shqetësim. Unë tani i kam të rritura vajzat, por interesimi dhe shqetësimi im për to është njësoj si atëherë kur i kisha të vogla.

Ju prej vitesh keni investuar në media, në gazetë, në radio, më pas televizion. Tashmë jeni shkëputur. Si e shihni median sot? Është ajo siç thuhet e kapur nga politika?

Liria e medias tek ne është luftuar sistematikisht. Dy figurat kryesore të tranzicionit, Sali Berisha dhe Fatos Nano, nuk kanë patur kurrë një sjellje të mirë ndaj shtypit dhe medias. Shqipëria është e vështirë për mediat dhe puna e shtypit është shumë e vështirë edhe në Evropë dhe jo më në Shqipëri. Por media, pavarësisht vështirësive dhe luftës që i është rezervuar, përgjithësisht, i ka kryer funksionet e veta për të informuar publikun për gjithçka edhe pse ne kemi pretendime dhe dëshirojmë standarde më të larta profesionale në raportim dhe shërbime më të larta publike nga media. Por, për mendimin tim, media e ka kryer misionin dhe ka qëndruar shumë më përpara se politika në shërbimin e saj të devotshëm ndaj qytetarëve.

Pse e latë atë dhe u futët në politikë?

E kam thënë shumë herë që s’do futem në politikë. Keni thënë shumë herë që kategorikisht unë nuk do bëhem pjesë e politikës. E kam thënë shumë herë këtë gjë, ashtu siç shumë herë kam deklaruar se e ardhmja e njerëzve dhe karrierës së tyre nuk predikohet. Por, mesa duket, edhe kur kam predikuar për veten time, e kam bërë këtë gjë në kundërshtim me këtë ligjësi. E pranoj sot këtë gabim. Mund të ma përdorë ndonjë gazetar këtë që ja ke thënë ashtu, por në fakt ka dalë kështu.

Tani që jeni angazhuar në politikë jeni bërë më syhapur ndaj halleve dhe problemeve të njerëzve?

Unë jam me mendje, me shpirt, me gjithë energjinë time pranë qytetarëve, pranë zgjedhësve.

Pse tani?

Punoj njësoj sikur të punoja në biznesin tim, me të njëjtin përkushtim edhe në rolin tim si deputet i Qarkut të Vlorës, si deputet i popullit. Nuk e ekzagjeroj fare kur them që punoj sistematikisht 16-18 orë në ditë me një përkushtim të pashembullt, duke komunikuar me këdo. E kam absolutisht shumë të përgjegjshme sjelljen dhe marrëdhënien time me qytetarët. Marrim çdo ankesë, çdo kërkesë, çdo letër e propozim dhe e trajtojmë me shumë seriozitet si unë edhe bashkëpuntorët e mi, të cilët punojnë në tri zyra që kam hapur në Sarandë, në Himarë dhe në Tiranë.

Përsa i përket profilit tuaj publik, mbas kaq shumë vitesh pse Koço Kokëdhima është bërë edhe shumë aktiv në “Facebook”? Ju josh ideja e të qenit prezent te të rinjtë?

Tani unë jam në politikë dhe komunikimi sigurisht është një nevojë dhe përgjegjësi për të përmbushur...

Është e vështirë të përshtateni me kërkesat e tregut, le të themi, politik?

Sigurisht që në politikë është një kulturë mjaft e ndryshme nga kultura në biznes. Mjedisi politik është i ndryshëm nga mjedisi i biznesit. Mjedisi i biznesit është më i shëndetshëm, është më pozitiv. Edhe nga pikëpamja e konkurrueshmërisë është më i pastër, sepse njerëzit kryesisht janë të prirur që të garojnë me ide, projekte e rezultate dhe jo duke luftuar njëri-tjetrin me shpifje, pengim e shkatërrim siç bën Saliu me të tijtë. Të garosh në politikë me kundërshtarët nuk do të thotë të përpiqesh të ecësh më përpara se ata, të punosh më shumë e më mirë, të jesh më eficent e më i mencur në zgjidhjet që ofron, të jesh më shërbyes ndaj qytetarëve e vendit tënd etj. Në mjedisin politik sot Saliu mban gjallë e ushqen kulturën si ta bësh pis, ta ofendosh, ta ulësh, ta pengosh dhe ta dëmtosh kundërshtarin.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat