Celibashi: Nota ‘10’ për bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë

Bota e Yjeve

Celibashi: Nota ‘10’ për bashkëpunimin Shqipëri-Kosovë

Më: 22 prill 2014 Në ora: 16:56

“Kosova për Shqipërinë dhe Shqipëria për Kosovën janë partnerë strategjikë në këtë marrëdhënie të ndërsjellë, pa folur për arsye të tjera të karakterit historik, kombëtar, social. Por, ka interesa të përbashkëta shtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë”, ka theksuar për Radio Kosovën, Ilirian Cilibashi, ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin në Shqipëri.

Radio Kosova: Zoti Celibashi faleminderit për kohën që gjetët për të biseduar me radiot “Kosova” të Radio Televizionit të Kosovës!

Celibashi: Është kënaqësi për mua që të jap këtë intervistë për këtë këto përfaqësuese të medias.

Radio Kosova: Zoti ministër, qeveria e Shqipërisë dhe qeveria e Kosovës e bënë mbledhjen e parë të përbashkët më 11 janar në Prizren. Deri ku është ecur tani me plotësimin e kalendarit?

Celibashi: Po përgjithësisht kalendari është duke ecur shumë mirë. Mund të them që në dallim nga herët e tjera kur ka marrëveshje të tilla ndërmjet të dy shteteve, përgjithësisht gjërat kanë ecur shumë mirë. Veçanërisht, ato përsa i përket aspektit kulturor, financiar, por edhe më gjerë. E rëndësishme është të thuhet që ky proces është një proces, i cili po shkon drejt konsolidimit, në pikëpamje të marrëdhënieve të shumanshme ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës.

Radio Kosova: E detajuar, çfarë përmban pozita Juaj në këtë bashkëpunim me Kosovën?

Celibashi: Nëse flasim për pozitën e ministrit të Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin, kuptohet që nuk është se ka një rol specifik, për vetë natyrën e protofolit që unë përfaqësoj. Kjo, sepse janë portofolet e tjerë të kësaj qeverie që kanë një angazhim më substancial me partnerët e tyre të Kosovës. Por, gjithsesi në rolin e një koordinatori dhe një ndjekësi të këtij bashkëpunimi, ka diçka për të bërë.

Radio Kosova: A mund të flitet në këtë që “ka diçka për të bërë”, lidhur me paketa të ndryshme ligjore, në fusha të ndryshme, që vijnë nga ministri të ndryshme?

Celibashi: Po pikërisht, kjo është një fushë, në të cilën pozicioni im si ministër i Shtetit për Marrëdhëniet me Kuvendin mund të jetë më shumë kontribues se sa në ndonjë rast tjetër. Po punojnë veçanërisht ministria e Drejtësisë së Shqipërisë dhe ministria e Drejtësisë së Kosovës për çështje që lidhen me përafrimin e legjislacionit me njëra-tjetrën, por kryesisht më së shumti edhe me atë të Bashkimit Evropian. Kjo, pasi edhe të dy vendet janë në një proces të integrimit në Bashkimit Evropian.

Radio Kosova: A i keni shkëmbyer, a ia keni ofruar një pjesë të dokumentacionit apo të materialeve që Shqipëria i ka pasur të gatshme dhe i ka kaluar në fazat e saj të integrimit euroatlantik, qeverisë së Kosovës?

Celibashi: Është duke filluar ky proces. Është një proces, i cili kërkon angazhime të mëdha, por edhe volume njerëziore dhe materiale. Por, është një proces, i cili ka filluar tani në pikëpamje të organizmit dhe të strukturimit.

Radio Kosova: Përmbledhtas, përpara se të mbahet mbledhja e pritshme e të dy qeverive në Vlorë në qershor, çfarë note i vini bashkëpunimit të deritashëm me Kosovën?

Celibashi: Të gjithëve do të na pëlqente që t’i vinim notën “10” dhe është një bashkëpunim vërtetë i shkëlqyer dhe pa asnjë lloj problematike. Kosova për Shqipërinë dhe Shqipëria për Kosovën janë partnerë strategjikë në këtë marrëdhënie të ndërsjellë, pa folur për arsye të tjera të karakterit historik, kombëtar, social. Por, ka interesa të përbashkëta shtetërore ndërmjet shtetit të Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Dhe, posaçërisht të dyja vendet janë në një proces të integrimit evropian, kështu që kanë shumë gjëra për të ndarë dhe për të punuar së bashku.

Radio Kosova: Në kuadrin e mbledhjes së qeverive të Shqipërisë dhe të Kosovës, ka patur angazhime për Luginën e Preshevës. Përveçse ndihmës monetare, Shtëpisë së Lindjes, çfarë tjetër po bëni për atë territor?

Celibashi: Po, nuk mendoj se kësaj qeverie i mungon vëmendja për shqiptarët që jetojnë në të gjitha trojet e tyre në Ballkan, përfshi këtu edhe shqiptarët në Luginën e Preshevës. Ai ishte një akt simbolik në njërën anë, por edhe me domethënie ekonomike, i cili padiskutim do të pasohet edhe nga angazhime të tjera të kësaj qeverie dhe te qeverisë së Kosovës, të karakterit ekonomik, kulturor edhe më gjerë. Ju keni vërejtur që disa prej ministrave të kësaj qeverie, kanë vizituar Luginën e Preshevës dhe idea është që të ketë një bashkëpunim më të ngushtë ndërmjet autoriteteve vendore atje, udhëheqësin shqiptare atje dhe shtetit shqiptar.

Radio Kosova: Zoti ministër, qeveria e kryeministrit Edi Rama, në të paktën 3 raste ka humbur çështje në Gjykatën Kushtetuese. Meqenëse, Ju keni përgjegjësinë kryesore për të bashkërenduar punën me institucionet dhe natyrisht me hartimin e ligjshmërisë, çfarë do të thotë kjo për një qeveri?

Celibashi: Po, ne vazhdojmë të kemi bindjen që aktet, të cilat Gjykata Kushtetuese i ka konsideruar si si antikushtetuese, pra aktet e qeverisë, qëndrojnë në raport me Kushtetutën shumë mirë. Por, gjithsesi, duke respektuar pavarësinë dhe integritetin e institucioneve të pavarura ne e kemi respektuar dhe do ta respektojmë çdo vendimmarrje të institucioneve që kanë përgjegjësinë për të vendosur për çështje të tilla. Dhe, në rastin konkret nuk kemi më shumë se çfarë të themi dhe të komentojmë, se sa keqardhja që është një vendimmarrje e tillë. Por, në fund të fundit, ato janë institucionet që kanë të drejtë të marrin këto vendime dhe ne jemi të detyruar ta respektojmë. Kjo, në fund të fundit është një shenjë e funksionimit të demokracisë në këtë vend ku gjykata, veçanërisht Gjykata Kushtetuese, është një institucion, i cili nuk ndihet nën presionin e qeverisë dhe vlerëson dhe gjykon lirshëm edhe mbi ato akte, për të cilat qeveria ka interes politik thelbësor.

Radio Kosova: A është me interes për një shumicë të bollshme në Kuvend, që të kalojë çdo ligj përderisa i ka këto vota me të quajturin “mungesë bashkëpunimi” me opozitën (nëse ky ekziston). A i shërben dikujt rritja e tensionit, pa bërë paragjykimin se cilës palë i takon përgjegjësia?

Celibashi: Kjo shumicë mendoj unë, është duke bërë të gjitha përpjekjet që për çështje të rëndësishme, për reforma të rëndësishme, të ketë edhe vlerësimet dhe kontributet e opozitës. Mendoj se deri tani jemi duke i bërë të gjitha demarshet për të patur opozitën në këtë bashkëpunim. Por, mesa duket opozita është shumë refraktare për interesat e veta politike dhe elektorale të mëvonshme. Nuk mund ta gjykoj këtë qëndrim të opozitës, por kam përshtypjen që është krijuar i gjithë kushti që opozita vërtetë të jetë kontribuuese në këtë proces.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat