DioGuardi: Politika në Kosovë, përgjegjësi para të gjithë popullatës

Bota e Yjeve

DioGuardi: Politika në Kosovë, përgjegjësi para të gjithë popullatës

Më: 6 prill 2014 Në ora: 22:44

Këshilltarja për Ballkanin e Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane, Shirley Cloyes DioGuardi, thotë se në Kosovë duhet të konsiderohet ndërprerja e misionit të EULEX-it dhe OKB-së, ndërsa klasa politike të marrë përgjegjësi për zhvillim të vendit para të gjithë popullatës, përfshi grupet e pakicave. Në intervistën me gazetarin Julian Zyla të Zërit të Amerikës, këshilltarja e grupit lobist me qendër në Nju Jork shpreh opinionin e saj dhe për çështjen e Krimesë dhe zhvillimet në Maqedoni.

Zëri i Amerikës: Çfarë efektesh mendoni se mund të ketë në Ballkan kriza e Krimesë, duke pasur parasysh që situata lidhur me këtë çështje është ende e paqartë sa i përket asaj që mund të ndodhë më pas?
Shirley Cloyes DioGuardi: Nuk jam e bindur nëse mund të ketë ndonjë ndikim tek ngjarjet në Ballkan. E di që zoti Putin është përpjekur të krijojë një farë lidhjeje mes Krimesë dhe Kosovës, por të gjithë ne që jemi në botën shqiptare dhe ata që punojnë me çështjet ndërkombëtare e dimë që nuk ka asnjë lidhje mes tyre. Para së gjithash Kosova u aneksua nga Serbia pas luftrave ballkanike dhe më pas pësoi një fushatë spastrimi etnik pothuajse deri në gjenocid nga Sllobodan Millosheviçi. Nuk ishin këto rrethanat që çuan Rusinë të vendoste të hynte në Krime. Unë gjithashtu mendoj se ky është vetëm një episod. Siç e dimë, debati tani po shkon në një nivel tjetër, dhe do të duhet të zgjidhet mes BE-së, SHBA-së dhe Rusisë.
Zëri i Amerikës: Në Maqedoni, njerëzit do të votojnë së shpejti për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare. Cili është mendimi juaj mbi zhvillimet e fundit politike në Maqedoni dhe a mendoni se partitë shqiptare do të arrijnë një sukses më të madh këtë vit?
Shirley Cloyes DioGuardi: Kam ndjekur nga afër evolimin e Maqedonisë që kur u nënshkrua marrëveshja e Ohrit 13 vjet më parë. Ndërkohë që kjo marrëveshje ishte shumë e suksesshme në dhënien fund të konfliktit të armatosur, ajo nuk ishte aspak e suksesshme në krijimin e barazisë për shqiptarët në Maqedoni. Nuk ishte aspak e suksesshme sa i përket promovimit të të drejtave të njeriut, zbatimit të ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit. Shqetësimi im në lidhje me partinë shqiptare në pushtet, pra me BDI-në e zotit Ali Ahmeti, dhe me atë të kryeministrit Gruevski, VMRO-DPMNE, është se mendoj se kemi pasur një evoluim tragjik në vitet pas marrëveshjes së Ohrit, gjatë të cilave këto dy parti kanë bashkëpunuar me njëra-tjetrën për të arritur përfitime personale në dëm të njerëzve. Ajo që kemi parë ka qenë korrupsioni masiv dhe përdorimi i pushtetit për të fuqizuar vetëm disa individë, familje apo komunitete të veçanta. Si pasojë kemi pasur shtimin e varfërisë dhe pakësimin e vendeve të punës... dhe nuk ka një evolim. Ka pasur gjithashtu një shtim të tensioneve mes etnisë maqedonase dhe asaj shqiptare. Në kuadër të politikës së jashtme amerikane në Maqedoni, nëse nuk i kushtohet rëndësi barazisë mes grupeve etnike, nuk mund të shpresojmë për rritje ekonomike, qëndrueshmëri politike dhe së fundmi paqe në rajon. Kjo është diçka mbi të cilën Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të përqëndrohet në vazhdim.

Zëri i Amerikës: Në Kosovë ka tani që debat mbi të ardhmen e EULEX-it. Cila mendoni se do ishte zgjidhja më e mirë lidhur me vazhdimin apo ndërprerjen e këtij misioni të BE-së?

Shirley Cloyes DioGuardi: Personalisht nuk e kuptoj synimin e një zgjatjeje të misionit. Mendoj se do të kishte si qëllim mbarëvajtjen e sistemit gjyqësor, por ne kemi parë që puna e deritanishme nuk ka dhënë rezultate. Prandaj mendoj se duhet të konsiderohet ndërprerja si e EULEX-it dhe e përfshirjes së OKB-së, pasi tani në Kosovë kemi të bëjmë me një lloj protektorati dhe nuk kemi pavarësi të plotë. Duhet që të ketë një zhvillim të ri në politikën kosovare, e cila të marrë përgjegjësi para të gjithë popullatës, duke përfshirë shumicën shqiptare, serbët dhe minoritetet e tjera, në lidhje me përparimin vendit. Nëse nuk veprohet kështu, do të kemi një konflikt të ngrirë që mund të zgjasë për vite me radhë, duke bërë që popullata në Kosovë, me moshë mesatare mjaft të re, të mos ketë një të ardhme. Mjafton të shihet se sa të rinj kërkojnë të largohen nga vendi. Por në anën tjetër ka edhe shumë njerëz nëpër botë, një diasporë mjaft e përgatitur, që do të dëshironte të kthehej në Kosovë dhe ne duhet ta bëjmë realitet këtë mundësi.

Zëri i Amerikës: Mund të na tregoni se me çfarë po punon tani Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane?

Shirley Cloyes DioGuardi: Ne ndodhemi këtë javë në Uashington në kuadër të takimit vjetor, të Shoqatës së Ish-anëtarëve të Kongresit Amerikan, pjesë e së cilës është dhe Joe DioGuardi. Ajo është një darkë ku marrin pjesë gjithashtu dhe ligjvënës të tanishëm të Kongresit. Ne do të përqëndrohemi tek çështjet shqiptare, duke biseduar me njerëz si ligjvënësit Dana Rohrabacher, Chris Gibson, Michael Grimm etj. Siç mund ta dinë shumë prej shikuesve tuaj, në vitin 2013 organizata jonë ishte e vetmja strukturë në Perëndim që u shpreh kundër marrëveshjes mes Kosovës dhe Serbisë si një zgjidhje e shpejtë e cila nuk do të trajtonte problemet siç duhej. Ndaj nesh pati kritika në atë kohë, dhe nga vetë Departamenti i Shtetit, por rezultatet fatkeqësisht duket të na kenë dhënë të drejtë. Në vitin në vijim ne do të përqëndrohemi të shohim se si do të vazhdojnë gjërat lidhur me Kosovën. Gjithashtu do të ndjekim nga afër dhe zhvillimet në Maqedoni, për arsyet që thashë pak më parë, si dhe ngjarjet në Mal të Zi e Preshevë, vende në të cilat unë mendoj se çështja më e rëndësishme mbetet barazia ndëretnike. Ne nuk mund të ndryshojmë vendimet politike në këto vende, por mundemi dhe kemi detyrim të ndikojmë politikën e jashtme amerikane në rajon.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat