UDB-ët në burg, këta po e ndytin Kosovën

Bota e Yjeve

UDB-ët në burg, këta po e ndytin Kosovën

Më: 1 shkurt 2014 Në ora: 06:20

Mehmet Loci ka qenë egërsirë në rolin e UDB'ashit në Pejë. Më vjen keq prej fëmijëve të tij dhe familjes time ta përshkruajë krejt atë që ka bërë ndaj meje dhe atyre që kanë kërkuar Republikë. UDB'ashët deri dje kanë qenë minues, tash janë kontaminues. Ata duhet të përgjigjen penalisht pastaj moralisht dhe të mos lejohen të punojnë në drejtësi e siguri. Ish-i burgosuri politik, Halit Krasniqi flet për Express dhe përmend emrat e UDB'ashëve tjerë, ne mesin e të cilëve edhe zyrtarë aktual shtetëror.

Express: Ish pjesëtari i UDB'së, Mehmet Loci doli në një intervistë televizive dhe foli për punën e tij. A e njihni ju Mehmet Locin?

H. Krasniqi: Pas dekonspirimit të vrasjes së gjashtë të rinjve nga shteti serb, ku shteti serb është i dyshuar edhe për vrasje të tjera angazhuan kryekriminelin Spasic për të dëshmuar gatishmërinë e shqiptarëve për të qenë në shërbim vrastar të Beogradit. Kur u harxhua i gjithë potenciali i tij kriminal në mediumet e Beogradit dhe Kosovës u lansua pinjolli i tij në Prishtinë, Mehmet Loci. Sigurisht, jorastësisht, është zgjedhur si me i përgatituri teorikisht dhe me besnikëri deri në vdekje për të vazhduar luftën speciale në mes nesh, e cila s'ka për të mbetur pa konsekuenca të momentit, por që do të sjell përfitime të mëdha, në të cilat s'e kishim vëmendjen për këto tema. Pra, e njoh jashtëzakonisht mirë. Ia kisha harruar fytyrën. Ia kisha harruar imazhin që nuk kisha besuar se do ta harroja, por mosha e tij e ka bërë të vetën. Kishte pësuar ndryshime ne fizikun e tij. Natyrisht, se nuk mund ta njihja për arsye se kishte hequr edhe mustaqet, në kohën kur ka punuar bashkë me grupin e tij. Ai kishte vendosur edhe syze. Do të mundohem të përshkruaj se kush është Mehmet Loci, edhe pse do të turpëroheshin fëmijët e tij, mbesat dhe nipat e tij, familjarët e tij. Po, kursehem në përshkrimin e detajuar të maltretimeve, torturimeve dhe mjetet dhe metoda të panjohura deri atëherë për mua.

Express: Kur e keni takuar për herë të parë Mehmet Locin?

H. Krasniqi: Së pari jam burgosur në vitin 1981 dhe jam burgosur si i dyshuar për veprimtari armiqësore kundër Jugosllavisë. Në fakt, unë i kam takuar një Grupi të organizuar, i cili ka pasur shtypin ilegal me dy tituj: "Zëri i nxënësit" dhe "Republika e Kosovës". Ky shtyp i vetëm që ka mbetur pa u dekonspiruar dhe organizata e vetme që ka mbetur e pazbuluar. Në këtë kohë ishte zbuluar "Lajmëtari i Lirisë", i Jusuf Gërvallës dhe "Liria" e Kadri Zekës së bashku me rrjetet e organizimit në gjithë Kosovën. Kjo e motivonte UDB'në që edhe pas këtyre titujve tanë të dalë një zbulim i një rrjeti të gjithë të organizuar. Por, me përjashtim, unë që i kam takuar kësaj organizate dhe Hamzë Morina, i cili është zbuluar me një grup tjetër në Prishtinë, një ish-mësues i imi, me të cilin kemi qenë në themelim të këtij organizimit. Asnjë tjetër s'është zbuluar. Teknologjinë e atëhershme si shaftillograf ose fotokopjues i atëhershëm dhe mjete të tjerë. Hamëz Morina ka qenë njëri nga anëtarët e Grupit që ka daktilografuar më së shpejti. Anëtarë të Grupit që kanë bashkëpunuar me neve dhe që kanë shkruar artikuj për shtypin tonë natyrisht se janë burgosur me të tjerët. Njëri nga ta është Haki Morina, i cili ka qenë më aktivi në shkrimin e artikujve dhe analizave të kohës.

Express: Të kthehemi të pyetja kur jeni takuar me Mehmet Locin?

H. Krasniqi: Tani, si i dyshuar për një veprimtari dhe pas kësaj veprimtarie është fshehur një zinxhirë e organizimit dhe janë mbush burgjet kur janë dekonspiruar grupe të tilla. Kanë qenë shumë entuziast dhe jashtëzakonisht të organizuar për të më thyer mua. Aty, fillojnë zhgënjimet e para pas një kohe që unë rezistoja. Isha i dyshuar posa kisha mbaruar shkollën e mesme. Dyshohesha dhe akuzohesha si i mitur. Në këtë kohë, dhe në këtë gjendje, dhe para njerëzve të UDB'së së Pejës, unë trajtohesha si i rritur. Ata më konsiderojshin si objekt dhe lodër, ku s'kanë lënë metodë të dhunës pa përdor, grupe të ndryshme të UDB'ashëve prej 22 vetave. Të njëjtat mjete dhe metoda vetëm në një vend të panjohur për mua mbi Gazivodë, ku ishte njësia speciale, në një mal, më kishin dërguar për të vazhduar metodat e thyerjes time, me dëshirë të fundit e letër lamtumirëse para një pushkatimi të improvizuar.

Express: Cili ishte roli i Mehmet Locit në mesin e këtyre 22 personave?

H. Krasniqi: Unë jam burgosur tri herë. Për herë të parë, prej vitit 1981-83 si i mitur. Më 1984 kam qenë i izoluar dhe 85-90. Roli i Mehmet Locit, më i egri në raport me mua në vitet 1985-86, i cili ka qenë nën urdhrat e Asllan Sllamnikut, një Kryeshefit të UDB'së në Pejë. Një arsimtar i matematikës me dy gra të martuara, një në Pejë dhe një në Prishtinë, njërën serbe, njërën shqiptare. I cili në zyrën e tij ka pasur pesë telefona dhe rrinte deri në tre të natës duke na maltretuar dhe duke përdor edhe ai të gjitha mjetet dhe metodat dhe të gjitha fuqinë e tij për të na keqtrajtuar. Bashkë me grupin, ata asnjëherë s'kanë qenë vetë. Pastaj vjen Xheladin Beqiri i Baballoqit. Pastaj Jakup Llonqari, Demë Muja, Istref Sadiku, Mehmet Loci, Qazim Mazreku, Mehmet Hasku, Hasan Jakupi, Mustafë Lokaj. Gani Hajdari ka qenë në burgosjen e parë pastaj ka kaluar në Punë të Brendshme dhe tani është në Policinë e Kosovës. Pastaj, kam pas një Ajet Gashin nga ana jonë. Pastaj ka qenë pesë serbë nga më aktivët dhe të tjerët s'i mbajë mend. Kanë qenë Mica, Miki, Zoki, Dragani dhe Danillo. Këta përveç se ushtronin bashkë dhunë me UDB'ashët shqiptarë, nuk ishin më të zellshëm, si Mehmet Loci e shqiptarët në përdorimin e dhunës ndaj neve.

Express: Si sillej Mehmet Loci me ju?

H. Krasniqi: Tani dalim te Mehmet Loci. Në këtë ekip ka pasur grupin e vetë që e ka kryesuar prej tre dhe katër vetash. Po e përsëris edhe një herë se nuk do t'i rrëfejë të gjitha ato që m'i ka bërë Mehmet Loci, jo për te, por për shkak të emocioneve dhe familjarëve të m'i. Pra, ai ka qenë nga më të dhunshmit. Nuk ka zgjedhur mjet, metodë as vend për të më goditur prej shkopit të gomës deri te elektorshoku. Në kohën kur anëtarët e grupit lodheshin dhe ky këputej nga fuqia, ai ulej në karrike dhe afrohej afër dhe nuk ka pore të fytyrës që nuk e kisha me lëngë të gojës së tij. Përveç kësaj, zhargoni i tij ka qenë shumë i pistë. Dhuna ka qenë tejet e egër. Gatishmëria e tij për të ushtruar dhunë ka qenë e papërshkrueshme.

Express:Por, ai në një intervistë televizive e tha krejt të kundërtën. Tha se ka punuar në bazë të ligjeve të kohës së Jugosllavisë?

H. Krasniqi: Për krejt këto që ua them dhe të tjerat që dëgjoni, për të bërë përshkrime të veçanta ka dëshmi mund të gjeni përshkrime nga gardianët e kohës e kohës, '81, '82, '83, '84, '85, '86 sa kam qenë në hetime deri në shtator derisa më kanë dërguar në Goli Otok. Të gjithë gardianët e të gjitha nacionaliteteve gjeni emrat dhe pyetni secilin nga këta do t'i kenë kujtimet e freskëta për atë që kam përjetuar unë. Dhe, ata mund t'ju thonë se nga kush më kanë marrë në atë gjendje të keqe shëndetësore. Ata nuk e dijnë çka është bërë brenda, por vetëm e dijnë se nga kush më kanë marrë dhe kush më ka torturuar net të tëra. Asnjëherë ditën s'jam intervistuar. Asnjëherë ditën s'jam marrë në pyetje në giotina. Zakonisht dhuna ka filluar kur ka rënë terri dhe kanë vazhduar derisa janë lodhur. Pra, pas vetmisë kur jam takuar me Ruzhdi Sefën, në të njëjtën dhomë më thoshte, po të mos ishim një mur ndërmjet në kohën e vetmisë nuk do t'i besoja këtij rrëfimi. Më thoshte se derisa të kthenin në orët e vona të natës asnjëherë s'flija.

Express: Kush është tjetër gjallë prej UDB'ashëve që ju ka torturuar gjatë viteve 80'ta?

H. Krasniqi: Harrova t'iu them edhe Lorent Selmanit, i cili ka qenë inspektor Krahinor që ka ardhur nga Prishtina për të inspektuar. Ai nuk është gjallë. Është Istref Saiku diku gjallë, është Mehmet Loci gjallë, megjithëse për mua janë të vdekur. Gjallë është Qazim Mazreku, Asllan Sllamniku, Xheladin Beqiri dhe Mustafë Lokaj. Pastaj, të tjerët si duket nuk janë në këtë jetë.

Express: A keni menduar t'i padisni këta njerëz, duke përfshirë edhe Mehmet Locin?

H. Krasniqi: Është shumë interesant se si tash jam ballafaquar me këtë fakt. Pas luftës së fundit, neve, u morëm me procese të organizimit të institucioneve tona. U morëm me dhunën që ishte ushtruar dhunshëm ndaj nesh. Edhe dhimbjet ishin aq të mëdha, saqë, për neve që kishim shpëtuar gjallë dhe që kishim lëndime në shpirt dhe trup krahasuar me dhimbjet që kishin shkaktuar mungesa e njerëzve, vrasjet, masakrimet. Duke menduar se UDB'ashët ishin të vdekur të gjallë, dhe duke menduar që një ditë do të kërkojnë ndjesë, do të pendohen. Mbi të gjitha kam menduar një fakt se UDB'ashët janë detektorë të gjithë sistemit të minuar që e ka lënë Serbia në vendin tonë. Kam menduar se këta detektorë do t'i shërbejnë këtij vendi në proceset e ardhshme, duke treguar çdo zonë ku është e minuar dhe çdo njeri ku është i aktivizuar. Ata i njohin karakteret e bashkëpunëtoreve. E njohin cili aktivizohet nëpër kohë dhe në hapësirë dhe cili nuk ndalet fare. Kam menduar se shërbimi i tyre do të jetë ky: duke dekonspiruar gjithë sistemin e minuar pasi bashkëpunëtorët e UDB'së janë sistem i minuar i këtij vendi.

Express: Ai tha se ende ka shumë bashkëpunëtorë të UDB'së në Kosovë?

H. Krasniqi: Këtu kishte të drejtë. Por, nuk kishte të drejtë të publikoi numrin 140 për ushtarët, jo pse nuk ka dhe nuk ka pasur bashkëpunëtor të UDB'së në uniformën e UÇK'së, por sepse nuk do duhej të bënte me numër këtë. Duke e bërë me numër ai për 20-30 mijë ushtarë sa kanë qenë, secilin e ka hipotekuar. Iksin ose ipsilonin është i mundshëm në këtë 140. Aty po ta bënte regjistrin, ne edhe mund ta diskutonin se mund të jetë ky. Nuk do të duhet të thoshte 140. Më e rënda që më erdhi kur u publikua se katër nga dëshmorët janë nga bashkëpunëtorët e Sigurimit Shtetëror Serb dhe emrat e tyre me pseudonimet e janë të skalitur në iks vend.

Express: Ndoshta edhe mund të jetë e saktë?

H. Krasniqi: Edhe kjo mund të jetë e saktë, por nuk do të duhej të thoshte katër veta. Ai duhet të thoshte me emër dhe mbiemër. Sepse duke e bërë numrin katër, për dy e kemi më të lehtë ta lokalizojmë sepse bëhet fjalë për pasluftën, por për dy të tjerë që janë heronj të rënë në luftë, pa iu treguar emrin, ne i satanizojmë dhe i njollosim afër 2400 dëshmorët që i kemi.

Express: A po i dini ju ata emra?

H. Krasniqi: Jo, nuk i di dhe nuk jam marrë me ketë. Unë tani do të merrem me përshkrimin e njeriut që ka figurë njeriu, por s'ka shpirt njeriu. E njeriu që as njeri nuk është, as nuk ka përkatësi kombëtare, absolutisht. Ju mund të thoni se Mehmet Loci ka qenë i dënuar dhe si ka arritur të dënohet? Sepse e tregoi edhe një insert që e ka bërë me të respektuarin Hysen Gegën, një shok i joni. Dhe, tani e bëri një kontekst të përshkrimit të ngritjes së tij ideo-politike dhe intelektuale, atë e bëri për t'i treguar opinionit se ka qenë i burgosur. Jam shumë i vetëdijshëm se edhe burgosja e këtij kontingjenti kur është bërë është bërë me qëllim të caktuar pa pëlqimin e tyre. Por, Beogradi nuk i ka pyetur këta se a keni vullnet për të shkuar në burg. Ka qenë i vetëdijshëm se një pjesë e tyre do të jenë në shërbim të përjetshëm të Beogradit. Për këtë e kanë edhe deklaratën me rastin e lidhjes së kontratës së punës, për të qenë pjesë e UDB'së deri në vdekje.

Express: E Mehmet Loci është në shërbim ende të tyre?

H. Krasniqi: Medoemos dhe ishte tmerrësisht në funksion duke luajtur rolin e UDB'ashit jashtëzakonisht bindur ndaj asaj që ka qenë më herët. Me ketë paraqitje, ai i bëri një shërbim të jashtëzakonshëm Serbisë. Dhe, Serbia për këtë ka investuar te ai. Madje, edhe kur i ka dërguar në burg nuk kanë qenë të vetëdijshëm se çfarë roli po marrin. Ajo çka unë mund të them se kur i burgosur këta UDB'ashët ka pasur për qëllim pastrimin e shpirtit si inkarnim për t'u dukur. Dy, të përgatisë për kontingjente të reja në procese të reja. Natyrisht t'ua heq mëkatet dhe të mos lë dyshime të njerëzve që këta njerëz kanë qenë vërtetë në shërbim të Serbisë. Pra, duke i burgosur kanë pasur për qëllim t'ua vë aureolën e njerëzve atdhetarë dhe njerëzve që e kanë kundërshtuar regjimin e dhunës të shtetit serb. Sepse s'ka logjikë tjetër kur dikush dënohet nga shteti se kështu do të perceptohet te qytetarët. Këta e marrin këtë rol. Asnjëri prej tyre që deri më sot janë dënuar nuk kam parë se e kanë luajtur këtë rol. Përveç Mehmet Locit, i cili absolutisht, nuk ka as formimin njerëzor, sepse atë që ka bërë në praninë time, para syve të m'i. Ato mund t'i bëjë vetëm një egërsirë. Edhe gjithë të tjerët që i përmenda emër për emër.

Express: Nuk e sqaruat, se a do ta padisni këtë njëri?

H. Krasniqi: Ne do të mendojmë në Shoqatën e të Burgosurve. Deri më tash s'kemi dashur të hapim këtë kapitull. Njëri nga ata që do ta inicioi do të jem edhe unë. Do të padisim një nga një sepse ne po flasin vetëm për kontingjentin e UDB'ashëve në Pejë. Kontingjente ka pasur në çdo Sekretariat të Qarkut. Të njëjtë kanë qenë në formimin dhe në shërbim ndaj Serbisë.

Express: Cili është disponimi i deputetëve për UDB'ashët?

H. Krasniqi: Neve këtu kemi detyra të ndryshme, angazhime të ndryshme dhe vokacione të ndryshme. Edhe preokupime të ndryshme. Por, kemi edhe të kaluar të ndryshme. Nuk e kemi sensin e njëjtë të gjithë. Ne do ta diskutojmë në Shoqatën e të Burgosurve dhe përmes saj do të kërkojmë nga institucionet e shtetit që të merren pastaj me këtë kontingjente. Sepse deri dje kanë qenë minues. Sot nuk janë minues, sot janë kontaminues. Unë jam një nga të burgosurit më të rinj të burgut të Pejës dhe burgjet tjera... Nga unë është kërkuar të dekonspiroj gjithë organizimin propagandistik përmes një shaptilografi që një shok i joni e kishte nxjerr si të prishtur dhe e kishte blerë dhe zëvendësuar me dokumentacion shaptilografin tjetër dhe e ka sjell në Drenoc te ne. Duke qenë një makineri ndër më të mirat e kohës. Ajo na ka shërbyerpër të shpërndare material nëpër konviktet dhe në gjithë Kosovën.

Express: A ka ardhur koha që Kuvendi i Kosovës me e nxjerr një Rezolutë për ta qartësuar pozicionin e gjithë atyre që i kanë shërbyer sistemit komunistë?

H. Krasniqi: UDB'ashët se pari duhet të përgjigjen penalisht sepse kanë dëmtuar shëndetin tonë. Sepse kanë ushtruar dhunë mbi neve, duke cenuar integritetin e njeriut. Pastaj janë të tjerat që janë edhe mëkatet morale. Së pari, në Kuvend jemi duke menduar të hartojmë Ligjin e lustracionit që mos t'i lihet më mundësi të manipuloi askush. Ai e tha që dosjet s'janë këtu. Por, neve do të kërkojmë nga të gjithë institucionet ndërkombëtare të miqve tanë, sidomos nga SHBA, që t'i kërkojmë dosjet e Kosovës që kanë shkuar në Beograd pa ndërhyrje dhe të papastruara. Le të dalë çdokush siç ka qenë. Jam shumë i bindur që autoriteti i SHBA'së s'do të lejoi të bëhet asnjë ndërhyrje në regjistrat. Dhe, mund të vijnë ashtu siç janë marrë, të gjithë dosjet dhe të gjitha listat me bashkëpunëtor, me vit e datë, të angazhimit dhe me dosje të kontributit të tyre.

Express: Por, ka një rezistencë në Kuvendin e Kosovës që jo ligj, por as Rezolutë të mos kalojë?

H. Krasniqi: Jo nuk ka rezistencë. Ka pasur një dyshim se mund të futemi ne telashe dhe në një konflikt të ri. Por, duke i heshtur dhe duke i lënë të mbyllur këtë mundësi ne hapin konflikte të reja dhe merremi me vetveten më shumë.

Express: Ka pasur tri përpjekje për një Rezolutë në Kuvendin e Kosovës për t'i dënuar krimet e komunizmit, por në të tri rastet ka dështuar?

H. Krasniqi: Neve do të dalim me iniciativa të reja. Dhe, sa të ekzistoj ky legjislativ nuk do të dështojnë këto nisma sepse ka një vullnet dhe është një mobilizim i përgjithshëm. Sepse tash ndihen të goditur dhe të sfiduar të gjitha grupacionet politike dhe të gjitha gjeneratat. Megjithatë, ky i ka bërë shërbim të mirë proceseve, por i ka bërë të keq vendit. Dhe, ajo që është më e keqja, ky dëm ka ardhur nga një medium, prej të cilit nuk e kam pritur sepse kam vlerësuar se është një emancipim aty dhe një edukatë e shëndoshë. Se kisha besuar se janë në shërbim të kësaj fundërrine dhe që do të nxjerrin prej naftalinave të para sa dekadave që janë prodhuar nga Beogradi. Aq më tepër më ka ardhur shumë keq prej një gazetari shumë të talentuar, të cilit kurrë s'kam dashur t'ia kujtoj të kaluarën e origjinën të babës prokuror. Jam i bindur se ka funksionuar shumë lehtë. Një telefonatë e tij, duke kërcënuar babës së tij dhe ia kanë rezervuar emisionin dhe studion në dispozicion. Shpreh keqardhje për dy mysafirët tjerë që ishin në vend dhe në kohë të gabuar. Prej kur ka dalë Mehmet Loci në atë televizion, askush s'më ka thirr prej atij mediumi për të më thënë po shpreh keqardhje që paska ushtuar dhunë. A ka mundësi të të kem edhe ty në studio.

Express: Kush është prokurori?

H. Krasniqi: Ai që ia ka rregulluar takimin për te pas në studio këtë përbërje të mysafirëve.

Express: Kush është emri?

H. Krasniqi: Ta lëmë me kaq emrin dhe mbiemrin e tij dhe pastaj nëse do të ketë nevojë në paraqitjetë tjera ne do ta vizatojmë. Jo vetëm emrin, por do të përshkruajë të gjitha akuzat që i ka bërë kundër nacionalizimit dhe irredentizmit që i kanë përmbledhur me këtë cilësim kundër të rinjve në bashkëpunim me Mehmet Locin dhe locëve të tjerë të UDB'së.

Express: Pra, ekzistojnë lidhjet mes UDB'ashëve?

H. Krasniqi: Po dhe po duket kjo që janë aktiv dhe ndoshta me detyra të reja. Tani, këta janë të shantazhuar dhe kërcënuar për t'i bërë dëm vendit dhe proceseve në zhvillim. Gjithqysh dhe me çdo kush pa pyetur për çmimin dhe pasojat që mund t'i kenë.

Express: Ku janë sot njerëzit që i kanë shërbyer ish-sistemit?

H. Krasniqi: Janë gjithandej. Kontingjenti më i rrezikshëm ka qenë ai i UDB'ashëve, pasojat e të cilëve ende po i vuajmë. Sepse shërbim i kanë bërë të gjithë anëtarët e Lidhjes Komuniste, të gjithë të angazhuarit në sistem, por jo me pasoja të tilla sikur kontingjenti i të inkuadruarve në UDB. Tani, edhe reformat administrative kur i kemi bërë në Kuvend, kam thënë se të gjithë ata që e kanë dëmtuar këtë vend dhe këtë popull në të kaluarën preferoj të mos punojnë në sistem të drejtësisë dhe në sistem të sigurisë. Le të gjejnë punë jashtë këtyre institucioneve sepse s'jemi për t'i lënë të papunë. Këtë e kam kërkuar në Kuvend dhe këtë e preferoj edhe tani. Njerëzit e UDB'ës, ku Mehmet Loci tmerrohej nga ky emër që mos ta dëgjojnë fëmijët e tij, të cilët pas këtyre përshkrimeve për fytyrën e vërtetë të tij, do të duhej të distancoheshin për të qenë mirë me vetën e tyre dhe në perspektivën e këtij vendi.

Express: Tha se edhe katër deputetë të Parlamentit të parë kanë qenë pjesë e UDB'së?

H. Krasniqi: Jo. Kanë qenë pesë nga regjioni i tij. Sepse ai një nuk e dinë edhe një të cilin e di vetëm Shërbimi Informativ Shqiptar, të cilit i ka ofruar shërbime.

Express: Qysh po e dini ju?

H. Krasniqi: Kështu e kam dëgjuar në Tiranë dhe e besoj bindshëm. E di që i ka takuar niveleve elitare të Beogradit dhe natyrisht se ai ka monitoruar gjithë bashkëpunëtorët që i ka pasur. Këtë e kam dëgjuar nga njerëz kompetentë në Tiranë.

Express: Kush janë ata?

H. Krasniqi: Më vonë do t'ua jap edhe fotografinë që ata i kanë në album në Tiranë. Rastësisht jam gjetur dhe as që e kam ditur se ai mjedis i takon atij niveli.

Express: Emra?

H. Krasniqi: E di se Mehmet Loci nuk e di përbërjen e plotë të UDB'ashëve të Pejës. Kanë qenë edhe një. E dinë vetëm Shërbimi Informativ i Shqipërisë.

Express: Në debatin televiziv u tha se edhe në Kuvendin dhe Qeverinë aktuale ka UDB'ashë?

H. Krasniqi: Edhe mund të ketë. Nuk e pastroj askënd fare. Por, UDB në secilin qytet, në secilin regjion UDB ka angazhuar njerëz aq sa ka pasur nevojë. Jo sa ka pasur gatishmëri, por Beogradi ka pasur shumë mundësi. Ka qenë robëri gati gjysmë shekullore, apo për 45 vite, deri në fund të 90'tave kanë angazhuar njerëz, kuadro, familje në shërbim të Beogradit.

Express: Pse s'po i përmendni emrat e këtyre UDB'ashëve?

H. Krasniqi: I përmenda.

Express: UDB'ashët edhe të Parlamentit?

H. Krasniqi: Nuk i di ata. Nuk dua të hyjë në mëkate. Jam i bindur se një që ma kanë përshkruar se një e kemi bashkëpunëtor të dyfishtë. Nuk janë të bindur dhe s'janë të sigurt. A e ka dërguar Beogradi apo ky ka dashur të informoj. Më kanë thënë se këtë njeri e kanë pasur për të monitoruar UDB'ashët e Regjionit të Pejës.

Express: Pse s'po ua përmendni emrat?

H. Krasniqi: Ai e ka ditur edhe emrat e tjerë të Regjionit të Pejës.

Express: Pse s'po ia përmendni emrin atij?

H. Krasniqi: Nuk e di.

Express: Pse po frikësoheni t'ia përmendni emrin?

H. Krasniqi: S'frikësohet askush prej tyre. Këta janë njerëz të vdekur. Këta jetojnë si vdekatar. Mehmet Loci është i vdekur. Kufoma e tij kontaminon. Ky është jo si njeri, por si material shumë i rëndësishëm tash për institucionet relevante te fushës përkatëse të Republikën e Kosovës. Për mua ai s'ekziston fare.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat