Rugova, ishte shumë i guximshëm, shumë i përkushtuar, shumë besnik

Bota e Yjeve

Rugova, ishte shumë i guximshëm, shumë i përkushtuar, shumë besnik

Nga: Intervistoi: Nehat SHAQIRI Më: 29 janar 2014 Në ora: 08:58

24 vjet më parë, pikërisht me 17 janar të vitit 1990, u formua dega e LDK-së në Vushtrri dhe ishte dega e parë e formuar në Kosovë dhe në të vetmen degë që mori pjesë në themelimin e sajë, presidenti historik Ibrahim Rugova. Ndërsa, kryetar i kësaj dege është zgjedhur profesor Hajzer Krasniqi, i cili në një intervistë për gazetën “Bota sot” na tregon se si është bërë një organizim i tillë dhe si ishte ftuar presidenti Ibrahim Rugova që të merrte pjesë në këtë ceremoni, duke evokuar njëkohësisht kujtime të veçanta për bashkëpunimin e tij me presidentin Rugova.

“Bota sot”: Ju z. Hajzer keni qenë në disa mandate anëtar i kryesisë Qendrore të LDK-së, pra edhe në kryesinë e LDK-së, kur ishte kryetar Ibrahim Rugova. Si e kujtoni bashkëveprimin me presidentin Rugova?

Hajzer Krasniqi: Që kur ishim në studime me Rexhep Osmanin e shumë të tjerë, kam pas fatin me qenë edhe me Ibrahim Rugovën, dhe i trajtuar mirë. Po i përmendi disa momente se kush ishte Ibrahim Rugova, kush ishte LDK-ja, dhe cili ishte populli ynë? Ibrahim Rugova ka qenë që në ditët e para i pranuar dhe i futur thellë në zemrat dhe në mendjet e njerëzve. Populli ynë kur përmendej Rugova, kur e dinte që Rugova është në krye ishte shumë i guximshëm, shumë i përkushtuar, shumë besnik, sepse programi i LDK-së ishte i qartë dhe ishte bindës. I qartë dhe bindës për arsye se aspiratat, ëndrrat e njeriut tonë sublimoheshin, garantoheshin aty.
E ndalën një herë policia serbe në Kaçanik, kur ishte ende në Institutin Albanologjik të Prishtinës, unë i thash Kryetar tash duhet me pas kujdes se tash nuk je vetëm i vetvetes. Ai më tha profesor e di, por nuk më bëjnë asgjë sepse çohet e tërë Kosova në këmbë, sepse me ekzekutimin e një njeriu apo dy njerëzve, ata e dinë se nuk ndalet lufta, ai sikur tregojke se është në një farë mënyre i garantuar prej popullit.

Po dua me i përmend vetëm disa momente të Presidentit Rugova, një biografi të shkurtër, kur thotë edhe Klintoni se sa herë takohesha me Ibrahim Rugovën fascinohesha. Rugova ka qenë një njeri modest, me kulturë të madhe, me vizion të madh, humanist i madh dhe patriot i madh. Madje këtë të fundit po e ilustroj me fakte. Ishim në fshatin Akrashticë në një tubim të madh, më pyeti një plak, tha a mund të ketë tradhti sikur që i kemi përjetuar më parë, dhe i thashë nuk ka më, sepse kryetari ynë që po i prin popullit tonë është i një familje gjyshi edhe baba të ekzekutuar prej pushtuesit, është një njeri që është shkolluar deri në shkallën më të lart dhe më të mirë, dhe në Francë, kur ka qenë në specializim si humanist i madh, si njohës i artit letrar botëror, prej gjashtë studentëve që ishin ky ka ra në sy, dhe kolegët e tij nëpër vendet e veta janë betuar në këtë njeri që po e shohin kaq të mirë dhe kaq të madh. Ata kanë thënë se kemi me kërkuar prej qeverive të tyre që me njohur vendin e tij dhe popullin e tij, do të thotë që në atë kohë Rugova ka qenë përfaqësues i denjë i kulturës dhe i historisë.

Ishte një 28 nëntor, viti ‘92-93, nuk e di saktë, edhe ka qenë heroina e Kosovës, Hyrie Hana, motra e Xheladin Hanës, patriotit të madh, shokut të ngushtë të Haki Taves, ky i fundit është i njohur për aktin që e ka bërë që e ka vra Milladinin, në atë rrethimin famëkeq të Prishtinës, thonë që e kanë mbytur edhe Hakin, por ai ka pasur mundësi ta vras edhe vetveten, pasi e kanë gjetur të mbështjellur me flamur. Hyria është betuar te varri i vëllait se sa të jem gjallë nuk kam me lëshuar rrugën tënde dhe nuk kam me u nda prej teje, prandaj ajo i frekuentoj prej dhunës e pushtimit të gjitha burgjet. Unë në po atë vit që e përmenda shkova, pasi kishim një lidhje të vjetër me familjen e saj, ndër të tjera po më thotë eja shiko se çka kam punuar, pasi ka qenë artise, aktore e teatrit, poete dhe prozatore. Shkuam në atelie dhe po më thotë se cili punim po të pëlqen më shumë, unë e zgjedha një, dhe thash kjo po më pëlqen, thotë në rregull, se dua ta punoj një dhe t’ia falim Rugovës. Kur e ka përfunduar shkuam te Presidenti Rugova dhe ia dërguam. Hyria njihet që ka folur shkurt dhe pak, dhe aty po i thotë presidentit, Ibrahim unë prej 13 vjetëve po e përcjelli çështjen e popullit tonë, dhe i thotë se puna jote po më pëlqen shumë. Gjatë bisedës ajo po i thotë Rugovës, unë e di që ju e keni ndihmuar demokratizimin e Shqipërisë. Kurrë në jetën e tij për veti nuk ka folur Rugova, aty e kam dëgjuar kur i tha, po.

Modestia e tij edhe kultura e madhe njihet te Presidenti Rugova. Edhe në atë kohë ka pasur fjalë të këqija për to, madje ka pasur edhe atentate, por kurrë në jetën e tij nuk e ke dëgjuar duke folur keq për dikë. Një herë Rexhep Osmani dhe Zejnullah Rrahmani po i thonë se a pe sheh çka po ndodh, presidenti Rugova po iu thotë dëgjoni çka po ju flas, hera e parë dhe e fundit është me ju dëgjua duke folur keq. Këto ndodhin sepse jemi mas e madhe dhe ndodhin këto gjëra.

I përmenda edhe atentatet, i përmenda edhe ndryshimet që janë bërë pas luftës, si e ka emrin kjo. Pse është luftë dhe çfarë lufte, është luftë me petkun parcial? Merita e gjithë kësaj është e LDK-së. LDK-ja ka me qenë e paharrueshme në historinë e popullin tonë, sepse e mobilizoi, e zgjoi ndërgjegjen e popullit, e organizoj, masovikisht, të gjithë ja vunë krahun kësaj barre të rëndë, kjo është LDK-ja. Ndodhën këto organizimet e grupimet e ndryshme, edhe po bisedojmë njëherë me kryetarin. Ai tha kjo është një domosdo e kohës e proceseve globale të njerëzimit, njerëzimi duhet të demokratizohet, duhet paqe, liri. Ai thotë demokratizimi bëhet me mjetet pluraliste, e unë aty pak e mora një guxim më të madh, thashë po këto formime apo këto grupime a janë produkt i një sinqeriteti, ai kur nuk donte me u përgjigj e lëshonte kokën te poshtë. Këto grupime ishin imponim i kohës, se njerëzit e mirë dhe të vendosur e të përkushtuar dhe patriot të devotshëm ishin aty. Pas luftës tani u bënë grupimet të formave e të llojeve të ndryshme.

Ky ishte Ibrahim Rugova, po vijmë te fundi i jetës së tij, e fitoj një sëmundje të rëndë. Kur u kthye nga Gjermania, që ishte në qendrën mjekuese, i thashë kryetar a nuk e hetove më herët a? Jo, e hetova në pranverë, por mendova që janë disa gripe edhe duhanin që po e pi e kalon me kohë. Ne u mërzitëm shumë, Presidenti ka pas dal edhe me deklaratë që jeta është e mirë, populli është fitues, do të thotë ishte optimist. Gjithmonë i manifestonte pamjet dhe paraqitjet optimiste. Në mbledhjen e fundit të kryesisë, të gjithë ishin në këmbë. Presidenti kishte me i nënshkruar disa akte, lapsin nuk mundej me mbajtë në dorë, ai e hetoi që ne po mërzitemi shumë. E çoi kokën lart dhe tha, “moni bre burra, qelnu pak”, se e ka pasur edhe një humor të mirë, të kulturës dhe edukatës së mirë. Ne shkuam pastaj me lëshuar një komunikatë. Fatmir Sejdiu, Kolë Berisha dhe unë. Fatmiri po e dikton tekstin, Kola po qanë. Kola ka qenë shtyllë e fort e LDK-së. Ne i thamë qetësohu Kolë, ai tha se ma kryetar nuk kemi!

Për mua ishte një gjë e rëndë, se prej 1953 jam në veprimtarinë aktive, të profesioneve dhe të llojeve të ndryshme. Unë e kam pas fatin që të punoj me këtë popull, gjatë tërë atyre viteve që kam punuar me Rugovën, asnjëherë fjala nuk më është kthyer. Edhe gjëja e dytë e mirë për mua është që kam qenë në krahë dhe pranë tij.

“Bota sot”: Si e kujtoni themelimin e Degës së LDK-së në Vushtrri, nga kush u themelua, a ishte vetë Rugova pjesëmarrës, kush e solli apo u bë shkaktar që të merrte pjesë, dhe me gjasë ishte e vetmja degë në të cilën ishte vetë prezent presidenti Rugova?

Krasniqi: U lëshua kushtrimi mbi Prishtinë e në të gjitha anët e Kosovës se po themelohet dhe po bëhet organizimi i popullit tonë në një subjekt, i cili nuk quhej parti politike, po quhej një organizim masovik i popullit për liri, demokraci dhe pavarësi. Njerëzit e përqafuan menjëherë, si thotë populli “i madh dhe i vogël”, të rinjtë kanë qenë shumë aktiv, si Qazim Bajgoraliu që ishte djalë shumë aktiv, shumë i vyeshëm dhe shumë i guximshëm. Edhe shokët e tij, si avokati Xhaferi edhe shumë të tjerë që ishin në kontakt me qendrën, ata të cilët ishim më pranë dr. Rugovës. I bëmë përgatitjet, regjistrimin në zyrën ë Xhaferit ishin tri grupe pandërprerë që regjistroheshin. Madje numri ishte i pa përkufizuar se regjistroheshim dhe brenda 2 dite i dërgonim në Prishtinë, në qendër. Dega e Vushtrrisë i kishte 43 mijë anëtarë, të gjithë që ishin të moshës madhorë dhe të vetëdijes së çështjes kombëtare. Prandaj kjo parti, kjo degë është e veprimit rrënjësor të një realiteti patriotik. Ne e ushtruam kërkesën me ardh dikush nga Kryesia e LDK-së, natyrisht me theks të veçantë dr. Rugova, po mundësisht edhe Fehmi Agani. Ibrahim Rugova, Fehmi Agani dhe Anton Çetta kanë qenë një treshe e pashoq, madje ekziston në popull fotografia ku Ibrahim Rugova ja ka vendosur dorën rreth qafës profesor Anton Çettës. Erdhe të dytë këta, ishin bërë konsultat edhe me njerëz të devotshëm, madje në një rast e takova Gani Lahun dhe po i them a ti je Gani Lahu a? Ai tha po, a nuk po të mbushi sy a? Edhe ishim mbledhur në sallën e Shtëpisë së Kulturës në Vushtrri, i dhanë propozimet, dhe kryetar të LDK-së më bërën mua. Ishte një gëzim i madh në popullatë, pasi në sallë nuk kishin vend për të gjithë, dhe ishin tubuar jashtë, edhe pse kishte shumë polici serbe, ata ishin të vendosur që të rrinin në përkrahje tonë.

“Bota sot”: Fraksionet, “prurjet” e reja, fitoret dhe humbjet në zgjedhjet lokale si i sheh zhvillimet e sotme në Kosovë?

Hajzeri: Njeriu me punua sinqerisht mund të del i pagabueshëm, ose mund të gaboj pak, dhe ai dëm që bëhet nuk është i përmasave të mëdha, po njeriu kur bënë gabime me vetëdije në një diçka që tjetri e shfrytëzon dhe prej atij shfrytëzimi dëmtohet interesi i vendit dhe i popullit, kjo nuk falet. Më ka pas thënë kryetari Rugova, shko me bisedua me një person, nuk dua ta bëjë publik emrin. Kur kam shkuar me bisedua me atë, sikur më hëngër gjarpri, duke thënë jo, jo, jo. Ndërsa, sot është faktor, por me një ngjyrë, e cila kuptohet se si. LDK-ja ka me qenë gjithmonë, dhe për atë pjesën e meritueshme shumë, por edhe si subjekt i proceseve në ecje e sipër. LDK-ja duhet të bëhet e fort me njerëz të fort dhe të bëhet e suksesshme me njerëz të suksesshëm.

“Bota sot”: Si i shihni raportet me PDK-në dhe AAK-në?

Hajzeri: Kush janë këto dy subjekte, të dështuara, të rekrutuarit, të strehuarit në kohën e veprave dhe ngjarjeve të rrezikshme nëpër qoshe, të vetë deklaruarit ose dekoruarit? Na e ka imponua koha dhe zhvillimi i proceseve ndërkombëtare, si element për pluralizmin. Të gjitha këto strukturime janë shumë të vona, shumë heterogjene në krahasim me LDK-në. Bashkëpunimi duhet në mes vete. Porosia e Rugovës ishte se së pari të bëjmë punë shqiptari, tani punë të subjektit politik. Ishalla të gjithë bëjnë punë shqiptari.

“Bota sot”: Ju z. Hajzer si i shihni debatet e sotme që i nxisin kundërshtarët e Rugovës, si Thaçi, Demaçi, Qosja?

Hajzeri: Populli është mësuar me deklarata të tilla, të cilat nuk i donë. Zekeria Cana ka pas thanë një kohë tash është edhe lehtë edhe vështirë me punua me popull, sepse nuk është oda më analfabetë dhe nëse mundohesh me mashtrua në odë, atëherë ke bërë një gabim shumë të madh, ndërsa nëse je i sinqertë shumë lehtë punon me popull. Prandaj, nuk i donë më populli deklaratat e tilla. Ka njerëz që po shkojnë mbrapsht, por këtë popull nuk ka kush më që e kthen mbrapa. Ky popull e ka rrugën e vetë dhe ka me realizuar të ardhmen e vet, edhe pse po dëmtohet.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat