Hapja e temës së kufijve, produkt i politikave shoviniste serbe

Intervista

Hapja e temës së kufijve, produkt i politikave shoviniste serbe

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 14 shtator 2018 Në ora: 09:36
Fadil Kajtazi

Eksperti i sigurisë Fadil Kajtazi, konsideron se tema aktuale “shkëmbimi i territoreve”, “korrigjimi i kufijve” etj, janë tema që i konvenojnë Serbisë, në disa dimensione: së pari, në rrafshin e brendshëm atyre ju nevojitet kohë për ta mbajtur të kontrolluar gjendjen e cila vetëm sa nuk ka shpërthyer. Në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, Kajtazi ka thënë se, hapja e kësaj teme është produkt i politikave shoviniste serbe për “kufizim me shqiptarët”.

Kajtazi gjatë intervistës ka folur edhe mbi gjendjen e sigurisë në vend dhe probleme të tjera të jetës politike.

“Bota sot” : A mund të ketë ndonjë impakt në gjendjen e sigurisë vizita e Vuçiçit në Kosovë?

Fadil Kajtazi: Pavarësisht se para se të ndodhe vizita, asaj ju dha një pompozitet, realiteti tregoi diçka tjetër: Ardhja e Vuçiçit në Kosovë nuk pati intensitetin e pritur, ajo kaloi e zbehet pasi popullata serbe e pjesës veriore nuk ishte entuziaste, nuk pati turma të mëdha njerëzish siç ndodhte në të kaluarën, pjesë e pritjes ishin grupe të interesit, kryesisht ata që janë të lidhur me krimin e që kjo pjesë është shndërruar në oazë të tyre. Popullata e thjeshtë në këtë pjesë po përjeton tmerret nga strukturat kriminale të cilat dominojnë jetën shoqërore. Në këto kushte, kjo vizitë nuk mund të ndikoj në ndonjë degradim të nivelit të sigurisë në shkallë të gjer. Edhe përkundër faktit se shërbimet inteligjente serbe janë të instaluara në këtë pjesë si instrumente të fuqishme me ndikim në fushën e sigurisë, përkrahja e shtetit serb te popullata vendase ka rënie. Besimi i kësaj popullate te ky shtet është venitur tej mase.

“Bota sot”: A mund të pritet ndonjë destabilizim i gjendjes nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë?

Fadil Kajtazi: Serbia si shtet e ka emergjente hyrjen në BE, nga se ka probleme serioze ekonomike. Ndihmat ekonomike të pritura me entuziazëm nga Rusia thuajse nuk u ndjenë fare, ato u reduktuan më tepër në pajisje ushtarake kryesisht në aeroplan dhe tanke të përdorura, ndërsa investime në ekonomi thuajse janë të pa përfillshme. Dhe kontrolli i një gjendje para shpërthimit të trazirave me karakter social, tradicionalisht pushtetet në serbi, së paku për tredhjet vite e bëjnë duke krijuar tema me dhe për Kosovën. Hyrja e Kosovës në bisedime me Serbinë dhe krijimi i temave të cilat asaj i konvenojnë, ose është naivitet i politikaneve tanë ose është marrëveshje me palën serbe. Tema aktuale “shkëmbimi i territoreve”, “korrigjimi i kufijve” etj, janë tema që i konvenojnë Serbisë, në disa dimensione: së pari, në rrafshin e brendshëm atyre ju nevojitet kohë për ta mbajtur të kontrolluar gjendjen e cila vetëm sa nuk ka shpërthyer. Në Serbi ndonëse qeveria proklamon rritje ekonomike, ajo përballët me një krizë. Gjithashtu krimi i organizuar dhe korrupsioni, kanë kapur majat e administratës serbe ku pjesa veriore e Kosovës është terreni i përshtatshëm edhe i qeveritareve për të rikthyer investimin nga i ashtuquajturi “Fond për Kosovën”. Dhe të jesh pjesë e pushtetit në Serbi, që merret me Kosovën është profit i madh. Prandaj kjo temë është me interes në Serbi, dhe nevojitet dije e stërholluar që një pjesë e pushtetarëve tanë, që i mbajnë ison Vuçiçit në këtë temë ose janë injorant, ose edhe ata e kenë futur lugën në qypin e tij.

Së dyti, tema e ndërrimit të territoreve në Ballkanin e trazuar është e ndjeshme për ata që pretendojnë, që këtyre hapësirave të ju sigurojnë paqe te qëndrueshme. Hapja e kësaj teme është produkt i politikave shoviniste serbe për “kufizim me shqiptarët”, gjithnjë sipas kutit të tyre, bazuar mbi sloganit “shqiptarët përtej Bjeshkëve të Nëmura” të artikuluar nga shefi i Vuçiqit, Voisllav Sheshel, ku thotë se janë në ëndërr, ose injorant të gjithë ata që mendojnë se serbët do të lejojnë pa një luftë të madhe ta afrojnë aq afër shtetin e shqiptareve, sa që ata do të kenë mundësi të rrezikojnë korridorin e 10 me gurë. Aq më tepër kur ky veprim kërkon ndërrimin e Kushtetutës së Serbisë, sipas së cilës “Kosova dhe Metohija janë pjesë e pa ndarë e saj”. Nuk është e vështirë për t’u imagjinuar rrëmuja që do të ndodhë në Serbi nëse kjo temë bëhet pjesë e trajtimit institucional të shtetit serb. Heshtja e opozitës serbe është dëshmia më e mirë se kjo temë është karrem për të thyer konceptin e Kosovës si shtet unitarë, i pa ndarë, gjë që në një situatë të ndryshimeve gjeopolitike të cilat serbet janë duke i pritur, të kenë mundësi të veprimit ushtarak. Gjithashtu hapja e kësaj teme dhe përhapja e jehonës së saj nga presidenti i Kosovës, është qitje e kësaj çështje të ndjeshme në tavolinën e pokerit dhe “As” në 10, në marrëdhëniet ndërkombëtare në favor të Serbisë. Kjo krijon brumin e mirë të pengimit të njohjeve të Kosovës nga shtetet që ende nuk na kanë njohur dhe gjithashtu forcon tezën serbe “për Kosovën shtet jo funksional” para këtyre shteteve si dhe të atyre që na kanë njohur. Kjo jehonë përforcon dyshimet në të kaluarën të Bolton, për jo funksionalitetin e shtetit të Kosovës, dhe ndikoi në deklaratën e tanishme të tij si sekretar për siguri i presidentit Tramp. 

“Bota sot”: Besoni se mund të ndryshojë rezoluta 1244 në rast të arritjes së ndonjë marrëveshje?

Fadil Kajtazi: Marrëveshja me Serbinë është e pa mundur pa një trysni ndërkombëtare, e cila për shkak të rrethanave në gjeopolitikën globale nuk po duket në horizont. E vetmja zgjidhje në raport me Serbinë është nëse në Kosovë, gjërat fillojnë të shkojnë për së mbari. Dhe kjo konsiston së pari se siguria e tërësisë territoriale të Kosovës, garantohet nga NATO. Dhe është mese e ngutshme që të filloi një proces në fillimin e funksionimit të rendit dhe ligjit, përmes të cilit do të ulet  niveli i krimit të organizuar dhe korrupsionit, do të filloi rritje e nivelit ekonomik, rritje e cilësisë së jetës së qytetarit, rritjes së cilësisë në shëndetësi, arsim etj. Thënë figurativisht, Serbia do ta njeh Kosovën,vetëm atëherë kur buxheti i Kosovës arrin 5 miliard. Këtë nuk ka kapacitete ta bëj partia e zotit Thaçi dhe e zotit Haradinaj. Ata për këto vite, përkundrazi vetëm sa instaluan mendësinë primitive të qeverisjes, e cila po i venitë çdo ditë ardhmërinë këtij vendi.

“Bota sot”: Serbët hapur kërcënojnë lidhur me veriun e Kosovës. Mendoni se KFOR do ta mbajë nën kontroll gjendjen në atë pjesë?

Fadil Kajtazi: Kjo do të varet nga zhvillimet brenda Kosovës dhe cila vallë është logjika që të marrësh nën administrim një pjesë që nuk e ke, kur pjesën që je duke e administruar nuk e administron si duhet. Ta zëmë, është e turpshme niveli i shërbimeve që qytetari kosovar merr në shëndetësi, e që është esencial për popullatën e një vendi. Kjo konsistence e përkrahjes ndërkombëtare mundë të vazhdoj ose të ndërpritet nga mënyra se si qeverisin qeveritë kosovare.

“Bota sot”: Nga cilët faktor më së tepërmi rrezikohet siguria në vend?

Fadil Kajtazi: Serbet posedojnë potencial të madh brenda Kosovës për të ndikuar në jetën tonë shoqërore. Destabilizimi i situatës së brendshme është faktori që më së shumti e rrezikon sigurinë e Kosovës. Shembull tipik janë ngjarjet e marsit 2004.

“Bota sot” :Sa janë të gatshme institucionet e vendit ti përgjigjen kërcënimeve dhe a ka kapacitete të mjaftueshme?

Fadil Kajtazi: Shikuar në aspektin e sasisë, përgatitjes profesionale dhe të pajisjeve, sistemi i jonë i sigurisë ka kapacitete për të përballuar sfida që rrezikojnë sigurinë në shkallë të gjer. Ne në kuadër të sistemit tonë të sigurisë kemi në shumicë burra dhe gra profesionist, të devotshëm dhe të përgjegjshëm ndaj misionit. Mirëpo, ngjashëm me institucionet tjera edhe sistemi i sigurisë është i përfshirë nga nepotizmi dhe ndodhitë deviante dhe ky kontingjent i burrave dhe grave të ndershëm dhe profesionist nuk po mundet të vije në shprehje në vendin e duhur, në zingjirin komandues nga ndërhyrjet me karakter të ndryshëm, duke përfshi prej atyre politike e deri te ato në farefisnore. Në analizat që i bëhen sistemit tonë të sigurisë e që pasqyrohen në raportin e Progresit të Këshillit të Evropës, janë të pasqyruara këto dobësi ndër vite  dhe me përjashtime të vogla, as një ministër i Punëve të Brendshme nuk i ka marr seriozisht. Nuk mund të flasësh për një institucion kredibel të Policisë së Kosovës pa u gjetur kush e vodhi dhomën e dëshmisë? Sigurisht kjo nuk është bërë nga hajna ordiner nga jeta civile. Ne jemi dëshmitar të një video incizimi ku një polic rrah në publik drejtorin e PTK, ose ngjarjet e fundit në AKI janë dëshpëruese. Këto krijojnë brishtësi në sistemit tonë të sigurisë i cili favorizon situata të ngjashme me ato të 2004 dhe vë në pikëpyetje efikasitetin e tyre.

“Bota sot”: Mendoni se kjo për shkak të mungesës së një strategjie të mirëfilltë?

 Fadil Kajtazi: Jo, strategjitë janë të mira, problemi është së nuk ka vullnet politik të zbatohen.

“Bota sot”: Si i shihni përplasjet e fundit pozitën opozitë?

Fadil Kajrazi: Presidenti Thaçi ka dashtë, ose së paku ka tentuar që ta trafikoi një çështje shumë subversive për shtetësinë e Kosovës. Dhe opozita mbetet opozitë në kushtet ballkanike deri sa asaj për çështje të rëndësishme të sigurisë nacionale nuk i bashkohet së paku edhe një pjesë e pozitës. Në kushte të një vetëdije tjetër politike, argumentet kanë qenë të mjaftueshme që edhe pozita, në këtë rast PDK të veproi dhe në përputhje me procedurat dhe ta shkarkoj presidentin. Ai ka shkelur kushtetutën e vendit duke krijuar opinion në favor të ndarjes së vendit. Debati për tema të këtij karakteri duhet të këtë tjetër rrugë, duhet të jetë transparent. Opozita në kuadër të fuqisë së vet, arriti të parandaloi një veprim të keq për shtetësinë e Kosovës, i cili në të ardhmen do të prodhoi pasoja negative për vendin.

“Bota sot”: Ju se fundmi keni nxjerrë në dritë edhe një libër në fushën e sigurisë, a mund të na thoni diçka më shumë për të?

Fadil Kajtazi: Jam munduar që të dokumentoj me dokumente veprimtarinë shkatërruese të shtetit serb që nga viti 1845, të shfrytëzimit të Kishës Ortodokse Serbe si vegël e shërbimeve sekrete serbe, që vepronin në drejtim të shqiptarëve dhe përfshirjes së saj në krijimin e politikave gjenicidale, të përfshirjes së shqiptareve si spiun në këtë makineri. Kam sjell dokumente origjinale të shërbimit sekret jugosllav të kohës së komunizmit (SDB),  të cilat dokumentojnë veprimtarinë e shqiptareve të shitur si spiun, të cilët të kamufluar në petkun e patriotit kanë spiunuar te ky shërbim dhe fatkeqësisht në etapa të ndryshme kanë sakatosur veprimtarët e çështjes kombëtare. Qëllimi ka qenë që lexuesit t’i ofroj një material  i cili dëshmon masivitetin e agjenturës serbe në jetën tonë shoqërore, që fatkeqësisht po vazhdon edhe në ditët e sotme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat